Kam rënë që në çastin e parë në dashuri me këtë gjuhë të mrekullueshme



Flet Dr. Kurt Gostentschnigg (1965) albanolog, përkthyes, ligjërues në Universitetin e Graz-it, autor i një sërë punimesh dhe i doktoraturës për shqiptarët dhe albanologjinë, njohës i mirë i shqipes dhe i shqiptarëve*.


Arif Kutleshi: Zoti doktor Gostentschnigg, ju fillimisht keni studiuar histori në Universitetin e Gracit. Si u bë që të interesoheni për albanologjinë?

Kurt Gostentschnigg: Gjatë studimeve të mia të Diplomës për degën e historisë kam ndjekur dy leksione, një për historinë e Shqipërisë si dhe një për fiset shqiptare dhe kanunin e tyre. Më ka tërhequr dhe zgjodha temën për punën time të diplomës në lidhje me albanologjinë austro-hungareze. Doktorata ka qenë vazhdimi, zgjerimi dhe thellimi i kësaj teme në drejtim të marrëdhënieve midis shkencës dhe politikës.

Fe e Atdhe - Bisedë me Dom Ndue Ballabanin


Revista Haemus: I dashur Dom Ndue Ballabani. Në një moshë fort të re ju përkushtuat Zotit dhe shërbimit të të afërmit. Fatkeqësisht, për shumë njerëz, përkushtimi nuk është i kuptueshëm, ndonëse thuhet që „bijtë e kësaj bote nuk e kanë idenë ç’lumturi i ndjek misionarët”. A erdhi blatimi juaj si pasojë e ndonjë vegimi, apo ndoqët ndonjë traditë familjare, fisnore…?

Dom Ndue Ballabani: Ishte thirrja: „T’i shërbesh Zotit dhe të jesh i përkushtuar ndaj njeriut vëlla - motër”. Përkushtimi priftëror-meshtarak është krejt i jashtëzakonshëm, krej transhendent. Madje është një mister, sepse kemi të bëjmë me ndërhyrjen hyjnore në zemrën e njerut. Kjo shkakton tek njerëzit pakuptim e shpehherë edhe mospranim. Kjo ngjan tek shumë njerëz si pasojë e varfërisë shpirtërore, e shkëputjes së të tejbotëshmes nga njëmendësia e njeriut. Njerëzit e kushtuar Zoti, apo siç e thoni Ju, misionarët, vërtet ndjejnë kënaqësi të madhe, për vetë natyrën e përkushtimit. Nga ky këndvështrim, e quaj privilegj përkushtimin tim, si pjesëtar në rrugëtimin dymijëvjeçar të Kishës Katolike tek shqiptarët, sepse jam bërë pjesë e pëlqimit të Hyut, bashkëpuntor i tij.

Koha e panterave... - Bisedë me shkrimtarin Ridvan Dibra

Revista Hæmus: Ndihet menjëherë, veçanërisht në Lindje, një përmbysje e baraspeshës mes asaj që duhet të shprehin artistët e vërtetë dhe shtëllungave të “të paftuarve” që s’rreshtin së dhëni mendime, që thurrin e shthurrin hierarki e mbushin gazetat. Mendoni se kjo ndodh vetëm që këto të shiten sa më shumë?

Ridvan Dibra: Druaj se ajo që thoni me të drejtë, domethënë “përmbysja e baraspeshës mes artistëve të vërtetë dhe të paftuarve”, nuk është dukuri vetëm e Lindjes, por edhe e Perëndimit. Më shumë se kurrë LIBRI po trajtohet si mall tregu. Më shumë se kurrë botuesit (edhe ata seriozë) po ngjasojnë me tregtarë të rëndomtë. Pak kohë më parë, mediat italiane (edhe ato serioze) shpallën si “zbulim” e “sensacion” romanin e parë (libër mesatar e me theks pornografik) të një adoleshenteje (Melisa P.). Thuajse e njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri me romanin e parë të një gazetareje…

Rrallë kam pa shoqni e cila i tutet Të Vërtetës si shoqnia shqiptare… - Bisedë me shkrimtarin Migjen Kelmendi

Revista Haemus: I dashur Migjen Kelmendi. Mass-mediat shqiptare janë plot intervista dhe rrëfime e kjo mbase është një pasqyrim i natyrshëm i ndryshimeve që po ndodhin apo që duhet të ndodhin në vetëdijën e lexuesve. Mendoni se ndryshimet e mësipërme janë reale? Çfarë përqindje e këtyre rrëfimeve ka çiltërsi dhe vlerë?

Migjen Kelmendi: E kam nji bindje se distanca e nevojshme për me i pa fenomenet e gjanat që i ndodhën shoqnisë shqiptare në shekullin e shkuem, me gjasë asht mbërri, andaj edhe kjo nevojë me folë... me folë... me folë... Na n’Kosovë kishim me thanë: me e qitë t’keqtit! Nji mënyrë e purifikimit të shpirtit, mbamendjes, kujtesës. Mediat ta krijojnë përshtypjen e kanapesë së psikoanalistit. E shoqnia shqiptare si nji paciente e ndeme në kanapen e Frojdit! Por, s’ka formë ma të mirë se me mjegullue e me hutue opinionin poashtu tue folë... folë... folë... Kjo kakofoni zanash, piskamash e argumentesh gjysëm të vërtetë ja të rremë, e ka të njajtin efekt.

Një portret i „vështirë”… - Bisedë me Akad. Kopi Kyçykun

- Philadelphia – Bukuresht, 2013 –

I nderuar Akademik Kopi Kyçyku,
Nuk e di me cilën valencë t’ju thërras më parë, me atë te profesorit apo të doktorit; me atë të akademikut apo me atë të shokut a mikut, apo me atë të gjeologut? Ju falenderoj shumë që pranuat të bëjmë këtë dialog, ku personi i parë jeni ju, shumë ndryshe nga unë. Eshtë një kënaqësi e papërfytyrueshme, një tundim i madh. Ju u përkisni fushave të studimeve akademike. Nëse pasuritë natyrore janë krijuar nga natyra dhe manaxhohen nga njerëzit, këto tuajat kryen dhe manaxhohen nga ju, me një punë intelektuale titanike. Në këtë drejtim ju i keni shokët të rrallë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj. Gjithsesi, bëni gjithçka për Shqipërinë. Jeni një mozaik brenda një perle. Akademiku Kopi Kyçyku i do njerëzit. Ai i qëndron fjalës së shenjtores sonë, Nënë Terezës: “Nëse ndaleni të gjykoni njerëzit, nuk do të gjeni kohe t’i doni”. Personalitete si ju numurohen me gishta. Unë jam admiruesi juaj! Ka shumë si unë që ju admirojnë, sepse ju nuk shtireni; ju jeni si një orë e madhe qe kolaudon të gjitha orët e tjera, me qindra apo me mijra.

Lapsi im shkruan me zemër... - Bisedë me shkrimtarin Bajram Sefaj

Revista Haemus: I dashur Bajram Sefaj. Në botimet e tua më të freskëta bien në sy dy dhembje, që ravgojnë të kthehen në vegime letrare: mërgimi dhe nevoja për të njësuar trevat shqiptare, të paktën nga ana shpirtërore, si shpërblim i natyrshëm ndaj vështirësive të mërgimit. Si e sheh pas kaq vjetësh çastin kur u detyrove të shkëputesh (përkohësisht dhe vetëm trupërisht) nga vatra?

Bajram Sefaj: Çastin kur u shkëputa nga vatra nuk e përjetova aq rëndë dhe aq tragjikisht, pikërisht në saje të vërejtjes suaj që e ngujoni ndër paranteza. Shkëputjen nuk e përjetova, së paku jo ashtu, pikëllueshëm e hidhshëm siç kisha lexuar për të në faqe librash, sa i rëndë është ky pikëllim. Pra, shkëputjen nga vendlindja e përjetova si një gjë të përkohshme, sepse e tillë edhe ishte në fillim të saj. Por a ishte kjo shkëputje vërtet e tillë. E përkohshme dhe ku do të ndaleshin, ku do të preheshin kufijtë e përkohësisë së saj. Kjo as që mund të ishte e qartë për askënd, aq më pak për mua dhe bashkatdhetarët (bashkëkombësit) e mi fatkëqij.

Kulturat e gjithfuqishme bëhen varr i vetvetes po nuk u ripërtërinë... - Bisedë me shkrimtaren Elvira Dones

Revista Haemus: E dashur Elvira Dones. Ke përshkuar një udhë që mund të ndahet në tri pjesë, ose në tri mendësi: Shqipëria para dhe pas shembjes së diktaturës, Zvicra (e shkrimtares së arratisur e, më pas, së njohur) dhe Amerika. Ndërkaq, vepra jote në prozë ka një harmoni të qartë dhe ringjiz në tekst një botë të mëvetësishme, por që ruan përmasa të secilës nga hapësirat e përmendura. Si janë shtresuar brenda teje Shqipëria, Zvicra dhe Amerika?

Elvira Dones: Këta vende, në dukje kaq të ndryshëm nga njëri tjetri, më kanë bërë një nder të madh, duke e lënë veten të këqyren nga unë. Është luks ky: të kesh mundësinë të shqyrtosh, fotografosh, ngjitësh e shpërbësh shoqërinë, natyrën, politikën, vlerat e mosvlerat e një vendi të vetëm, e jo pastaj të tre vendeve bashkë, ndaj më janë të tre të rëndësishëm. Shqipëria është Toka Amë, dhe këtu s’do kish pse të zgjatesha rreth arsyeve pse vendi ku ke lindur, qumështi që të ka dhënë, gjuha që ke mbllaçitur së pari të janë të paçmueshme. Zvicra në njëfarë mënyre më rriti sepse më goditi paq në fillim (përvojë nëpërmjet së cilës kanë kaluar thuajse të gjithë mërgimtarët). Pasi u shkërmoqa në krenarinë e sensin e identitetit vendosa të rikompozoja veten (e edhe këtu, asgjë të re që të tjerë mërgimtarë nuk kanë kaluar), e kur ndërtohesh nga e para je i kulluar në forcat fizike e barazpeshimin mendor, je njeriu i ri – jo në kuptimin diktatorial të termit, zot na ruaj! – por në kuptimin më të thellë, atë të mbijetuesit me dinjitet e kokëfortësi aktive. Kjo më ndodhi në Zvicër, u rrita.

Të veçohesh nga rrethi i vrasësve - Bisedë me shkrimtarin Arian Leka

Revista Haemus: I dashur Arian Leka. Si është të mos heqësh dorë nga poezia dhe nga letërsia gjatë tranzicionit shqiptar të thundruar nga pragmatizmi dhe të kanosur nga shkulturimi?

Arian Leka: Pohimi i Franc Kafkës që shkruan se të jesh shkrimtar do të thotë të veçohesh nga rrethi i vrasësve, të cilin thuajse po në këtë formë e ka shprehur edhe Lasgush Poradeci, siç e citon Ismail Kadareja, e ruan gjer sot shtangien sa herë që e kupton për se bëhet fjalë. Në rastin tonë nuk flasim thjesht për të shpëtuar (në radhë të parë veten) vetëm nga rrethi i vrasësve, pasi rrathët e shkrimtarit takohen me rrathët e vrasësve, për më tepër po të vërejmë se që nga koha e Kafkës edhe vrasësit kanë nxjerrë OMGJ-të e tyre. Për mua letërsia e ka ruajtur këtë nuancë shpëtimi dhe mbrojtjeje dhe këtë e kam vërejtur sa herë që qoftë vetë apo të ngjashmit e mi kanë pasur ndonjë brengë a fatkeqësi.

Pa monumente nuk ka histori dhe komb të qytetëruar - Bisedë me shkrimtarin Hiqmet Meçaj

Revista Haemus: I dashur zoti Hiqmet Meçaj, çelësi i jetës së një poeti shpesh fshihet në vargjet e tij, mbase edhe në një varg të vetëm, i cili ndodh që as vetë poetit të mos i bjerë në sy. Pas një debutimi të fuqishëm, shpresëdhënës në shkallë kombëtare, ju caktuan mësues fshati. Si e përjetuat këtë mërgim brenda vendit? Për fat të keq, një pjesë lexuesish nuk e dinë ç’domethënë të nxjerrësh ar poetik nga baltrat dhe nga ndeshja e përditshme me padijen apo gjuhën e rëndomtë të bashkëkohësve…

Hiqmet Meçaj: Ju falënderoj për këtë ftesë fisnike bashkëbisedimi. „Haemus” është një revistë prestigjioze dhe më nderon të shprehurit në të.
Kur më emëruan në fshat, pasi mbarova fakultetin dhe kisha bërë emër si poet, më kujtohet si tani (gjithnjë qesh me këto gjëra), kryetari i këshillit të fshatit, (ndjesë pastë!), që nuk e njihja, më thirri nga larg, që ditën e parë: “Ore Pushkin, do të të ndreqim këtu!”. Unë u gëzova që dikush e njihte Pushkinin, pra kishte kulturë, më vlerësonte si poet, ndaj iu afrova e i thashë: „E njeh mirë ti Pushkinin„? „Unë ta njoh atë gangster, më thotë, ja, rrugaç me flokë të gjata si ti është”.

HIQMET MEÇAJ: Mashtrimi në letërsi

Nuk ka shkrimtar të madh apo të vogël, të mirë apo të keq, ka vetëm shkrimtar. Për mua shkrimtari është ai mashtruesi i madh, që megjithëse e kuptoj se më mashtron, vazhdoj ta besoj. Kam dëshirën të më mashtrojë, të më thotë gjëra që as ai, as unë nuk kemi mundësinë t’i jetojmë, megjithatë i përjetojmë në sajë të rrëfimeve të tij.
Kur berberi Ivan Jakovlieviç futi dorën në bukën e ngrohtë, që sapo kishte nxjerrë Praskovja Ivanovna dhe nxori që andej një hundë, e kuptova menjëherë që Gogoli po më mashtronte keq, megjithatë e lexova novelën e tij me një frymë, e lexova përsëri e përsëri, duke e vazhduar këtë gjë herë pas here deri më sot, pas kaq shumë vitesh.

HIQMET MEÇAJ: Modernizmi dhe Mikrobotizmi

(Pasthënie e autorit për botimin e romanit “Kukullat e pyllit”)

Ky shkrim nuk merr përsipër të shterojë katërcipërisht shkaqet që e lindën modernizmin, historike apo sociale, as meritat e të metat e tij. Është e vërtetë se modernizmi, me degëzimet e shumta, solli dhe po sjell pasuri të pafundme veprash dhe kryeveprash në të gjitha fushat e letërsisë dhe të artit, stile, mjete shprehëse. Është gjithashtu e vërtetë se zbulimet e mëdha në botën e shkencave, sidomos në fizikë, tronditën mjaft pikëpamjet filozofiko-estetike tradicionale, duke hedhur bazën për platforma të reja të mendimit, mbi të cilat do të lindej modernizmi.
Filozofi estet amerikan P. Blank është shprehur se gjithë merita e Shredingerit, Hajzenbergut, Dirakut, Borit, qëndron në formulimin se “bota kuptohej si diçka e përbërë nga thërrmija materiale, kurse doli në fakt se është një sistem valësh, qendër e një cikloni valësh ose luhatje e eterit imagjinar”. Sipas tij ishte meritë e zbulimeve të mëdha shkencore të autorëve të mësipërm që materia u bë sinonim i energjisë. Pas kësaj, po sipas tij, tani materies s’i mbetet fare gjë dhe çdo aspekt qëndrueshmërie bëhet iluzor. Blanku është i mendimit se njerëzimi jeton në një botë hijesh, ajo që ndodh në të vërtetë nuk mund të kuptohet dhe çdo gjë, deri te sendet e njerëzit, janë fantazma të vetes së tyre. Kështu që arti bëhet abstrakt, sepse vetë bota është bërë abstrakte.

Zëri i disidencës së heshtur - Bisedë me z. Anton Çefa

Revista Haemus: Disidentët në ish-vendet komuniste, pra edhe në Shqipëri, janë ndeshur dhe kanë kundërshtuar në forma të ndryshme mungesën e vlerave të vërteta në të ashuquajturën krijimtari artistike të isombajtësve të regjimeve totalitare. Dihet, gjithashtu, se mungesë vlerash të mirëfillta hasen edhe në Perëndim, ndonëse mungesa e talentit të vërtetë nuk lidhet me ndonjë servilizëm ndaj regjimit. Ju lutemi të na thoni diçka rreth mjeteve e mënyrave që përdorin krijuesit në Botën e Lirë për mënjanimin dhe eliminimin e mosvlerave, antivlerave, pseudovlerave dhe kitsch-it.

Anton Çefa: Duhet të pohojmë se në Shqipëri nuk pati një disidencë të vërtetë artistike që t’u kundërvihej, në një mënyrë a në një tjetër regjimit, letërsisë dhe arteve të realizmit socialist, përmbajtjes dhe metodave të tij. Pati njëfarë disidence të heshtur, gjë që do të thotë nuk pati. Dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe, përderisa vepronte ligji i prerjes së kokës, siç ndodhi me letrarët klerikë të Shkodrës, apo i prerjes së gjuhës, siç ndodhi me Mitrush Kutelin, Musine Kokalarin, Sejfulla Malëshovën e sa e sa të tjerë. Veprat e Kasëm Trebeshinës u shkruan ndër burgje dhe nuk u bënë të njohura për lexuesin, derisa u përmbys diktatura. Dhe ende, një pjesë e tyre, - siç thuhet, - presin të dalin në dritë.

VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Darvinizmi linguistik dhe kapitalizmi absolut



Jeta e individit, ashtu si edhe jeta e grupeve të para shoqërore, në fillim ishin të thjeshta, dhe të rralla ishin. Kështu mendoj se ishin atëhere edhe të papriturat, domethënë ngjarjet që nuk mund të parashikoheshin.
Me kalimin e kohës, kur në ca vende të përshtatshme gjeografikisht u zhvilluan trajta të ndryshme të bujqësisë, grupet shoqërore u zmadhuan e jeta u bë më e lehtë, sidomos për shtresat e larta të popullsisë e për individët drejtues, por mbeti e vështirë për njerëzit e zakonshëm. S’duhet harruar se përparimi teknik e thjeshtëzon jetesën, por kjo nuk vlen për të gjithë, po qe se nuk përmirësohet njëkohësisht vërtet edhe sistemi politik. E kështu jetesa për grupet shoqërore, që pak nga pak ishin zhvilluar në shtete, nuk ishte më aq e thjeshtë dhe e parashikueshme; e historia e epokave të kaluara, ashtu si ndodhitë e kohës sonë, na tregojnë shumë e shumë shembuj për arritjet, por edhe për gjëmat e papritura.

ION D. SIRBU: Gazeta e një gazetari pa gazetë

(1919-1989) - Bir minatori, luftëtar në frontin e lindjes, student i shkëlqyer në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Kluzh, asistent i Luçian Blagës në Katedrën e Filozofisë, Ion D. Sîrbu është një nga majat e mendimit rumun dhe evropian. Mënjanohet nga jeta kulturore në vitet ’50 ‘për orientime idealiste’ dhe caktohet mësues në qytetin Baia de Areș. Më pas punon si mësues gjimnazi. Më 16 shtator 1957 arrestohet nën akuzën ‘mosbërje denoncimi’ dhe mbyllet 6 vjet në burg. Pas lirimit i ndalohet botimi dhe internohet në Petrila, ku punon si vagonashtyrës në minierë. Më vonë punon në Teatrin e Valea Jiului (i cili sot i mban emrin) dhe punon për nëntë vjet me radhë si sekretar letrar i Teatrit Kombëtar të Krajovës. Është autor i shumë vëllimeve me prozë, me drama (të cilat janë luajtur në shumë vende të botës), i disa romaneve, ndër të cilët më i njohuri është “Ujku dhe katedralja” (Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë më 1982 dhe post mortem 1993), si dhe i një ditari të jashtëzakonshëm, nga i cili po japim disa copëza.


Gazeta e një gazetari pa gazetë

Fragmente

“… historia e vërtetë e shekullit tonë nuk do të mund të shkruhet ndonjëherë: llava e dokumenteve dhe kundërdokumenteve do të bëjë të mundur që ky shekull, më tragjiku në histori, të shkëputet nga vargu. (Një perandor kinez duket të ketë thënë: ‘mjafton të shkatërrosh një shekull, që të bjerret tërë vargu i kohës’)”.

PAUL GOMA: Në fatkeqësinë time jam i lumtur

Fragmente nga intervista dhënë Radu Negrescu-Sucut, 
Paris, 14 dhjetor 1999

“Unë, në fatkeqësinë time, jam i lumtur: jam shkrimtar dhe nuk jam i lidhur pas tokës. Unë banoj në Gjuhën Rumune, e cila për mua nuk është instrument, diçka që mund ta ndrroj si këmishën, por është lëkura, lëkura që nuk mund ta ndrrosh: rri në të dhe, po ta morën, ti vdes! Pra unë rri në Paris, ku nuk ndjehem i çatdhesuar sepse atdheu im është Gjuha Rumune. Mërgimi as që ka depërtuar tek unë, sepse depërtimi është një veprim kundër një trupi i cili i bën sadopak qëndresë”.

MIHAI EMINESCU: Shkuma e ujit nuk e dëgjon oshëtimën e ujit që e mbart


“E vërteta është ar!” Pas arit bredhin të gjithë, nga e vërteta ia mbathin të gjithë.

Vetëm ai që s’është i denjë për vdekjen ka frikë prej saj.

Dashuria nuk zgjedh, por mbledh. Është diçka krejtësisht elementare, si etja apo uria.

Lumturia dhe budallallëku nuk janë të njëjta vetëm për një arsye: se jo të gjithë të metët janë të lumtur.

ANTON ÇEFA: Vokacioni atdhetar dhe kontradiktat e Nolit

Është folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.
Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.

ELVIRA DONES: Romani “midis” në rrëfimin bashkëkohor

Nuk ka dyshim se shekulli i njëzetë mes shumë ngjarjeve dhe tronditjeve që e kanë karakterizuar është shekulli që së bashku me tërmetet e mëdha të konflikteve dhe progresit ka sjellë endjet, migrimet, përzierjet gjuhësore-kulturore. Fenomen që përsa i përket letërsisë është quajtur e quhet rëndom “metisizëm”, “kreolizëm” dhe vitet e fundit, me shumë këmbëngulje “globalizim”. Etiketë kjo e fundit me të cilën nuk pajtohem dhe që më duket sa e përshpejtuar aq dhe e sipërfaqshme. Do të isha shumë më dakord me dy përcaktimet e para. Ka qenë një shekull migracionesh që ka sjellë edhe në letërsi shartim, përzierje pa dyshim, fenomen që prozës, romanit bashkëkohor më shumë se mjaft faktorë të tjerë ndikues i ka dhuruar pasuri e vitalitet.

ELVIRA DONES: Një kafe e pirë së largu

Këtë bisedë do t’ia kisha bërë, ndoshta, poetit Marko përpara një filxhani kafeje. Sikur ta kisha takuar kohë më parë, atëhere kur lexova librin e tij “Rastësisht me dashje”.
Një pjesë të kësaj bisede me të e kam filluar madje edhe më qëmotshëm, rreth dymbëdhjetë vjet më parë, kur sapo kisha dalë nga bankat e universitetit dhe ai nga hekurat e burgut. Rastësia e solli të ishim në të njëjtën qendër pune, në të atëhershmen Kinostudio “Shqipëria e Re”. Por unë isha një çupërlinë që qëndronte mbi kalë, bëja pjesë në fitimtarët - në mund të kish të tillë nën thembrën e një diktature - kurse ai rreshtohej padyshim në humbësit. Ishte i dënueshëm, edhe pse dënimin fizikisht ndërkohë e kishte shlyer. Pse e kishin dënuar? pata pyetur shpesh me kurreshtjen e pacipë të një njëzetekatërvjeçareje, ç’paska bërë kaq të rëndë? Askush nuk më dha përgjigje. Ndërdyshasi, mes dëshirës për ta gjykuar ashpër dhe tmerrit që t’i përmendnin edhe emrin, zgjidhnin një rrugë të tretë, “miqësore”, më këshillonin të mos merresha me të, pse kruhesha kot?, tani ishte veç një punëtor ngarkim-shkarkimi e aq, atë që kish bërë e dinte Partia, e cila, zemërgjerë si ngaherë, po i jepte një dorë të rehabilitohej.

HANS-JOACHIM LANKSCH: Rose Ausländer, një zemër mendimtare që këndon

Rose Ausländer (Roze Auslender) u lind si Rosalie Beatrice Ruth Scherzer më 11 maj 1901 në Czernowitz (Çernovic) apo Cerni (Çernauc), kryeqytet i Bukovinës (Dheu i aheve), që i përkiste herë Austrisë, herë Rumanisë, herë Rusisë e tani Ukrainës. Ka qënë një trevë ku bashkëjetonin njerëz dhe libra, sikurse shprehet poeti Paul Çelan, lindur e rritur në Çernauc.

HANS-JOACHIM LANKSCH: Martin Camaj – Nji djalë bariu bahet poet i rangut botnor

Më 12 mars 1992 ka vdekë shkrimtari dhe gjuhëtari Martin Camaj. Ai ka qenë jo vetëm ruejtës i patundshëm i traditës së kulturës shqiptare, por edhe bartës i shpresave të shumë intelektualëve dhe krijuesve shqiptarë në diasporë gjatë periudhës së diktaturës njerëzvrasëse, frymëvrasëse, letërsivrasëse, kulturëvrasëse dhe religjivrasëse të Shqipnisë mbas lufte. Ai âsht njani i mâ të mëdhajve të letrave shqipe, nji klasik i modernes. Në kohë në të cilën letrarët zyrtarë të Shqipnisë u zhytën në baltën e pseudoletërsisë së indoktrinueme të "Realizmit Socialist", Martin Camaj e ruente vazhdimësinë e cilësisë së lartë letrare të cilën e kishte arritë letërsia shqiptare me autorë si Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi. Poeti Martin Camaj ishte drita në errësirën që e shkëputi Shqipninë nga Europa.

HANS-JOACHIM LANKSCH: Zef Zorba - Nji hermetist shqiptar


Më 1993, në moshën 73-vjeçare, në Shkodër vdiq poeti, regjisori dhe intelektuali i shquem Zef Zorba. Prej 1941 deri më 1943 ka studiue politologjinë në universitetin e Padovas në Itali. Mbas lufte punonte dy vjet regjisor në Shtëpinë e Kulturës të Shkodrës ku vuni në skenë, mes tjerash, dramën "Juda Makabe" të Fishtës. Mbas "riedukimit" punonte në kontabilitet. Zorba shkroi nji varg studimesh, disa pjesë dramatike dhe librete operash. Përktheu poezi nga Robert Frost, T.S. Eliot, Giuseppe Ungaretti, Salvatore Quasimodo, Eugenio Montale, pjesë teatrore nga G.B. Shaw, Luigi Pirandello, Oscar Wilde, Thornton Wilder si dhe shkrime filozofike nga Benedetto Croce, Hans Georg Gadamer etj.

ALEKSANDËR ISAJEVIÇ SOLLZHENICIN: Harrimi fatal


Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit Templeton, në Pallatin Buckingam, më 10 maj 1983. Ky Çmim, i krijuar më 1972 nga John Templeton dhe që i jepet përvit një personaliteti, i cili shquhet në përhapjen më tej të besimit të krishterë, për herë të parë iu akordua një ortodoksi, pra A. I. Sollzhenicinit.

Këtu e gjysmëshekulli më parë, kur isha ende fëmijë, dëgjova nga shumë të moshuar që shpjegonin tërmetet e mëdha që tronditën Rusinë, se: “Njerëzit E harruan Perëndinë, që këtu vijnë të gjitha!”
Qysh atëhere jam marrë gati gjysmëshekull me studimin e revolucionit tonë, kam lexuar qindra libra, kam mbledhur qindra dëshmi vetjake, kam shkruar tetë vëllime për ta pastruar vendin nga gërmadhat; dhe, po të më kërkohej tani të formuloj sa më shkurt shkakun madhor të këtij revolucioni shkretues që na ka ngrënë afro 60 milionë njerëz, nuk do të mund të bëja diçka më të mirë, sesa të përsëris: Njerëzit E harruan Perëndinë, që këtu vijnë të gjitha!

KOPI KYÇYKU: Demokracia dhe marrëdhëniet ndëretnike

Rajoni ynë gjeopolitik, me vështirësitë dhe krizat e veta, të shkaktuara nga shndrrimet demokratike të periudhës kalimtare apo të tranzicionit, përballet me tri barrë strategjike që duhen mbartur paralelisht. Këto janë: e para - modernizimi ekonomiko-shoqëror; e dyta - demokratizimi konsekuent, pra vendosja e shtetit juridik dhe, e treta, - e pandarë nga dy të parat, - është ritrajtimi i problemit kombëtar në nivelin që kërkon mijëvjetshi i tretë.
Duhet thënë se në fund të shekullit XX u shfaqën njëheresh dy prirje të ndërlidhura. Fjala është, nga njëra anë për procesin e globalizimit në evolucion të plotë dhe, nga ana tjetër, për atë të diferencimit të theksuar. Jemi dëshmitarë dhe pjesëmarrës në një proces që veçorizohet ndjeshëm nga kërkimi i identitetit kombëtar-etnik, dukuri kjo, që nuk është hasur vetëm në Evropën Qëndrore e Lindore, por edhe në atë Perëndimore gjatë integrimit evropian. Mjaft të kujtojmë debatet e nxehta dhe konfliktet që lidhen me Maastrihtin.

KOPI KYÇYKU: Intelektuali eurolindor


Edhe pse ajo çka po përjetojmë aktualisht, për fat të keq, nuk përfaqëson një tranzicion apo kalim të mirëfilltë drejt demokracisë, shumëkush - do të desha të besoj - shpreson se, pavarësisht nga “trashëgimia leniniste”, në Evropën pas-komuniste do të ndërtohen shoqëri të hapura. Gjithsesi historia e disidencës ka për ta gjetur vendin që i takon në kuadrin më të gjerë të historisë së komunizmit.

JERONIMO MOSCARDO: Në kërkim të një Gjeopolitike të Humanizmit

“Përse këto qënie që na ngjajnë, kafshët, 
nuk ofrojnë spektaklin e një lufte të ngjashme për kulturën?” (S. Freud)

Sipas Jean François Mattéi-t, opozita mes qytetërimit dhe barbarisë që përshkon historinë e Evropës është shpikur nga romakët. Pasi huazoi termin “barbar” nga grekët, Roma ishte e para që ngriti një barierë të pakalueshme ndërmjet Romanitas dhe Barbaria-s, duke i vendosur këto dy botë në të dy krahët e kufijve të Perandorisë.
Ekzistojnë dy kahe të barbarisë – barbaria e shkatërrimit, që karakterizohet nga feritas, ferocitas, dhunë dhe belli furor, shpërthimi i luftës, dhe barbaria vanitas, domethënë e zbrazëtisë (vanus = zbrazëti), e cila përkujton luksin oriental të senzualitetit, të dobësisë dhe të korrupsionit. Vanitas-i barbar është bota e zbrazur nga pamjet, nga iluzionet dhe nga thellësia. Është barbaria e dobësisë, në kontrast me barbarinë e forcës. Është ajo që sot mund ta quajmë barbaria e ëmbël.

EMIL CIORAN: Mbi mangësinë e të qënit i lindur

Ora tre e mëngjesit. E perceptoj këtë sekondë, pastaj një tjetër, bëj bilancin e secilës minutë.
Pse vallë? – Sepse jam lindur.
Nga një lloj i veçantë i vigjëlimit rrjedh vënia në akuzë e lindjes.

“Që kur jam në botë” – ky që kur më duket i mbushur me një kuptim kaq të frikshëm saqë bëhet i padurueshëm.

Nuk duhet të mbrehemi në një vepër, duhet vetëm të themi diçka që mund të pëshpëritet në veshin e një pijaneci apo të një të sëmuri për vdekje.

Kur i refuzon vetes lirizmin, nxirja e një letre shndërrohet në një sprovë: përse të shkruash kur do të thuash pikërisht atë që kishe për të thënë.

Është e pamundur të ndjesh se ka qenë një kohë kur nuk ekzistoje. Që këtu rrjedh afëria ndaj personazhit që ke qenë para se të lindeshe.

Nuk është i përulur ai që urren veten.

VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Amerika dhe Bota pas ditës 11 shtator

Pjesa e parë: Amerika

Amerika është tani një vend tjetër. Kjo nuk duhet harruar. A është ky vend i ri, ky shtet i ri, më i mirë apo më i keq, më i fortë apo më i dobët se para ditës 11 shtator? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk varet vetëm nga jellja e amerikanëvet, por edhe (ose sidomos) nga sjellja e vendevet joamerikane. Mirëpo, para se të vazhdoj këtë arsyetim, do të jetë mirë të thuhet se çãka ndodhur më 11 shtator në New York e në Washington. Qe, në çdo rast, një veprim ushtarak anonim me madhësi tepër të rëndësishme pa shpallje lufte, i cili meriton vërtet të cilësohet si veprim terrorist e kriminal. Veprimi qe, kjo vetëkuptohet, vetëm në dukje anonim: shumë dyshime të bazuara nuk mungojnë, sepse një veprim i atillë kërkon përgatitje të gjatë dhe të thellë, shumë bashkëpunëtorë e jo pak të holla. E, nga ana tjetër, tashmë ndonjë vit më parë ca ambasada amerikane në Afrikë kishin pësuar ndonjë atentat si edhe New Yorku vetë, ashtu si ca aeroplanë, por në thelbin e kryeqytetit botëror nuk pritej e, me të vërtetë, nuk mund të pritej një katastrofë aq e rëndë.

VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Unë jam qytetar i Botës



Unë jam qytetar i Botës! Ashtu është: jam i bindur se jam qytetar i Botës, ndihem si qytetar i Botës e shpall haptas se çdo nacionalizëm, edhe ai që duket shumë i butë, është në fund të fundit racizëm vulgar që s‘ka as kokë, as bisht.
Natyrisht, burokrati, kur dëgjon këto fjalë, thotë: ti ke një pasaportë, e kjo na mjafton neve. Por burokrati ka të drejtë vetëm në dukje: pasaporta e gjëra të tjera na nevojiten për ca kontrolle ashtu si na nevojitet edhe ndarja në shtete. Me rëndësi është fakti se të gjitha këto gjëra duhet të bëhen sa më parë formalitete me vlerë relative e, sidomos, për të luftuar kështu ata njerëz që dalin nga rregulla negativisht e bëhen kriminelë.

VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Iluminizmi



Me haré fillova të lexoja revistën Haemus, me haré, sepse aty për aty mendova: kush shkruan Haemus nuk do të jetë ballkanas me kuptimin që i japin sot kësaj fjale evropianët e Perëndimit. Siç dihet, evropiani perëndimor është racist në mënyrë elegante e shpeshherë të padukshme, e fjala Ballkan është shprehje në fund të fundit negative, për fat të keq.Kush shkruan Haemus e jo Ballkan di, me ndërgjegje ose pa ndërgjegje, këto gjëra e do t’u largohet atyre, duke përdorur apostafat fjalën greko-latine e jo fjalën turke.Me fjalë të qarta, titulli i revistës së re është si një program e zgjoi tek unë ca simpati e, kjo dihet, simpatia është çdoherë fillimi i miqësisë, i dashurisë e i respektit të ndërsjellë.