"Mbetet të sfidojmë (si sprovë) ditët, kohën që nuk e lëmë, por na lë pas..." / Bisedë me shkrimtarin dhe botuesin Arian Leka



Arian Leka (1966) i përket grupit të autorëve, që zunë vend në krye të letërsisë shqiptare pas hapjes së kufijve të Shqipërisë dhe që janë konsideruar si pjesa avant-garde e kësaj letërsie. I lindur në qytetin-port të Durrësit, ky autor, përveç modernitetit në krijimtarinë e vet, ka endur një mitologji të tërë letrare për vendin dhe vendlindjen, duke i dhënë lexuesit shqiptar dhe atij të gjuhëve ku është përkthyer metaforën e ‘provincës’ dhe të qenit ‘i vogël’, domethënien se e të mbijetuarit për mijëra vjet dhe ndjesisë së të qenit përherë i rrezikuar: nga të huajt, po aq sa dhe nga vendasit. Përmes këtij këndvështrimi Leka i ka shndërruar ndodhitë e qytetit, të vendit, si dhe shenjat e tyre identitare, sidomos të detit, në simbole të qytetërimit shqiptar, duke i bërë këto motive nyje lidhëse në krijimtarisë së tij si poet, prozator dhe eseist. Shndërrimi i jetës në histori letrare, në parabola, paradokse, rrëfenja mbi jetën urbane të atyre zonave, dhe që thekson format multikulturore të atyre viseve, sjell jo thjesht narracion dhe vargje poetikë, por mbi të gjitha një gjuhë estetike ndryshe, e cila e bën krejt të dallueshme krijimtarinë e këtij autori.
Arian Leka është autor i 16 librave, ku përfshihem vepra të vlerësuara me çmime letrare brenda dhe jashtë vendit të tij, si dhe me vëmendje nga kritika. Mes këtyre veprave përmenden “Anija e Gjumit” (poezi, Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, 2000) “Strabizëm” (poezi, vlerësuar me Çmimin e Ministrisë së Kulturës si libri poetik më i mirë i vitit 2004), “Shpina e e Burrit” (vlerësuar nga Ministria e Kulturës me çminin “Europa – atdheu ynë i përbashkët”, 2005), “Ndreqje gabimesh” (poezi, vlerësuar me Çmimin e Ministrisë së Kulturës si libri poetik më i mirë i vitit 2010), “Liber deti” (poezi, 2009); novelat “Veset e te Vdekurve” (1997) romanin “Gjarpri i Shtëpsë” (2002) si dhe vëllimet me tregime “Ky vend i qetë ku s'ndodh asgjë” (1994) – të gjitha këto vepra të nominuara për çmime letrare.
Vepra të plota dhe pjesë të zgjedhura nga krijimaria e Lekës janë përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, spanjisht, rumanisht, bullgarisht, kroatisht. Mes tyre veçohen Nava Somnului - Editura Haemus, Rumani, 2007; La casa del serpente - LiberiLibri, Itali, 2010; Zmija Vkeshti, Smallstations, Bullgari, 2011; Ein Buch Ein Meer - Edition Thanhäuser, Austri, 2012; L'œil qui chasse - Edition Baudelaire, Francë, 2103; U potrazi za izgubljenom košuljom – PEN Cetinje, 2014.
Tregimi i tij "Vëllezër në brisk /Brothers of the Blade ”, u bë pjesë e antologjisë së tregimit më të mirë europian për vitin 2011 “Best European Fiction”, (Dalkey Archive Press, përgatitur nga Aleksandar Hemon.), ndërkohë që esejaNë kërkim të këmishës së humburu përfshi në antologjinë “Das Hemd”, ese europiane në 100 vjetorin e Lufës së Parë Botërore. Kjo krijimtari është botuar gjithashtu edhe në revista të njohura letrare si Lettre International (Gjermani), Lichtungen dhe Buchkultur (Austri), Orient Express (Angli), Evropski Glasnik dhe Nova Istria (Kroaci), Haemus (Rumani), Asia Review (China), Polja (Serbi), ARS (Mal i Zi) Amaltea (Itali).
Arian Leka është i njohur edhe si përkthyes i disa prej poetëve klasikë të modernizmit italian (T.F. Marinetti, Cesare Pavese, Dino Campana, Eugenio Montale, Italo Calvino), si themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Poeteka” (nga viti 2004), editor i revistës eponime letrare (që nga viti 2005), i Rezidencës së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë – “Tirana in Between” (që prej vitit 2013).
Arian Leka është edhe Laureat i Comunic@rts Prize "Për veprën letrare dhe për elegancën me të cilën mbështet kulturën poetike në kontekst europian”, Rumani 2014.

Revista Haemus: I dashur Arian Leka. Kanë kaluar gati dhjetë vjet qysh nga biseda jonë e kaluar dhe krijimtaria jote ka pasur ndërkaq një ecuri të veçantë...

Arian Leka: Po, veçse duket sikur kemi biseduar një shekull më parë. Shekulli i ri ka filluar të zërë vend. Ka përvijuar trajtat, është shpjeguar disi më qartë mbi domethëniet e ndryshimeve që ka sjellë në jetën tonë, përfshi këtu edhe jetën time. Ngjan si një përjashtim ky shekull, apo jo? Veçse më shumë se sa tek risitë, kam përshtypjen se ai është vënë në kërkim të rrënjëve. Po kërkon të ngjashmit e vet mes epokave paraardhëse, burimin.
Nëse trashëgiminë kulturore të njerëzimit do e përfytyronim si një urë qiellore, kulm i harkadës së parë mund të ishte shekulli V para erës sonë, i harkadës së dytë shekulli XV, harkada e tretë do të ishte epoka jonë. Brenda nesh është edhe kujtesa e paraardhësve. Kolombi, Gutenbergu brenda nesh, e ndjejnë se epoka e zbulimeve po rikthehet dhe, megjithëse asgjë nuk është krejt për së pari, falë zhvillimit, gjithçka ngjan e re.

"Fati ynë janë karakteri dhe veprat tona…" / Bisedë me shkrimtaren Ardita Jatru



Revista Haemus: E dashur Ardita Jatru. Njëheresh me urimin për “Krahë prej letre”, - roman i sapobotuar nga Librarium Haemus dhe që është pritur shumë mirë, - dëshirojmë të flasësh rreth fillimeve të tua letrare. Si mbërrite deri tek shkrimi, apo ndoshta: si mbërriti shkrimi tek ti? A ka ndonjë lidhje të veçantë mes fëminisë sate, vendlindjes, hapësirës ku u rrite dhe u shkollove dhe frymës që përshkron poezinë tënde? Me “lidhje të veçantë” kemi para sysh: prania e ndonjë vegimi, drame, kthesash të papritura…

Ardita Jatru: Poezia lind brenda nesh në një çast të caktuar në jetë. Unë nuk e mbaj mend mirë, por mund të kem qënë 13-14 vjeç. Ka ardhur tejet natyrshëm tek une. Duke qënë natyrë ëndërrimtare, e ndjeshme, kurioze për të eksploruar botën e njeriut dhe e të parit ndryshe atë rreth nesh, ka lindur nevoja për ta shprehur në letër. Kjo ka qënë një menyre reflektimi. Por unë besoj dhe tek adn-ja. Babai im shkruan poezi, ndoshta këtu ka vend shprehja „dardha nën dardhe piqet“.
Në fakt, jam rritur në një familje librangrënësish, me një dashuri të madhe për librin, ndaj nuk mund të veçoja unë si fëmijë e kësaj familjeje. Megjithë kushtet e dobëta ekonomike të atij sistemi, që e kaluam të gjithe, librat kanë zënë vendin parësor në shtëpinë time, ishte buka jonë e shpirtit dhe e mendjes. I kalonim dorë më dorë, mbaronte njëri, fillonte tjetri. Ekzistonte fryma e artit dhe e fjalës. Kështu u rrita.

“Gjuha është një urë e padukshme dhe e mrekullueshme...” / Bisedë me botuesen Feride E. Berisha

Revista Haemus: Si lindi ideja për të themeluar shtëpinë botuese PA?

Feride Berisha: Në vitin 2011 në Gjermani doli një libër shumë i vogël, por shumë i rëndësishëm i autorit franko-gjerman Stéphane Hessel me titullin ”Indinjohuni!”. E lexova dhe më bëri aq shumë përshtypje, saqë besova se ky libër i nevojitej lexuesit shqiptar, prandaj i mora te drejtat nga botuesja franceze për ta nxjerr këtë libër në gjuhën shqipe. Mirpo, ngaqë nuk gjeta asnjë shtëpi botuese, që do ta botonte këtë libër, e themelova unë vetë një shtëpi botuese. Pa derë, pa kulm, pa mure, por me një vatër mu në mes të shtëpisë dhe me dëshirën e flaktë që të nxjerr “Indinjohuni! në shqip. I vura shtëpisë botuese emrin PA, sepse me të vërtetë, kur fillova me këtë zanat, pa asnjë ide, se si do të funksiononte; pa mjete financiare, pa përvojë apo dijeni se si bëhet kjo punë. Deri atëherë marrëdhënia e vetme me librin kish qenë leximi. Pra, të merrem drejtpërdrejt me librat, jo vetëm t’i lexoj ata, ka qenë me siguri një dëshirë e fshehtë e imja, e cila pahiri m’u realizua. Ishte, pra, një rastësi me dashje. Për ata që se dinë, emri i shtëpisë botuese PA i ka vetëm dy shkronja, por është një fjalë.

"Kinemaja – diçka përtej shqetësimit..." / Bisedë me Artan Minarollin


Revista Haemus: I dashur Artan Minarolli. Krijimtaria jote ka një ndriçim të brendshëm dhe një humor që zor se mund t’i lejonte, apo aq më pak t’i zhvillonte shkollimi në “epokën e lavdishme”. Si kanë qenë për ty dhe për brezin tënd vitet e studimeve? Sa liri, sa mungesë lirie kishte – dhe sa pengonin dhe/ose ndihmonin këto krijimtarinë kinematografike?...

Ne jemi një brez që jemi rritur me barcaletën si formë e vetme e “opozitës” të asaj kohe. Çdo gjë e interpretonim përmes humorit, ku shpesh herë talleshim edhe me vehten, me plogështinë dhe paaftësinë per të folur më seriozisht rreth botës ku jetonim. Merreshim shumë me karikaturën e asaj kohe, guxonim dhe përqeshnim çdo gjë që na servirej, derisa në vitet e fundit talleshim hapur me “njeriun e ri”. Sot vë re se shakaja ka shkuar më tej akoma dhe po trajtojmë njeriun “shumë, shumë të ri” që, në fakt, është trashëgimia e asaj kohe. Bënim shakara me njeriun e ngrirë socialist, me mizerien, dëshpërimin, ulërimat e artit bajat folklorik si p.sh. në rastin kur Partia dhe shoku Enver iu përgjigjen flakazi Woodstock-ut të famshëm me një Koncert të Pleqve të Krujës përpara bujqve të dalluar në Bubullimë etj. Ne u lindëm dhe u rritëm në një mjedis ku nuk ekzistonte liria. Të gjitha këto shprehje ishin një reagim I vetishëm ndaj një dimensioni fare të panjohur për ne. Edhe shkollimi ynë u zhvillua në këtë kontekst. Ne nuk mund të gëlltisnim çdo gjë, pretendonim të ishim brez avangarde. Ironia dhe tallja u bënë reagimi ynë natyral ndaj çdo metode edukimi, dhe më vonë u kthye në një skeptitizëm të vulosur ndaj çdo shprehjeje artistike në atë kohë. Menjëhere mbas viteve ‘90 këto shprehi gjetën vend të bollshëm edhe në kinemanë e re shqiptare. Konkretisht, unë kam qenë gjithnjë ‘i lëngëzuar’ nga pasuria e njëfarë humori të zi që vazhdonte qysh nga koha e barcaletave jokomformiste të asaj kohe, ose, thënë më mirë: nga mënyra e trajtimit të karikaturës Shqiptare, që ndoshta, si pa dashje, u kthye në stil.