“Në thelb, teatri mund dhe duhet të jetë edhe argëtues, por duhet para së gjithash të jetë edhe një përvojë „e dhimbshme” për publikun”. - Bisedë me shkrimtarin Jeton Neziraj

Revista Haemus: I dashur Jeton Neziraj. Prania në faqet e Revistës Haemus, me shkrime në shqip e rumanisht, ka qënë një pjesë shumë e vogël e asaj që po ndodh me dramat e tua në disa gjuhë dhe në mjaft skena evropiane e më gjerë. Si nisi kjo rrugë dhe çfarë pengesash vazhdon të hasësh?

Jeton Neziraj: Gjithçka ka nisur me fillimin e studimeve të dramaturgjisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1997. Në të vërtetë, ka nisur pak më herët, në kohën sa isha në Gjermani, ku po qëndroja përkohësisht. Si aksidentalisht, dikush më ftoi t’i bashkohesha një ekipi teatror shqiptar, amatorë entuziastë, që po punonin në një dramatizim të „Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë. Kjo ishte edhe hera e parë që po hyja në një teatër, që ndodhej diku në rrethina të Këlnit. Luaja me violinë në një skenë të shkurtër. Pak mbaj mend nga ai proces, por më kujtohen thirrjet patetike „Shqipëria është...” (diçka e tillë) të aktorit kryesor dhe pastaj, në një moment, shpërthimin e regjisorit që i kërkonte aktorit të mos ishte patetik. Pra, kaq ishte fillimi – e pastaj, kur u ktheva nga Gjermania, nisa studimet e dramaturgjisë. Isha tërësisht i papregatitur dhe ajo çka dija për teatrin dhe dramën ishte e barabartë me zero. Prandaj më është dashur të punoj shumë dhe kam punuar vërtet pa hile, si thuhet. Ka qenë rruge e gjatë, por jo kush e di sa e mundimshme.