"Sprova kryesore vjen nga fakti se sot, pragmatizmi i shumicës së idealistëve dhe idealizmi i shumicës së pragmatikëve janë afruar tejmase dhe shpesh, me ndihmën e shtypit, qëllimisht, ose jo, ngatërrohen"


Në 20 vjetorin e themelimit të Revistës Europiane Haemus, bisedë me bashkëthemeluesin dhe bashkëdrejtuesin e saj Ardian Kyçyku:

Lidhjet e pashkëputura letrare shqiptaro-rumune

Në rast se hulumtojmë zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në dekadën (dhjetëvjetshin) e fundit të shekullit XX., në qendrën e njohur kulturore europiane, Bukuresht, përveç zhvillimeve  tjera të dekadës së sapopërmendur, lidhemi me këtë vend edhe përmes vitit të fillimit të botimit të Revistës Europiane Haemusqë u themelua në vitin 1998 nga babë e bir, Kopi dhe Ardian Kyçyku, veprimtarë të çmuar të çështjes kombëtare.
Revista Haemus, qyshse u ngjiz dhe deri më sot pa shkëputje kontribuon në njohjen e letërsisë shqipe përtej kufijve administrativë të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës dhe qendrave të tjera ku zhvillohet kultura dhe letërsia shqipe, sikur janë Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Kontributi thelbësor i revistës lidhet me publikimin e veprave letrare dhe përkthimeve të shkrimtarëve të njohur shqiptarë në gjuhën rumune dhe shkrimtarëve rumunë në gjuhën shqipe. Ndihmesa të tjera të vlerësuara janë edhe organizimi i konferencave dhe ngjarjeve të përqendruara në promovimin dhe avancimin e vlerave kulturore, artistike, letrare kombëtare shqiptare sidhe veprimtari me synim thellimin e lidhjeve shqiptaro-rumune të konfirmuara qysh nga koha e krijimit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit.