“Lëkundemi, si lavjerrës, midis adhurimit jo-kritik dhe idolatrisë nga njëra anë dhe harresës së plotë, nga ana tjetër” - Bisedë me shkrimtarin Ardian Vehbiu

Revista Haemus: I dashur Ardian Vehbiu, çfarë marrëdhëniesh ka prozatori me vëzhguesin e mprehtë të fenomeneve të shtypit?

Shtypi sot është një gjë që flet, edhe kur ti kujton se nuk po e dëgjon. Një makinë që, si ata gjeneratorët e numrave random, kombinon fjalë dhe imazhe të rastësishme dhe kërkon t’u japë kuptim sipas kontekstit. Politikani kujton se po e përdor shtypin, sa herë që e sheh veten të pasqyruar atje, gjatë një fjalimi, ose për një batutë prej estrade a gjest krekosës musolinian a dalje fotografike të studiuar; por, në fakt, shtypi a mediat – për të përdorur një term më trendy – e kanë folur që në krye, kanë thënë çfarë kanë dashur me gojën e tij, ia kanë vënë klishetë në dispozicion, madje e kanë bindur se, përtej klisheve, nuk ka asgjë që t’ia vlejë të thuhet. Nga ky këndvështrim, shtypi nuk është pasqyrim, as manifestim i publikes, por më shumë rekrutim i publikes për synime të thjeshta riprodhuese. Kanë një autonomi, mediat, që të kujtojnë organizmat e thjeshtë, njëqelizorë, që arrijnë të mbijetojnë në kushte nga më të pamundurat – ato që i quajnë ekstremofilë, ose organizma që gjëllijnë në mjedise të skajshme. Të habit edhe përdorimi që ia bëjnë ligjërimit: e gëlltitin, e shkatërrojnë me lëngjet e tyre gastrike hiper-gërryese, e metabolizojnë në zorrët sulfurore dhe pastaj e jashtëqitin – në dukje ligjërimi ka mbetur po ai, por mediat ia kanë ndërruar natyrën; është si ta marrësh një portokall të pjekur dhe ta lyesh me bojë portokalli, për të krijuar një efekt zombie.

“Cipa e hollë e dritës që na bëhet lëkurë” - Bisedë me poeten Mariklena Niço

Revista Haemus: E dashur Mariklena Niço. Cilësia e poezisë që shkruan e nënkupton në njëfarë mënyre jetën e tërhequr që bën. Si e shikon tani, pas kaq shkrimesh, praninë në shtyp dhe në botime?

Mariklena Niço: Ftuesi fisnik t’i rrit vlerat në sytë e vetes. Unë ju falenderoj për mikpritjen në Haemus dhe ju uroj suksese në punën, përkushtimin tuaj, ndaj artit dhe kulturës shqiptare.
Poezia vjen dhe bëhet një mënyrë të jetuari; më pas – një lloj jete që nuk mundesh ta mbash vetëm për vete; vjen koha kur duhet të kuptosh se sa do të mundet ajo të jetojë pa ty, ose koha kur duhet ta harrosh, pra, botimi.

Je lindur e rritur në Korçë... Si do ta përshkruaje Korçën për një lexues që ka pak njohuri rreth traditës së atjeshme kulturore shumëvjeçare? Po për një lexues që i di gjërat vetëm nga historia dhe nga librat?

Qyteti i Korҫës është themeluar nga një njeri vizionar. Në shekullin XV, Iliaz Bej Mirahori, duke qëndruar buzë lumit të Mborjes, me vështrimin përpara, tha: ”Këtu do të ngrihet Korҫa.” Dhe ashtu u bë. Ky fat përsëritet në mënyra të ndryshme: qyteti, në kohë të vështira, gjithmonë i ka lindur shpëtimtarët e vet.
Një lexuesi me pak njohuri, si një udhëtari pa hartë, do t’i thosha të zgjidhte pa frikë atë udhë që të çon në qytet.