Këtë bisedë do t’ia kisha bërë, ndoshta, poetit Marko përpara një filxhani kafeje. Sikur ta kisha takuar kohë më parë, atëhere kur lexova librin e tij “Rastësisht me dashje”.
Një pjesë të kësaj
bisede me të e kam filluar madje edhe më qëmotshëm, rreth dymbëdhjetë vjet më parë,
kur sapo kisha dalë nga bankat e universitetit dhe ai nga hekurat e burgut.
Rastësia e solli të ishim në të njëjtën qendër pune, në të atëhershmen
Kinostudio “Shqipëria e Re”. Por unë isha një çupërlinë që qëndronte mbi kalë,
bëja pjesë në fitimtarët - në mund të kish të tillë nën thembrën e një
diktature - kurse ai rreshtohej padyshim në humbësit. Ishte i dënueshëm, edhe
pse dënimin fizikisht ndërkohë e kishte shlyer. Pse e kishin dënuar? pata
pyetur shpesh me kurreshtjen e pacipë të një njëzetekatërvjeçareje, ç’paska
bërë kaq të rëndë? Askush nuk më dha përgjigje. Ndërdyshasi, mes dëshirës për
ta gjykuar ashpër dhe tmerrit që t’i përmendnin edhe emrin, zgjidhnin një rrugë
të tretë, “miqësore”, më këshillonin të mos merresha me të, pse kruhesha kot?, tani
ishte veç një punëtor ngarkim-shkarkimi e aq, atë që kish bërë e dinte Partia,
e cila, zemërgjerë si ngaherë, po i jepte një dorë të rehabilitohej.