Revista Haemus: E
dashur Mariklena Niço. Cilësia e poezisë që shkruan e nënkupton në njëfarë
mënyre jetën e tërhequr që bën. Si e shikon tani, pas kaq shkrimesh, praninë në
shtyp dhe në botime?
Mariklena Niço: Ftuesi fisnik t’i rrit vlerat në sytë
e vetes. Unë ju falenderoj për mikpritjen në Haemus dhe ju uroj suksese në
punën, përkushtimin tuaj, ndaj artit dhe kulturës shqiptare.
Poezia vjen dhe bëhet një mënyrë të
jetuari; më pas – një lloj jete që nuk mundesh ta mbash vetëm për vete; vjen
koha kur duhet të kuptosh se sa do të mundet ajo të jetojë pa ty, ose koha kur
duhet ta harrosh, pra, botimi.
Je lindur e rritur në Korçë... Si do ta përshkruaje Korçën për një lexues
që ka pak njohuri rreth traditës së atjeshme kulturore shumëvjeçare? Po për një
lexues që i di gjërat vetëm nga historia dhe nga librat?
Qyteti i Korҫës është themeluar nga
një njeri vizionar. Në shekullin XV, Iliaz Bej Mirahori, duke qëndruar buzë
lumit të Mborjes, me vështrimin përpara, tha: ”Këtu do të ngrihet Korҫa.” Dhe ashtu u bë. Ky fat përsëritet në
mënyra të ndryshme: qyteti, në kohë të vështira, gjithmonë i ka lindur
shpëtimtarët e vet.
Një lexuesi me pak njohuri, si një udhëtari pa hartë, do t’i thosha të
zgjidhte pa frikë atë udhë që të çon në qytet.