Unë nuk e prish buqetën e mrekullive të botës
Unë nuk e prish buqetën e mrekullive të botës
dhe nuk vras
me mendje të fshehtat që has
në udhën time
në lule, në sy, në buzë a varre.
Drita e të tjerëve
mbyt magjinë e së fshehtës së papërçueshme
në thellësi prej terri,
por unë,
unë me dritën time e rrit të fshehtën e botës -
dhe ashtu si hëna me rrezet e saj të bardha
nuk e zvogëlon, por me dridhje
e zmadhon edhe më të fshehtën e natës,
ashtu edhe unë e pasuroj agimin e errësuar
me drithma të gjera prej misteri të shenjtë,
dhe gjithçka e pakuptueshme
shndrrohet në moskuptime edhe më të mëdha
nën sytë e mi -
sepse unë dashuroj
dhe lule dhe sy dhe buzë dhe varre.