Pse vallë? – Sepse jam lindur.
Nga një lloj i veçantë i vigjëlimit rrjedh vënia
në akuzë e lindjes.
“Që kur jam në botë” – ky që kur më duket i
mbushur me një kuptim kaq të frikshëm saqë bëhet i padurueshëm.
Nuk duhet të mbrehemi në një vepër, duhet vetëm
të themi diçka që mund të pëshpëritet në veshin e një pijaneci apo të një të
sëmuri për vdekje.
Kur i refuzon vetes lirizmin, nxirja e një letre
shndërrohet në një sprovë: përse të shkruash kur do të thuash pikërisht atë që
kishe për të thënë.
Është e pamundur të ndjesh se ka qenë një kohë
kur nuk ekzistoje. Që këtu rrjedh afëria ndaj personazhit që ke qenë para se të
lindeshe.
Nuk është i përulur ai që urren veten.