Showing posts with label Ora 25. Show all posts
Showing posts with label Ora 25. Show all posts

CONSTANTIN VIRGIL GHEORGHIU: Ora 25


Më 23 gusht 1944, në orën dhjetë të mbrëmjes, emisioni i radios kroate ndërpritet befas. Përcillet një lajm i veçantë. Mbreti i Rumanisë i jep urdhër ushtrisë së vet të dorëzojë armët. Rumania ndalon luftën. Ajo kapitullon pa kushte. Ushtria sovjetike ka pushtuar tashmë mbarë vendin. Rumania është kapur në lak. Kufijtë e saj janë sovjetikisht të mbyllur. Im atë dhe gjithë të mijtë janë kapur. Shpërthej në lotë. Vajtoj gjithë natën. Vigjëloj mbi vdekjen e atdheut tim. Rumania nuk ekziston më. Jam pa atdhe. I mërguar”.

Romancier, gazetar dhe prift ortodoks, lindur më 15 shtator 1916 në Războjeni, rrethi Neamț i Rumanisë. Ndjek mësimet ushtarake në Kishinjev (Moldavi) dhe Cernowitz (Ukrainë) dhe në vitin 1936 regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë të Bukureshtit. Më vonë ndjek Fakultetin e Teologjisë në Hajdelberg (Gjermani). Ndërmjet viteve 1942 dhe 1943 është sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë. Bëhet i njohur si gazetar në periodikun „Timpul” (Koha), ku pat punuar edhe Eminesku. Për shkak të dashurisë me Zambaken e Zezë (alias Ecaterina Burbea, me prejardhje hebraike) detyrohet të heqë dorë nga gazetaria. Drama e dashurisë së tij do të përshfaqet në romanin e famshëm „Ora 25” (çifti Trajan Koruga – Eleonora West). Gheorghiu punësohet si diplomat në ish-Jugosllavi nga ku largohet për t’u vendosur përfundimisht në Francë në vitin 1948. Duke ndjekur traditën familjare, priftërohet në vitin 1963 dhe zgjidhet Prift i Madh i Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, si dhe Ekonom Stavrovor i Kishës Ortodokse Rumune të Parisit. Ka shkruar mbi dyzet vëllime me prozë, ese, kujtime. Romani „Ora 25” u ekranizua nga Hollivudi dhe në rolet kryesore interpretuan Anthony Queen dhe Julie Cristie. Përkthyer në frëngjisht nga Monique Saint-Come, romani doli nga shtypi në vitin 1949 në Paris dhe njohu një sukses të mbamendshëm. Thelbi i titullit të romanit është: pasi mbyllet koha e natyrshme, shënjuar nga njëzetekatër orët e ditënatës, dyndet Ora 25, ora apokaliptike, barbare, e „qytetërimit të ri evropian”, ku njeriu ka vlerën e një sendi të thjeshtë. Mendimtari dhe shkrimtari rumun me famë botërore Mirçea Eliade shprehej se „Romani ‚Ora 25’ është vepra e parë letrare ku pasqyrohet terrori i historisë bashkëkohore, histori e cila për shumicën dërrmuese të banorëve të globit nënkupton ose vdekjen, ose shndërrimin e njeriut në makinë, shpërbërjen e personalitetit, çnjerëzimin e tij”.

Ja disa copëza nga romani:

” - Evropa e ka braktisur prej shekujsh tregtinë me skllevër! Ata që u shitën të fundit ishin zezakët, në Amerikë. Tregtia e skllevërve është e ndaluar në mbarë rruzullin tokësor. Ligjet e ndalimit të skllavërisë përfaqësojnë një nga arritjet më të mëdha të qytetërimit tonë. E tani kthejmë orën e historisë mbrapsht dhe rifillojmë tregtinë me njerëz. Nga shekulli XX gdhihemi të zhvendosur befas në epokën parakristiane, duke kërcyer mbi Rilindje e Mesjetë (…) Nuk i lidhin me zinxhirë, sepse s’ka kurrfarë rreziku të arratisen. Shoqëria moderne ka mënyra të ruajtjes së skllevërve, të cilat lashtësia nuk i kishte. E kam fjalën jo vetëm për armët dhe telat me gjemba, me rrymë elektrike vrastare, por edhe për mjetet burokratike: tallonat e ushqimit, lejet policore që të mund të zesh vend në një hotel, të hipësh në tren, të shëtisësh në rrugë, apo të shpërngulesh në tjetër qytet. As grekët a egjiptianët e lashtë nuk do t’i kishin hedhur skllevërit në zinxhirë, po të kishin pasur teknikat e kontrollit që shpikëm ne. Mirpo skllavëria mbetet e njëjta. (…)