Showing posts with label Tepër vonë për të - tepër herët për ne.... Show all posts
Showing posts with label Tepër vonë për të - tepër herët për ne.... Show all posts

JON LUKA KARAXHALE: Tepër vonë për të, tepër herët për ne...

Banoja në një shtëpi, bashkë me një aktor, në verë drejtor i një teatri provincial. Stina e migrimit të aktorëve kish marrë fund: ishte vjeshtë dhe këta zogj shtegtarë po ktheheshin në çerdhet e tyre. Kur pa që lexoja pa pushim, aktori më tha me një fare krenarie: “Të pëlqeka të merresh me letërsi… Kam edhe unë një djalë në trupë që lexon shumë; është tepër i ditur, di gjermanisht dhe ka talent të madh: shkruan vjersha dhe na ka bërë ca kuplete të mrekullueshëm. Ma merr mendja se do të të pëlqente ta njihje”. Dhe më tregoi se si e pat gjetur në një hotel në Xhurxhiu atë djalosh, që kujdesej për një oborr, flinte në një grazhd me kashtë dhe lexonte me zë të lartë Shilerin. Në njërën anë të rrogozëve të grazhdit, ndodhej një valixhe, - biblioteka e djaloshit, - plot me libra në gjermanisht. Djali ishte tejet i urtë, i zellshëm, pa asnjë ves. Ishte i huaj, vinte nga larg, sikurse thoshte, por nuk donte të tregonte saktësisht prej ç’vendi. Dukej se ishte i fisëm dhe kish sosur aty kushedi në ç’rrethana. Aktori i propozoi ta merrte sufler për shtatë napolona në muaj dhe djali pranoi me gëzim. E pat marrë me vete bibliotekën dhe tani ndodhet në Bukureshti.
Meqë në mbrëmje duhej të vinte tek drejtori i vet, do të kisha mundësi ta shihja. Isha tepër kurreshtar ta njihja. Nuk di pse e përfytyroja djaloshin endacak si ndonjë gjallesë të jashtëzakonshme, një hero me të ardhme të ndritshme. Në mendjen time, tek e këqyrja të revoltuar ndaj praktikës së jetës së rëndomtë, kujtoja se përçmimi që kishte ndaj disiplinës sociale isht dëshmi që ai njeri do të kish dalë nga një shtypshkronjë luksoze, jo si ato që nxjerrin ekzemplare stereotipe në mijëra duzina. Sidoqë në përgjithësi teoria nga nisesha, që të shperhem kësisoj, - pra që një njeri i madh duhet të jetë në gjithçka jo si të tjerët, - ishte e nxituar, madje krejt e pathemeltë, në të vërtetë u vërtetua katërcipërisht.
Djaloshi ia behu.