Revista Haemus: I dashur zoti Hiqmet Meçaj, çelësi i jetës së një poeti shpesh fshihet në vargjet e tij, mbase edhe në një varg të vetëm, i cili ndodh që as vetë poetit të mos i bjerë në sy. Pas një debutimi të fuqishëm, shpresëdhënës në shkallë kombëtare, ju caktuan mësues fshati. Si e përjetuat këtë mërgim brenda vendit? Për fat të keq, një pjesë lexuesish nuk e dinë ç’domethënë të nxjerrësh ar poetik nga baltrat dhe nga ndeshja e përditshme me padijen apo gjuhën e rëndomtë të bashkëkohësve…
Hiqmet Meçaj: Ju falënderoj për këtë ftesë fisnike bashkëbisedimi.
„Haemus” është një revistë prestigjioze dhe më nderon të shprehurit në të.
Kur më emëruan në fshat,
pasi mbarova fakultetin dhe kisha bërë emër si poet, më kujtohet si tani
(gjithnjë qesh me këto gjëra), kryetari i këshillit të fshatit, (ndjesë
pastë!), që nuk e njihja, më thirri nga larg, që ditën e parë: “Ore
Pushkin, do të të ndreqim këtu!”. Unë u gëzova që dikush e njihte Pushkinin,
pra kishte kulturë, më vlerësonte si poet, ndaj iu afrova e i thashë: „E
njeh mirë ti Pushkinin„? „Unë ta njoh atë gangster, më thotë, ja, rrugaç me
flokë të gjata si ti është”.