Showing posts with label ARIAN LEKA. Show all posts
Showing posts with label ARIAN LEKA. Show all posts

"Mbetet të sfidojmë (si sprovë) ditët, kohën që nuk e lëmë, por na lë pas..." / Bisedë me shkrimtarin dhe botuesin Arian Leka



Arian Leka (1966) i përket grupit të autorëve, që zunë vend në krye të letërsisë shqiptare pas hapjes së kufijve të Shqipërisë dhe që janë konsideruar si pjesa avant-garde e kësaj letërsie. I lindur në qytetin-port të Durrësit, ky autor, përveç modernitetit në krijimtarinë e vet, ka endur një mitologji të tërë letrare për vendin dhe vendlindjen, duke i dhënë lexuesit shqiptar dhe atij të gjuhëve ku është përkthyer metaforën e ‘provincës’ dhe të qenit ‘i vogël’, domethënien se e të mbijetuarit për mijëra vjet dhe ndjesisë së të qenit përherë i rrezikuar: nga të huajt, po aq sa dhe nga vendasit. Përmes këtij këndvështrimi Leka i ka shndërruar ndodhitë e qytetit, të vendit, si dhe shenjat e tyre identitare, sidomos të detit, në simbole të qytetërimit shqiptar, duke i bërë këto motive nyje lidhëse në krijimtarisë së tij si poet, prozator dhe eseist. Shndërrimi i jetës në histori letrare, në parabola, paradokse, rrëfenja mbi jetën urbane të atyre zonave, dhe që thekson format multikulturore të atyre viseve, sjell jo thjesht narracion dhe vargje poetikë, por mbi të gjitha një gjuhë estetike ndryshe, e cila e bën krejt të dallueshme krijimtarinë e këtij autori.
Arian Leka është autor i 16 librave, ku përfshihem vepra të vlerësuara me çmime letrare brenda dhe jashtë vendit të tij, si dhe me vëmendje nga kritika. Mes këtyre veprave përmenden “Anija e Gjumit” (poezi, Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, 2000) “Strabizëm” (poezi, vlerësuar me Çmimin e Ministrisë së Kulturës si libri poetik më i mirë i vitit 2004), “Shpina e e Burrit” (vlerësuar nga Ministria e Kulturës me çminin “Europa – atdheu ynë i përbashkët”, 2005), “Ndreqje gabimesh” (poezi, vlerësuar me Çmimin e Ministrisë së Kulturës si libri poetik më i mirë i vitit 2010), “Liber deti” (poezi, 2009); novelat “Veset e te Vdekurve” (1997) romanin “Gjarpri i Shtëpsë” (2002) si dhe vëllimet me tregime “Ky vend i qetë ku s'ndodh asgjë” (1994) – të gjitha këto vepra të nominuara për çmime letrare.
Vepra të plota dhe pjesë të zgjedhura nga krijimaria e Lekës janë përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, anglisht, italisht, spanjisht, rumanisht, bullgarisht, kroatisht. Mes tyre veçohen Nava Somnului - Editura Haemus, Rumani, 2007; La casa del serpente - LiberiLibri, Itali, 2010; Zmija Vkeshti, Smallstations, Bullgari, 2011; Ein Buch Ein Meer - Edition Thanhäuser, Austri, 2012; L'œil qui chasse - Edition Baudelaire, Francë, 2103; U potrazi za izgubljenom košuljom – PEN Cetinje, 2014.
Tregimi i tij "Vëllezër në brisk /Brothers of the Blade ”, u bë pjesë e antologjisë së tregimit më të mirë europian për vitin 2011 “Best European Fiction”, (Dalkey Archive Press, përgatitur nga Aleksandar Hemon.), ndërkohë që esejaNë kërkim të këmishës së humburu përfshi në antologjinë “Das Hemd”, ese europiane në 100 vjetorin e Lufës së Parë Botërore. Kjo krijimtari është botuar gjithashtu edhe në revista të njohura letrare si Lettre International (Gjermani), Lichtungen dhe Buchkultur (Austri), Orient Express (Angli), Evropski Glasnik dhe Nova Istria (Kroaci), Haemus (Rumani), Asia Review (China), Polja (Serbi), ARS (Mal i Zi) Amaltea (Itali).
Arian Leka është i njohur edhe si përkthyes i disa prej poetëve klasikë të modernizmit italian (T.F. Marinetti, Cesare Pavese, Dino Campana, Eugenio Montale, Italo Calvino), si themelues i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Poeteka” (nga viti 2004), editor i revistës eponime letrare (që nga viti 2005), i Rezidencës së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë – “Tirana in Between” (që prej vitit 2013).
Arian Leka është edhe Laureat i Comunic@rts Prize "Për veprën letrare dhe për elegancën me të cilën mbështet kulturën poetike në kontekst europian”, Rumani 2014.

Revista Haemus: I dashur Arian Leka. Kanë kaluar gati dhjetë vjet qysh nga biseda jonë e kaluar dhe krijimtaria jote ka pasur ndërkaq një ecuri të veçantë...

Arian Leka: Po, veçse duket sikur kemi biseduar një shekull më parë. Shekulli i ri ka filluar të zërë vend. Ka përvijuar trajtat, është shpjeguar disi më qartë mbi domethëniet e ndryshimeve që ka sjellë në jetën tonë, përfshi këtu edhe jetën time. Ngjan si një përjashtim ky shekull, apo jo? Veçse më shumë se sa tek risitë, kam përshtypjen se ai është vënë në kërkim të rrënjëve. Po kërkon të ngjashmit e vet mes epokave paraardhëse, burimin.
Nëse trashëgiminë kulturore të njerëzimit do e përfytyronim si një urë qiellore, kulm i harkadës së parë mund të ishte shekulli V para erës sonë, i harkadës së dytë shekulli XV, harkada e tretë do të ishte epoka jonë. Brenda nesh është edhe kujtesa e paraardhësve. Kolombi, Gutenbergu brenda nesh, e ndjejnë se epoka e zbulimeve po rikthehet dhe, megjithëse asgjë nuk është krejt për së pari, falë zhvillimit, gjithçka ngjan e re.

Të veçohesh nga rrethi i vrasësve - Bisedë me shkrimtarin Arian Leka

Revista Haemus: I dashur Arian Leka. Si është të mos heqësh dorë nga poezia dhe nga letërsia gjatë tranzicionit shqiptar të thundruar nga pragmatizmi dhe të kanosur nga shkulturimi?

Arian Leka: Pohimi i Franc Kafkës që shkruan se të jesh shkrimtar do të thotë të veçohesh nga rrethi i vrasësve, të cilin thuajse po në këtë formë e ka shprehur edhe Lasgush Poradeci, siç e citon Ismail Kadareja, e ruan gjer sot shtangien sa herë që e kupton për se bëhet fjalë. Në rastin tonë nuk flasim thjesht për të shpëtuar (në radhë të parë veten) vetëm nga rrethi i vrasësve, pasi rrathët e shkrimtarit takohen me rrathët e vrasësve, për më tepër po të vërejmë se që nga koha e Kafkës edhe vrasësit kanë nxjerrë OMGJ-të e tyre. Për mua letërsia e ka ruajtur këtë nuancë shpëtimi dhe mbrojtjeje dhe këtë e kam vërejtur sa herë që qoftë vetë apo të ngjashmit e mi kanë pasur ndonjë brengë a fatkeqësi.