Showing posts with label MARIKLENA NIÇO. Show all posts
Showing posts with label MARIKLENA NIÇO. Show all posts

“Cipa e hollë e dritës që na bëhet lëkurë” - Bisedë me poeten Mariklena Niço

Revista Haemus: E dashur Mariklena Niço. Cilësia e poezisë që shkruan e nënkupton në njëfarë mënyre jetën e tërhequr që bën. Si e shikon tani, pas kaq shkrimesh, praninë në shtyp dhe në botime?

Mariklena Niço: Ftuesi fisnik t’i rrit vlerat në sytë e vetes. Unë ju falenderoj për mikpritjen në Haemus dhe ju uroj suksese në punën, përkushtimin tuaj, ndaj artit dhe kulturës shqiptare.
Poezia vjen dhe bëhet një mënyrë të jetuari; më pas – një lloj jete që nuk mundesh ta mbash vetëm për vete; vjen koha kur duhet të kuptosh se sa do të mundet ajo të jetojë pa ty, ose koha kur duhet ta harrosh, pra, botimi.

Je lindur e rritur në Korçë... Si do ta përshkruaje Korçën për një lexues që ka pak njohuri rreth traditës së atjeshme kulturore shumëvjeçare? Po për një lexues që i di gjërat vetëm nga historia dhe nga librat?

Qyteti i Korҫës është themeluar nga një njeri vizionar. Në shekullin XV, Iliaz Bej Mirahori, duke qëndruar buzë lumit të Mborjes, me vështrimin përpara, tha: ”Këtu do të ngrihet Korҫa.” Dhe ashtu u bë. Ky fat përsëritet në mënyra të ndryshme: qyteti, në kohë të vështira, gjithmonë i ka lindur shpëtimtarët e vet.
Një lexuesi me pak njohuri, si një udhëtari pa hartë, do t’i thosha të zgjidhte pa frikë atë udhë që të çon në qytet.