Showing posts with label Kulturat e gjithfuqishme bëhen varr i vetvetes po nuk u ripërtërinë. Show all posts
Showing posts with label Kulturat e gjithfuqishme bëhen varr i vetvetes po nuk u ripërtërinë. Show all posts

Kulturat e gjithfuqishme bëhen varr i vetvetes po nuk u ripërtërinë... - Bisedë me shkrimtaren Elvira Dones

Revista Haemus: E dashur Elvira Dones. Ke përshkuar një udhë që mund të ndahet në tri pjesë, ose në tri mendësi: Shqipëria para dhe pas shembjes së diktaturës, Zvicra (e shkrimtares së arratisur e, më pas, së njohur) dhe Amerika. Ndërkaq, vepra jote në prozë ka një harmoni të qartë dhe ringjiz në tekst një botë të mëvetësishme, por që ruan përmasa të secilës nga hapësirat e përmendura. Si janë shtresuar brenda teje Shqipëria, Zvicra dhe Amerika?

Elvira Dones: Këta vende, në dukje kaq të ndryshëm nga njëri tjetri, më kanë bërë një nder të madh, duke e lënë veten të këqyren nga unë. Është luks ky: të kesh mundësinë të shqyrtosh, fotografosh, ngjitësh e shpërbësh shoqërinë, natyrën, politikën, vlerat e mosvlerat e një vendi të vetëm, e jo pastaj të tre vendeve bashkë, ndaj më janë të tre të rëndësishëm. Shqipëria është Toka Amë, dhe këtu s’do kish pse të zgjatesha rreth arsyeve pse vendi ku ke lindur, qumështi që të ka dhënë, gjuha që ke mbllaçitur së pari të janë të paçmueshme. Zvicra në njëfarë mënyre më rriti sepse më goditi paq në fillim (përvojë nëpërmjet së cilës kanë kaluar thuajse të gjithë mërgimtarët). Pasi u shkërmoqa në krenarinë e sensin e identitetit vendosa të rikompozoja veten (e edhe këtu, asgjë të re që të tjerë mërgimtarë nuk kanë kaluar), e kur ndërtohesh nga e para je i kulluar në forcat fizike e barazpeshimin mendor, je njeriu i ri – jo në kuptimin diktatorial të termit, zot na ruaj! – por në kuptimin më të thellë, atë të mbijetuesit me dinjitet e kokëfortësi aktive. Kjo më ndodhi në Zvicër, u rrita.