Revista
Haemus:
I dashur Artan Minarolli. Krijimtaria
jote ka një ndriçim të brendshëm dhe një humor që zor se mund t’i lejonte, apo
aq më pak t’i zhvillonte shkollimi në “epokën e lavdishme”. Si kanë qenë për ty
dhe për brezin tënd vitet e studimeve? Sa liri, sa mungesë lirie kishte – dhe
sa pengonin dhe/ose ndihmonin këto krijimtarinë kinematografike?...
Ne jemi një brez që jemi rritur me barcaletën si
formë e vetme e “opozitës” të asaj kohe. Çdo gjë e interpretonim përmes
humorit, ku shpesh herë talleshim edhe me vehten, me plogështinë dhe paaftësinë
per të folur më seriozisht rreth botës ku jetonim. Merreshim shumë me
karikaturën e asaj kohe, guxonim dhe përqeshnim çdo gjë që na servirej, derisa
në vitet e fundit talleshim hapur me “njeriun e ri”. Sot vë re se shakaja ka
shkuar më tej akoma dhe po trajtojmë njeriun “shumë, shumë të ri” që, në fakt,
është trashëgimia e asaj kohe. Bënim shakara me njeriun e ngrirë socialist, me
mizerien, dëshpërimin, ulërimat e artit bajat folklorik si p.sh. në rastin kur
Partia dhe shoku Enver iu përgjigjen flakazi Woodstock-ut të famshëm me një
Koncert të Pleqve të Krujës përpara bujqve të dalluar në Bubullimë etj. Ne u
lindëm dhe u rritëm në një mjedis ku nuk ekzistonte liria. Të gjitha këto
shprehje ishin një reagim I vetishëm ndaj një dimensioni fare të panjohur për
ne. Edhe shkollimi ynë u zhvillua në këtë kontekst. Ne nuk mund të gëlltisnim
çdo gjë, pretendonim të ishim brez avangarde. Ironia dhe tallja u bënë reagimi
ynë natyral ndaj çdo metode edukimi, dhe më vonë u kthye në një skeptitizëm të
vulosur ndaj çdo shprehjeje artistike në atë kohë. Menjëhere mbas viteve ‘90
këto shprehi gjetën vend të bollshëm edhe në kinemanë e re shqiptare.
Konkretisht, unë kam qenë gjithnjë ‘i lëngëzuar’ nga pasuria e njëfarë humori
të zi që vazhdonte qysh nga koha e barcaletave jokomformiste të asaj kohe, ose,
thënë më mirë: nga mënyra e trajtimit të karikaturës Shqiptare, që ndoshta, si
pa dashje, u kthye në stil.