Showing posts with label Një ré floriri nga deti i hidhërimit... Poezi/i. Show all posts
Showing posts with label Një ré floriri nga deti i hidhërimit... Poezi/i. Show all posts

MIHAI EMINESCU: Një ré floriri nga deti i hidhërimit / Un nor de aur din marea de amar...

 

Odë – në metër antik (Odă – în metru antic)


S’besoja të kuptoja si vdiset ndonjëherë
Riosh përjetësisht, i kallur në mantel
Lartoja sytë e ëndërrt drejt yllit
Të vetmisë.

E beftë m’u fanite sakaq në udhën time
O vojtkë, kaq e ëmbël, tamam si dhëmbja vetë
Me fund gëlltita epshin e vdekjes
Së pashpirt.

Në zi së gjalli digjem, cfilitur si Nessusi
A si Herkul që petku mjerisht e pat helmuar
Ta fikin zjarrin tim nuk mundin dot së toku
                Ujrat e detit.

Nga ëndrra ime qahem, zhuritur, përvëluar,
Mes zjarrit tim nis tretem parreshtur nëpër flakë...
Të ngjallem, a do mund, sërish dritues si
Zogu Feniks?

I humba mb’udhë sytë e tronditur,
Sërish eja në gji, shkujdesje e trishtë;
Të mund të vdes në paqe, veten time
Jepma, pra!


U shua jeta... (S-a stins viața...)


Iu shua jeta Venecjes së praruar,
S'dëgjon vallzim, s'sheh drita, kënga shteri,
Portalesh pleq, mes shkallësh prej mermeri
Fut kryet hëna, muret për t'i argjenduar.

Okeanusi mbi kanale qan ngadalë,
Për shekuj varg mbart lulen e rinimit,
T'i falë nuses frymën e gjallimit,
Mbi ujra shfaqet e kumbon me valë.

Kalatë porsi varre heshtjen zgjatën.
I vetëm, prift që kohrash mbet në jetë,
Shën Marku me trishtim godet mesnatën.

Me gjuhë prej Sibile, por zëdet,
Me tinguj të qetuar hedh mandatën:
"Më kot, o djem, nuk ngjallet kush u tret!"