MIHAI EMINESCU: Një ré floriri nga deti i hidhërimit / Un nor de aur din marea de amar...

 

Odë – në metër antik (Odă – în metru antic)


S’besoja të kuptoja si vdiset ndonjëherë
Riosh përjetësisht, i kallur në mantel
Lartoja sytë e ëndërrt drejt yllit
Të vetmisë.

E beftë m’u fanite sakaq në udhën time
O vojtkë, kaq e ëmbël, tamam si dhëmbja vetë
Me fund gëlltita epshin e vdekjes
Së pashpirt.

Në zi së gjalli digjem, cfilitur si Nessusi
A si Herkul që petku mjerisht e pat helmuar
Ta fikin zjarrin tim nuk mundin dot së toku
                Ujrat e detit.

Nga ëndrra ime qahem, zhuritur, përvëluar,
Mes zjarrit tim nis tretem parreshtur nëpër flakë...
Të ngjallem, a do mund, sërish dritues si
Zogu Feniks?

I humba mb’udhë sytë e tronditur,
Sërish eja në gji, shkujdesje e trishtë;
Të mund të vdes në paqe, veten time
Jepma, pra!


U shua jeta... (S-a stins viața...)


Iu shua jeta Venecjes së praruar,
S'dëgjon vallzim, s'sheh drita, kënga shteri,
Portalesh pleq, mes shkallësh prej mermeri
Fut kryet hëna, muret për t'i argjenduar.

Okeanusi mbi kanale qan ngadalë,
Për shekuj varg mbart lulen e rinimit,
T'i falë nuses frymën e gjallimit,
Mbi ujra shfaqet e kumbon me valë.

Kalatë porsi varre heshtjen zgjatën.
I vetëm, prift që kohrash mbet në jetë,
Shën Marku me trishtim godet mesnatën.

Me gjuhë prej Sibile, por zëdet,
Me tinguj të qetuar hedh mandatën:
"Më kot, o djem, nuk ngjallet kush u tret!"



Dojna* (Doina)


Që nga Nistri gjer në Tisë,
Qënka nderë perde e zisë
Dhe rumuni qan me lot,
Nga të huajt s'po çan dot.
Nga Hotini gjer në Det,
Vijn' kaluar, vaj medet,
E nga Deti në Hotin
Papushuar udha nxin.

Vatra e Dornës e Bojan,
Janë mbushur anemban'
Fara e huaj të kullot
Aq sa veten s'e njeh dot.
Lart në mal e poshtë në lug
Kanë bërë hasmët rrug'
Nga Satmari në Saçele
Mbushin shtigje, çajn' zabele.

Ja, pa shih: rumuni i shkret'
Si gaforrja pas baret,
As bën këmbë sa një plesht,
As dhe vjeshtën s'e ka vjesht'
Vera verë s'qënka, thuaj,
Ku ka lindur është i huaj.
Që në Turn, në Dorohoj,
Rrjedhin hasmët "si në voj"...
Këmbëkryqen fort të thekur
Dhe tek vijn' me zjarr e hekur
Gjithë këngët janë mekur.
Fluturon krejt shpeshëria
Nga e zeza huajsia,
Vetëm hija e gjemborit -
Në der' të krishter të gjorit.
Vendi zhvesh gjoksin hata,
Pylli me rumunin vlla
Gjith po qethet nën sëpatë,
Varfëri, zi e mandatë.
Kujt të huajit i dha emër,
Qentë mos i lënçin zemër,
Ia përpift' shtëpinë shkretimi,
Soj e sorollop mjerimi!

O Stefan, o Madhëri,
Ti në Putnë më mos rri
Dhe ia ler arkimandritit
Tërë punërat e shpirtit,
Priftërinjtë e ungjillorët
Le të merren me shenjtorët,
Mbi këmbanat të qëllojnë,
Ditë e natë mos pushojnë.
Zot i madh, i mëshirofsh!
Ti, Stefan, vendin shpëtofsh!

Ngrihu, trim, e lere varrë,
Bjeri bririt si i marrë,
Mblidh Moldovën - zemërzjarrë,
Po i re bririt një herë,
Vjen Moldova shpejt, si erë,
Kur dy herë briri ushton,
Vjen dhe pylli të ndihmon.
Në i rënç të tretën herë,
Hasmët s'kanë pikë vlerë.
Cep më cep e anë më anë
Korbat mishin le t'u hanë
Hallkat paçin përmatanë!

 

Mortua est!


Pishtar i përndritshëm mbi varret e njoma,
Një tingull këmbane në orët e vona,
Një ëndërr që flatrën e zbut në trishtim,
Kështu e kaptove të botës pengim.

Kalove kur qielli ish fushë kthjellore,
Me gurra prej qumshti, me lule diellore,
Kur retë si nata - pallat turivrarë,
Prej hënës hyjneshë me radhë janë parë.

Më ngjake si hije argjendi ndriçuar,
Me krahët të ngritur, drejt qiejve drejtuar,
E skelat e reve i ngjit, shpirt i gjorë,
Mes shiut me rreze, me yjet dëborë.

Një rreze të ngritka, një këng' të mban çuar,
Me krahët e bardhë mbi gjoks kryqëzuar,
Kur furka dëgjohet në lëmsh si magji,
Argjend ka ndër ujra, në ajër flori.

Ta shoh shpirtin borë kur shkon n' hapësirë,
Më pas edhe baltën ... të bardhë e të ngrirë,
Me veshjen e gjatë, nënqesh si e gjallë,
Qivuri ku dergjesh, ndriçoka si rrallë.

Dhe shpirtin shpesh pyes, mëdyshjen ta tretë,
Pse vdiqe, o ëngjëll, me faqe të zbehtë,
A s'ishe e bukur, a s'ishe e re?
U nise të shuash një yll zjarr, mbi re?

Po ndofta kështjella do ketë andejpari,
Me mure prej yjesh, me harqe prej ari,
Lumenj zjarri, ura të lyera në argjënd,
E brigje me lule, me këngë anekënd;

Të ecësh mes tyre, mbretëreshë e bekuar,
Me flokë prej rrezesh, me sy të drituar,
Me veshjen e kaltër spërkatur me ar,
Kurorë dafine mbi ballin zbehtar.

Oh, vdekja - rrëmujë, një det yjeplot,
Kur jeta ësht' baltë me ëndrra krejt kot;
Oh, vdekja - një shekull nga diej lulëzuar,
Kur jeta ësht' dokërr, pa gjë, e shëmtuar.

Por...kokën stuhitë ma bëjn' shkretëtirë,
Mendimet e liga dëbojn' çdo të mirë...
Kur diejt të shuhen e yje s'ka më,
Më vjen të besoj se gjithçka s'qënka gjë.

A mundet të çahet thjesht kupa qiellore,
Mosgjëja të bjerë me natën yjore,
Ta shoh qiellin sterrë si botrat fort shkund,
Si pré kalimtare të vdekjes pa fund...

Në qoftë krejt ndryshe... ahere përjetë
S'do vijë shpirti yt, i valë, më në jetë,
Memece do bëhet gjuha jote si mjaltë...
Ky ëngjëll ahere do shndrrohet në baltë.

Dhe prapë, moj tokë e bekuar, e vdekur,
Te varri vë harpën e thyer, të mekur,
Për mortjen mos qaj, gëzohu me bujë
Me rrezen që derdhet mbi botën - rrëmujë.

Pastaj...ç'është mirë askush nuk e di,
Të rrosh a mos rrosh...ama çdo njeri
E di që kush s'është, s'ndjen dhimbje aspak,
E dhimbje ka shumë, gëzime fort pak.

Të rrosh? Çmenduri e trishtuar, e shkretë;
Të rren veshi yt dhe syri i vërtetë;
Çka thotë një shekull, s'e thënkan të tjerë.
Më mirë gjëprejgjëje, se ëndërr pa vlerë.

Shoh ëndrra që nisen të tjera për të kapur,
Gjer ndalen te varret, që presin gojëhapur,
Më s'di ku ta shuaj mendimin nën ballë:
Të qesh si të marrët? T'i tall? T'u qaj hallë?

Ç'kuptim ka?... Mos qënka gjithçka marrëzi?
Po vdekja e jote, o ëngjëll, s'e di
Përse ndodhi, vallë? Ti, qënie që qesh,
Jetove që varrin ta marrësh peshqesh?

Në pastë kuptim, ateu ka vepruar,
Në ballin tënd Zotin s'e paske të shkruar.


Ç'të uroj unë ty, o e ëmbla Rumani

(Ce-ți doresc eu ție, dulce Românie)


Çfarë të të uroj, o e ëmbla Rumani,
Truall i lavdisë, vend i mallit tim?
Krahë të kërcyer, armë plot fuqi,
Si e madhja e shkuar, t'ardhme me ngadhnjim.
Le të zjejë vera, kupash të shkumojë,
Se me të mëkohen bijtë e tu dragoj,
Shkëmbi as që tundet, vala le të shkojë,
Rumani e ëmbël, ja se ç'të uroj.

Endërr për hakmarrje, sterrë porsi varri,
Shpatë të përgjakur, hasmin që e bën hi,
Fluturim mbi hidrën me vrrull prej të marri,
Endërrim të dlirë, me ngadhnjim, lavdi.
Botës mbarë t'i thoni, flamuj tringjyrore,
T'i rrëfeni ç'është kombi i madh rumun,
Kur shenjtisht përndizet e tij gjeratore,
Rumani e ëmbël, ja ç'të uroj un’.

Engjëlli i dashurisë, ëngjëll për paqtimin,
Në altar fatthënës heshtaz buzëqesh
E në lavde Marsit ia rrëmben shikimin,
Kur flatron me llampën, dritën çon peshqesh.
Në gjinë tënd të virgjër ai le të zbresë,
Parajsën të ndjejë, të qiellit lumni,
Ti në krah shtrëngoje, pa altar mos mbesë,
Ja se ç'të uroj, e ëmbla Rumani.

Ç'të uroj unë ty, o e ëmbla Rumani,
Nuse bukuroshe, nënë mbushur mall!
Bijtë e tu të rrojnë veç në vllazëri,
Si të natës yje, si agim dritrrall’.
Jetë të amëshuar, gaz e madhështi,
Armë të pathyera, shpirt të thellë rumun,
Endërr trimërie, famë, krenari,
Rumani e ëmbël, ja ç'të uroj un’.


Mesnata po goditet... (Se bate miezul nopții)


Mesnata e goditi të bakërtën këmbanë,
Doganë e jetës-gjumi, ma la taksën mënjanë;
Të rrahurave rrugë do mendja të më bartë,
Mes jetës edhe vdekjes nuk shoh dallim të qartë,
S'ndryshon, veç, asnjë fije peshorja e mendimit,
Se heshtaz ndehet gjuha mes jo-së dhe pohimit.


Glosë (Glossă)


Koha shkon, por edhe vjen,
Gjithçka rri e re, e vjetër;
Ç’është mirë a keq, e gjen,
Vraje mendjen veç, patjetër;
Mos ki shpresë e mos u ndruaj,
Ç’është valë, do shkojë si valë;
Në çdo ngasje, si i huaj,
Rri i ftohtë dhe pafjalë.

Gjëra plot para na dalin,
E në vesh na vijnë të tjera,
Por vëmendjen dot s’e ndalin,
S’kemi nge, ndaj i merr era.
Pangurrim qëndro mënjanë,
Tek vetveten e rigjen,
Kur me zhurma anembanë
Koha shkon, por edhe vjen.

As akrepi i saj nuk pjerret -
Kjo peshore e mendimit -
Drejt momentit që ze bjerret -
Fli e maskës së galdimit,
Që nga vdekja e saj merr lindje
Edhe zgjat një çast, jo tjetër,
Për atë që e njeh me bindje
Gjithçka rri e re, e vjetër.

Spektator si në teatër
Në kët’ botë përherë ji:
Luan njëri dhe për katër
Çirrja maskën gjithsesi;
Dhe në nxjerrtë lot fytyre
Rri në qoshe, veten ndjen,
Të kuptosh nga arti i tyre
Ç’është mirë a keq, e gjen.

Çka do vijë e çfarë ka shkuar
Janë dy pamje, veç një fletë,
Fillin ka për ta shikuar
Bash në fund kush nxë në jetë;
Gjithë ç’qenë e do të vinë
I shikojm’ me sytë e vjetër
Që t’u njohësh kotësinë
Vraje mendjen veç, patjetër.

Mbetkan pó të njëjtat mjete
Që trysnojnë çdo gjallesë
Kanë rrjedhur mijra vjete,
Bota njeh gaz e dënesë;
Tjetër maskë, e njëjta pjesë,
Tjetër gojë, të njëjtët truaj,
I zhgënjyer, prerë në besë
Mos shpreso e mos u druaj.

Mos shpreso kur ligësitë
Për ngadhnjim lidhen jo rrallë
Ta kalojnë ndyrësitë
Dhe në qofsh me yll në ballë;
Mos u tremb kur përsëri
Ndërlëvdohen me aq fjalë
Me ta kurrë shok mos ji
Ç’është valë, do shkojë si valë.

Me një këngë prej sirene
Bash kjo botë i ngre kurth dritës
Që të ndrrojë aktorët skene
Me karrem të josh drejt pritës;
Atypari qëndro strukur
Veshin fare mos e luaj
Që nga shtegu ku je futur
Në çdo ngasje, si i huaj.

Në qëllofshin, bëj mënjanë,
Në të nëmshin, mos bëj zë;
Se dhe fjalët vlerë s’kanë
U di kutin, çfar’ pret më?
Le të thotë gjithkush ç’të dojë,
Kush të mundë, le të dalë
Që mos lidhesh as me gojë
Rri i ftohtë dhe pafjalë.

Rri i ftohtë dhe pafjalë
Në çdo ngasje, si i huaj,
Ç’është valë, kalon si valë,
Mos shpreso dhe mos u druaj,
Vraje mendjen veç, patjetër,
Ç’është mirë a keq, e gjen;
Gjithçka rri e re, e vjetër;
Koha shkon, por edhe vjen.

Shqipëroi Kopi Kyçyku



* Krijim tradicional folklorik rumun. Emrat e shkruar me gërmë të madhe përfaqësojnë lumenj, vise apo krahina rumune.