Revista Haemus: I dashur Bajram Sefaj. Në botimet e tua më të freskëta bien në sy dy dhembje, që ravgojnë të kthehen në vegime letrare: mërgimi dhe nevoja për të njësuar trevat shqiptare, të paktën nga ana shpirtërore, si shpërblim i natyrshëm ndaj vështirësive të mërgimit. Si e sheh pas kaq vjetësh çastin kur u detyrove të shkëputesh (përkohësisht dhe vetëm trupërisht) nga vatra?
Bajram Sefaj: Çastin kur u shkëputa
nga vatra nuk e përjetova aq rëndë dhe aq tragjikisht, pikërisht në saje të
vërejtjes suaj që e ngujoni ndër paranteza. Shkëputjen nuk e përjetova, së paku
jo ashtu, pikëllueshëm e hidhshëm siç kisha lexuar për të në faqe librash, sa i
rëndë është ky pikëllim. Pra, shkëputjen nga vendlindja e përjetova si një gjë
të përkohshme, sepse e tillë edhe ishte në fillim të saj. Por a ishte kjo
shkëputje vërtet e tillë. E përkohshme dhe ku do të ndaleshin, ku do të
preheshin kufijtë e përkohësisë së saj. Kjo as që mund të ishte e qartë për
askënd, aq më pak për mua dhe bashkatdhetarët (bashkëkombësit) e mi fatkëqij.