Showing posts with label Kinemaja – diçka përtej shqetësimit. Show all posts
Showing posts with label Kinemaja – diçka përtej shqetësimit. Show all posts

"Kinemaja – diçka përtej shqetësimit..." / Bisedë me Artan Minarollin


Revista Haemus: I dashur Artan Minarolli. Krijimtaria jote ka një ndriçim të brendshëm dhe një humor që zor se mund t’i lejonte, apo aq më pak t’i zhvillonte shkollimi në “epokën e lavdishme”. Si kanë qenë për ty dhe për brezin tënd vitet e studimeve? Sa liri, sa mungesë lirie kishte – dhe sa pengonin dhe/ose ndihmonin këto krijimtarinë kinematografike?...

Ne jemi një brez që jemi rritur me barcaletën si formë e vetme e “opozitës” të asaj kohe. Çdo gjë e interpretonim përmes humorit, ku shpesh herë talleshim edhe me vehten, me plogështinë dhe paaftësinë per të folur më seriozisht rreth botës ku jetonim. Merreshim shumë me karikaturën e asaj kohe, guxonim dhe përqeshnim çdo gjë që na servirej, derisa në vitet e fundit talleshim hapur me “njeriun e ri”. Sot vë re se shakaja ka shkuar më tej akoma dhe po trajtojmë njeriun “shumë, shumë të ri” që, në fakt, është trashëgimia e asaj kohe. Bënim shakara me njeriun e ngrirë socialist, me mizerien, dëshpërimin, ulërimat e artit bajat folklorik si p.sh. në rastin kur Partia dhe shoku Enver iu përgjigjen flakazi Woodstock-ut të famshëm me një Koncert të Pleqve të Krujës përpara bujqve të dalluar në Bubullimë etj. Ne u lindëm dhe u rritëm në një mjedis ku nuk ekzistonte liria. Të gjitha këto shprehje ishin një reagim I vetishëm ndaj një dimensioni fare të panjohur për ne. Edhe shkollimi ynë u zhvillua në këtë kontekst. Ne nuk mund të gëlltisnim çdo gjë, pretendonim të ishim brez avangarde. Ironia dhe tallja u bënë reagimi ynë natyral ndaj çdo metode edukimi, dhe më vonë u kthye në një skeptitizëm të vulosur ndaj çdo shprehjeje artistike në atë kohë. Menjëhere mbas viteve ‘90 këto shprehi gjetën vend të bollshëm edhe në kinemanë e re shqiptare. Konkretisht, unë kam qenë gjithnjë ‘i lëngëzuar’ nga pasuria e njëfarë humori të zi që vazhdonte qysh nga koha e barcaletave jokomformiste të asaj kohe, ose, thënë më mirë: nga mënyra e trajtimit të karikaturës Shqiptare, që ndoshta, si pa dashje, u kthye në stil.