Lidhur me krizat e mia, iu lyp këshilla një mjeku dhe ai shqiptoi një fjalë të çuditshme: „paludizëm”; mbeta tejet i habitur që shqetësimet e mia aq intime e të fshehta mund të kishin një emër e madje një emër aq të çuditshëm. Doktori më dha të marr kininë: tjetër arsye habie. E kisha të pamundur të kuptoja se si mund të shëroheshin hapësirat e sëmura, ato, me kininën që merrja unë. Por më tepër më turbulloi mjeku. Se edhe shumë kohë pas konsultës ai vazhdoi të gjallonte e të përpëlitej në kujtesën time, me ca gjeste të rëndomtë e të njëjtë, mekanismin e pashtershëm të të cilëve nuk arrija ta ndalja.
Ishte një burrë trupvogël, me kokën si vezë. Maja e vezës zgjatej për poshtë
me një mjekërzë të zezë e vazhdimisht të shqetësuar. Sytë e vegjël e të
kadifenjtë, lëvizjet e shkurtra dhe goja e hepuar para e bënin të ngjante me një
miu. Kjo përshtypje qe aq e fortë qysh në çastin e parë, saqë m’u duk tejet e
natyrshme që, kur nisi të fliste, të zgjaste e të theksonte çdo „r”, a thua se,
në të folur e sipër, brente diçka të fshehtë.
Kinina që më dha ma forcoi edhe ajo bindjen se mjeku kish në vetvete diçka prej miu. Verifikimi i kësaj bindjeje ndodhi në një mënyrë aq të çuditshme dhe lidhet me ngjarje aq të rëndësishme të fëminisë sime, saqë e meriton, besoj, të rrëfehet më vete.