Showing posts with label Fragmente. Show all posts
Showing posts with label Fragmente. Show all posts

MAX BLECHER: I-realitet-i / Fragmente nga romani "Ngjarje nga zhgjëndrra e tanishme"

Lidhur me krizat e mia, iu lyp këshilla një mjeku dhe ai shqiptoi një fjalë të çuditshme: „paludizëm”; mbeta tejet i habitur që shqetësimet e mia aq intime e të fshehta mund të kishin një emër e madje një emër aq të çuditshëm. Doktori më dha të marr kininë: tjetër arsye habie. E kisha të pamundur të kuptoja se si mund të shëroheshin hapësirat e sëmura, ato, me kininën që merrja unë. Por më tepër më turbulloi mjeku. Se edhe shumë kohë pas konsultës ai vazhdoi të gjallonte e të përpëlitej në kujtesën time, me ca gjeste të rëndomtë e të njëjtë, mekanismin e pashtershëm të të cilëve nuk arrija ta ndalja.

Ishte një burrë trupvogël, me kokën si vezë. Maja e vezës zgjatej për poshtë me një mjekërzë të zezë e vazhdimisht të shqetësuar. Sytë e vegjël e të kadifenjtë, lëvizjet e shkurtra dhe goja e hepuar para e bënin të ngjante me një miu. Kjo përshtypje qe aq e fortë qysh në çastin e parë, saqë m’u duk tejet e natyrshme që, kur nisi të fliste, të zgjaste e të theksonte çdo „r”, a thua se, në të folur e sipër, brente diçka të fshehtë.

Kinina që më dha ma forcoi edhe ajo bindjen se mjeku kish në vetvete diçka prej miu. Verifikimi i kësaj bindjeje ndodhi në një mënyrë aq të çuditshme dhe lidhet me ngjarje aq të rëndësishme të fëminisë sime, saqë e meriton, besoj, të rrëfehet më vete.

INGMAR BERGMAN: Projektori

Ernst Ingmar Bergman (14 korrik 1918, Uppsala - 30 korrik 2007, ishulli Fårö, Suedi) njëri nga regjisorët më të shquar të të gjitha kohërave, u lind në familjen e priftit luteran me prejardhje daneze Erik Bergman, - që u bë më vonë kapelan i Mbretit të Suedisë, - dhe Karinit (ish Åkerblom).
Bergmani ndoqi Shkollën e Lartë të Stokholmit dhe disa kurse letërsie në Universitetin e Stokholmit, por i ndërpreu, sepse, siç e dëshmon vetë: “iu përkushtua filmit”.
Pasi drejton për disa vjet teatrin Shtetëror të Helsingborgut, Bergmani bëhet i njohur botërisht me filmin “Vula e shtatë” (Det Sjunde inseglet, 1956), i cili hap serinë e disa kryeveprave, si "Manaferrat e egra" ("Smultronstallet"), “Pranvera e virgjëreshës” (Jungfrukällan, 1959), "Përmes një qelqi të errët", 1961.
Mes viteve 1963 dhe 1966 Bergmani është drejtor i Teatrit Mbretëror Shtetëror të Stokholmit. Filmat e kësaj periudhe, "Persona" (1966) me Liv Ullmann-in dhe Bibi Andresson-in në rolet kryesore, "Pasioni i Annës" (1969), "Prekja" (1970) apo "Britma dhe pëshpëritje" (1972), frymëzohen kryesisht nga nëna e regjisorit dhe çmohen për thellësinë dhe befasinë e vëzhgimeve e të mënyrave të xhirimit. Bergmani  vijon me filma televizivë, si "Skena nga një martesë" (1974) dhe "Ballë për ballë" (1976), që shfaqen edhe në kinema.
Për një kohë, Bergmani largohet nga Suedia dhe vendoset në Gjermani.
Në vitin 1982 mbaron së xhiruari kryeveprën autobiografike "Fanny dhe Alexander-i", që fiton Çmimin Oskar si filmi më i mirë i huaj. Pas kësaj arritjeje, Bergmani përqëndrohet në veprimtarinë si skenarist, regjisor teatri dhe shkrimtar.
Ingmar Bergmani ndërroi jetë në gjumë, në shtëpinë e tij në Fårö, më 30 korrik 2007, dhe u varros më 18 gusht të po atij viti.

“Llampa magjike” (Lanterna magica), botuar në vitin 1987, cilësuar nga Roland Barthes si “një autobiografi që ndruhet ta quajë veten roman” përshkruan me një forcë të jashtëzakonshme etapa nga jeta e Bergmanit, qysh nga fëminia e deri pasi u tërhoq të jetonte i vetmuar në ishullin Fårö. Mundimet e prindërve dhe të miqve, pesë martesa, nëntë fëmijë, pengesa e arritje të paharrueshme, mërgime e kthime, dështime, smira, adhurime të skajshme e humbje njerëzish të shtrenjtë – gjithçka përshkruhet si nga një kamerë, brenda së cilës drithëron një shpirt i vetmuar që nuk gjeti për asnjë çast paqe të mirëfilltë përveçse në art.
Për nga thellësia e vëzhgimeve, çiltërsia, humori, vetoironia, tematika dhe përkushtimi me të cilën trajton disa nga temat e përhershme të jetës, libri është një kryevepër letrare që do të duhet t’i jepet sa më shpejt edhe lexuesit shqiptar.


Pasoi kinemaja.
Ishin javët para Krishtlindjeve. Zoti Jansson, shoferi i së tepërpasurës teze Anna, veshur me redingotë, na pat sjellë tashmë shumë dhurata për Krishtlindje, dhurata të vendosura, si zakonisht, në kthinën pas shkallëve që çonin në katin e dytë. Njëra nga pakot ma zgjonte në mënyrë të veçantë kurreshtjen e tepruar: ishte e kaftë dhe drejtkëndëshe, dhe mbi letrën me të cilën qe mbështjellë shkruante “Fersners”. Kjo ishte një firmë aparatesh fotografikë që ndodhej në Hamngasbacken. Atje nuk shiteshin vetëm aparate fotografikë, por edhe projektorë.
Më tepër se gjithçka dëshiroja një projektor. Një vit më parë pata qënë për herë të parë në kinema dhe kisha ndjekur një film për një kalë, Murgu i pashëm, xhiruar sipas një libri të njohur për fëmijë. Filmi jepej në kinemanë Sture dhe unë kisha ndenjur në rreshtin e parë, në një lozhë. Ky pat qenë për mua fillimi. Qysh atëhere më ka pushtuar një drithmë nga  e cila ende nuk jam shëruar. Hijet e heshtura drejtonin nga unë fytyrat e tyre të zbehta, duke iu folur me zërat e padëgjueshëm ndjenjave të mia më të fshehta. Kanë kaluar gjashtëdhjetë vjet, asgjë s’ka ndryshuar, ka mbetur po ajo drithmë.