EMIL CIORAN: Mbi mangësinë e të qënit i lindur

Ora tre e mëngjesit. E perceptoj këtë sekondë, pastaj një tjetër, bëj bilancin e secilës minutë.
Pse vallë? – Sepse jam lindur.
Nga një lloj i veçantë i vigjëlimit rrjedh vënia në akuzë e lindjes.

“Që kur jam në botë” – ky që kur më duket i mbushur me një kuptim kaq të frikshëm saqë bëhet i padurueshëm.

Nuk duhet të mbrehemi në një vepër, duhet vetëm të themi diçka që mund të pëshpëritet në veshin e një pijaneci apo të një të sëmuri për vdekje.

Kur i refuzon vetes lirizmin, nxirja e një letre shndërrohet në një sprovë: përse të shkruash kur do të thuash pikërisht atë që kishe për të thënë.

Është e pamundur të ndjesh se ka qenë një kohë kur nuk ekzistoje. Që këtu rrjedh afëria ndaj personazhit që ke qenë para se të lindeshe.

Nuk është i përulur ai që urren veten.

Nuk duhet të shkruajmë libra përveçse për të thënë në to gjëra të cilat nuk do të kishim guxuar t’ia besonim askujt.

Nuk ia vlen mundimi të vrasësh veten, se gjithsesi është tepër vonë.

Çfarë zhgënjimi që dijetari për të cilin kam më tepër nevojë, Epikuri, ka shkruar më tepër se treqind traktate. Dhe çfarë lehtësimi që të gjitha kanë humbur.

- Çfarë bën nga mëngjesi gjer në darkë?
- Duroj veten.

Po të mund ta shihnim veten me sytë e të tjerëve, do të ishim zhdukur në vend.

I vetmi rrëfim i çiltër është ai që e bëjmë tërthorazi – duke folur për të tjerët.

Të fundit të cilëve ua falim pabesitë ndaj nesh janë ata që i kemi zhgënjyer.

Që t’i çarmatosim ziliqarët, do të duhet të dalim në udhë me paterica. Vetëm shfaqja e shkatërrimit tonë i humanizon sadopak miqtë dhe armiqtë tanë.

Me të drejtë besojmë se njëheresh me fundin e çdo epoke marrim pjesë në zhdukjen e gjurmëve të mbrame të Parajsës tokësore.

Meqë njeriu është një kafshë llafazane, ecila nga fjalët e tij ka vlerën e një simptome.

Sa më shumë përparon njeriu, aq më pak do të ketë në çfarë të konvertohet.

Kandinski thotë se e verdha është ngjyra e jetës.. Kupto, pra, pse kjo ngjyrë i dëmton sytë aq shumë.

Sikur ta njihnin fëmijët që nuk desha t’i kem lumturinë që më kanë borxh!

Ai që ngadhnjen, pavarësisht nga lëmi, ka diçka prej sharlatani.

Fetë, sikurse edhe ideologjitë që u kanë trashëguar veset, përmblidhen në ca kryqëzata kundër humorit.

Ai që i mbijeton vetvetes humbet... biografinë. Në thelb, nuk mund të quhen të përmbushur përveçse fatet e dërrmuar.

Mërzia, kjo sëmundje që pandehet rrënuese, na bën të shquajmë megjithatë humnerën nga ku lind nevoja për t’u lutur.

Bëmat nuk janë të mundura përveçse në epokat kur ironia ndaj vetes ende s’ka filluar të sundojë.

Pse vallë, pasi ke bërë një mirësi, të vjen të ndjekësh një flamur, cilindoqoftë?




* Lexohet Emil Çoran - sh. red.