VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Amerika dhe Bota pas ditës 11 shtator

Pjesa e parë: Amerika

Amerika është tani një vend tjetër. Kjo nuk duhet harruar. A është ky vend i ri, ky shtet i ri, më i mirë apo më i keq, më i fortë apo më i dobët se para ditës 11 shtator? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk varet vetëm nga jellja e amerikanëvet, por edhe (ose sidomos) nga sjellja e vendevet joamerikane. Mirëpo, para se të vazhdoj këtë arsyetim, do të jetë mirë të thuhet se çãka ndodhur më 11 shtator në New York e në Washington. Qe, në çdo rast, një veprim ushtarak anonim me madhësi tepër të rëndësishme pa shpallje lufte, i cili meriton vërtet të cilësohet si veprim terrorist e kriminal. Veprimi qe, kjo vetëkuptohet, vetëm në dukje anonim: shumë dyshime të bazuara nuk mungojnë, sepse një veprim i atillë kërkon përgatitje të gjatë dhe të thellë, shumë bashkëpunëtorë e jo pak të holla. E, nga ana tjetër, tashmë ndonjë vit më parë ca ambasada amerikane në Afrikë kishin pësuar ndonjë atentat si edhe New Yorku vetë, ashtu si ca aeroplanë, por në thelbin e kryeqytetit botëror nuk pritej e, me të vërtetë, nuk mund të pritej një katastrofë aq e rëndë.

E, menjëherë, amerikani normal mbeti pa mend: vendi i tij ishte i cenueshëm, i prekshëm, i lëndueshëm… pothuaj ashtu si Dresdeni i Gjermanisë, si Hiroshima e Nagasaki më 1945: e pabesueshmja bëhej realitet. Amerikani normal u zgjua i trembur e filloi të besonte se një atentat i atillë mund të jetë kudo e çdoherë i mundshëm e shumë njerëz tani, jo vetëm në Amerike!!!, do të frikohen psikologjikisht për një kohë jo të shkurtër. Në çdo rast amerikani normal sikur u zgjua i trembur e vetëm pak njerëz me përgjegjësi politike treguan nerva të hekurta fill pas kësaj katastrofe. Edhe shumë qytetarë të shtetevet evropiane kanë reaguar si amerikanët e ca politikanë fillojnë sot të kuptojnë se atentate të atilla nuk mund të përsëriten aq me lehtësi, por masa paraprake janë mëse të përshtatshme. Mirëpo, Evropa e sotme nuk është më kontinent me rëndësi politike ndërkombëtare e kështu kthehem në temë. Dëmi material qe shumë i madh e amerikanit i nevojiten ca muaj të bindet se aeroplani mund të përdoret si para ditës 11 shtator, e industria e aviacionit është duke pësuar një humbje të stërmadhe. Këtu duhet nënvijuar se aeroplani është më me rëndësi në Amerikë se në një vend të vogël evropian. Por dëmi moral e politik është edhe më i rëndë e, për rrjedhim, Amerika është si e detyruar të ndërmarrë kundërmasa të efektshme, por të arsyeshme, domethënë të matura dhe të peshuara me shumë kujdes, aq më shumë që këto kundërmasa do të vazhdojnë me siguri mjaft gjatë e që të gjitha shtetet e Botës pranojnë, së paku teorikisht, reagimin amerikan. Sidoqoftë, unë jam shpresëtar i zjarrtë se presidenti amerikan nuk do të bëhet koleg me të birin e Ladinit.

Pjesa e dytë: Bota

Pjesa e dytë i kushtohet Botës, domethënë shteteve joamerikane (janë 189) dhe është serioze e 113 për qind gollettiane. Që në fillim është mirë të thuhet se shtete si Rusia e Kina ushqejnë dëshirën e kotë të jenë superfuqi, por ende nuk kanë kuptuar se çãështë politika e vërtetë, se çãështë ekonomia rentabël, se mirëqenia relative për pothuaj çdo qytetar është e nevojshme për shtetin; e, rrjedhimisht, rëndësia e tyre ndërkombëtare nuk mund të jetë e madhe. E kështu Bota joamerikane është për ne këtu Bota e atyre që jetojnë, siç dihet, me Kuranin në dorë e në mend e kjo Botë nuk mund mund të krahasohet fare me kristianët ose me ateistët kristianoidë. Këta, kristianë ose ateistë kristianoidë, kanë rivendosur haptas mamonizmin me një emërtim të ri: shoqëria e konsumit, e, kjo dihet kudo, këta do të shkojnë drejt e në skëterrë, drejt e në xhehenem ose në pisë, si quhet arbërisht. E unë, që lexova e rilexova Kuranin së paku njëqind e njëzet e katër herë me vëmendje të madhe, them haptazi se i biri i Ladinit (Osama ben Ladin - se ç’bën i ati nuk dihet!) me trimat e tij janë duke bërë gabime trashanike, natyrisht padashur, sepse, me sa duket, arabishten klasike ata nuk e dinë aq mirë e ca gjëra nuk i interpretuan drejt. Kjo shpjegohet me faktin se këta njerëz merren keq fort me gjuhën amerdikane (amerdikane nuk është gabim shtypi, ose lapsus calami, se ky është emri i vërtetë i kësaj gjuhe.) Mamonizmi i sotëm, na mëson Kurani, luftohet me sukses vetëm duke përdorur armët morale, duke ndërtuar një demokraci të mirëfilltë, të përnjëmendtë, si bëhet p.sh. në Arabinë Saudite e jo një demokraci formale alla-amerikana; e cila ka vështirësi edhe të numerojë votat; duke kryer një ekonomi rentabël për çdo qytetar; duke krijuar një shkencë që na shpjegon gjithçka racionalisht; (dihet se amerikani është i prapambetur shkencërisht e mat çdo gjë me këmbë e me duar si bëhej tek ne 5000 vjet më parë, e jo me sistemin metrik); duke ngritur një kulturë themeltare; (kurse amerikani është injorant e nuk di se Bota njeh edhe gjuhë të tjera e kështu ai, ta zemë, fjalën spanisht Florida e shqipton Florida e shprehjen latinisht bona fide e shqipton bona faidi!!!); duke jetuar sipas moralit hyjnor të Kuranit, kurse në Amerikë kriminaliteti është sjellje normale e përdhunimi i shtërshpeshtë, pothuaj rregull, ashtu si dhuna, e këtu Kurani shpall drejtpërdrejt se dhuna përdoret vetëm me ata që me siguri janë më pak të fortë se ne. Sidoqoftë, Amerika është vendi ku moda është bërë mem, siç na ka mësuar anglikani Richard Dawkins, (ai që zbuloi gjenin egoist) mem, pra karakter gjysmënatyror i cili rregullon jetën, kurse te ne triumfon kostumi serioz dhe i përjetshëm. Por kjo nuk mund të jetë e gjitha, e përfundimi është mëse i qartë: edhe pak kohë e pastaj realizohet kudo Rregjëria Hyjnore sipas mësimevet të profetit Muhamad e, dulcis in fundo për ne, Tirana e bukur bëhet, siç u vendos në Riad, kryeqyteti i Evropës stërmoderne e stërstërmuhamedane.


Heidelberg, 8-9 tetor 2001