Unë jam qytetar i Botës! Ashtu është: jam i bindur se jam qytetar i Botës, ndihem si qytetar i Botës e shpall haptas se çdo nacionalizëm, edhe ai që duket shumë i butë, është në fund të fundit racizëm vulgar që s‘ka as kokë, as bisht.
Natyrisht, burokrati, kur dëgjon këto fjalë, thotë: ti ke një pasaportë, e kjo na mjafton neve. Por burokrati ka të drejtë vetëm në dukje: pasaporta e gjëra të tjera na nevojiten për ca kontrolle ashtu si na nevojitet edhe ndarja në shtete. Me rëndësi është fakti se të gjitha këto gjëra duhet të bëhen sa më parë formalitete me vlerë relative e, sidomos, për të luftuar kështu ata njerëz që dalin nga rregulla negativisht e bëhen kriminelë.
Ndarjet në shtete, ashtu si ndarja
administrative në provinca, në komuna etj., janë të natyrshme e të domosdoshme
e të gjithë individët njerëzorë janë, në vend të parë, sidomos pjesëtarë të
këtyre ndarjeve administrative të vogla, ku ata jetojnë; dhe ata e kanë për detyrë
të interesohen e të veprojnë ndershmërisht për të mirën dhe të ardhmen e
ndarjes së tyre administrative. Kjo vlen, vetëkuptohet, edhe për ndarjet
administrative më të mëdha, për ndarjet politike në shtete etj., duke marrë
parasysh pak nga pak tërë Botën.
Përpara se të vazhdojmë, dua të theksoj
me këmbëngulje e me kokëfortësi edhe një herë se gjithashtu nacionalizmi më i
butë është racist e mitologjik e se, për fat të mjerë, racizmi e mitologjia
janë fenomene shumë të përhapura në çdo kohë e në çdo vend e në çdo shoqëri e
se është punë fort e vështirë të largohemi nga këto dukuri të shoqërisë.
Largimi nga këto shfaqje të këqija të shoqërisë parashikon afirmimin e arsyes e
fitorja e arsyes është e rrallë në jetën e njerëzvet: si mund të mposhtim
ndjenjat e idetë lajkatuese, mikluese e të pëlqyeshme që na duken aq të mira e
aq të bukura e që dëgjojmë shpeshherë?
Ndjenjat e idetë që
afirmohen me lehtësi janë zakonisht të favorshme sidomos për ata që komandojnë
ose gëzojnë privilegje në shoqëri. Vetëm mendja kritike mund të na shpëtojë nga
individi dhelparak e dinak, i cili afirmohet jo rrallë sepse gjen kudo pasues,
ithtarë, ndjekës sidomos ndër intelektualët pa karakter e pa moral të cilët
s’vlejnë një grosh, megjithëse ndonjëherë dijnë të shkruajnë, ose dijnë të
thonë dy-tri fjalë që duken të bukura, por, në fund të fundit, nëse analizohen
mirë, shpeshherë nuk na tregojnë asgjë konkrete.
Siç shihet, simpatia
ime për intelektualin nuk është shumë e madhe, sepse intelektuali, sëbashku me
priftin, më mashtruan mua në kohën e fashizmit që nga shkolla fillore. E, më
vonë, pas luftës së dytë botërore, intelektuali me priftin kërkuan të më
mashtronin përsëri mua, por pa sukses sepse isha i rritur e kisha filluar të
kuptoja më mirë situatën shoqërore e gjykoja çdo gjë me mendje kritike; e,
prandaj, kuptova sa më parë se partia demokratiko-kristiane italiane nuk ishte
as kristiane as demokratike as italiane: në të vërtetë ai që komandonte ndodhej
në Vatikan ose në Washington. E jo vetëm kaq: në të vërtetë, partia demokristiane
ishte në Itali vazhdimi i fashizmit në një mënyrë shumë dinake me bekimin e
Vatikanit dhe të Washingtonit.
Bie fjala,
intelektuali (filozofi, historiani, teologu, profesori etj.) e tradhtuan
Gjermaninë duke filluar nga viti 1871 e, më vonë, në vitin 1914 e në epokën
weimariane e schicklegruber-iane. (Schicklgruber është emri i vërtetë i njeriut të
njohur si Hitler.)
E, duke rimarrë temën e nacionalizmit, nënvijoj
faktin se në Ballkan nacionalizmi është shumë i përhapur e mbahet si ndjenjë e
mirë e normale e vetëm shumë pak njerëz kuptojnë fjalët e marra që na rrëfen pa
mend edhe nacionalizmi më i butë, nacionalizmi i fshehtë e i padukshëm, i cili
duhet krahasuar me një sëmundje të heshtur.
Natyrisht, ka njerëz që thonë se janë nacionalistë, por nuk mohojnë
nacionalizmat e tjerë, për shembull K. Trebeshina, që unë respektoj fort.
Këtyre unë iu këshilloj të mos e përdorin ketë term. Në çdo rast, edhe nacionalizmat e butë duhen zëvendësuar
sa më parë me bashkëpunim të sinqertë. Por në viset shqiptare të sotme, kritika
e hoxhenverizmit, kritika e mitologjisë nacionaliste e raciste ende nuk u bë, e
kështu triumfojnë kriminelët e intelektualizmit si D. Agolli e I. Kadareja.
Këto fjalë unë i shkruaj sepse mendime me
shpjegime raciste i zbulova tek unë vetë edhe kur besoja se isha larguar
njëherë e përgjithmonë nga racizmi e nga nacionalizmi i tepruar.
E, nga ana tjetër, na nevojitet çdoherë shumë
kujdes; ne duhet të informohemi shumë mirë për çdo gjë, përndryshe shkruhen
fjalë pa mend ose bëhen gabime trashanike, si thashë më lart. P.sh. revista
jonë Haemus 4-5-6, në rreshtin e
parafundit të faqes 404 citon fjalën bojaxhi,
por nuk na thotë se këtë fjalë shqipja e mori nga turqishtja... ashtu si basha, buzuku, gjokaj, hoxha, kyçyku,
mazilu, podrimja, taçi, topçiu etj. etj. E këtu na duket e përshtatshme të
theksohet se kush ka frikë të kritikojë mikun më të dashur - në këtë rast
revista jonë Haemus – bën gabim të
rëndë: me kritikë të ndërsjellë e me diskutim kultura, e çdo gjë tjetër, bëhet
e gjallë dhe e lëvizshme e shkon përpara. Fjalën e njohur e Phaedrusit: exploranda est veritas multum (III,
10, v. 5) unë nuk e harroj kurrë, duke
shpresuar se kështu për mua dogmatizmi nuk ekziston më.
Me sa duket, racizmi i fshehtë nuk di se gjuha
shqipe ka pasur (e ka e dhe sot!) ndikime të mëdha leksikore e gramatikore nga
latinishtja (e, më vonë nga variantet e shumta neolatine), ndikime leksikore
nga gotishtja e shumë nga bullgarishtja e, ende më vonë, nga arabishtja e nga
persishtja me anë të turqishtes. Përsa i përket pastaj strukturës së shqipes,
është mirë të dihet se ajo është shumë e ngjashme me strukturën e gjuhëvet të
tjera të Ballkanit.... Menjëherë më bie në mend se edhe popullsi kelte jetuan
gjerë e gjatë në Ballkanin e lashtë! E kjo na tregon qartazi se shqiptari nuk
jetonte në një ishull të paarritshëm. Prandaj identifikimi absolut i ilirëvet
me shqiptarët e sotëm është absurd ose prej të çmenduri. Kush e njeh
ilirishten?! Ca kohë më parë u bë një supozim i atillë, e çdo hipotezë është
mëse e lejuar, por, shumë-shumë mund të thuhet se shqipja ka,
e-v-e-n-t-u-a-l-i-s-h-t, një komponent nga ilirishtja ose nga dako-trakishtja.
Mirëpo kur hipoteza bëhet njohuri dogmatike,
racizmi është absolut e injoranca e historisë trashanike. Me fjalë të qarta,
intelektuali i ndershëm duhet t’i analizojë e t’i kritikojë vazhdimisht
mendimet ‘shkencore’.
Bie fjala, nëse ndonjë shqiptar do, unë s’kam
vështirësi të demonstroj shkencërisht
se japonishtja rrjedh nga shqipja, duke cituar dhjetë-njëzet fjalë, për
shembull, e duke mos përmendur fare strukturën e gjuhëvet.
Historia e Haemusit ka qenë dhe është
edhe sot tepër e komplikuar, e kush thotë se shqiptari është pasardhësi i
drejtpërdrejtë i ilirit, nuk di se një popull është sistem i hapur, siç thotë
fizikani, e një prejardhje e atillë mijëvjeçare është teorikisht e mundshme,
por shumë e vështirë e, eventualisht, vetëm në një ishull të largët.
Në çdo rast, gjuha
shqipe është jashtëzakonisht interesante e mësimdhënëse për gjuhëtarin e për
historianin; ajo është vërtet një mrekulli sidomos për serbin e sotëm e për
grekun modern, të cilët për arsye mitologjike (historinë e tyre shkencore ata
nuk e njohin fare!) kanë vështirësi ta pranojnë këtë realitet.
Mirëpo, këto nuk
janë gjëra shumë me rëndësi: mitologjia është ende sot e fortë në Ballkan e në
shumë shtete të tjera: na nevojitet durim, na nevojitet shumë forcë! Me rëndësi
për artikullin e sotëm është fakti se unë jam qytetar i Botës si, për shembull,
Ciceroni e ca filozofë grekë të lashtësisë dy mijë vjet më parë e si ca gjermanë
në kohën e Goethes. Me rëndësi është fakti se unë, si qytetar i Botës, shkruaj
arbërisht, ose shqip për njëfarë simpatie, që nuk mund të shpjegohet me
saktësi.
Arsyetimi se
çivitjoti shkruan çivitjotisht e pra arbërisht e pra shqip, nuk na shpjegon
asgjë: a ka çivitjotra të tjerë që kanë shkruar ose shkruajnë çivitjotisht apo
arbërisht? Revista
Katundi Ynë është prova e qartë si
drita e diellit. Ndonjë arbëresh ziliqar tha edhe se unë shkruaj gollettisht!!!
Kultura arbëreshe e Çivtit ka qenë çdoherë vetëm
gojore. E, a ka edhe shumë arbëreshë të tjerë që shkruajnë sot arbërisht? Unë
njoh vetëm përjashtime të rralla me ndonjë poezi e ndonjë prozë të shkurtër.
Mandej realiteti na thotë se unë dal nga
rregulla, e se, për karakterin tim, unë dal rregullisht nga rregulla. Domethënë
unë jam njeri që shkon shpeshherë kundër rrymës, por një njeri i cili mëson nga
të tjerët, natyrisht jo në një mënyrë të verbër, sepse unë kërkoj të bëhem sa
më parë autonom dhe i pavarur e të shkoj përpara, nëse situata këtë e lejon.
Shumë me rëndësi është për qytetarin e Botës të
dish se sot Bota është çështje amerikane e se globalizimi është vetëm fjalë
shumë e bukur e do të thotë në fund të fundit amerikanizim. Por amerikanizimi nuk duhet të jetë amerdikanizim. Epërsia e sotme
amerikane në ekonomi, në kulturë, në politikë etj. nuk duhet mohuar në asnjë
rast, por qytetari ynë i Botës duhet ta shpëtojë identitetin e vet. Nënshtrimi
e përulja pa kushte në çdo fushë të kulturës e praktikisht të jetës janë
çdoherë dukuri negative e gabime të rënda.
Vetëkuptohet, ruajtja e identitetit kulturor,
kombëtar etj. nuk është në asnjë rast antiamerikanizëm: qytetari i Botës nuk
njeh asnjë anti-, nuk njeh asnjë
urrejtje, asnjë armiqësi, meqenëse është individ epror moralisht e kulturorisht
e beson se pak nga pak pacifizmi i vërtetë duhet mbajtur si synim i arritshëm.
Sot, edhe kjo vetëkuptohet, shumë shtete ende
nuk e duan fare demokracinë: ata që komandojnë gëzojnë privilegje të shumta e,
përveç kësaj, janë të bindur se njeriu normal nuk është e nuk duhet të bëhet i
emancipuar.
Mirëpo, kjo nuk është e gjitha. Qytetari
i Botës nuk është shumë optimist e di se përparimi teknik nuk na garanton fare
mirëvajtjen e përgjithshme të njerëzvet, nëse shumica e njerëzvet nuk janë
vërtet të zgjuar. Për këtë arsye unë shkruaj me çiltëri atë që mua përvoja ime
personale më ka mësuar e më mëson ditë për ditë.
Epërsia e Amerikës do të rritet e
rëndësia e Evropës perëndimore do të zvogëlohet për një arsye demografike të
njohur: popullsia e Amerikës rritet numerikisht në një mënyrë pothuaj të
pabesueshme. E, njëkohësisht, rritet e rritet fuqia politike e ndërmarrjevet
ekonomike amerikane, e këto vendosin në të vërtetë politikën, ashtu siç na e
shpjegoi Karl Marksi shumë e shumë kohë më parë.
Shtetet e tjera të mëdha, si Rusia, Kina,
Indonezia, Brazili, nuk janë ende në gjendje të organizojnë racionalisht e me
përfitim ekonominë e tyre, sepse klasat sunduese të këtyre shteteve sundojnë e
sundojnë e nuk duan të dinë gjë tjetër, veçse mirëqënien e tyre të sotme, e
shfrytëzimi i njeriut më të dobët vlen si parim absolut i jetës.
Evropiani perëndimor
i zgjuar duhet të organizojë sa më parë ekonomi e jetë kështu që ai mund të
bashkëpunojë me Amerikën, duke përmendur se edhe shteti më i fortë ekonomikisht
e ushtarakisht ka çdoherë nevojë për miq në të gjitha anët e Botës.
Shqiptari duhet të
zgjohet, - më në fund! - e Shqipëria duhet të organizohet sa më parë si shtet
modern e përparimtar, duke u çballkanizuar
(absit iniuria verbo!) përfundimisht e duke kuptuar se administrimi shtetëror
nuk mbështetet në mashtrim, por në ligje të drejta, të cilat vlejnë për çdo
anëtar të shoqërisë.
***
E këtej del se
intelektuali nuk duhet të bëhet vegël propagande në favor të qeverisë në fuqi,
por duhet të jetë i lirë e i pavarur, e qeverinë ai duhet ta lavdërojë, nëse
ajo këtë e meriton, e ta kritikojë atë në rastin e kundërt.
Me fjalë të qarta,
intelektuali që bëhet vullnetarisht skllav i verbër i një qeverie, e cila pa
dallim diskriminon, përndjek, burgos e vret qytetarë duke vënë urrejtjen në
plan të parë të politikës, dënohet vetë e neve na vjen keq për të.