ELVIRA DONES: Një kafe e pirë së largu

Këtë bisedë do t’ia kisha bërë, ndoshta, poetit Marko përpara një filxhani kafeje. Sikur ta kisha takuar kohë më parë, atëhere kur lexova librin e tij “Rastësisht me dashje”.
Një pjesë të kësaj bisede me të e kam filluar madje edhe më qëmotshëm, rreth dymbëdhjetë vjet më parë, kur sapo kisha dalë nga bankat e universitetit dhe ai nga hekurat e burgut. Rastësia e solli të ishim në të njëjtën qendër pune, në të atëhershmen Kinostudio “Shqipëria e Re”. Por unë isha një çupërlinë që qëndronte mbi kalë, bëja pjesë në fitimtarët - në mund të kish të tillë nën thembrën e një diktature - kurse ai rreshtohej padyshim në humbësit. Ishte i dënueshëm, edhe pse dënimin fizikisht ndërkohë e kishte shlyer. Pse e kishin dënuar? pata pyetur shpesh me kurreshtjen e pacipë të një njëzetekatërvjeçareje, ç’paska bërë kaq të rëndë? Askush nuk më dha përgjigje. Ndërdyshasi, mes dëshirës për ta gjykuar ashpër dhe tmerrit që t’i përmendnin edhe emrin, zgjidhnin një rrugë të tretë, “miqësore”, më këshillonin të mos merresha me të, pse kruhesha kot?, tani ishte veç një punëtor ngarkim-shkarkimi e aq, atë që kish bërë e dinte Partia, e cila, zemërgjerë si ngaherë, po i jepte një dorë të rehabilitohej.

Mos i fol, që të jesh në rregull! Dhe njerëzit nuk i flisnin.
E ai, një djalë i hijshëm me pamjen prej eremiti, ngarkonte e shkarkonte dekore, tulla, thasë gjithëfarësh, rrethuar nga punëtorët e tjerë gjysmëanalfabetë e të uritur.
Jamarbër Marko, poeti i mbështjellë nga një heshtje abisale, me të cilin nuk shkëmbeva dot kurrë më shumë se katër përshëndetje të thata, duke ndryrë kyç përbrenda dëshirën se një ditë do rrokullisnim mbi tavolinë lumë fjalësh përpara një filxhani kafeje.
Ndaj kur HAEMUS-i më ftoi të shkruaja një artikull shoqërues për poezitë e Markos që kish përkthyer në rumanisht, nuk mendova dy herë. Ja ku ishte rasti ta pija së largu atë të bekuar hidhësi, pa rrezikuar të shpjegoja keq e t’i ngatërroja fjalët. Kështu, të bardhë mbi të zezë, këto pak rreshta nuk janë gjë tjetër veç një deklaratë dashurie: dashurie letrare, njerëzore, mërgimtari. Pasi jemi të gjithë mërgimtarë ne shkrimtarët, mërgojmë nga vetja e nga bota, e vetmja hapësirë ku ndjehemi në shtëpi është karta. Ekzistojnë shumë mënyra për ta nxirë këtë të fundit. Jamarbër Marko është nga ata që e nxijnë në mënyrë të mrekullueshme, mban penën në dorë në mënyrë mjeshtërore. Dhuntia e tij poetike dhe njerëzore është e larë nga një ndershmëri e plotë dhe plotësuese.
Jua kam falur ditën kur më dënuat me vdekje./ Jua kam falur orën kur vuajt çmendurinë. / Jua kam falur minutën kur dashurova gënjeshtrën. / Do hakmerrem per sekondën kur më bëtë Zot.
Mendoj se në poezinë shqiptare moderne Marko zë një vend krejt të veçantë. Shumë larg, do të thosha, në antipodin e shpërthimit të poetërimit shqiptar pas diktaturës, emfatizues e shpesh të zbrazët nga domethënia dhe estetika, vepra e tij në lexim të parë duket e çmishëzuar, sintetizuese, racionale, vertikale. Por vetëm në një lexim të parë e mendjelehtë, dhe vetëm për atë që e pandeh poezinë një grumbull të zhurmshëm epitetesh. Gjë që ndodh rëndom aty ku mungon një “shtrojë” e vërtetë edukimi modern poetik e letrar, siç është rasti i Shqipërisë, ku lexuesi kaloi nga pseudolirika pesëdhjetëvjeçare, në një hapje të pakriter ndaj çdo “dhurate” ofruar pa kursim nga perëndia helmuese e konsumit të tipit merr tre e paguaj dy. Që në marramendjen e tranzicionit shqiptar u kthye në: merr dhjetë e paguaj një. Por një çfarë? Një Jokulturë, madje harrim e përbuzje edhe ndaj traditës më të mirë të letërsisë së këtij vendi, që historikisht ka lindur pena të shquara. Një Joletërsi - librat në Shqipëri vazhdojnë të blihen pak - tani lakmohen horoskopët, letërsia pornografike, romanet ngjyrë rozë me ofshama debilësh, Playboy - mjaft me gjëra serioze, kemi vuajtur shumë nga serioziteti! E natyrshme, pas 50 vjetësh ferri. Një popull i tërë, plakur pa bërë kurrë fëmijën, kish nevojë të kthehej në një fëmini çliruese. Nuk donte të mendonte e të ndjente më, të ndjesh do të thotë të vuash. Pra le të hedhim vallen e të marrit, deri sa të na pëlcasë edhe ky pak tru i shëndetshëm që na ka mbetur. Pastaj shohim e bëjmë…
Por vallja e çmendur e të konsumuarit të mendjes nuk të lë të shohësh e të bësh, pasi të çmerit shpresën, asgjëson traditën, vret shijen e së bukurës, thërrmon mendimin dhe shëmton ndjenjat e holla.
Dhe këtu hyn roli i madh i disa penave-urë të letërsisë së sotme shqiptare, midis të cilëve zë një vend të shquar poeti Marko. Këto pena shërbejnë për të lidhur traditën e njëhershme me kohët moderne, por pa injoruar e fshirë ferrin e pesë dekadave të diktaturës. Pasi kjo e fundit ka ekzistuar, është ende brenda kujtesës shqiptare, ajo është Thelbi i Dhimbjes së shqiptarisë moderne. Këto pena zgjojnë delikatesën e topitur të popullit, bëjnë që kjo kujtesë në vend që të harrojë vetveten, të ushqehet me dhimbjen pikë e nga një pikë, si një antidot i helmit, për t’u shëruar krejtësisht prej tij, e jo për të vdekur. Marko, në poezinë Te kuçedra,thotë:

Mos e ngjyeni këtë kështjellë drite / Gjurmë të zbathura arrijnë deri këtu. / Mos e hidhni këtë bukë të hidhur / Gjurmë të zbathura arrijnë deri këtu. / Kërkoni që mendimet të varen? / Fytyra, fytyra arrijnë deri këtu.
Fytyra-dritare e shpirtit të poezisë së Markos është e ndritshme e delikate, akuzuese e pajtuese, optimiste e thellësisht e trishtuar. Poezia e tij është pararendëse e dhimbjes së tij të brendshme, por aspak patetike apo viktimiste. Ai çapitet sëbashku me vargjet, i lind ata e thith qumësht jete prej tyre. Eshtë poeti tipik i kalvareve të kësaj epoke: vetmitar, më shumë këqyrës i jetës se pjesëmarrës, i kthjellët ndaj së ardhmes që e pret, optimist i kujdesshëm, më shumë se pesimist i pandreqshëm.
Kthehem nga lufta me plagë të mbyllura / Dhe gjej plagë të reja të freskëta / Me luftë mund të mbyllen përsëri.
Vargjet e tij janë të lira nga rimat, besnike ndaj një ritmi të brendshëm të pagabueshëm, të ngjizura me një harmoni sensuale, që nuk të krijon kurrë ndjenjën e teprisë. Poezia e tij nuk vel. Nuk rreh ujë në hava me fraza të pakuptimta dhe manierizëm, aq të dashur për pseudopoetët që orvaten të peshkojnë në kohë të turbullta, me qëllimin e vetëm që të zënë ndonjë “vendth” në ndonjë antologji të dorës së dytë hartuar nga njohës të letërsisë po aq vilanë sa ata. Kjo është edhe arsyeja pse vargjet e këtij poeti do të jetojnë, do të bëjnë shkollë mes brezit të ardhshëm të poetëve shqiptarë e ballkanas, kur kjo poezi dhe etikë letrare, e pasur dhe e dendur me faqe të mrekullueshme, të “shtrydhë” duke hedhur tutje disa lëngje të tepërt, që rrjedhin nga një vështrim i i tipit: sa më e trashë dhe e madhe të jetë fjala, aq më e mirë është poezia.
Në udhë hapi do jetë imi. / Në jetë fryma do jetë imja. / Sa dëshirë në vdekje lulet t’i shpija vetë.
E kulluar. Frymëmarrëse. Simotër e poezisë më të shquar evropiane, me një forcë tronditëse tipike ballkanase. Baraspeshë, ndërthurrje mjeshtërore e dy stileve artistike. Nuk duhet më shumë për të bërë një poezi të bukur. Por duhet natyrisht dhuntia natyrore dhe njerëzore, duke u kthyer në fjalët që shkrova në fillim.
Dhe këto të dyja Jamarbër Marko i ka me bollëk.
Këtu po ndalem. Sepse nuk dua që ky shkrim të marrë formën e një disertacioni teorik. Nuk dua as të citoj këtu vargje të tjera të poetit. Doja vetëm të falenderoja J. Markon për praninë e tij në poezinë shqiptare. Penë të mbarë, poet!
Ticino, Zvicër, janar 1999