HANS-JOACHIM LANKSCH: Rose Ausländer, një zemër mendimtare që këndon

Rose Ausländer (Roze Auslender) u lind si Rosalie Beatrice Ruth Scherzer më 11 maj 1901 në Czernowitz (Çernovic) apo Cerni (Çernauc), kryeqytet i Bukovinës (Dheu i aheve), që i përkiste herë Austrisë, herë Rumanisë, herë Rusisë e tani Ukrainës. Ka qënë një trevë ku bashkëjetonin njerëz dhe libra, sikurse shprehet poeti Paul Çelan, lindur e rritur në Çernauc.
Çernauci përbënte një vetëshkrirje popujsh e kulturash të shumta, ku bashkëjetonin rumunë, hebrej, austriakë, ukrainas, polakë dhe hungarezë; gërshetoheshin qytetërime e fliteshin rumanishtja, gjermanishtja, hebraishtja dhe ukrainishtja. Në popullsinë hebraike, që përbënte më se një të tretën e afro 160000 banorëve të qytetit me pejsazh idilik rrëzë Karpateve, ishte e gjallë tradita e lashtë orale e urtisë hebraike, e gojëdhanave hasidike. Çernauci përftonte një botë idesh dhe idealesh, siç do ta quante më 1977 poetja Roze Ausländer në “Kujtimet për një qytet”, ku, ndër të tjera, shkruante: “Lexohej shumë. Jo vetëm gazeta, revista, libra informativë dhe letërsi zbavitëse, por edhe letërsi cilësore, e klasit të parë”. Diskutohej me zjarrmi, kompozohej, këndohej. Teatri i qytetit frekuentohej rregullisht. Pjesa më e madhe e të rinjve shquhej për horizont të gjerë dhe kërshëri të pangopur. Shqetësimi kryesor i shumicës së intelektualëve nuk lidhej me planifikimin ambicioz të karrierës për të siguruar një nivel jetese sa më të lartë, por me përpjekjet për të fituar sa më shumë dije e njohuri, si në fushat e shkencës, filozofisë, politikës, ashtu edhe në përjetimin e mistikës, artit, poezisë dhe muzikës. Një pjesë e të rinjve merreshin edhe me politikë, por nuk ishte fjala për një angazhim të mirëfilltë. Ata bënin sakrifica nga më të mëdhatë, binin në burg, keqtrajtoheshin e torturoheshin nga policia, por nuk tregonin emrat e shokëve të idealit. Një pjesë tjetër e rinisë tregonte interes për artet e bukura. Sa herë takoheshin me njëri-tjetrin, shkëmbenin me patos mendime deri në agim për çeshtje filozofike, letrare e artistike. Çernauci ishte qytet i skulptorëve, piktorëve, muzikantëve dhe poetëve. Ishte edhe qytet i entuziastëve dhe idhtarëve, të cilët hallin e kishin tek “interesi i mendimit dhe jo tek mendimi i interesit”. Banorët ishin të dhënë pas ideve të dijetarëve Shopenhauer, Niçe, Spinoza, Kant, Marks, Frojd, Karl Kraus, Konstantin Brunner e u gufonte zemra për poetët e shkrimtarët Holderlin, Rilke, Stefan George, Trakl, Else Lasker-Shifkler, Tomas Mann, hesse, Benn, Breht, sidhe për letërsitë klasike e moderne në gjuhët frënge, ruse e angleze. Çernauci, sipas Roze Ausländer, ishte “një qytet i perënduar, një botë që shkoi”, por që nxori një sërë shkrimtarësh të shquar, si Alfred Margul-Shperber, - njëherazi përkthyes i pashoq i klasikut të poezisë rumune, Mihai Emineskut e i poetëve të tjerë të mëdhenj rumunë, - Alfred Kittner, Mozes Rosenkrojc, Immanuel Vajsglas, Elizen Shtainbarg, Paul Celan, Itzig Manger etj. Në qytetin e gatuar me këtë klimë, njeriu i kulturuar, do të vinte në dukje Roze Ausländer, ishte “pothuajse i detyruar” të merrej me probleme të filozofisë, politikës, letërsisë dhe artit. E tillë ishte edhe Rozali Shercer, që studionte filozofi e letërsi në universitetin e qytetit të lindjes dhe merrte pjesë në rrethe të ndryshme letrare e filozofike, duke qënë e shtënë veçanërisht pas mendimit filozofik të dijetarit hebre Spinoza, të filozofit bashkëkohës Konstantin Brunner dhe veprës së mendimtarit tjetër hebre, Zigmund Frojd. Idetë e filozofit K. Brunner do të linin më pas gjurmë të thella në krijimtarinë poetike të Rose Ausländer.
Aty nga viti 1920 vdes tregtari Zigmund Shercer, i ati i Rozalisë. Një vit më pas, e detyruar nga skamja, Rozali Shercer emigron në SHBA, bashkë me mikun e saj, Ignac Ausländer, me të cilin martohet më 1923. Krahas detyrës në një bankë të Nju Jorkut, Roze Ausländer punon edhe si redaktore në periodikun letrar gjermanofon, ku nisin të shohin dritën e botimit edhe disa poezi të saj. Roze Ausländer mban letërkëmbim me filozofin K. Brunner dhe bën pjesë ndër themelvënësit e një rrethi që merrej me mendimin filozofik të tij. Pas tre vjetësh martese, Roze Ausländer bindet për dështimin e kësaj lidhjeje. Më 1927 poeten e re e shohim të udhëtojë në Evropë për t’u takuar me K. Brunnerin në Berlin dhe, pasi qëndron edhe një vit në Çernauc për t’u kujdesur për t’ëmën e sëmurë, kthehet sërish në Nju Jork. Më 1930 ndahet ligjërisht prej Ignac Ausländerit. Tani poetja vazhdon të botojë vjersha në shtypin gjermanofon të Amerikës dhe përfundon ciklin poetik “Nju Jork”. Pas një viti, Roze Ausländer shkon në vendlindje, ku i kushtohet mësimdhënies së anglishtes e punon si gazetare në “Çernovicer Morgenblatt”. Njëkohësisht nis të botojë vjersha në revista letrare në Çernauc, Brashov, apo Kronshtadt i Transilvanisë e në Pragë. Në periudhën 1934 -1939 jeton në Bukuresht e angazhohet si nëpunëse pranë ndërmarrjes “Vacuum Oil Company”. Përsëri përfshihet në një rreth filozofik që merrej me veprën e K. Brunnerit dhe mban letërkëmbim të dendur me shkrimtarin Margul-Shperber.
Më 1939 miqtë mundësuan ikjen e Rozes në SHBA duke i shpëtuar rrezikut nazist. Me të mbërritur në Nju Jork, e ëma prapë u sëmur rëndë. E bija braktis vendstrehimin e sigurtë për t’u kthyer në Çernauc. Disa muaj më parë në atë qytet kishte parë dritën e botimit libri i parë i Roze Ausländerit “Der Regenbogen” (Ylberi), të cilin kritika letrare e Bukovinës, shtypi rumun dhe ai zviceran, e pritën me entuziazëm, ndërkohë që Gjermania naziste nuk mori dijeni për veprën e autores me prejardhje hebraike. Gjermania dhe Rumania u bënë aleate. Zuri fill terrori nazist kundër hebrejve të Rumanisë. (Pas Luftës së Parë Botërore, Bulovina, deri atëhere nën Austrinë, iu bashkangjit Rumanisë). Me pushtimin e qytetit Çernauc nga ushtria naziste gjermane, në verë të vitit 1941, filloi përndjekja e egër e afro 60000 hebrejve të atyshëm. Një lagje e vogël u shndrrua në geto dhe u futën 45000 veta. Aty rrinte e ngujuar edhe familja e Rozes. Gjatë 18 muajve që pasuan, në kampet e shfarosjes së Transnistrias u internuan afro 55000 hebrej. Dimri i ashpër i fillimvitit 1942 e ndërpreu deportimin duke bërë të shpëtojnë Roze Ausländer bashkë me nënën dhe vëllanë. Më 1962 Roze do të shkruante: “Në Çernovic kam vuajtur shumë nga përndjekja që u bëhej hebrejve. Përveç kufizimeve të njohura çnjerëzore, kryeja edhe punë të rënda të detyrueshme. Në geton e Çernovicit më mbanin në kushte të llahtarshme dhe johigjenike. Puna e detyrueshme në hapje kanalesh, në ngarkim-shkarkim etj, ishte tepër rraskapitëse dhe silleshin në mënyrë mizore e barbare. Shpeshherë më keqtrajtonin përbindshëm e më kërcënonin me vdekje. Jetoja në mjerim të papërfytyrueshëm dhe me frikën për fatin e mëtejshëm të deportimit në Transnistria, me të cilin na hakërreheshin vazhdimisht”.
Meqënëse pat qënë shtetase amerikane, poetja u përpoq më 1942 të merrte leje emigrimi për në SHBA. Në ambasadën e Zvicrës, që përfaqësonte SHBA-në i dhanë këtë përgjigje: “E vetmja mënyrë për të vërtetuar shtetësinë tuaj amerikane nga autoritetet përkatëse është të parashtroni një kërkesë për kthim në SHBA, çka duhet bërë vetëm në çastin kur një udhëtim i tillë mund të jetë i mundshëm dhe, sipas të gjitha gjasave, kjo nuk ka për të ndodhur para mbarimit të luftës. Me keqardhje që nuk mund t’ju kumtojmë lajm më të mirë, ju tërheq vëmendjen se lutje të tjera nga ana juaj do të quhen të tepërta… “
Roze Ausländer, e ëma dhe i vëllai, ishin ndër 5000 hebrejtë që po mbijetonin në ferrin nazifashist. Forcën shpirtërore të qëndresës ia jepnin marrja me filozofi dhe me krijimtari letrare. Marsin e vitit 1943 nënë e bijë e kaluan të fshehura në bodrume ngaqë iu hoq e drejta për punë, tregues ky që, zakonisht paralajmëronte deportimin e afërm në Transnistria. Në fund të atij muaji në Çernauc hyri ushtria ruse, e cila familjen Shercer-Ausländer e deklaroi gjermane, edhe pse deportimit për punë të detyruar në minierat e Ukrainës Lindore i pat shpëtuar vetëm se të dyja, Roze dhe e ëma, ishin të sëmura e të paafta për punë.
Qysh në vitet e përndjekjeve, Roze Ausländer u njoh me poetin e ri Paul Ançel, që do të përdorte më pas pseudonimin letrar Paul Çelan. Disa nga poetët që mbetën gjallë nga tmerret naziste, themeluan një rreth letrar, ku, ndërmjet të tjerëve, vinin për të lexuar e debatuar krijimet e tyre edhe Immanuel Vejglas, Paul Ançel e Roze Ausländer.
Më 1945 Çernauci dhe një pjesë e Bukovinës u bënë pjesë e ish Bashkimit Sovjetik. Më 1946, Roze, tok me t’ëmën e të vëllanë, emigruan në Eumani. Me të mbërritur në Bukuresht, miqtë e saj amerikanë i krijuan mundësinë të shkonte në SHBA. Me shpresë se do ta tërhiqte shpejt edhe nënën, Roze niset për në Amerikë. Atje, për shkak të shëndetit të dobët, nuk mundi të gjente një vend pune të përhershëm. Pasi i vdes më 1947 nëna, Roze pëson një tronditje psikike të rëndë që zgjati gjysmë viti. Dalëngadalë e merr veten dhe përfshihet në jetën kulturore të bashkësisë gjermanishtfolëse të Nju Jorkut. Që nga viti 1947 i përvishet sërish krijimtarisë poezike,këtë herë në gjuhën angleze. Më 1948 rifiton shtetësinë amerikane, punësohet si përkthyese në një ndërmarrje transporti ndërkombëtar, ku, për shkak të shëndetit të lig, punon me ndërprerje të gjata deri më 1961. Në vitet 1949-1956 shkruan poezi vetëm në anglisht. Ndërkaq nis të heqë dorë nga trajta konvencionale e poezisë. Në Nju Jork, pa shtëpi, përherë e varfër, Roze Ausländer jeton me qira nga një dhomë në tjetrën. Më 1957 një shoqe i jep falas një biletë për të shkuar në Evropë. Në Paris, rrugës për në Vjenë, takohet me poetin Paul Çelan, i cili e njeh me poezinë moderne gjermane dhe ndikon kësisoj që Roze të priret më fort drejt një stili të ri sa më pranë modernes. Roze viziton disa vende të Evropës, anashkalon Gjermaninë dhe ngazëllehet nga Italia. Pas gjashtë muajsh kthehet në Nju Jork, ku merr pjesë gjallërisht në jetën kulturore dhe letrare. Ndërkohë rigjen gjuhën amtare dhe shkruan vetëm në gjermanisht. Më 1963 vjen përfundimisht në Evropë, në Vjenë, ku has në një antisemitizëm të hapur. Më 1965 shpërngulet në qytetin e poetit Hajnrih Hajne, në Dyseldorf të Gjermanisë. Përsëri e shohim pa shtëpi e të banojë nëpër hotele të lirë apo ndër miq. Më 1966 shteti gjerman i lidhi një pension modest si viktimë e regjimit nazist, duke i plotësuar kështu poetes 65-vjeçare ëndrrën për të udhëtuar në Francë, Itali e Zvicër. Në qytete të ndryshme të Gjermanisë e ftojnë në veprimtari letrare dhe i japin disa çmime. Më 1968 i bën një vizitë të vëllait në Amerikë dhe kthehet pas një viti në Evropë.
Më 1972 thyen keqas këmbën dhe, meqë kish nevojë për kujdesje të vazhdueshme, pranohet në azilin e pleqve të bashkësisë hebraike të Dyseldorfit. Qysh nga viti 1978 nuk del më nga dhoma e vet, ndërsa më 1981 dhe 1982 nuk ishte më në gjendje të shkruante. Tani vjershat i diktonte… Më vonë e mori veten e rifilloi të hidhte vargje në letër. Përherë e më shumë po vetëizolohej me dëshirë, me poezinë oreçast pranë. Çmimet e larta, si ai i Akademisë së Arteve të Bukura të Bavarisë, nuk e tundonin; ajo donte të çapitej paprerë në udhën e krijimtarisë në qetësi… Më 1986 e përmblodhi krejt veprën e vet letrare, la porosi për ato që mund t’i botoheshin në të ardhmen e shtoi: “Mjaft”. Sakaq me qetësi të madhe po priste vdekjen. Ndrroi jetë më 3 janar 1988.

Vargjet e lamtumirës janë: Dorëzohu / ëndrra / e jeton / jetën time / deri në fund.