HANS-JOACHIM LANKSCH: Martin Camaj – Nji djalë bariu bahet poet i rangut botnor

Më 12 mars 1992 ka vdekë shkrimtari dhe gjuhëtari Martin Camaj. Ai ka qenë jo vetëm ruejtës i patundshëm i traditës së kulturës shqiptare, por edhe bartës i shpresave të shumë intelektualëve dhe krijuesve shqiptarë në diasporë gjatë periudhës së diktaturës njerëzvrasëse, frymëvrasëse, letërsivrasëse, kulturëvrasëse dhe religjivrasëse të Shqipnisë mbas lufte. Ai âsht njani i mâ të mëdhajve të letrave shqipe, nji klasik i modernes. Në kohë në të cilën letrarët zyrtarë të Shqipnisë u zhytën në baltën e pseudoletërsisë së indoktrinueme të "Realizmit Socialist", Martin Camaj e ruente vazhdimësinë e cilësisë së lartë letrare të cilën e kishte arritë letërsia shqiptare me autorë si Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi. Poeti Martin Camaj ishte drita në errësirën që e shkëputi Shqipninë nga Europa.
 Martin Camaj u lind më 1925 në Temal, katund barinjsh në Dukagjin mbishkodran. Me ndihmën e priftit vendas të cilit i kishin ra ndër sy dhuntitë e jashtëzakonshme të djaloshit Martin, ky mund ta ndiqte gjimnazinë “Xaverianum” në Shkodër që e udhëhjekshin jezuitët italianë. Nji kohë të shkurtë punonte mësues në shkollën që e kishte themelue në vendlindjen e tij të qasët. Në rrëmujën e mbasluftës, Martin Camaj u vendos për lirinë dhe u ik partizanëve dhe komesarëve fanatikë të Enver Hoxhës. Prej vjetit 1949, në Beligrad të Jugosllavisë studjonte gjuhët dhe letërsitë romane. Në atë kohë e panë dritën e botimit dy vëllimet e tij të para poezish të rimueme e të shkrueme me nji stil konvencional për tema bukoliko-idilike. Mâ vonë, autori u distancue nga këto vepra të hershme, e para e të cilëve, siç dihet, në Kosovën e mbasluftës ka qenë libri i parë shqip me vjersha për të rritunit.
 Ish-mësuesit e tij e ndihmonin për t'u shpërngulë më 1956 për në Romë t'Italisë ku e vazhdonte formimin e vet shkencor.
 Në Romë ishte editor i revistës së shqueme "Shejzat", themelue dhe drejtue nga Ernest Koliqi. Martin Camaj e botoi librin e tretë dhe të katërt. Miqtë e tij italianë që kishin ndikim të madh dhe lidhje të forta me qarqet e kritikës letrare, i propozuen poetit të ri ta "promovoshin" dhe ta "lansoshin" si shkrimtar nëse kishte me prodhue s'paku nji libër në vjet. Prapë, Martin Camaj u vendos për lirinë dhe për pamvarësinë krijuese dhe - refuzoi. Refuzoi ashtu siç refuzonte edhe mâ vonë të gjitha joshjet, përpjekjet dhe ofertat e të gjitha qarqeve të të gjitha ngjyrosjeve për me e bâ at\'ea për vete. Me çiltërsi të rrallë të qëndrimit të vet konsekuent, ai i mbette besnik vetvetes dhe pretendimit të lartë artistik dhe moral. Qëndrimin e pathyeshëm për vërtetësinë në art dhe në jetë tani e paguente me faktin se mjaft herë kishtë mâ shumë në kryet sesa në lukth. Në nji takim letrar të cilin ia kishte organizue poeti i madh Giuseppe Ungaretti dhe tek aktorja Anita Ekberg në nji mbramje me shi i lexoi në italisht poezitë e Martin Camajt, ai mbërriti me kambë të lagta - aq të mëdha i kishte vrimat në shojet... Në vjetet e Romës, poezia e Martin Camajt ka fillue me u bâ fjalëpak dhe e pastolisun.
 Prej vjetit 1961, në universitetin e Munihut të Bavarisë Martin Camaj jepte mësime nga shqipja, prej vjetit 1970 si profesor universitar. Atje botoi tri vëllime me prozë dhe katër me poezi. Stili i tij u ngjesh deri në thjeshtësi të plotë. Tekstura e vjershave të tij bâhet “e lehtë në dukje/po e randë hekur në peshë”.
 Temali, vendlindja e Camajt, nuk ishte mâ në hartat e Shqipnisë. Ky fakt e randonte shumë poetin që kishte antena të stërhollunueme ndjeshmënie. Me dhjetvjetëshe ishte “larg atyne që flasin si unë”. Mirëpo, bota e ashpër e femijnisë dhe rinisë në pejsazhin e pasun në gurë, rrasa dhe shkambinj erratikë vazhdon me jetue mbrenda poetit tue u pasqyrue në lapidaritetin e stilit të tij (dihet se fjala latine “lapis” don me thanë “gur”). Martin Camaj shkruen ashtu siç flisnin gjindja atje. Shqipja e tij âsht e pastër si ajo e njerëzve të thjeshtë e t'urtë të maleve të Dukagjinit. Hir të shtuem dhe nji element hermetik e merr gjuha poetike e Camajt me përdorimin e leksemeve të rralla nga thesari i letërsisë së vjetër shqipe dhe nga idioma shqipe e arbreshëve t'Italisë.
 Poezia e Camajt âsht e rranjosun thellë në traditat gojore të Dukagjinit. Poeti duket sikur nji shpuzë plot kangë, prralla, legjenda, fjalë t'urta të malësorëve në mesin e të cilëve âsht rritun. Stili i ngjeshun deri në formulë, stili plastik dhe plot imagjinatë i traditave gojore âsht themeli i poezisë eliptike të Martin Camajt e cila stilistikisht paraqet simbiozën dhe tematikisht përballimin e arkaikes me modernen. Tradita gojore e cila duhet me u përqëndrue në qenësoren tue hjekë dorë nga lajlet, arabeskat, stolisjet dhe të gjitha elementet e panevojshme mbasi duhet me ekzistue pa mundësinë e arkivimit me shkrim, âsht skela strukturore e procedimit poetik të Camajt plot shifrime simbolike. Nga interpretët sipërfaqësorë të veprës së Camajt, procedimi në fjalë u quejt “ndikimi i poetit Ungaretti”. Kemi me bâ me nji silogjizëm klasik: në universitetin e Romës Martini kishte ndjekë ligjeratat e Ungaretti (por edhe të shumë profesorëve tjerë), Ungaretti ishte poet i “hermetizmit” italian, poezia e Camajt âsht hermetike, prandej: poezia e Camajt âsht e ndikueme nga ajo e Ungaretti.
 Në kohnat e letërsisë me kallëp në Europën lindore, poezia e Camajt u lidh me “Fillin e gjetun” (titull i vjershës së parë të vëllimit "Njeriu më vete e me tjerë"), dmth. me traditën e “shkollës letrare të Shkodrës” e cila ishte me randësi sidomos për fazën e hershme letrare të Camajt në Beligrad.
 Nji burim tjetër frymëzimi dhe vendlindjen e dytë e gjeti tek arbreshët e Italisë dhe Siqelisë.
 Mâ në fund duhet me e cekë përvojën gjurmëlanëse të letërsisë italiane me të cilën ishte njohë qysh në vjetet e nxanësisë. Në bisedë, Martin Camaj i cili përndryshe ishte njeri absolutisht jokonvencional dhe antiborgjez, kishte zakon me u përgjegjë në pyetje të vështira tue citue “Komedinë Hyjnore” të Alighieri Dante.
 Serioziteti i tij i pa kusht artistik dhe jokonvencionaliteti i tij personal e bânë që e përçmonte rrâjësisht patetiken, bombastiken, sentimentalen, të gjitha frazat, etiketimet dhe fjalët e mëdha. E dashunonte thellësinë e thjeshtësisë, kompleksitetin e qetësisë, pasuninë e tingujve t'ulët. Poezia e tij duhet të mbrohet nga tentativat e ndryshme të ndërmarra sidomos mbas vdekjes së tij me e futë at\'ea në ndonji kë
nd politik a patriotik. Fjala “patriotizëm” i dukej Camajt tepër patetike dhe boshe. Dashuninë për vendin e vet e shprehte jo me deklarata plot zhurmë por me punë të palodhshme shkencore dhe letrare tek na e jepte imazhin e vet të vendit të të parëve dhe të qenies shqiptare.
 Nuk japim dot interpretime të veprës së Camajt. Si çdo vepër e vërtetë artistike, poezia e tij âsht vepër e hapët dhe, si e tillë, tepër e shtresëzueme për përcaktime, udhëzime a receta. Siç thoshte edhe ai vetë, i urrente “spekulimet” për tekstet e tij, sidomos për përmbajtjen e tyne eventuale politike. Identifikimet si “peni i kuq është komunizmi” (në vjershën “Kush i bani mëngji qytetit” nga libri “Njeriu më vete e me tjerë”) e nxehshin shumë. Për punën e penit të kuq u shpreh prerazi: “P\'eani i kuq â p\'eani i kuq”.
 Lexuesi ka mundësi me i lexue vjershat e Martin Camajt me thjeshtësi të pacerebralizueme. Me i lexue si pejsazh fjalësh tue u endë në këtë pejsazh fjalësh dhe imazhesh në shtigje “të parrahuna me kambë
 ose patkoj”, tue ndigjue heshtjen, tue shtegtue majë me majë, tue shtegtue nëpër rrafshet, malësitë, honet, ngjyrat, hijet, tingujt e jehonat e fjalëve tue u zhytë “nën hijen e sendeve”.


Vepra e Martin Camajt:

Në Prishtinë boton vëllimin e parë me poezi me titull Nji fyell ndër male.
1954 Del vëllimi i dytë me poezi, Kanga e vërrinit.
Mâ vonë, autori distancohet nga dy vëllimet fillestare dhe konvencionale.
1958 Në Romë botohet Djella, roman me intonim poetik dhe i përshkuem me vjersha.
1964 Në Romë dalin Legjendat.
1978 Në Munih dalin, si botim i autorit:
Lirika mes dy moteve, kryesisht vjersha të përpunueme nga faza e mâparshme
Rrathë, roman
Njeriu më vete e me tjerë, poezi.
Poashtu si botim i autorit dalin në Munih:
Shkundullima, novela dhe nji dramë
Poezi 1953-67, vjersha të zgjedhuna
Dranja. Madrigale. Prozë poetike.
1985 Me titull Poesie në Palermo botohet përkthimi mjeshtëror i librit Njeriu më vete e me tjerë nga Francesco Solano.
1987 Në Munih, Camaj boton librin Karpa, në të cilin eksperimenton me elemente të romanit fantastik.
1990 New York. Në edicionin shqip-anglisht (përkthyesi: Leonard Fox, Selected Poetry, botohen për herë të parë dy ciklet poetike Nema dhe Buelli.
1991 New York-Munih: Palimpsest, poezitë e fundit të botueme nga Martin Camaj, prapë si botim dygjuhësh shqip-anglisht me përkthimin e Leonard Fox.
1991 Në Munih del vëllimthi Gedichte botimi i parë në gjermanishte.
1993 Në Cozenza (Kozencë) të Italisë botohet drama Kandili Argjandit, në të cilën Martin Camaj punonte akoma në shtratin e vdekjes.
1994 Në Prishtinë del Djella, version i përpunuem nga Camaj i romanit të vjetit 1958.
1996 Në Tiranë botohen pesë vëllime me nji pjesë të veprave të Martin Camajt. Edicioni asht parapa me përfshie nantë vëllime. Botimin e përkrah Ministria e Kulturës. Kështu merr fund anatemizimi i disa dekadave i Martinit.
 Mbas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare më 1997 thuhet se Martin Camaj nuk botohet mâ.
 1998 Në Munih del përkthimi gjermanisht i Palimpsestit, përkthyer nga Wilfried Fiedler.
 1998 Në Tiranë i jepet Martin Camajt post mortem nderimi mâ i nalt letrar i Republikës së Shqipnisë, Pena e Artë. Çmimi Pena e Artë jepet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Shqipërisë. Martin Camaj âsht laureati i parë. Nji ditë para dhanies solemne të Çmimit njoftohet tërhjekja e tij, dmth. se Çmimi nuk i jepet Martin Camajt.

1999 Në Klagenfurt del përkthimi gjermanisht i vëllimit Njeriu më vete e me tjerë.