Më 1993, në moshën 73-vjeçare, në Shkodër vdiq
poeti, regjisori dhe intelektuali i shquem Zef Zorba. Prej 1941 deri më 1943 ka
studiue politologjinë në universitetin e Padovas në Itali. Mbas lufte punonte
dy vjet regjisor në Shtëpinë e Kulturës të Shkodrës ku vuni në skenë, mes
tjerash, dramën "Juda Makabe" të Fishtës. Mbas "riedukimit"
punonte në kontabilitet. Zorba shkroi nji varg studimesh, disa pjesë dramatike
dhe librete operash. Përktheu poezi nga Robert Frost, T.S. Eliot, Giuseppe
Ungaretti, Salvatore Quasimodo, Eugenio Montale, pjesë teatrore nga G.B. Shaw,
Luigi Pirandello, Oscar Wilde, Thornton Wilder si dhe shkrime filozofike nga
Benedetto Croce, Hans Georg Gadamer etj.
Zorba i takonte qarkut të shkrimtarëve
klandestinë. Më 1989 e përfundoi veprën e vet poetike, nji vëllim poezish që u
botue vetëm më 1994 nga shtëpia botuese Dituria dhe që përmban vjersha nga
vjetët 1945-1980, të shkrueme fshehtazi në burg (1946-1951) ashtu si dhe në
liri. Edhe me pretendimet e tyne artistike edhe me realizimin e tyne artistik,
54 poezitë e librit e deklasifikojnë vargëzimin e prodhuem nga shumëshkrues
notorë dhe me bekimin e Partisë, përftim ky që e shkyçi nga letërsia europiane
dhe rrjedhat e zhvillimit të saj pjesën ma të madhe të letërsisë së shkrueme
zyrtarisht në Shqipni.
Më 1996, Zef Zorbës iu dha post mortem Çmimi
letrar "Martin Camaj" i Shoqatës "Martin Camaj".
Krahas me
shkrimtarët në diasporë si Martin Camaj dhe me autorë të tjerë klandestinë si
Kasëm Trebeshina, Daut Gumeni, Primo Shllaku, Zorba i takon qarkut të vogël
shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e
këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimëkambshin lidhjen me rangun
e saj të naltë që e kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli,
Ernest Koliqi.
Ndërsa poezitë jo pathetike, jo pompoze të
Zorbës në shikim të parë duken të thjeshta, madje edhe lexuesi serioz dhe i
rrahun në lamin e poezisë e ka të vështirë me gjetë shtigje afrimi deri te ato.
Poetikës artvrasëse socrealiste të, Zorba i kundërvë nji poetikë të përjetimit,
të bashkëpërjetimit e të zhytjes së vetë lexuesit në tekst tek lexuesi bahet
bashkautor, nga lexuesi madje kërkohet me u ba bashkautor dhe jo konsument i
tekstit. Kalitjes ideologjike dmth. indoktrinimit Zorba i kundërve nji
individualizëm rigoroz. Tekstura e poezisë së tij asht eliptike, e përqëndrueme
në qenësoren, dhe e ngjeshun deri në abstrahim. Poezia e Zorbës të bahet si
simotër letrare e pikturës abstrakte. Poeti i end tingujt, ritmet, tonalitetet,
rrezatimet e fjalëve në tekstet e veta fjalëpakë në tabllo të pikturueme me
fjalë, tabllo që janë konkrete vetëm në dukje dhe që veprojnë deri në shtresat
e nënvetëdijshme. Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet
nga substanca fizike e shpirtnore e fjalës.
Në ciklin ”Fugat e fundit”, f20, poetit ia doli
me krijue nji sintezë unike në letrat shqipe, atë të muzikës e letërsisë, cikli
“Mbresat e rrugëve - Poem (Në formën e një koncerti për violë, fagot,
ksilofon-kumbonë dhe instrumenta perkusioni) asht i komponuem simbas strukturës
së sonatës (me hymje, ekspozicion temash, pjesë koncertuese, kadencat solo,
reprizë dhe nji Vetëm me këto dy cikle Zorba do të kishte fitue nji vend të
dukshëm në modernën e poezisë europiane.
Zef Zorba asht modernisti i parë genuin dhe
njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjalë për atë
të shkrueme në Shqipni. Përderisa ndikimi ungarettian te Martin Camaj, i shikuem
nga ma afër, del ma tepër si përfundim silogjistik ku tekstura e dendun dhe e
mbyllun e Camajt, shikue nga ma afër, del si element afiniteti që rrajët i ka
në hermetiken "moderne" të arkaikes te Camaj si dhe në
individualitetin e tij, poezia e Zorbës mundet me u dukë si në shqipet, pa qenë
ndonji imitim.
Para se me mbarue dorëshkrimin, Zorba i
përpunonte vjershat e tija - nga nji anë në kuptimin e ngjeshjes tek e
shlyente, ashtu si dhe Martin Camaj, atë që ishte e tepërt, tue kërkue me i
dendësue tekstet deri në thelb të thelbit, dhe, nga ana tjetër, vjershave që i
kishte shkrue gegnisht, ua jepte petkun e letrarishtes së sotme zyrtare tue
ruejtë elemente të vyeshme gege. Ashtu lind nji krijesë e re tek përzihen
idiomat tona (të traditës dhe ato që bota krijon të reja çdo ditë) siç thotë
autori në mbasthanien e vet, dhe krijohet nji botë specifike trajtash dhe
shprehjesh, nji fragmentarizëm i synuem nga autori, nji shprehësi dhe trajtësi
që shfaq sharmin dhe magjinë e vet me plot fuqi, ekspresivitet dhe ngjyrëshmëni
të hollë.