ELVIRA DONES: Romani “midis” në rrëfimin bashkëkohor

Nuk ka dyshim se shekulli i njëzetë mes shumë ngjarjeve dhe tronditjeve që e kanë karakterizuar është shekulli që së bashku me tërmetet e mëdha të konflikteve dhe progresit ka sjellë endjet, migrimet, përzierjet gjuhësore-kulturore. Fenomen që përsa i përket letërsisë është quajtur e quhet rëndom “metisizëm”, “kreolizëm” dhe vitet e fundit, me shumë këmbëngulje “globalizim”. Etiketë kjo e fundit me të cilën nuk pajtohem dhe që më duket sa e përshpejtuar aq dhe e sipërfaqshme. Do të isha shumë më dakord me dy përcaktimet e para. Ka qenë një shekull migracionesh që ka sjellë edhe në letërsi shartim, përzierje pa dyshim, fenomen që prozës, romanit bashkëkohor më shumë se mjaft faktorë të tjerë ndikues i ka dhuruar pasuri e vitalitet.

Është folur shumë, sidomos në dhjetë vitet e fundit të shekullit të saposhkuar, rreth ekzistencës apo jo të krizës në roman. Mendimet kanë qënë, siç është normale që të ndodhë, diametralisht të kundërta. Në vend të krizës personalisht do të flisja për një shndërrim të romanit, pasojë e ndryshimeve në vetë gjirin e shoqërisë bashkëkohore. Por shpesh në analizat të kësaj natyre mplekset, duke krijuar paqartësi e konfuzion, mosnjohja e një pjese të konsiderueshme të autorëve bashkëkohorë. Kjo vjen ngaqë pika e referimit lidhur me letërsinë është tregu editorial perëndimor. Vendet e industrializuara e të fuqishëm ekonomikisht - të cilat jo rastësisht përkojnë me vendet që flasin e imponojnë gjuhët më të “mëdha”, pra edhe kulturat “më të mëdha”: anglishtja e gjithëfuqishme në radhë të parë, e më pas gjuha frënge, gjermane e ajo spanjolle - pra këto vende hulumtojnë, botojnë e nxjerrin në pah në shumicën dërrmuese romancierët perëndimorë, duke injoruar e hedhur një hije të dëmshme mbi letërsitë e kulturave e gjuhëve më të “vogla”. Editoria perëndimore është kthyer fatkeqësisht në një industri monstruoze me të gjitha karakteristikat e ligjeve të tregut ekonomik, shpesh në dëm të kulturës e traditës më të mirë letrare. Rendet me qëllim rreth librave “të lehtë”, linearë e pa substancë stilistike-kulturore, e gjithë kjo në emër të kërkesës së tregut. Kjo politikë botuese madje rëndom shoqërohet edhe nga një dembelizëm i theksuar në procesin e hulumtimit dhe zbulimit të penave me vlerë. Tregtimi dhe fitimi shpesh i kundërvihen, e sabotojnë letërsinë e mirëfilltë. Me rezultatin e pashmangshëm që në miliona tituj botuar çdo vit, ka shumë ngjyrë në kopertina e punë grafike të lëvdueshme, estetikë shpesh krejt e jashtme që s’ka aspak të bëjë me përmbajtjen. Fatmirësisht një pjesë e lexuesit mbetet gjithsesi ekzigjente dhe e kulturuar, dhe si e tillë ka nevojë për një krijimtari që t’i përshtatet nivelit dhe interesit të tij.
Letërsia është produkt jo vetëm i aftësisë rrëfyese të shkrimtarit. Burim, frymëzim dhe material i domosdoshëm për të janë periudha historiko-shoqërore në të cilën jeton, kultura dhe tradita, vlimi zhvillues i shoqërisë, situatat e konfliktit e kështu me radhë. Letërsisë perëndimore në dhjetëvjeçarët e fundit shkallë-shkallë i ka munguar kjo “lëndë e parë”, duke e çuar në njëfarë mase në një sheshim apo varfërim të rrëfimit në prozë.
Por analizimi i këtyre arsyeve do të ishte material për një tjetër shkrim. Fakti është që makina e madhe e botimeve nuk kish si të mos vinte re nevojën për një limfë jetësore në romanin bashkëkohor, një letërsi që të bartëte sfumatura të shumëfishta. Kështu që shkrimtarët e migracionit, me letërsinë e tyre vitale e të veçantë pak e nga pak, herë si rastësisht e tani më me forcë, po trajtohen si zbulime letrare, duke krijuar atë që rëndom në gjuhën mediatike quhet tendencë.
Letërsia “midis” ka hedhur rrënjë që në fillimet e shekullit të njëzetë. Sot flitet për lindjen e letërsisë së “melting pot”, term i përdorur për të lehtësuar sqarimin e tipit të letërsisë për të cilën po flitet.
Një nga përfaqësuesit e kësaj letërsie është pa dyshim Xhon Fante, shkrimtar italo-amerikan i cili u rrit e shkroi në gjuhë e adoptuar, anglishten, por që në gjithë veprat e tij solli latinitetin, istrionizmin, nostalgjinë therëse për rrënjët italiane, vetminë dhe vuajtjen e emigrantit në Botën e Re. Fante, lindur në Kolorado, 1909-1983, është një nga më të mëdhenjtë romancierë amerikanë të shekullit të njëzetë. Zotëroi një rrëfim të jashtëzakonshëm, mbushur hormone jetësorë, zhgënjim, marrëzi, komicitet, hidhërim të thellë, forcë, nofulla mbushur pluhur emigrimi, lotë e djersë të bijve të varfërisë që vrapuan drejt ëndrrës amerikane. Romani i tij i parë “Prit pranverën, Bandini” u publikua në vitin 1938, i pasuar nga “Pyet pluhurin”, “Plot jetë”, “Vëllazëria e Kiantit”, “Një grua për Dino Rosin”, “Rruga për Los Anxheles”, “Ëndrrat e Bankër Hillit”, “Një vit i tmerrshëm” e të tjerë. Letërsia e Fantes në Evropë është bërë e njohur në dhjetë vitet e fundit duke krijuar gati një Fantemani sidomos në gadishullin fqinjë, Italinë, falë edhe mjaft veprave të tij të pabotuara që kanë parë dritën e botimit e suksesit pas vdekjes. Fante është pa dyshim një nga përfaqësuesit më tipikë e të rëndësishëm të letërsisë së ashtuquajturës letërsi e “melting pot”. Shkruan Fante në “Një vit i tmerrshëm”:
“E përqafova dhe e putha dhe qava për tim atë dhe për gjithë etërit, e derdha lot edhe për bijtë, sepse ishim gjallë në atë epokë, qava dhe për veten sepse duhej të nisesha për në Kaliforni dhe s’kisha rrugë tjetër, qeshë i shtrënguar t’ia dilja mbanë.”
Kuadri i shkrimtarëve të emigracionit është i pasur me pena të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore. Por ata shpesh, si për harresë apo mosvëmendje u paraqitën si shkrimtarë e aq, pa u theksuar njëra nga karakteristikat thelbësore të tyre: të qenit midis dy botëve e kulturave, midis dy gjuhëve dhe identiteteve. Këta shkrimtarë jo vetëm pasuruan letërsinë me faqe të vlyera, por shërbyen e shërbejnë si urë lidhëse midis dy botëve, midis Evropës së para e pasluftrave dhe Amerikës në ekspansion të gjithanshëm; midis Indisë e Afrikës (të largëta për kulturë e traditë), me Evropën Perëndimore; midis Amerikës Latine, komplekse e të vështirë për t’u dalluar në diversitetin e saj, përsëri me hemisferën perëndimore; midis Rusisë së Revolucionit dhe emigrimit të kulturës së saj mbas ardhjes në fuqi të bolshevikëve, e kështu me radhë.
Një rrëfimtare e vlyer, më pak e njohur në Evropë, lindur në 1901 në San Pietroburg dhe e ikur nga Rusia për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara, është Nina Berberova. U shqua sidomos me romanin e shkurtër, të cilin e shkroi në gjuhën amtare, duke dhuruar vepra të një delikatese dhe pasurie të rrallë si “E keqja e zezë”, “Lumturi”, “Ringjallja e Moxartit”, “Xunkthi mërmëritës”, “Të lehtësosh fatin” etj. Personazhet e Berberovës mbeten midis Rusisë dhe Amerikës, midis Rusisë dhe Francës. Bëjnë përpara në majë të gishtave, paksa nostalgjikë, paksa ironikë, thellësisht romantikë, me një botë që shkapërderdhet përtej buzëve të ciflosura të një gjallese të vështirë.
V. S. Naipol konsiderohet shkrimtari më i madh në gjuhën angleze, por askush nuk do të mendonte se është anglez, sepse i tillë nuk është, dhe këtë letërsia e tij e rrëfen qartë. Lindur në Trinidad në 1932 që nga 1950 jeton në Angli. Deri më sot ka shkruar rreth njëzet libra: romane, eseistikë, libra udhëtimi. Shtrati i krijimtarisë së Naipolit është natyrisht India koloniale, pastaj Afrika, e Evropa. Disa nga veprat e tij titullohen “Një kthesë në Lumë”, “Një shtëpi për zotin Bisuos”, i madhërishmi “Enigma e mbërritjes”, “Humbja e El Dorados”, “Në një shtet të lirë” etj. Naipol konsiderohet një penë universale, që kalon me një pjekuri, këqyrje të rrallë e aftësi analitike nga njeri kontinent në tjetrin duke mbajtur fort rrënjët e tij indiane, si një element ngjitës e ngjizëz në hartën e larmishme të prozës bashkëkohore.
Natyrisht Milan Kundera bën pjesë në këtë kategori shkrimtarësh, por në mënyrë disi të veçantë e cila do të lipste një trajtim të gjerë po aq të veçantë. Krijimtaria e tij, edhe pse sot vazhdon në gjuhën frënge, është zhvendosur jashtë kufijve të origjinës relativisht vonë, duke i ndarë qartësisht dy fazat e prozës së Kunderës. Lindur në Bohemi, ai shkroi në çekisht: “Shakaja”, “Dashuri qesharake”, “Jeta është tjetërkund”, “Valsi i lamtumirave”, “Lehtësia e papërballueshme e qenies” etj. Ka shkruar në frengjisht që kur jeton në kryeqytetin francez: “Arti i romanit”, “Testamentet e tradhtuar”, “Ngadalësia”, “Identiteti”.
Shkrimtari indian Salman Razhdi, (i njohur më shumë për librin blasfem “Vargjet satanike” që i kushtoi dënimin me vdekje nga regjimi i ajatullahëve duke e detyruar të hidhej në klandestinitet por që ka një krijimtari shumë më të gjerë: “Bijtë e mesnatës”, “Haruni dhe deti i rrëfimeve”, “Buzëqeshja e jaguarit”, “Atdheu imangjinar” etj), berberi me banim në Paris Tahar Ben Zhelun, anglopakistani Hanif Kureishi, kubano-amerikania Kristina Garsia nuk janë emra të rinj të letërsisë së emigrimit. Në të kundërt, vepra e tyre zë një vend nderi në prozën bashkëkohore.
Ndaj esklamacionet e kohëve të fundit mbi këtë zbulim janë të pakuptimta. Thjesht tani editoria perëndimore po qartëson idetë. Dhe sidomos po kërkon rrugë të reja për tërheqjen e lexuesit, në një panoramë jo shumë entuziaste shkrimtarësh të Perëndimit, ku letërsia minimaliste tashmë është vjetëruar, dhe letërsia e “kanibalëve” nuk nxori përfaqësues të denjë për t’u shënuar me bindje.
Romancierët e dy kulturave kanë treguar aftësi të mëdha rrëfyese mbi nostalgjinë e rrënjëve të mbetura pas, krijimin e një identiteti të ri i cili është në konflikt të vazhdueshëm me atë origjinal, përplasjen midis dy realiteteve dhe vështirësisë për t’i bërë të bashkëjetojnë këto pa u kthyer në një hibrid, por në një forcë mendore e kulturore mësëveti.
Një rast letrar që ka bërë bujë në Angli, dhe që si pasojë është rrokullisur si ortek i sukseshëm në libraritë e shumë qyteteve evropiane quhet Zedi Smith, 26 vjeçare anglo-xhamaikane me romanin e saj “Dhëmbë të bardhë”.
“..ky ka qënë shekulli i të panjohurve me lëkurë të errët, të verdhë e të bardhë. Rioshë me emrin e pagëzimit që zihet me grushte me mbiemrin, gati për t’u thyer. Emra që sëbrendshmi fshehin eksode masive, barka dhe avione të mbushur cip, mbërritje të akullta në vende të panjohura, kontrolle mjeksore tä pamëshirshme…”
Rrëfen Smith në romanin e saj, që përsërit suksesin e shtatë viteve më parë të shkrimtarit Hanif Kureishi. Buja e Zedi Smith (pa kërkuar aspak denigrim të veprës, por mbaj mend fare mirë se fushata e promuovimit të saj ngjason kryekëput me atë të Kureishit, me të vetmin ndryshim: Kureishi qe një zbulim i një mënyre të shkruari prozë që nuk shihej prej kohësh), pra buja e Smithit vërteton se shpesh sukseset editorialë përgatiten në tryezë. Janë rëndom fryt i një procesi marketing të përllogaritur mbi logjika e interesa të tjera, që pak kanë të bëjnë vërtet me letërsinë. Sidoqoftë edhe kjo do të përbënte një shtjellim më vete, pra t’i kthehemi linjës kryesore duke u hedhur tek Hanif Kureishi.
Ky arriti suksesin e dëshiruar në vitin 1995 me romanin “Buda i periferive”. Personazhi kryesor i romanit, një pakistanez i emigruar në Londër fillon të rrëfejë me fjalët:
“Quhem Karim Amir dhe jam një anglez i vërtetë nga maja e kokës deri tek thonjtë e këmbëve”.
Kureishi, duke vazhduar me romanet e tij të mëvonshëm “The black Album”, “Love in a blue time” hyri me sukses e meritë në fillin e letërsisë angleze lidhur me ish kolonitë britanike duke përshkruar një Angli multiraciale, plot kontradikta dhe pika përplasjeje por në mënyrë të pashmangshme drejt domosdoshmërisë së bashkëjetesës, e detyruar të vazhdojë në këtë larushi botësh, kulturash, dialogjesh e humnerash, drejt një përpjekje shpesh të dëshpëruar për tolerancë.
Nga ana tjetër e oqeanit, në Kanada e Shtetet e Bashkuara penat e letërsisë “midis” kanë një shtrirje kombëtaro-kulturore edhe më të madhe për vetë dimensionet shumëkombëshe të emigrimit. Një nga zërat më të rëndësishëm, mbetet për mendimin tim mjaft hulumtues e këmbëngulës rreth këtij fenomeni, shkrimtarja kubane e Los Anxhelesit Kristina Garsia. Dy prej romaneve të saj, çuditërisht i pari shkruar në gjuhën adoptive (ndërsa logjika do të të jepte të kundërtën) “Sonte ëndërrova në kubanisht”, ndërsa i dyti “Motrat Aguero” shkruar në spanjisht, janë dy romane me pjekuri stilistike që dëshmojnë barazpeshimin e një prozatoreje të mirëfilltë. Garsia jeton e punon në Los Anxheles duke “shpërndarë” krijimtarinë e saj midis Kubës së Kastros dhe ethes së egër e shpesh të shurdhët e sipërfaqësore të vendit të lirive të mëdha, ku “ëndrrat e të dëshpëruarve mbi trape nëpër oqean kanë pirë ujë, kanë thithur shumë kripë, dhe çudi, qenkan ndrydhur, shtrydhur, e tani pikojnë zhgënjim…”
(Mjaft pika të përbashkëta e analogji të dhimbshme ekzistojnë mes aventurës së latinomaerikanëve mbi barka me mërgimin e shqiptarëve drejt brigjeve të Italisë…)
Një rast më pak i lumtur ndonëse i bujshëm në shtypin perëndimor, është proza e një tjetër pene kubane me banim në Francë, Zoé Valdes. E cila mbas një proze të goditur dhe shumë intensive në “Asgjëja e përditshme”, ka abuzuar mbi aftësinë e saj shkruese duke e konsideruar letërsinë më shumë si një çështje sasie, sesa cilësie, gjë që ka prodhuar disa tituj të sukseshëm nga pikëpamja tregtare, por me vlera artistike të dyshimta.
Duke u hedhur përsëri nga ana tjetër e Atlantikut, Gish Jen me origjinë kineze, shkruan një roman të fortë e lirik me titullin “Nuk i kuptoj irlandezët”, në titullin e të cilit përmblidhet edhe paragjykimi i ndërsjelltë i emigrantëve ndaj identiteteve kulturore përkatëse, mungesa e tolerancës që shpesh pengon dialogun midis dy komunitetesh që në realitet duhen të qëndrojnë nga e njëjta anë e “barrikadës”.
Të tjerë shkrimtarë janë Maikëll Ondatje, shkrimtar i lindur në Sri Lanka, me origjinë hollandeze dhe i vendosur përfundimisht në Kanada, i cili ka arritur një sukses të madh të kritikës në vendin e adoptuar me romanet “Pacienti anglez” dhe “Pasqyra e Anilit”; libanezi Amin Maluf me banim në Francë, Ami Lju kineze në Shtetet e Bashkuara…
Një pjesë e këtyre shkrimtarëve kanë ruajtur gjuhën kombëtare. Një pjesë tjetër ka parapëlqyer vendosjen në shtetet ish kolonizatorë të vendeve të origjinës, duke patur kështu një zotërim të madh të gjuhës së dytë. Gjë që u ka lejuar të gjejnë një të çarë më të shpejtë pranë lexuesit të huaj.
Kuadri i letërsisë “midis” natyrisht është më i gjerë e i mpleksur në karakteristikat e tij, ky shkrim nuk mund kurrsesi të ketë pretendimin e kompletësisë.

E rëndësishme është të vihet re se është zgjuar, në një shprehje apo në një tjetër, interesi rreth pasurisë që kjo letërsi sjell në të ushqyerit kulturor e letrar të një shoqërie gjithë e më rendëse pas vlerash kalimtare dhe të cekëta konsumistike. Në gjithëfuqinë absurde të globalizimit, rrafshimit të individualiteteve kulturore e të traditave të kombeve, roli i shkrimtarit bëhet edhe më i domosdoshëm e i qenësishëm. Por ky i fundit sa më shumë kalon koha, aq më të vështirë e ka të pluskojë në sipërfaqen e vëmendjes së publikut, i cili nga ana e tij, në konfuzionin dhe zhvendosjen e vlerave që i propozohet e ka gjithashtu të vështirë të orientohet.