„S'më duhen lëvdata, as pare të thata / Për vargjet që thurra me lotët e mi”* - Bisedë me poetin, arkitektin dhe shqipëruesin Petraq Kolevica





Petraq Kolevica u lind në Korçë më 11.01.1934. Kreu shkollën fillore dhe gjimnazin në Korçë. Gjimnazi i Korçës ishte pasardhës i Liceut Francez dhe disa nga profesorët e mëparshëm vazhdonin të jepnin mësim atje. Ndër te tjera, ishin këta mësues që ngjallen tek Petraqi interesin dhe dashurinë për artin e sidomos poezinë. Në atë kohë ai pati kontakt edhe me piktorët Vangjush Mio e Vangjush Tushi, që ndikuan shumë në formimin e tij.

Studimet për inxhinieri ndërtimi i kreu në periudhen 1952-1957 në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Punoi shumë vite si inxhinier dhe arkitekt. Gjatë gjithë veprimtarisë si arkitekt, ai u mundua të projektonte ndërtesa moderne dhe funksionale. U kritikua shumë herë për ndikime të huaja nga partiakët e asaj kohe. Pas një fjalëkëmbimi me Enver Hoxhën në ekspozitën „Shqipëria Sot“, u dërgua për të punuar si teknik ndërtimi në Valias. Që nga ajo kohë pothuajse nuk punoi më si arkitekt. Jetën e tij si inxhinier dhe arkitekt e ka përmbledhur në librin „Arkitektura dhe diktatura“.

Qysh në rininë e hershme interesohej për poezinë. Në vitet '60 botoi përkthimin e poemës „Demoni“ të Lermontovit, që u prit shumë mirë nga lexuesi i atëhershem.

Në vitin 1986, botoi librin me përkthime nga gjermanishtja „Poezi gjermane dhe austriake“.

Është i vetmi që ka përkthyer poezi klasike japoneze, ndonëse jo nga origjinali.

Në kohën e demokratizimit të Shqipërisë kontribuoi si deputet në parlamentin e parë pluralist të Shqipërisë dhe si pjestar i këshillit botues te gazetes „Rilindja Demokratike“.

Në vitet e mëvonshme, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, Petraq Kolevica u tërhoq nga politika aktive, por ka shfaqur shpesh mendimin e tij në gazeta të ndryshme.

Në vitin 1992 u botua vëllimi i parë me poezi, „Kënge nga koha e keqe” - poezi të shkruara me parë prej tij, por të pabotuara deri atëhere, kuptohet: për arsye të përmbajtjes.

Më vonë botoi edhe vëllime të tjera me poezi. Së fundi, në vitin 2013, i përmblodhi poezitë e tij origjinale në dy vëllimet me titull “Të korrat e vona”.

Të rëndësishme në krijimtarinë e Kolevicës janë edhe librat për Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, me të cilët e lidhte një miqësi e ngushtë.

Librat "Lasgushi më ka thënë" dhe "Me Mitrushin", si edhe disa libra të tjerë, mund të lexohen në www.petraq-kolevica.com ("Librat online").

Ky jetëshkrim synon të japë shkurtimisht vetëm disa nga momentet kryesore të jetës plot tallaze të Petraq Kolevicës, jetë që, më mirë se kudo, është pasqyruar në poezitë e tij.



Revista Haemus: Lexuesit e vëmendshëm dhe të zgjedhur e dinë  poezia juaj ka një arkitekturë krejt të vetën, por edhe që arkitektura, aq sa mundej deri në fillimin e viteve ’90, ka një poezi të mirëdallueshme…

Petraq Kolevica: Ju falemnderit që, në mes punëve tuaja të shumta, gjeni kohë të bisedoni me mua. Gëzohem që jetoni e krijoni në atë vend ku jetuan e krijuan i shenjti Asdren, i urti Mitrush Kuteli dhe i adhuruari Lasgush. Uroj të keni jetë më të mirë dhe krijimtari më të begatë se ata.