„S'më duhen lëvdata, as pare të thata / Për vargjet që thurra me lotët e mi”* - Bisedë me poetin, arkitektin dhe shqipëruesin Petraq Kolevica





Petraq Kolevica u lind në Korçë më 11.01.1934. Kreu shkollën fillore dhe gjimnazin në Korçë. Gjimnazi i Korçës ishte pasardhës i Liceut Francez dhe disa nga profesorët e mëparshëm vazhdonin të jepnin mësim atje. Ndër te tjera, ishin këta mësues që ngjallen tek Petraqi interesin dhe dashurinë për artin e sidomos poezinë. Në atë kohë ai pati kontakt edhe me piktorët Vangjush Mio e Vangjush Tushi, që ndikuan shumë në formimin e tij.

Studimet për inxhinieri ndërtimi i kreu në periudhen 1952-1957 në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Punoi shumë vite si inxhinier dhe arkitekt. Gjatë gjithë veprimtarisë si arkitekt, ai u mundua të projektonte ndërtesa moderne dhe funksionale. U kritikua shumë herë për ndikime të huaja nga partiakët e asaj kohe. Pas një fjalëkëmbimi me Enver Hoxhën në ekspozitën „Shqipëria Sot“, u dërgua për të punuar si teknik ndërtimi në Valias. Që nga ajo kohë pothuajse nuk punoi më si arkitekt. Jetën e tij si inxhinier dhe arkitekt e ka përmbledhur në librin „Arkitektura dhe diktatura“.

Qysh në rininë e hershme interesohej për poezinë. Në vitet '60 botoi përkthimin e poemës „Demoni“ të Lermontovit, që u prit shumë mirë nga lexuesi i atëhershem.

Në vitin 1986, botoi librin me përkthime nga gjermanishtja „Poezi gjermane dhe austriake“.

Është i vetmi që ka përkthyer poezi klasike japoneze, ndonëse jo nga origjinali.

Në kohën e demokratizimit të Shqipërisë kontribuoi si deputet në parlamentin e parë pluralist të Shqipërisë dhe si pjestar i këshillit botues te gazetes „Rilindja Demokratike“.

Në vitet e mëvonshme, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, Petraq Kolevica u tërhoq nga politika aktive, por ka shfaqur shpesh mendimin e tij në gazeta të ndryshme.

Në vitin 1992 u botua vëllimi i parë me poezi, „Kënge nga koha e keqe” - poezi të shkruara me parë prej tij, por të pabotuara deri atëhere, kuptohet: për arsye të përmbajtjes.

Më vonë botoi edhe vëllime të tjera me poezi. Së fundi, në vitin 2013, i përmblodhi poezitë e tij origjinale në dy vëllimet me titull “Të korrat e vona”.

Të rëndësishme në krijimtarinë e Kolevicës janë edhe librat për Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, me të cilët e lidhte një miqësi e ngushtë.

Librat "Lasgushi më ka thënë" dhe "Me Mitrushin", si edhe disa libra të tjerë, mund të lexohen në www.petraq-kolevica.com ("Librat online").

Ky jetëshkrim synon të japë shkurtimisht vetëm disa nga momentet kryesore të jetës plot tallaze të Petraq Kolevicës, jetë që, më mirë se kudo, është pasqyruar në poezitë e tij.



Revista Haemus: Lexuesit e vëmendshëm dhe të zgjedhur e dinë  poezia juaj ka një arkitekturë krejt të vetën, por edhe që arkitektura, aq sa mundej deri në fillimin e viteve ’90, ka një poezi të mirëdallueshme…

Petraq Kolevica: Ju falemnderit që, në mes punëve tuaja të shumta, gjeni kohë të bisedoni me mua. Gëzohem që jetoni e krijoni në atë vend ku jetuan e krijuan i shenjti Asdren, i urti Mitrush Kuteli dhe i adhuruari Lasgush. Uroj të keni jetë më të mirë dhe krijimtari më të begatë se ata.

Meqë ende jetojmë në një botë të sunduar nga mass-media, krijimtaria juaj artistike vazhdon të qëndrojë më shpesh në hije. Si i shihni tani fillesat tuaja poetike? Korça, Tirana, vende të tjera të shenjta vetjake për poezinë që do të shkruanit më vonë…

Për artistët e të gjitha fushave të krijimtarisë vendlindjet e tyre i kanë pasur si të shenjta dhe burime të përhershme frymëzimi. Kështu ka qënë edhe për mua. Po kështu janë edhe mbresat që lenë vendet e tjera, ku artisti kalon pjesë të jetës së tij.

... Njohja me Lasgush Poradecin dhe çfarë do të veçonit tani nga miqësia e gjatë me të?

Nga miqësia me Lasgushin mund të veçoja shumë gjëra, por po theksoj një gjë, të cilkën e përsëriste shpesh: ”Që të bësh poezi që mbetet, duhet të njohësh mirë gjuhën e vendit tënd, të kesh një kulturë sa më të gjerë, dhe të mos nxitohesh të bësh shpejt e shpejt një poezi, se, - siç thoshte, - poezia s’është shaka!”

Cila nga shprehjet, apo bindjet e Lasgushit, ju duket më e rëndësishme për këtë kohë?

Këto të thënat e tij vlejnë për të gjitha kohërat.

Po nga miqësia me Kutelin?

Pata fatin të kisha miqësi disavjeçare me Mitrush Kutelin. Siç shihet në gjithë krijimtarinë e tij, edhe Kuteli rëndësi të madhe i kushtonte gjuhës, që të ishte sa më e pastër dhe sa më afër gjuhës së thjeshtë.

Cilët janë poetët me të cilët ju pjek ylli, siç thotë populli?

Mund të them se, qysh në rininë time të hershme, e kisha njohur krijimtarinë e poetëve kryesorë shqiptarë, që nga Naimi e këtej; por, më në fund, ylli më mbeti tek Fan S. Noli, sepse, përveç poezive të tij origjinale, mësova edhe disa kulme të poezisë botërore, që nga i vjetri Omar Khajam dhe deri tek Edgar Allan Poe, sa për të përmendur prej tyre.

Sa dhe kur mendoni se shqipërimi / përkthimi është krijimtari e mirëfilltë, a të paktën rikrijim në kuptimin e plotë të fjalës?

Edhe për këtë, përgjigjen e saktë na e jep vetë Fan Noli tek përkthimet e të cilit nuk gjejmë një përkthim fjalë-për-fjalë, por një rikrijim në shqip të poezisë që përkthen. Edhe se shpeshherë duket sikur largohet me fjalët, ai i mbetet besnik poezisë. Si shëmbull mund të përmend përkthimin e poezisë «Dashuria e fundme» e Tutçjevit.

Në disa përmasa të saj, poezia juaj nxjerr në pah plagët dhe mbrapshtitë e shoqërisë. Ka qënë qysh në fillim e tillë, apo mashtrimet dhe pengesat e gjata diktatoriale ju kanë afruar më tepër me dhembjet e përhershme të njerëzve?

Mund të them se kohën më të shumtë të rinisë dhe të pjekurisë sime ia pata kushtuar profesionit tim si arkitekt. Pjesa tjetër e kohës i mbetej poezisë, e në radhë të parë përkhtimeve nga rusishtja dhe, më vonë, nga gjermanishtja. Krahas këtyre, thurrja edhe poezi origjinale, por pa qëllim botimi. Poezive origjinale u kushtova më shumë kohë që nga viti 1974, kur më larguan nga profesioni im si arkitekt, dhe atëhere temat e poezive vinin vetvetiu nga mjedisi ku punoja. Këtu po përmend poezitë që përmblidhen nën titullin «Këngë nga koha e keqe», si për shëmbull «Rradha», «Damarët e prerë», «Vajzat që shtrojnë pllaka», «Tekniket e ndërtimit» etj.

Si e këqyrni çështjen e disidencës së mirëfilltë dhe të së sajuarës?

Për disidencën nuk më intereson të merrem fare, sepse ka 25 vjet që gazetat shqiptare shkruajnë dhe rishkruajnë për këtë temë dhe nuk po mundin ta kullojnë.

Keni vuajtur drejtpërdrejt nga pamundësia për të botuar ashtu siç shkruanit. Si e përballuat qëndrimin e detyrueshëm në hije dhe heshtjen që ju mbulonte, ndërkohë që autorë tashmë krejt të harruar ngriheshin në qiell?

Nuk kam qënë antar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Botova vetëm përkthime në atë kohë. Poezitë origjinale, për herë të parë i botova tek gazeta «Rilindja demokratike» në mars 1991 dhe si vëllim më vete nën titullin «Këngë nga koha e keqe» - në fillim të vitit 1993.

Cilët ju kanë ndenjur pranë gjatë kaq viteve?

Gjithë kohen kam qënë tepër i ngarkuar me punë dhe miqësitë i kam patur të pakta dhe të përkohëshme. Miq të vërtetë deri më sot më kanë mbetur tepër pak.

Si e përfytyroni kulturën shqiptare në të ardhmen?

Jam i paaftë të përfytyroj se si do të shkojë kultura shqiptare në të ardhmen.

A ka dhe sidomos a shpresoni se mund të ketë poezi në arkitekturën e ditëve tona?

Për arsye shëndetsore nuk kam patur mundësi të shoh dhe, aq më pak, të ndjek ndërtimet në qytetin e Tiranës, pa përmendur qytetet e tjera.

Një fjalë e urtë, një varg, një njeri, një ngjarje, një parabolë që kanë ndikuar ndjeshëm në krijimtarinë tuaj…

Në krijimtarinë time arkitekturore kam patur gjithnjë si udhërrëfyese një këshillë të ë madhit arkitekt amerikan Frank Lloyd Wright, që u thotë arkitektëve: «Duajeni arkitekturën si veten tuaj»; tani, duke e lënë modestinë, mund të them se arkitekturën ndonjëherë e kam dashur deri në harrim të vetvetes. Në hapat e tjerë të jetës sime gjithnjë kam patur parasysh shprehjen e Petri Nini Luarasit: «Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi».
Bukuresht-Tiranë, 2015

Nga krijimtaria poetike e Petraq Kolevicës*


Shpirti

Fle, shpirti, fle... vullkan i shuar
Harruar nga të gjithë
Dhe kur kujton se si pat vluar
i vjen si qen të klithë.


Vullkani hesht dhe llavë s’nxjerr
Si llavë sot mban vrerin
Kur ndien rrugaçët mbi krater
që qeshin dhe përmjerin.

Eci rrugës çalë-çalë

Eci rruges çalë-çale,
Nën sqetull – çantën me poezi,
Kërkoj dikë të flas një fjalë,
Kërkoj, si Diogjeni, një njeri.

S'e gjej e kthehem çalë – çalë
Të hy në qypin tim – shtëpi,
Atje do mund të flas një fjalë
Me ty, e ëmbla poezi.

Lotët

Po edhe në sjell këto vargje që pata
S'i sjell për fitime në tregun e zi

(Në treg të gënjeshtrës, që sot bën kërdi)
S'më duhen lëvdata, as pare të thata,
Për vargjet që thurra me lotët e mi.

Vargjet e mia

Vargjet e mia
Vargje të lira.
Ku janë shkrirë
Zërat e zemrave.
Vargjet e mia

Vargje të dlira
Kaçuba të shpendrave,

Të mbira
Përmbi gërmadhat e ëndërrave...

Nocturne

Tani, kur tërë bota fle,
O shpirti im, përse rri zgjuar?
Ç'te ngre kështu në shtrat sa bie.
Sikur me gjemba është shtruar?

Me dhembin plagët, plagët, bre!
Që ditëpërditë janë shtuar,
Për këtë popull që po fle
Kështu, verbuar e shurdhuar

Muret prej betoni

Qytete dhe Shtete dhe dete
Rrethoni me mure betoni
Dhe shpesh ëndërroni nga froni
Një fat Faraoni për vete.

Qytete dhe Shtete dhe dete
Rrethoni me mure betoni
Dhe njerëz flijoni sa doni
Dhe çmoni dhe mbroni skelete.

Qytetet dhe Shtetet dhe detet
Rrethoni me mure betoni,
Sundoni me gjak, si Neroni.
Liria po stepet, po s'jepet.

Qytetet dhe Shtetet dhe detet
Rrethoni me mure betoni;
S'ka vrimë prej nga të shpëtoni,
Kur brenda të bien tërmetet.

Qytetet dhe Shtetet dhe detet
Rrethoni me mure betoni...
Tiranë, që vini dhe shkoni,
Për turp do t'ju mbeten portretet!

Vitet që vijnë

Kaq u shtuan poshtërsitë,
Kaq u rritën marrëzitë,
Kaq na mbytën ligesitë,
Sa kam frike se një ditë,

Kur dhe ne të shohim dritë,
Kur të hapen krejt kufijtë,
Oh, kam frikë atë ditë,
Ikjen e gjithë njerëzisë!

Do të lenë mall' e gjënë;
Do braktisin babë e nënë
E s'do kthejnë kokën prapa,
Po do ikin me të vrapa

Larg qytetit, larg shtëpisë,
Larg, më larg prej Shqipërisë;
Larg, më larg kësaj së mjerës,
Sikur ikin prej kolerës...

Vajza e repartit të qëndisjes

Ajo qëndiste përmbi pëlhurë.
Ajo s'qëndiste për vete kurrë.
Ajo qëndiste.
Dëgjonte.
S'fliste.
Ajo qëndiste dhe ëndrra stiste.
Ajo qëndiste, por asgjë s'priste.
Ajo ç'qëndiste do desh ta griste.
Ajo qëndiste.
Ajo qëndiste
Dhe herë-herë
Një lot i shkiste.

Ti

Në këto dit' e këto nete,
Kur po kaloj nëpër tërmete,
Kur m'iu vu shkelmi gjith një jete,
E vetmja Ti përkrah m'u gjete,
E dashur që, e dashur mbete,
Gëlltite lotët në vetvete,
Më hodhe krahun... U mbështete...
Atëhere ndjeva me gëzim,
Se jeta prapë kish kuptim.

Sytë

Një ditë ndoshta s'do t'të shoh
Mund t’i humb sytë që të dy
Po, brenda meje, domosdo
Do të të shoh përherë ty
Ti mos ma shih një lot në sy

Merrma dorën

O, merrma dorën dhe shtërngoma,
Ta ndiej më fort që të kam pranë.
Si n'ato vite që më s'janë,
Kur çelën lulet që u thanë.
Po, ne, në shpirt, na mbet aroma

Vit e përvit

Vit e përvit,
Me nxit,
Po shkunden fletë kalendari,
Por ti si ishe je
Dhe unë – po i pari;
Ashtu të shoh,
Ashtu më sheh,
Vështrimet na përpiqen
Si gur zjarri.
Acari fryn e shfryn
I shtyn të mblidhen retë,
Dëbora qetë-qetë
Mbi ne po bie.
Po ti si ishe je
Dhe unë – po i pari.
Zjarri,
S'u shua zjarri.
Tufane le të fryjnë,
Dëborë rëntë, rëntë...
Në zemrat s'mund të hyjnë,
Se ti si ishe je
Dhe unë – po i pari.

Fotografitë

Albumin me foto shfletojmë një ditë
dhe shohim gjith' jetën të mbetur nga pas;
tek dalin fytyra me sytë plot dritë
tregojnë sa shpejt na pat ikur të ritë
dhe zemra na dhemb, por ndjejmë dhe pak gaz.

Sirena

Këndon sirena dhe noton,
Se lundrën do të ndalë.
Rri Odiseu e dëgjon
Dhe dot s'i flet një fjalë.

Rri Odiseu dhe duron
Pas lundrës i mbërthyer,
Pa zemra ngrihet e lufton
Me brinjët, për t'i thyer.

Thërret sa ndihet breg më breg
Po shokët s'i përgjigjen.
Atje, i lidhur në direk,
Nga lotët syt' i digjen.

Largohet lundra dhe humbet
Në detin e pa anë;
Hesht Odiseu. Rri e s 'flet
Dhe shokët s'i do pranë.

Del hën' e plotë lart mbi mal
Dhe përmbi retë hip,
Siren' e vogël qan ngadal,
Me lotët detin krip.

Dhe Odiseu, i mërzitur,
I mbetur lundërthyer,
Shtrëngon te zemra e zhuritur
Një këngë aq të vyer.

Librat e hedhur

I hodha kaq libra të shkollës sime,
Të vjetra, të prishura, por plot kujtime
Prej tyre më lindnin kaq shum' ëndërrime
Që jeta e ashpër i dëboi përngahera
Ah! Libra të shkolles në malin me plehra.

Dhurata e mërgimtarit

Lejlek të praruar me nj’emër në sqep
e mbante ajo zbukurim përmbi bluzë
- Dhurat’ e atij që e puthi në buzë -
në vjeshtë lejleku shtegtoi, po pastaj,
u vra e s’u kthye mbi bluzën e saj.

Ndoshta poezia e fundit

Dhe ndoshta, moj vajza, në qafë ju mora;
Dhe ndoshta, moj grua, do mbetesh e ve;
Dhe ndoshta të gjitha, të gjitha i bora,
Po ja që i donte i mjeri Atdhe.

Do mundnit të rronit të qeta, të qeta,
Të shkonit një jetë plot gaz e hare,
Pa ja që qëllova poet, moj të shkreta.
Familja e poetit gëzimet s'i njeh. 
* Më shumë në www.petraq-kolevica.com


Din creaţia poetică a lui Petraq Kolevica

 

Arhitect, traducător, poet, eseist şi renumit om de cultură, născut la 11 ianuarie 1934 la Korça, oraş din sudul Albaniei, focar de ştiinţã, de civilizaţie şi de tradiţii patriotice. A proiectat numeroase clădiri şi alte obiective importante şi a participat în mod activ la procesele democratice din Albania anilor '90 ai secolului trecut. Este preşedintele celei dintâi Asociaţii de Arhitecţi Albanezi; a tălmăcit mai multe capodopere din literatura rusă, germană, austriacă, japonezã şi franceză, fiind prieten de nădejde al marelui liric albanez Lasgush Poradeci, format în lumea germanică şi în România interbelicã. În afara poeziei, Kolevica a scris şi câteva monografii şi studii critice („Arhitectura şi dictatura”, „Lasgush mi-a spus...”, „Cu Mitrush Kuteli”, „Autobiografia lui I. Kadare în versuri”). Creaţia sa literară este cuprinsă în volumele „Cântece din vremea rea”, „Astfel urci până la stele”, „Secerişul târziu”, „Ţipătul vremii”, „Mormântul ascuns” şi „Vocea care a strigat în deşert”. Trăieşte la Tirana. 



Imn poeţilor
(Himn poetëve)


Castă nobilă a poeţilor
Lumină din lumina profeţilor
Apari şi dispari prin râspântii de vieţi
Flacără de cometă
Riduri adânci ari
În inima celor drepţi.
Castă nobilă a poeţilor
Oameni pe care
Dramele zilei nu vă lasă
Să dormiţi noaptea
Duşmani ai celor comozi
Nu vă pătaţi
Nu-mbătrâniţi
Castă nobilă a poeţilor
Lumină din lumina profeţilor
Luminaţi noaptea noastră 

O viaţă şi o moarte

(Një jetë dhe një vdekje)


Străinei care a murit în Albania

Fugea trenul, fugea trenul, dincolo spre Europa
Ea privea des la fereastră şi în piept se făcea groapa

Fugeau anii, fugeau anii, cădeau visele mereu
Toată viaţa ei în groapă se încolăcea din greu

Urcă, urcă înspre groapă, turma zilelor amare
Dar în inima femeii e o groapă şi mai mare

Când pământul i-a venit peste cap şi peste gând
Pădurile ţării sale au înlăcrimat urlând

 

Şi de sunt unde sunt azi

(Dhe në jam këtu ku jam)


Şi de sunt unde sunt azi
Nu sunt oamenii de vină
Ci pentru că n-am ştiut
Să pup altarul ipocriziei

Şi de sunt unde sunt azi
Îngrop visele tinereţii
Dar mai am şi alte vise
Ce mă duc spre înălţimi

Căci de sunt unde sunt azi
Prea strivit de plictiseală
Leac îmi pun în suflet singur
Din balsamul poeziei

Sufletul

(Shpirti)


Adoarme sufletul... un vulcan stins
Uitat de lumea toată
Îi vine amintindu-și focul
Vaiet de câini să scoată

Acum doar tace, lavă sub cer
Nu are, dormitează
Simțind ratații pe crater
Cum râd şi urinează

Iulie 1990

(Korrik 1990)


Scumpul meu popor
Toată viaţa amăgit
Toată viaţa dezamăgit
Strivit şi prea minţit
Precum Hristos răstignit
S-a ridicat să dea dovadă
C-ascunde ceva scump
În inima lui frântă

Prezentare şi adaptare A.-Ch. Kuciuk, 2005





Petraq Kolevica, vargje nga poezia Lotët. / Redaksia falenderon përzemërsisht vajzën e z. Petraq Kolevica, znj. Ana Kolevica, për ndihmën e vyer në hartimin e këtyre faqeve.