Eugjen Jonesku: “… bëhet fjalë për Zotin në mënyrë aq të qartë, saqë askush nuk e kuptoi”.

– (pjesë nga një bisedë për krishterimin)[1]
 
Shqipëroi Kopi Kyçyku
 
Eugjen Jonesku: Ajo që më duket skandaloze është fakti që Kisha duket se kërkon të vetasgjësohet në Histori, aq shumë trembet se mos dalë jashtë Historisë. Kjo është e tmerrshme sepse në të vërtetë roli i saj është të jetë jashtë Historisë, ta udhëheqë botën drejt Së Përjetshmes, prandaj ajo duhet ta ngrejë Historinë në mbi-Histori, duhet të japë teknikat e faljes dhe të soditjes. Tani ajo duket se nuk bën gjë tjetër përveçse politikë dhe demagogji. Kisha nuk dëshiron të humbë klientelën, por të fitojë edhe klientë të tjerë. Kjo është një shënjë laicizimi me të vërtetë dëshpëruese. Sot njeriu ka nevojë pikërisht për një ishull, i cili të mos rrihet nga erërat e Historisë, që t’u bëjë ballë stuhive, që të mos jetë i përkohshëm. Domethënë për atë që Kisha nuk e do më, nuk mundet më, nuk e di më, nuk përpiqet të japë më apo të propozojë.
 
Uratë Lendger-iPor a nuk besoni që edhe Jezusi dhe të krishterët e parë ishin në kohësi?
 
Eugjen Jonesku: Perandoria e Zotit nuk i përket kësaj bote. Historia duhet tejkaluar, Historia është humbje, është kaotike, pa orientim të mbinatyrshëm. Duke qenë njëherazi në kohësi dhe në jokohësi, Kisha duhet t’i tregojë kohësisë rrugën drejt jashtëkohësisë.
 
Nëse nuk gaboj, ju keni përshtypjen se, në ecurinë e saj, Kisha e sotme po laicizohet?
 
Eugjen Jonesku: Po, ajo i bën lëshime botës, lëshime thelbësore, themelore, tërësore. Bota po humbet, Kisha po humbet në botë. Po qe se Kisha do t’i zgjatte dorën botës, bota do të duhej të ecte drejt Kishës, por, në të vërtetë, vetë Kisha po çapitet drejt botës dhe po humbet në botë, në Histori, në politikë. Nuk më pëlqejnë priftërinjtë që pinë duhan në rrugë, që bredhin me duar në xhepa, me flokë të gjatë, të ashtuquajturit majtistë janë kapur në vorbullën e botës. Ka ca kohë që nuk shkoj më në kishë, as në Shën Marinë e Fushave. Priftërinjtë janë hutaqë, mediokër, mikroborgjezë. E kam dëgjuar njërin prej tyre, që thosh në kishë: “Të jemi të gëzuar, të shtrëngojmë dorën ose shputën, Krishti ju dërgon një Mirëdita të gëzueshme”. Fill paskëtaj, për Mirëkuptimin, për Bukën dhe Verën e kungimit u sajua një bar. U dhanë sandviçe dhe verë Bozhole. Kjo më duket marrëzi e pakufishme, mungesë e plotë shpirtërore. Vllazërimi nuk është mediokritet, as mbledhje shokësh. Kemi nevojë për jashtëkohësinë, çfarë është feja pa të shënjtën? Nuk po na mbetet asgjë, asgjë e themeltë. Gjithçka tani është e lëvizshme, teksa kemi nevojë për një shkëmb.