Shqipëroi Kopi Kyçyku
Eugjen Jonesku: Ajo që më duket skandaloze është fakti që Kisha duket se kërkon të vetasgjësohet në Histori, aq shumë trembet se mos dalë jashtë Historisë. Kjo është e tmerrshme sepse në të vërtetë roli i saj është të jetë jashtë Historisë, ta udhëheqë botën drejt Së Përjetshmes, prandaj ajo duhet ta ngrejë Historinë në mbi-Histori, duhet të japë teknikat e faljes dhe të soditjes. Tani ajo duket se nuk bën gjë tjetër përveçse politikë dhe demagogji. Kisha nuk dëshiron të humbë klientelën, por të fitojë edhe klientë të tjerë. Kjo është një shënjë laicizimi me të vërtetë dëshpëruese. Sot njeriu ka nevojë pikërisht për një ishull, i cili të mos rrihet nga erërat e Historisë, që t’u bëjë ballë stuhive, që të mos jetë i përkohshëm. Domethënë për atë që Kisha nuk e do më, nuk mundet më, nuk e di më, nuk përpiqet të japë më apo të propozojë.
Uratë Lendger-i: Por a nuk besoni që edhe Jezusi dhe të krishterët e parë ishin në kohësi?
Eugjen Jonesku: Perandoria e Zotit nuk i përket kësaj bote. Historia duhet tejkaluar, Historia është humbje, është kaotike, pa orientim të mbinatyrshëm. Duke qenë njëherazi në kohësi dhe në jokohësi, Kisha duhet t’i tregojë kohësisë rrugën drejt jashtëkohësisë.
Nëse nuk gaboj, ju keni përshtypjen se, në ecurinë e saj, Kisha e sotme po laicizohet?
Eugjen Jonesku: Po, ajo i bën lëshime botës, lëshime thelbësore, themelore, tërësore. Bota po humbet, Kisha po humbet në botë. Po qe se Kisha do t’i zgjatte dorën botës, bota do të duhej të ecte drejt Kishës, por, në të vërtetë, vetë Kisha po çapitet drejt botës dhe po humbet në botë, në Histori, në politikë. Nuk më pëlqejnë priftërinjtë që pinë duhan në rrugë, që bredhin me duar në xhepa, me flokë të gjatë, të ashtuquajturit majtistë janë kapur në vorbullën e botës. Ka ca kohë që nuk shkoj më në kishë, as në Shën Marinë e Fushave. Priftërinjtë janë hutaqë, mediokër, mikroborgjezë. E kam dëgjuar njërin prej tyre, që thosh në kishë: “Të jemi të gëzuar, të shtrëngojmë dorën ose shputën, Krishti ju dërgon një Mirëdita të gëzueshme”. Fill paskëtaj, për Mirëkuptimin, për Bukën dhe Verën e kungimit u sajua një bar. U dhanë sandviçe dhe verë Bozhole. Kjo më duket marrëzi e pakufishme, mungesë e plotë shpirtërore. Vllazërimi nuk është mediokritet, as mbledhje shokësh. Kemi nevojë për jashtëkohësinë, çfarë është feja pa të shënjtën? Nuk po na mbetet asgjë, asgjë e themeltë. Gjithçka tani është e lëvizshme, teksa kemi nevojë për një shkëmb.
Mendoni se Kisha e ka humbur kuptimin e lutjes, që priftërinjtë e kanë humbur kuptimin e lutjes?
Eugjen Jonesku: Absolutisht po! Kuptimin e lutjes, kuptimin e përsiatjes, kuptimin e soditjes, kuptimin e metafizikës, kuptimin e mistikës. Të gjitha këto janë humbur. Janë hapërdarë. Nuk guxojmë më të flasim për Perëndinë. Para ca kohe dëgjova në televizor një prift që fliste për një libër që kish shkruar vetë. Një libër absolutisht i habitshëm për shkak se ky prift, - të cilin do ta cilësoja idiot, - nuk donte të zinte në gojë Zotin. Fliste vetëm për Birin, jo edhe për Atin. Thoshte se Zoti është fundosur. Një farë Kardonel. Nga ana tjetër e kuptonte shumë keq mesazhin e Krishtit. Ky prift ishte një tru-metë shpirtëror, ndërsa libri i tij kryekëput antimetafizik, antimistik. Kisha po bën sot çmos që të pranohet nga marksizmi, nga komunizmi. Në Kishën e re politika ka dalë përpara shpirtërores. Në Sakre-Kër (Kisha Zemra e Shënjtë, - sh. ynë), në Paris, më 1971, në një kohë që në vise të tjera kremtohej njëqindvjetori i Komunës, një prift u orvat të mbante meshë në kujtim të një peshkopi të vrarë nga komunarët. “Krishterët” e majtë u futën në Kishë dhe e ndalën. Atëhere çfarë mbetet nga mëshira dhe falja e armiqve tanë? Para ca vjetësh ka pasur njerëz që jetonin bashkërisht për t’u njohur e për t’u dashur me njëri-tjetrin. Në të vërtetë ata organizonin orgji. Nuk kam kundërshtim. Erotizmi mund të jetë mjet afrimi. Por ata nuk e kishin mendjen tek falja, tek soditja e përbashkët. Përndryshe, të gjitha bashkësitë e këtij lloji kanë përfunduar me skandale, katastrofa dhe dështime. Kisha organizohet në atë mënyrë që të pranohet nga çdo lloj shteti; Kisha ia ka aq shumë frikën marksizmit, saqë është dorëzuar tërësisht para tij! Edhe marksizmi është tani shumë më fetar se sa Kisha.
Vetëm se ai nuk e ka përmasën hyjnore.
Eugjen Jonesku: Posi jo, ai ka ruajtur disa mite: parajsën e humbur, vllazërimin, njeriun e shfytyruar, kapërcimin e Historisë, gjithfarë mitesh të degjeneruara, të degraduara në ideologji.
Kjo është: të degraduara dhe pa përmasën shpirtërore.
Eugjen Jonesku: Po ku e shihni ju këtë përmasë shpirtërore? Guxoj t’ju them se kjo e fundit nuk gjendet më as në Kishë. I kam dëgjuar të krishterët e rinj, e kam parë priftin e ri. Të gjithë kanë humbur çdo përmasë metafizike. I mbyllin veshët po të përpiqesh t’u flasësh për metafizikën, për soditjen. Kjo është diçka e rëndë. Soditja është thelbësore. Aq shumë ka hyrë Kisha në Histori saqë është ngatërruar tërësisht me Historinë: drejtësi, liri (çfarë drejtësie, çfarë lirie?), barazi, së pari falë flamurit të kaltër, të bardhë, të kuq dhe fill paskëtaj - flamurit të kuq.
Ju e quani veten i krishterë?
Eugjen Jonesku: Po, po. Një i krishterë, një i krishterë i keq, megjithatë i krishterë.
Në veprën tuaj teatrore, në gjuhën tuaj prej shkrimtari, besoni se është i mundur denoncimi i kësaj humbjeje të përmasës metafizike të Kishës dhe propozimi i një mënyre të re ose të vjetër, më tradicionale?
Eugjen Jonesku: Në pjesën time të fundit teatrore, Ç’bordello e mrekullueshme, apo në Karriket, bëhet fjalë për Zotin në mënyrë aq të qartë saqë askush nuk e kuptoi.
Ndoshta, por nuk është paraqitur si në një zbrazëti, jo duke u përshfaqur, por si pyetje thelbësore?
Eugjen Jonesku: AI është pyetja thelbësore. Nuk mund të jetë përveçse pyetja thelbësore.
Dhe vazhdoni ta bëni këtë pyetje?
Eugjen Jonesku: Vetëm e vetëm këtë bëj. Dhe kjo është kaq e dukshme saqë është normale që askush të mos e kuptojë.
Por besoj se ky fakt është ndjerë nga shumë njerëz.
Eugjen Jonesku: Vepra e Samuel Beketit është një thirrje e përhershme për Zotin, është një grishje precize, një S.O.S. Aq i qartë është ky fakt saqë as nuk është kuptuar. Nuk kanë dashur që ky fakt të shihet. Por vepra Duke pritur Godonë është pikërisht shpresa e zhgënjyer përditë, e ripërtërirë përditë. Në librin e admirueshëm që titullohet Çpopulluesi, personazhet orvaten të ngjiten në dritë dhe nuk janë veçse ca larva sepse nuk mund ta kapin këtë dritë. Në veprën Fund pjese, Hami dhe Klovi lëngojnë, janë të sëmurë nga mungesa e Zotit. “I Poshtri, nuk ekziston” shprehet Hami. Nuk është fjala përveçse për Zotin. Por sidomos ne nuk duhet ta themi, nuk duhet ta dimë, as ta vërejmë. Regjisori i Beketit, Rozhe Blën, përpiqet me të gjitha mjetet t’i mashtrojë njerëzit, spektatorët. Mund të thuhej se duhet ta besojmë, që është fjala për tjetër gjë, por për çfarë pikërisht?
Rozhe Blëni është kundërshtar i Kishës.
Eugjen Jonesku: Është kundër Kishës; atëhere përse e vuri në skenë Beketin? Triblon me autorët, triblon me vetveten. Por tani edhe njerëzit e Kishës janë kundër Zotit. Një nga librat më të rëndësishëm të Beketit quhet I Paemri. I paemri është Zoti. Kur ia përmendim emrin, Zoti largohet sepse është Ai që nuk i duhet përmendur emri. AI ndodhet prapa skenës, në atë zbrazëti, siç thoni ju, çështje fjalësh. Zoti është. AI nuk ekziston, AI është. AI ekziston përmes Jezus Krishtit. Ose Zoti është dhe atëhere letërsia nuk ka asnjë kuptim, ose AI nuk është dhe atëhere letërsia nuk ka asnjë kuptim.
Pra, në të gjithë rastet kjo nuk ka asnjë domethënie e, megjithatë, për ju Zoti është, jeni edhe krijues, shkrimtar, autor.
Eugjen Jonesku: Dua të them se pa Zotin letërsia nuk ka asnjë kuptim, asnjë rëndësi. Dhe nëqoftëse Zoti ekziston është më mirë të bësh diçka tjetër se sa letërsi.
Doni të thoni që për dikë i cili është i bindur se Zoti është, lutja dhe soditja janë e vetmja rrugë e mundshme. Por a nuk besoni se është e pashmangshme që kjo botë, e cila në një farë mënyre e dëbon Zotin me lëndësinë e saj, me ritmin e jetës, të ketë pasoja mbi vetë Kishën?
Eugjen Jonesku: Po, domethënë bota ka aq pasoja të rënda e të ashpra mbi Kishën, saqë Kisha po humbet në vetvete, po humbet në botë. Kësisoj më vjen jashtëzakonisht keq që nuk ju shoh me raso, ndjej keqardhje që Kisha fshihet, që nuk guxon më të shfaqet si e tillë: e pamposhtur, e patundur, fytyrë dhe simbol i përjetësisë.
Jeni shkrimtar, iu drejtoheni disa lexuesve, apo disa autorëve, përdorni një gjuhë. A besoni se Kisha, priftërinjtë, mund Ta njoftojnë sot Zotin me të njëjtën gjuhë të një shekulli më parë? Ka megjithatë një evolucion të letërsisë.
Eugjen Jonesku: Priftërinjtë nuk mund t’i drejtohen botës përveçse me një gjuhë që nuk është gjuha e shekullit, pra me një gjuhë të shënjtë. Por gjuha që flasin ata nuk është gjuhë e shënjtë. Është ajo e kohës, e shoqërisë, e kalimtares. Duhet kërkuar mjeti për të rigjetur një gjuhë të shënjtë, sepse është e pandryshushme edhe në gjuhën moderne. Fjalët: mister, mistikë, besim, rit, nuk kanë ndryshuar. Ka edhe gjeste ceremoniale që nuk mund të ndryshohen. Eukaristia mbetet Eukaristi. Lidhja bëhet me Zotin dhe jo ndërmjet njerëzish pa transhendencë; duhet të mendojmë transhendencën, kjo është thelbësorja. Bashkësia Kishtare nuk është një bashkësi shoqërore, vllazërimi me Zotin nuk është kolegjialitet apo grup shokësh. Nuk mund t’i duash njerëzit përveçse në rast se e kanë Zotin brenda vetes. Duhet të ekzistojë kjo thyerje e dukshme me Historinë dhe më pas kjo përballje me Historinë. Por Kisha nuk e përballon më Historinë, ajo po i shitet. Historisë. Nuk po dëgjojmë më të flitet për soditje, e cila gjithsesi është e vetmja rrugë që të çon tek Perëndia. Na flitet për drejtësi shoqërore në vend të dashurisë vllazërore, për liri, për barazi dhe për marrëzi të tjera. Përndryshe, shikoni: sa më shumë që flitet për liri, aq më pak liri ka. Sa më shumë që flitet për barazi, aq më pak barazi ka.
Kuptoj çfarë thoni dhe vërej që ka shumë gjëra që duhen mbajtur mend dhe që më duken të vërteta. Por besoj, - dhe e them këtë jo për t’u mbrojtur, por për t’ju ndjekur deri në fund, - se prifti i sotëm është një njeri që duhet të kumtojë një mesazh që i përket tërësisht përjetësisë, transhendent për çdo gjë, që është Zoti dhe si i tillë I Paarritshmi, i Paemri, por ai duhet ta kumtojë në një mënyrë që të kuptohet dhe të pranohet nga njerëzit.
Eugjen Jonesku: Kjo është përligjja e të gjitha predikimeve tuaja. Zotin nuk mund ta kuptojmë, në Zot duhet të besojmë. Synojmë drejt së paarritshmes. Nuk mund ta bëjmë të paarritshmen të arritshme. Nuk mund t’i vemë emër të paemrit. Ky realitet nuk është realist. Priftërinjtë nuk e përdorin më gjuhën e Të Përjetshmit. Për shembull, kur na flasin për drejtësi, nuk na flasin për drejtësinë tejhistorike, por për atë të gjykatave. Drejtësia e Zotit nuk është drejtësia e njerëzve. Vëllai im nuk është shoku im.
Mendoj se jeni i bindur që kriza e madhe e epokës së sotme është shpirtërore: ose bota po derdhet në një materializëm të tillë që na bën të mbetemi në sipërfaqen e njeriut, ose, përkundrazi, rizbulon thellësitë e njeriut. Për ju zgjedhja është bërë.
Eugjen Jonesku: Po, e kam bërë.
Sipas jush, njeriu e ka vrarë Zotin. Po Kisha a e ka vrarë Zotin?
Eugjen Jonesku: Kisha ka bërë gjithçka që njeriu të përhumbet në Histori.
E keni fjalën për Kishën Katolike. Por ekzistojnë edhe Kishat Ortodokse.
Eugjen Jonesku: Po, ama atje është tjetër gjë. Kisha Katolike ka filluar prej shumë kohe ta zëvendësojë metafizikën me moralin dhe katolicizmi prej shumë kohe ka qenë duke u përhumbur në botë. Dhe, nëse ka një mungesë të soditjes dhe një mungesë të metafizikës në botën moderne, kjo i detyrohet kryesisht katolicizmit, historicizimit të katolicizmit.
Keni përshtypjen se Kisha Ortodokse e ka ruajtur shumë më shumë pastërtinë?
Eugjen Jonesku: Po, një pastërti të cilën katolicizmi e ka humbur. Kisha Ortodokse, megjithse i ka dhënë Qezarit atë që i takon Qezarit, megjithse në dukje e ka pranuar Historinë, ka mbetur jashtë Historisë. Po, një pastërti që katolicizmi e ka humbur. Ajo nuk i ka shpallur asnjëherë luftë Historisë, nuk është përzjerë me Historinë, ka bashkekzistuar me të. Ka gjetur gjithmonë përshtatje me shekullin, asnjëherë me qiellin. Në Kishën Ortodokse mbetet diçka e pazakontë, diçka e fshehur, e pastër, e pandryshueshme dhe nganjëherë kam mall të jetoj në Rusi ose në Poloni. Kur lexoj Dëshminë e krishterë ose Kryqin, (dy gazeta katolike, sh. ynë), më ngrihen nervat. Aty kam gjetur vetëm e vetëm artikuj të politizuar.
Përsiata kur ju dëgjova për ndryshimin që ekziston ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Kisha e Perëndimit dhe Kisha e Lindjes: Kisha e Lindjes është një Kishë që i është falur Qezarit më shumë se sa ajo katolike, dhe njëkohësisht i ka mbetur më shumë besnike vetes se sa Kisha Katolike.
Eugjen Jonesku: Po, iu fal Qezarit, por mbeti e ndarë nga Qezari. Isha tepër i ri, isha në Rumani. U pagëzova në Kishën Ortodokse, por meqë erdha në Francë kur isha një vit, isha në katekizëm në Francë dhe u rrita si katolik, ndërsa në moshën 13 vjeç e gjysëm, kur u ktheva në Bukuresht, shkova në Kishën Ortodokse. Kur mbusha 18 vjeç ndjeva një nevojë më të fuqishme për të gjetur Atë që e quajmë Perëndi dhe pashë një murg “athonit” (vinte nga Mali Athos). Iu rrëfeva dhe më pyeti: “Po të dëgjoj, çfarë dëshiron të më thuash?” – “Uratë, kam bërë veprime të frikshme” – “Po, mirë, kjo nuk më intereson”. – Desha t’ia them. – “Po, po, përpara se të më tregosh çfarë ke bërë, më thuaj në çfarë beson?” – “Por, nuk e di, do të desha edhe unë ta di”. – “Epo mirë, kjo është gjëja më e rëndësishme; që ke bëre nuk di se çfarë, ke vrarë, ke kryer inçest, ke vjedhur, të gjitha këto janë gjërat e kësaj bote dhe nuk kanë asnjë rëndësi. Duhet të besosh, kjo është e gjitha”.
E ndjej veten afër këtij murgu. Besoj në ato që thatë qëparë, që Kisha Katolike e ka shndrruar mistikën në moral, ndërsa thelbësorja, pikësynimi i kësaj bote është besimi; jam me të vërtetë i bindur që Kisha Ortodokse e ka ruajtur këtë besim, ndoshta falë regjimit në të cilin jeton.
Eugjen Jonesku: Regjimit në të cilin ka jetuar: ajo jetoi nën otomanët, jetoi në të gjitha regjimet, me peshkopë lakmitarë, me princa që shkonin në luftë, vrisnin shumë njerëz dhe pastaj ndërtonin kisha, për ta morali kish fare pak rëndësi. Kësisoj kam përshtypjen që, prej shekujsh katolicizmi po përhumbet në botë, që është i shfytyruar. Bota e shfytyroi megjithse ai duhej ta transformonte botën.
Dhe çfarë do t’i thoshit njërit si unë, që është prift në këtë epokë dhe beson?
Eugjen Jonesku: Do t’i thosha: çfarë kërkoni nga unë kur jeni i veshur me rroba civile?
Kjo ishte e gjitha? Mund të më thoni të besoj!
Eugjen Jonesku: Kjo është, dhe të jeni paksa i papranueshëm, i papritur, jo nga ky shekull, vishni një raso! Ç’është kjo kravatë? Jeni si të gjithë njerëzit. Unë kam nevojë për dikë që të jetë jashtë botës, në botë, por në të njëjtën kohë jashtë botës.
Marrë nga https://sfantulmunteathos. wordpress.com
[1] Eugen Ionesco: Mărturie asupra Bisericii de astăzi. Convorbire între Părintele Lendger și Eugen Ionescu (Antidotes, Gallimard, 1977, p. 241-248) Traducere: Maria-Cornelia Oros / Kuvendim i Uratë Lendger-it me Eugjen Ioneskun (Antidotes, Gallimard, 1977, f. 241-248) Përkthyer në rumanisht nga Maria-Cornelia Oros.