VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Unë jam qytetar i Botës



Unë jam qytetar i Botës! Ashtu është: jam i bindur se jam qytetar i Botës, ndihem si qytetar i Botës e shpall haptas se çdo nacionalizëm, edhe ai që duket shumë i butë, është në fund të fundit racizëm vulgar që s‘ka as kokë, as bisht.
Natyrisht, burokrati, kur dëgjon këto fjalë, thotë: ti ke një pasaportë, e kjo na mjafton neve. Por burokrati ka të drejtë vetëm në dukje: pasaporta e gjëra të tjera na nevojiten për ca kontrolle ashtu si na nevojitet edhe ndarja në shtete. Me rëndësi është fakti se të gjitha këto gjëra duhet të bëhen sa më parë formalitete me vlerë relative e, sidomos, për të luftuar kështu ata njerëz që dalin nga rregulla negativisht e bëhen kriminelë.

Ndarjet në shtete, ashtu si ndarja administrative në provinca, në komuna etj., janë të natyrshme e të domosdoshme e të gjithë individët njerëzorë janë, në vend të parë, sidomos pjesëtarë të këtyre ndarjeve administrative të vogla, ku ata jetojnë; dhe ata e kanë për detyrë të interesohen e të veprojnë ndershmërisht për të mirën dhe të ardhmen e ndarjes së tyre administrative. Kjo vlen, vetëkuptohet, edhe për ndarjet administrative më të mëdha, për ndarjet politike në shtete etj., duke marrë parasysh pak nga pak tërë Botën.
Përpara se të vazhdojmë, dua të theksoj me këmbëngulje e me kokëfortësi edhe një herë se gjithashtu nacionalizmi më i butë është racist e mitologjik e se, për fat të mjerë, racizmi e mitologjia janë fenomene shumë të përhapura në çdo kohë e në çdo vend e në çdo shoqëri e se është punë fort e vështirë të largohemi nga këto dukuri të shoqërisë. Largimi nga këto shfaqje të këqija të shoqërisë parashikon afirmimin e arsyes e fitorja e arsyes është e rrallë në jetën e njerëzvet: si mund të mposhtim ndjenjat e idetë lajkatuese, mikluese e të pëlqyeshme që na duken aq të mira e aq të bukura e që dëgjojmë shpeshherë?
Ndjenjat e idetë që afirmohen me lehtësi janë zakonisht të favorshme sidomos për ata që komandojnë ose gëzojnë privilegje në shoqëri. Vetëm mendja kritike mund të na shpëtojë nga individi dhelparak e dinak, i cili afirmohet jo rrallë sepse gjen kudo pasues, ithtarë, ndjekës sidomos ndër intelektualët pa karakter e pa moral të cilët s’vlejnë një grosh, megjithëse ndonjëherë dijnë të shkruajnë, ose dijnë të thonë dy-tri fjalë që duken të bukura, por, në fund të fundit, nëse analizohen mirë, shpeshherë nuk na tregojnë asgjë konkrete.
Siç shihet, simpatia ime për intelektualin nuk është shumë e madhe, sepse intelektuali, sëbashku me priftin, më mashtruan mua në kohën e fashizmit që nga shkolla fillore. E, më vonë, pas luftës së dytë botërore, intelektuali me priftin kërkuan të më mashtronin përsëri mua, por pa sukses sepse isha i rritur e kisha filluar të kuptoja më mirë situatën shoqërore e gjykoja çdo gjë me mendje kritike; e, prandaj, kuptova sa më parë se partia demokratiko-kristiane italiane nuk ishte as kristiane as demokratike as italiane: në të vërtetë ai që komandonte ndodhej në Vatikan ose në Washington. E jo vetëm kaq: në të vërtetë, partia demokristiane ishte në Itali vazhdimi i fashizmit në një mënyrë shumë dinake me bekimin e Vatikanit dhe të Washingtonit.
Bie fjala, intelektuali (filozofi, historiani, teologu, profesori etj.) e tradhtuan Gjermaninë duke filluar nga viti 1871 e, më vonë, në vitin 1914 e në epokën weimariane e schicklegruber-iane. (Schicklgruber është emri i vërtetë i njeriut të njohur si Hitler.)
E, duke rimarrë temën e nacionalizmit, nënvijoj faktin se në Ballkan nacionalizmi është shumë i përhapur e mbahet si ndjenjë e mirë e normale e vetëm shumë pak njerëz kuptojnë fjalët e marra që na rrëfen pa mend edhe nacionalizmi më i butë, nacionalizmi i fshehtë e i padukshëm, i cili duhet krahasuar me një sëmundje të heshtur.
Natyrisht, ka njerëz që thonë se janë nacionalistë, por nuk mohojnë nacionalizmat e tjerë, për shembull K. Trebeshina, që unë respektoj fort. Këtyre unë iu këshilloj të mos e përdorin ketë term. Në çdo rast, edhe nacionalizmat e butë duhen zëvendësuar sa më parë me bashkëpunim të sinqertë. Por në viset shqiptare të sotme, kritika e hoxhenverizmit, kritika e mitologjisë nacionaliste e raciste ende nuk u bë, e kështu triumfojnë kriminelët e intelektualizmit si D. Agolli e I. Kadareja.
Këto fjalë unë i shkruaj sepse mendime me shpjegime raciste i zbulova tek unë vetë edhe kur besoja se isha larguar njëherë e përgjithmonë nga racizmi e nga nacionalizmi i tepruar.
E, nga ana tjetër, na nevojitet çdoherë shumë kujdes; ne duhet të informohemi shumë mirë për çdo gjë, përndryshe shkruhen fjalë pa mend ose bëhen gabime trashanike, si thashë më lart. P.sh. revista jonë Haemus 4-5-6, në rreshtin e parafundit të faqes 404 citon fjalën bojaxhi, por nuk na thotë se këtë fjalë shqipja e mori nga turqishtja... ashtu si basha, buzuku, gjokaj, hoxha, kyçyku, mazilu, podrimja, taçi, topçiu etj. etj. E këtu na duket e përshtatshme të theksohet se kush ka frikë të kritikojë mikun më të dashur - në këtë rast revista jonë Haemus – bën gabim të rëndë: me kritikë të ndërsjellë e me diskutim kultura, e çdo gjë tjetër, bëhet e gjallë dhe e lëvizshme e shkon përpara. Fjalën e njohur e Phaedrusit: exploranda est veritas multum (III, 10, v. 5) unë nuk e harroj kurrë, duke shpresuar se kështu për mua dogmatizmi nuk ekziston më.
Me sa duket, racizmi i fshehtë nuk di se gjuha shqipe ka pasur (e ka e dhe sot!) ndikime të mëdha leksikore e gramatikore nga latinishtja (e, më vonë nga variantet e shumta neolatine), ndikime leksikore nga gotishtja e shumë nga bullgarishtja e, ende më vonë, nga arabishtja e nga persishtja me anë të turqishtes. Përsa i përket pastaj strukturës së shqipes, është mirë të dihet se ajo është shumë e ngjashme me strukturën e gjuhëvet të tjera të Ballkanit.... Menjëherë më bie në mend se edhe popullsi kelte jetuan gjerë e gjatë në Ballkanin e lashtë! E kjo na tregon qartazi se shqiptari nuk jetonte në një ishull të paarritshëm. Prandaj identifikimi absolut i ilirëvet me shqiptarët e sotëm është absurd ose prej të çmenduri. Kush e njeh ilirishten?! Ca kohë më parë u bë një supozim i atillë, e çdo hipotezë është mëse e lejuar, por, shumë-shumë mund të thuhet se shqipja ka, e-v-e-n-t-u-a-l-i-s-h-t, një komponent nga ilirishtja ose nga dako-trakishtja.
Mirëpo kur hipoteza bëhet njohuri dogmatike, racizmi është absolut e injoranca e historisë trashanike. Me fjalë të qarta, intelektuali i ndershëm duhet t’i analizojë e t’i kritikojë vazhdimisht mendimet ‘shkencore’.
Bie fjala, nëse ndonjë shqiptar do, unë s’kam vështirësi të demonstroj shkencërisht se japonishtja rrjedh nga shqipja, duke cituar dhjetë-njëzet fjalë, për shembull, e duke mos përmendur fare strukturën e gjuhëvet.
Historia e Haemusit ka qenë dhe është edhe sot tepër e komplikuar, e kush thotë se shqiptari është pasardhësi i drejtpërdrejtë i ilirit, nuk di se një popull është sistem i hapur, siç thotë fizikani, e një prejardhje e atillë mijëvjeçare është teorikisht e mundshme, por shumë e vështirë e, eventualisht, vetëm në një ishull të largët.
Në çdo rast, gjuha shqipe është jashtëzakonisht interesante e mësimdhënëse për gjuhëtarin e për historianin; ajo është vërtet një mrekulli sidomos për serbin e sotëm e për grekun modern, të cilët për arsye mitologjike (historinë e tyre shkencore ata nuk e njohin fare!) kanë vështirësi ta pranojnë këtë realitet.
Mirëpo, këto nuk janë gjëra shumë me rëndësi: mitologjia është ende sot e fortë në Ballkan e në shumë shtete të tjera: na nevojitet durim, na nevojitet shumë forcë! Me rëndësi për artikullin e sotëm është fakti se unë jam qytetar i Botës si, për shembull, Ciceroni e ca filozofë grekë të lashtësisë dy mijë vjet më parë e si ca gjermanë në kohën e Goethes. Me rëndësi është fakti se unë, si qytetar i Botës, shkruaj arbërisht, ose shqip për njëfarë simpatie, që nuk mund të shpjegohet me saktësi.
Arsyetimi se çivitjoti shkruan çivitjotisht e pra arbërisht e pra shqip, nuk na shpjegon asgjë: a ka çivitjotra të tjerë që kanë shkruar ose shkruajnë çivitjotisht apo arbërisht? Revista Katundi Ynë është prova e qartë si drita e diellit. Ndonjë arbëresh ziliqar tha edhe se unë shkruaj gollettisht!!!
Kultura arbëreshe e Çivtit ka qenë çdoherë vetëm gojore. E, a ka edhe shumë arbëreshë të tjerë që shkruajnë sot arbërisht? Unë njoh vetëm përjashtime të rralla me ndonjë poezi e ndonjë prozë të shkurtër.
Mandej realiteti na thotë se unë dal nga rregulla, e se, për karakterin tim, unë dal rregullisht nga rregulla. Domethënë unë jam njeri që shkon shpeshherë kundër rrymës, por një njeri i cili mëson nga të tjerët, natyrisht jo në një mënyrë të verbër, sepse unë kërkoj të bëhem sa më parë autonom dhe i pavarur e të shkoj përpara, nëse situata këtë e lejon.
Shumë me rëndësi është për qytetarin e Botës të dish se sot Bota është çështje amerikane e se globalizimi është vetëm fjalë shumë e bukur e do të thotë në fund të fundit amerikanizim. Por amerikanizimi nuk duhet të jetë amerdikanizim. Epërsia e sotme amerikane në ekonomi, në kulturë, në politikë etj. nuk duhet mohuar në asnjë rast, por qytetari ynë i Botës duhet ta shpëtojë identitetin e vet. Nënshtrimi e përulja pa kushte në çdo fushë të kulturës e praktikisht të jetës janë çdoherë dukuri negative e gabime të rënda.
Vetëkuptohet, ruajtja e identitetit kulturor, kombëtar etj. nuk është në asnjë rast antiamerikanizëm: qytetari i Botës nuk njeh asnjë anti-, nuk njeh asnjë urrejtje, asnjë armiqësi, meqenëse është individ epror moralisht e kulturorisht e beson se pak nga pak pacifizmi i vërtetë duhet mbajtur si synim i arritshëm.
Sot, edhe kjo vetëkuptohet, shumë shtete ende nuk e duan fare demokracinë: ata që komandojnë gëzojnë privilegje të shumta e, përveç kësaj, janë të bindur se njeriu normal nuk është e nuk duhet të bëhet i emancipuar.
Mirëpo, kjo nuk është e gjitha. Qytetari i Botës nuk është shumë optimist e di se përparimi teknik nuk na garanton fare mirëvajtjen e përgjithshme të njerëzvet, nëse shumica e njerëzvet nuk janë vërtet të zgjuar. Për këtë arsye unë shkruaj me çiltëri atë që mua përvoja ime personale më ka mësuar e më mëson ditë për ditë.
Epërsia e Amerikës do të rritet e rëndësia e Evropës perëndimore do të zvogëlohet për një arsye demografike të njohur: popullsia e Amerikës rritet numerikisht në një mënyrë pothuaj të pabesueshme. E, njëkohësisht, rritet e rritet fuqia politike e ndërmarrjevet ekonomike amerikane, e këto vendosin në të vërtetë politikën, ashtu siç na e shpjegoi Karl Marksi shumë e shumë kohë më parë.
Shtetet e tjera të mëdha, si Rusia, Kina, Indonezia, Brazili, nuk janë ende në gjendje të organizojnë racionalisht e me përfitim ekonominë e tyre, sepse klasat sunduese të këtyre shteteve sundojnë e sundojnë e nuk duan të dinë gjë tjetër, veçse mirëqënien e tyre të sotme, e shfrytëzimi i njeriut më të dobët vlen si parim absolut i jetës.
Evropiani perëndimor i zgjuar duhet të organizojë sa më parë ekonomi e jetë kështu që ai mund të bashkëpunojë me Amerikën, duke përmendur se edhe shteti më i fortë ekonomikisht e ushtarakisht ka çdoherë nevojë për miq në të gjitha anët e Botës.
Shqiptari duhet të zgjohet, - më në fund! - e Shqipëria duhet të organizohet sa më parë si shtet modern e përparimtar, duke u çballkanizuar (absit iniuria verbo!) përfundimisht e duke kuptuar se administrimi shtetëror nuk mbështetet në mashtrim, por në ligje të drejta, të cilat vlejnë për çdo anëtar të shoqërisë.

***
E këtej del se intelektuali nuk duhet të bëhet vegël propagande në favor të qeverisë në fuqi, por duhet të jetë i lirë e i pavarur, e qeverinë ai duhet ta lavdërojë, nëse ajo këtë e meriton, e ta kritikojë atë në rastin e kundërt.
Me fjalë të qarta, intelektuali që bëhet vullnetarisht skllav i verbër i një qeverie, e cila pa dallim diskriminon, përndjek, burgos e vret qytetarë duke vënë urrejtjen në plan të parë të politikës, dënohet vetë e neve na vjen keq për të.

 


Heidelberg, 15-20 shtator 2000