GABRIELA MELINESCU: Terr prej drite jam

p o e z i 

Eseiste, poete, prozatore e shprehjes rumune, franceze dhe suedeze (Bukuresht, 16 gusht 1942- Stockholm, 15 tetor 2024). Pas mbarimit të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Bukureshtit, punoi në revistat e njohura Femeia (Gruaja) dhe Luceafărul (Ylli i Dritës). Njihet si frymëzuesja e mjaft poezive të Nicita Stănescu-t (1933-1983), me të cilin pati një lidhje kohëgjatë dashurie. U vendos në Suedi në vitin 1975, pas martesës me botuesin belg René Coeckelberghs. Deri në atë vit shkroi e botoi vëllimet Ceremoni dimri, Qënie abstrakte, Brenda Ligjit, Një sëmundje me prejardhje hyjnore, Betim varfërie, nderi e nënshtrimi, Mërmëritja e botës, Kundër të dashurit, si dhe dy libra në prozë. Pas vitit 1989, botoi rumanisht Ditar suedez në disa vëllime – vegimtar jo vetëm për jetën letrare europiane, por edhe për shumëgjuhësinë e shkrimtarëve, përkushtimin, vuajtjet krijuese. Në gjuhën suedeze, në të cilën filloi të shkruajë pak kohë pas mërgimit, shkroi e botoi librat: Dera e ndaluar, Zoti pjellor, Babai i gënjeshtrës, Fëmijët e durimit, Ujqit ngjiten në qiell, Mbretëresha e rrugës, Njeriu-zog, Dritë drejt dritës, Ndërrimi i pendëve, Në shtëpi në një vend të huaj, Nëna si Zot, Mbi shpinën e zogut të artë etj. Përktheu rumanisht vepra nga Emanuel Swedenborg, August Strindberg, Stig Dagerman, Gunnar Ekelöf, Kjell Espmark, Brigitta Trotzig dhe Goran Sonnevi. Krijimtaria e Gabriela Melinescu-t është vlerësuar me disa çmime letrare të rëndësishme.

 

Ende është natë

(Încă e noapte)

 

Ende është natë dhe mendoj në terr

për ditën e parë të botës

Në fillim ishte drita

dhe drita ishte errësirë

e ngrohta qe e ftohtë

dhe e ftohta absolute qe e ngrohtë.

Terri u bë lëndor

kapur në trajta të çuditshme

Këta dy sy të rritur në kokë

ndjejnë atë që ndjen Toka

kur mbi të rritet gjelbërimi.

Terr drite jam

dhe mbi kodrat e kurmit tim

lindet mëngjesi.

 

 

Me shkrue

(A scrie)

 

Kur shkruajmë duhet

të ruajmë largësinë

ndaj asaj që ka ndodhur

në fjalë.

Si atëhere kur

shpëton dikë

nga mbytja:

Duhet ta mbash

shtrënguar

por jo fort afër vetes

që mos të tërheqë

edhe ty me veten

në thellësi

 

 

Shtëpia prej tymi

(Casa de fum)

 

Qeramidhet e shtëpisë sonë janë prej tymi.

Shihet një flaut i pezulluar.

Shtrati këndon vetmitar.

Tri herë qofsh i lavduar o tym

për ty di se është një majë për t’u ngjitur

Asgjëja shkëlqen mes shtëpisë

Mbaj në gojë një diamant

Mes sendesh të gjalla këndoj psallme

me hap marramendës prifti të lashtë.

Askush s’mund ta ndalë proçesionin

E njerëzve të shndërruar në zëmbakë

Shihet shtëpia jonë prej tymi

dhe gjithë ata që kanë këmbë, flatra e rrënjë.

 

 

I vdekuri për vizitë

(Cel mort în vizită)

 

Natë me hënë.

Dikush lutet në shtëpinë mbi mua.

Jam veshur me fustanin e bardhë vezullues

rilexoj poemën e Thomas Hardy-t

She at his funeral

Befas fanitet për mua

zëvendësi i zogjve dhe thotë:

Mos ji e trishtuar. Jam me ty.

Ndajmë bukë e verë.

Pastaj gjithë natën

lexon me zërin e tij të dashur vargje

shkruar

në botën tjetër.

Ai dëshiron menjëherë

të presë bezen e Hënës

dhe të bëjë prej saj dy këmishë

me të cilat të veshë

dy shpirtrat tanë binjakë.

 

 

Ushtrim

(Exerciţiu)

 

Vizatoja si kaherë

me të zezë Kine.

Një diell të zi

fanitur në melodinë e një

gjuhe të huaj.

Në rrethin e diellit

mbështillet toka –

jemi posht’e lart

e sërish poshtë

me shpresën të mbërrijmë

gjallë në liman

kur vijat do të nxjerrin

prej nesh

muzikën tonë të përditshme.

 

 

Habeas corpus

 

Atëbotë mos njohësh veten

mos e thërrasësh kurrë emrin tënd…

Kur lëkura të tkurret nga dhembja

braktise në një cep të shtëpisë

lehtësisht e bymyer nga një ajër i njohur do të mbetet.

Një njeri prej ajri do të shfaqet në botën tonë

Dhe mishin mirëkuptues lëre atëhere

në dorën e qetësisë. E shko

rëndë peshojnë kockat në shpirt

braktisi ku ke kaluar

dhe i lirë

prano jetën tënde.

 

 

Matrimonio segreto

 

Muskujt e botës trandur nga një gëzim i fshehtë

Portat e kujtesës hapen. E çliruar nga rëndesa e jetës.

Një dashnor me shumë krahë më mbështolli

Palma ime më foli.

Me një shije më të lartë në gojë

Heq dorë nga gazmendi i shqisave.

Pi ujë nga gishtat e mi

Marr frymë në të gjelbrën e tij

Të dy kemi notuar nga nëntoka drejt dashurisë.

O tani, o kurrë, thotë ai

Dhe unë e kërkoj për burrë në gjuhën e të vdekurve.

 

Prill

(Aprilie)

Ec lehtas, shkon që mos të prek

Veshjet mbi trup prej helmi nderë.

Tunika të ngrohta mbrétërish

Në një piramidë gjetur kaherë

 

Unë pres gjersa të lindet një gjallesë

Pa dëshpërim ta shoh të rritur

Do vuaj e duroj ftohmën që hedh

Gjysma e dimrit duke shkitur

 

Dhe fshehtas e me tmerr kurmin do shoh

Nëse lëkura vrik ka lulëzuar

Do mbaj ngjitur pas gjakut vetëm veshjet

Në të cilat kam dashuruar.

 

Paraqitja, përzgjedhja dhe shqipërimi nga rumanishtja: A.-Ch. Kyçyku