ION D. SIRBU: Gazeta e një gazetari pa gazetë

(1919-1989) - Bir minatori, luftëtar në frontin e lindjes, student i shkëlqyer në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Kluzh, asistent i Luçian Blagës në Katedrën e Filozofisë, Ion D. Sîrbu është një nga majat e mendimit rumun dhe evropian. Mënjanohet nga jeta kulturore në vitet ’50 ‘për orientime idealiste’ dhe caktohet mësues në qytetin Baia de Areș. Më pas punon si mësues gjimnazi. Më 16 shtator 1957 arrestohet nën akuzën ‘mosbërje denoncimi’ dhe mbyllet 6 vjet në burg. Pas lirimit i ndalohet botimi dhe internohet në Petrila, ku punon si vagonashtyrës në minierë. Më vonë punon në Teatrin e Valea Jiului (i cili sot i mban emrin) dhe punon për nëntë vjet me radhë si sekretar letrar i Teatrit Kombëtar të Krajovës. Është autor i shumë vëllimeve me prozë, me drama (të cilat janë luajtur në shumë vende të botës), i disa romaneve, ndër të cilët më i njohuri është “Ujku dhe katedralja” (Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë më 1982 dhe post mortem 1993), si dhe i një ditari të jashtëzakonshëm, nga i cili po japim disa copëza.


Gazeta e një gazetari pa gazetë

Fragmente

“… historia e vërtetë e shekullit tonë nuk do të mund të shkruhet ndonjëherë: llava e dokumenteve dhe kundërdokumenteve do të bëjë të mundur që ky shekull, më tragjiku në histori, të shkëputet nga vargu. (Një perandor kinez duket të ketë thënë: ‘mjafton të shkatërrosh një shekull, që të bjerret tërë vargu i kohës’)”.


“Nëse do të shkruash ndonjëherë, më thotë Limpi. Ndonjë roman fantastiko-shkencor, të shtjellosh këtë temë: në një qytetërim tejet të përparuar, vihet re befas se Gjuha (e cila është një energji e barabartë me rëndesën, elektricitetin, madje më shumë,një entitet i njëjtë me atomin dhe qelizën organike) është sëmurur për vdekje. Është ngopur me njerëzit dhe me botën, dhe hiqet mënjanë. Shfaqen fillimisht gagaçët, gjithnjë e më të shumtë - pastaj zbehen shkrimet, bjerret teksti i këngëve, ngrijnë gojtarët në tribuna etj. Nocionet, si ca guacka të zbrazta, thërrmohen dhe treten në tokë. Për njëfarë kohe njerëzit do të përdorin gjuhën e shurdhmemecëve, pastaj shenjat e të folmes onomatopeike, pastaj…”

“Pikëpamja është mendimi dhe besimi i një skllavi të kujdesshëm. Vetëm një skllav mund të ketë pikëpamje (e cila s’është as besim e as bindje), të cilën, në rast nevoje, mund ta tërheqë a mohojë me argumente, ose me ndihmën e dialektikës. Folja-mëmë ‘pareo’ ka edhe kuptimin ‘me mbrojtë’, ‘me u shfaqë’, por edhe ‘me u nënshtrue’, ‘me qenë i varur’, ‘me u robërue’: nulla fuit civitas quin Caesari pareret - s’pat qytezë që të mos ishte nën sundimin e Cezarit”.

“Në këtë Isarllëkun tonë, më thotë kolegu Sommer, nuk ka as bindje, as besime apo pikëpamje të patundshme; sikurse metabolizmi, bindjet ndrrohen njëheresh me orët e ditënatës: në mëngjes qytetarët janë ateistë dhe materialistë, shkojnë nëpër uzina e fabrika duke marshuar, mirpo aty nga dreka nisin të dyshojnë për gjithçka e për të gjithë; në mbrëmje falen, bëhen besimtarë të mirë, kurse natën kthehen dhe ëndërrojnë në mitologjinë skllavëruese të maktheve dhe paradokseve të pavetëdijshme, që janë pasoja të shartimit tonë latino-greko-judeo-krishtero-sllavo-fanarioto-bonzhuristo-ballkanas.
Gjëja më munduese, - por edhe llahtarisëse, si armë mbrojtëse, si përshtatje me kushtet e dyfytyrësisë së detyruar, - qëndron në faktin se as që ke kohë t’i kundërshtosh për ndonjë gjë, sepse tashmë kanë kaluar në anën tënde”.

“Olimpia dixit: ‘Turpi më i madh i kulturës perëndimore më duket se është ky: nuk ka qenë në gjendje të krijojë utopinë e saj, prandaj e importon nga Lindja, duke e paguar me grurë, gjalpë, teknikë të përparuar dhe budallallëk optimist”.

“Duartrokitjet, thotë Lorentz-i, mund të vrasin një krokodil, por në rastin e njeriut nuk arrijnë veçse të rritin quantum-in e acidit linoleik, i vetmi sekrecion që mund ta shndrojë furinë në paranojë dhe paranojën në furi…”

“Kulla e Babelit ‘u shpërthye’ në 3.000 gjuhë e fara: tani po kaq gjuhë e fara e ringrenë për t’u ribashkuar në asgjë”.

“Egjipti shpiku shpirtin. Duke u përpjekur ta bëjnë të pavdekshëm, Grekët shpikën Frymën, pikërisht se e dinin sa të vdekshëm ishin. Romakët shpikën Historinë, sepse, duke qenë të vdekshëm, donin të mbeteshin të pavdekshëm. Olimpia, - me të cilën kam vajtur në varrimin e një shoku të zyrës së saj, - thotë (dhe më tregon): “Shikoji ata që ecin pas të ndjerit. Ata të rreshtave të para qajnë, ata të rreshtave të dyta kuvendojnë, kurse ata të rreshtave të fundit qeshin, zbaviten…”

“Ajo që shihet, ndjehet dhe parandjehet, është vetëm simptoma: sëmundja e vërtetë është e fshehur, kriptike, më e thellë dhe më e rëndë nga sa arrijmë të kapim ne me mendjen tonë të kufizuar. Plaku, - i cili është i bindur se Bota është e dënuar përfundimisht me humbje (jo me vdekje, por me humbje), - dje, tek rrekesha t’i thoja se ‘është e pamundur, Zoti ka një plan për ne, përndryshe nuk na bënte kështu siç jemi’, m’u përgjigj me një epërsi sokratike: ‘Por mundet edhe që për Zotin miza të jetë më e rëndësishme se Njeriu!”

“… ne nuk kemi më nevojë për të Vërtetën, por Materja ka. Ne mund të mashtrohemi, materja nuk mund të sqarohet nga ana politike. Ajo nuk ka nivel, nuk lexon gazeta, është reaksionare dhe konservatore. Tani vetëm ajo e ka fjalën”.

“Çdo dogmë bëhet, me kalimin e kohës, e etur për gjak, duke frymëzuar frikën dhe duke u ushqyer me djersën e ‘të shpëtuarve’”.

“Jezusi, më thotë Olimpia, nuk ka folur asnjëherë për Ferrin. Sepse nuk ka qenë i martuar. Ferri do të ishte, kësisoj, tre llojesh:
1.     Kur martohesh, me dashuri, me një grua të keqe;
2.     Kur martohesh, po me dashuri, me një ide të mirë;
3.     Kur nuk mund të ndahesh as nga njëra, as nga tjetra”.

“Pra, Gënjeshtra nuk është e kundërta e së Vërtetës; është vetëm mënyra më e lirë për të fshehur një dështim”.

“… çdo mut i thatë, - thosh Blaga në çastet e tij të rralla me humor, - ka të drejtën të shkruajë kujtimet e veta prej trëndafili”.

“Perandoritë në shkatërrim e sipër, sipas kinezëve, shfaqin këto shenja të sigurta:
- kanë shumë ligje;
- këta ligje përplasen kokë më kokë;
- këto koka janë pa kokë;
- por koka s’bën gjë tjetër veç nxjerrjes së ligjeve;
- me të cilat të mbrohet koka;
- nga aq shumë ligje;
- që përplasen kokë më kokë;
- dhe e detyrojnë kësisoj kokën të nxjerrë një ligj tjetër;
- kundër atyre që shtojnë ligjet;
- etj”.

“Në gjumë, në lutje, në çastet e mia të makthit dhe në muajt e anktheve të kota, gjaku im i pastër kthehet mbrapsht tek prindërit”.

“Jam kaq i vetmuar, kaq larg njerëzve dhe i mbyllur bote, saqë nuk do të përjashtohej mundësia që gjithë çka ëndërroj e mendoj të jetë aq e rreme sa të jetë vetë e vërteta e vërtetë”