PAUL GOMA: Në fatkeqësinë time jam i lumtur

Fragmente nga intervista dhënë Radu Negrescu-Sucut, 
Paris, 14 dhjetor 1999

“Unë, në fatkeqësinë time, jam i lumtur: jam shkrimtar dhe nuk jam i lidhur pas tokës. Unë banoj në Gjuhën Rumune, e cila për mua nuk është instrument, diçka që mund ta ndrroj si këmishën, por është lëkura, lëkura që nuk mund ta ndrrosh: rri në të dhe, po ta morën, ti vdes! Pra unë rri në Paris, ku nuk ndjehem i çatdhesuar sepse atdheu im është Gjuha Rumune. Mërgimi as që ka depërtuar tek unë, sepse depërtimi është një veprim kundër një trupi i cili i bën sadopak qëndresë”.


“Kundërshtuesi, me aktin e vet kundërvënës, braktis guvën ideologjike ku jetonte bashkë me të tjerët, të cilët mbeten aty duke u kënaqur njëfarësoj me gjendjen dhe sigurojnë, ruajnë privilegjin e fituar nga ikja e kundërshtuesit...”.

“Të drejtat e Njeriut, nga njëra anë ishin edhe të drejtat e shkrimtarit dhe, nga ana tjetër pikërisht shkrimtarët duhej të ishin të parët e bashkësisë që kishin detyrë t’i mbronin ato”.

“Në Rumani nuk kam mbajtur etiketën e disidentit dhe as që e kam zënë në gojë, ndërsa në Francë, me të mbërritur, kam bërë deklarata të shkoqura: nuk e quaj veten “disident”, ca më pak “opozitar”. Por, duke lënë mënjanë konotacionet, pyes veten dhe të tjerët: çfarë do të ishte më e moralshme: të ndërmarrësh veprime kundër së keqes, gënjeshtrës, krimit, domethënë të shfaqësh kundërshtimin, duke rrezikuar madje të quhesh disident, apo të zvarritesh barkas, t’i pranosh të gjitha, madje të bëhesh edhe bashkëfajtor, teksa vetmeveti (mesveti) të mburresh se qënke... opozitar”?

“Me kalimin e kohës njerëzit dolën prej shpellave, gërmuan kasolle, ngritën shtëpi, madje shtëpi-mbi-shtëpi, por gjithsesi me mendësi shpellaku mbetën. Kjo mund të përmblidhej: individi që ik nga bashkësia, quhet i ikur edhe po qe se rikthehet; cilësohet “tradhtar” i huaj dhe s’ka më vend në shpellën e lindjes. Shpella në fjalë është vendi ku nuk mund të depërtojë më asnjë i huajsuar! ‘Ne jemi të këtushmit, ne jemi më të zotët, më piçkëdhitë, të mençur qyshse dolëm nga barku i nënës, s’duam të na vijnë të tjerë, nga vise të tjera, të na mësojnë ç’duhet të bëjmë e sidomos... ç’duhej bërë’”.


“Ai që ngutet të falë një fajtor, është - diçka e vërtetuar kjo - i dyshimtë. Për ç’arsye viktima këmbëngul ta shfajësojë xhelatin e vet? Mos vallë ngaqë viktima ka, edhe ajo, diçka në ndërgjegje”?