MIHAI EMINESCU: Shkuma e ujit nuk e dëgjon oshëtimën e ujit që e mbart


“E vërteta është ar!” Pas arit bredhin të gjithë, nga e vërteta ia mbathin të gjithë.

Vetëm ai që s’është i denjë për vdekjen ka frikë prej saj.

Dashuria nuk zgjedh, por mbledh. Është diçka krejtësisht elementare, si etja apo uria.

Lumturia dhe budallallëku nuk janë të njëjta vetëm për një arsye: se jo të gjithë të metët janë të lumtur.


Zoti nuk është në qiell, nuk është në tokë. Zoti është në zemrën tonë.

Shkuma e ujit nuk e dëgjon oshëtimën e ujit që e mbart.

Muzika është udhë: çon në qiell.

Ndaj çdo armiqësie gjenden ilaçe, kundër smirës - jo.

Secilit i është dhënë nga natyra përmasa e mendjes që do të ketë. Edukata mund të zhvillojë fuqitë mendore që tashmë ekzistojnë, por nuk mund të shtojë ato që s’janë.

Nuk ka njerëz më të ngurtë e më të vrazhdë se sa ata që merren vazhdimisht me pafatësinë e tyre.

Patriotizmi nuk është dashuri ndaj tokës, por ndaj së shkuarës. Pa kult ndaj së shkuarës nuk ka dashuri për atdheun.

Njerëzit ndahen në dy lloje: disa kërkojnë e s’gjejnë, të tjerët gjejnë e s’kënaqen.

Kozmopolitizmi nuk ekziston përveçse si pafytyrësi.

Tek ne besohet se është më i aftë ai që di shumë, kurse, në fakt, kryesore është të dish pak dhe mirë, e ky pak të jetë i zgjedhur.

Të ruhemi nga shpërfillja si nga e keqja më e madhe, sidomos në çështjet e mësimit dhe të kombit, sepse asgjë nuk vret më fort një popull se sa shpërfillja ndaj institucioneve të veta.


Zoti i gjenisë më thithi nga populli siç thith dielli një re të artë nga një det hidhërimi.

Zgjodhi e shqipëroi A.-Ch. Kyçyku