Flet Dr. Kurt Gostentschnigg (1965) albanolog, përkthyes, ligjërues në Universitetin e Graz-it, autor i një sërë punimesh dhe i doktoraturës për shqiptarët dhe albanologjinë, njohës i mirë i shqipes dhe i shqiptarëve*.
Arif Kutleshi: Zoti
doktor Gostentschnigg, ju fillimisht keni studiuar histori në Universitetin e
Gracit. Si u bë që të interesoheni për albanologjinë?
Kurt Gostentschnigg: Gjatë
studimeve të mia të Diplomës për degën e historisë kam ndjekur dy leksione, një
për historinë e Shqipërisë si dhe një për fiset shqiptare dhe kanunin e tyre.
Më ka tërhequr dhe zgjodha temën për punën time të diplomës në lidhje me
albanologjinë austro-hungareze. Doktorata ka qenë vazhdimi, zgjerimi dhe
thellimi i kësaj teme në drejtim të marrëdhënieve midis shkencës dhe politikës.
Universiteti i Gracit, dihet tashmë, vazhdimisht
ka qenë një vatër e albanologëve gjermanishtfolës. Këtu dhanë mësim e u morën
me hulumtime albanologjike disa emra të njohur, apo jo?
Po, si për she,mbull
gjuhëtarët Hugo Schuchardt dhe Gustav Meyer - ky i fundit krahas Norbert
Jokl-it, Milan von Šufflay-it, Franz Baron Nopcsa-s dhe Maximilian Lambertz-it
një nga kolosët e Albanologjisë -, arkeologu Arnold Schober dhe gjeografi Franz
Seiner, i cili ishte organizatori dhe përgjegjësi shkencor për rregjistrimin e
parë të popullsisë shqiptare në vitin 1918 gjatë administratës ushtarake
austro-hungareze në Shqipëri.
Këtu, gjithashtu, para Luftës së Dytë Botërore
i mbaruan studimet edhe disa nga emrat më eminentë të gjuhësisë, të historisë e
të letërsisë shqiptare, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Lasgush Poradeci, Krist
Maloki…?
- Po. Unë
kam përkthyer që para pesë vjetësh librin e Uran Asllanit mbi më shumë sesa 350
shqiptarë dhe shqiptare nga të gjitha vendbanimet shqiptare në Shqipëri,
Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, të cilët kanë studiuar në Austri deri
në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe të cilët pas kthimit të tyre në atdhe
kanë kontribuuar në të gjitha fushat e jetës në ndërtimin e shtetit shqiptar
dhe në zhvillimin e atdheut. Studentët dhe intelektualët shqiptarë në Grac,
ndër aktivitetet e tyre të tjera kulturore, kanë botuar në vitin 1922 revistën
“Minerva”. Gjithçka mbi veprimtarinë e shumëllojshme të studentëve shqiptarë në
Austri mund të lexohet në librin e zotit Uran Asllani “Studentët Shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e
tyre. Tiranë: 2000“ dhe së
shpejti, shpresoj, edhe në gjermanisht, pasi të jetë botuar përkthimi im.
Kontakti i
parë me gjuhën shqipe, vështirësitë e para me të cilat ndeshet i huaji kur
fillon ta mësojë shqipen...
- E kam dëgjuar gjuhën
shqipe për herë të parë gjatë ekskursionit të Institutit të Historisë së
Evropës Juglindore të Universitetit të Gracit në Shqipëri dhe Kosovë në vitin
1989 dhe kam rënë që në çastin e parë në dashuri me këtë gjuhë të mrekullueshme,
e cila deri më sot ka mbetur e dashura ime. Në verë të vitit 1990 kam filluar
të mësoja gjuhën shqipe në mënyrë autodidakte pa pasur mundësi të pyesja dikë
për paqartësitë e metodës. Vështirësitë nuk i kam ndierë si të tilla, sepse kur
je i dashuruar, je njëkohësisht i verbër për tekat e së dashurës.
Sa ndërveprojnë këto dy gjuhë mesveti dhe ku,
sipas jush, më shumë?
- Shqipja dhe
gjermanishtja nuk kanë dhe shumë gjëra të përbashkëta përveç një pjese të
fjalorit, sidomos nga fusha e fjalëve të huaja. Shqipja është, siç dihet, një
gjuhë më vete brenda familjes së gjuhëve indoevropiane (e degës Satem), dhe nga
ana gramatikore dhe sintaktore ajo qëndron më afër gjuhëve romane si
italishtja, frëngjishtja dhe spanishtja, gjë që shpjegohet me ndikimin
disaqindvjeçar të latinishtes në kohën romake në territoret e fiseve ilire, të
cilat janë me shumë probabilitet paraardhësit e shqiptarëve të sotëm,
megjithëse kjo tezë nuk mund të vërtetohet ende plotësisht në bazë të të gjitha
të dhënave shkencore të deritanishme. Vetë një nga albanologët më të shquar
shqiptarë, Eqrem Çabej, e ka pohuar këtë fakt në vitin 1976 në “Studime
Gjuhësore III” (botuar në Prishtinë), faqe 36, duke konkluduar, se mundësitë e një sqarimi në të ardhmen lidhen me
mundësitë e pasurimit të materialit, po edhe me përmirësimin e metodës së
punës.
Teza e disertacionit tuaj ka një titull
interesant: “Albanologjia austro-hungareze”. Deri tani është folur e shkruar
për një politikë austro-hungareze kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve, por jo
për një “albanologji austro-hungareze”. Mendoj se është me interes për lexuesit
shqiptarë të na thoni diçka më shumë e më gjërë për këtë.
- Në monarkinë e
dyfishtë të Austro-Hungarisë ka pasur shumë kombe dhe kombësi. Kështu që në
albanologjinë austro-hungareze mund të përfshihen edhe pjesë të albanologjisë
gjermanofolëse, të albanologjisë hungareze, çeke, kroate etj.. Në disertacionin
tim (Kurt Gostentschnigg: Zwischen Wissenschaft und Politik. Die
österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Graz 1996. Shqip: K.
G.: Midis shkencës dhe politikës. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918.) kam hasur
problemin e kategorizimit në lidhje me disa albanologë të shquar, dhe për ta
zgjidhur problemin unë kam zhvilluar tri kritere për klasifikimin e tyre si
pjesëtarë të albanologjisë austro-hungareze:
së pari Shqipëria dhe shqiptarët duhet të jenë
në ndonjë formë pjesë e veprimtarisë shkencore; së dyti koha e veprimtarisë
duhet të bjerë të paktën pjesërisht në periudhën kohore 1867-1918; së treti
lindja në territorin e Monarkisë austro-hungareze ose përkatësia tek kombet dhe
kombësitë e saja duhet të jetë një fakt. Në rast se kriteri i tretë nuk
plotësohet, atëherë vlen ose anëtarësia në Akademinë e Shkencave të Vjenës ose
të Budapestit, ose veprimtaria si studiues dhe docent në një nga universitetet
austro-hungareze, ose veprimtaria në administratën shtetërore të
Austro-Hungarisë.
Kështu unë e kam „përvetësuar“ psh. Johann
Georg von Hahn-in, i cili ishte gjerman, për albanologjinë austro-hungareze,
sepse ai i ka shërbyer shumë vite Austro-Hungarisë si konsull në Ballkan, kohë
gjatë së cilës ai i kryente udhëtimet e tija kryesore hulumtuese në vendbanimet
shqiptare. Dmth. sipas këtij këndvështrimi Hani është edhe i albanologjisë
austro-hungareze edhe i albanologjisë gjermane. Interferenca të tilla të
ngjashme ka edhe në rastin e Franz Miklosich-it (Sloveni-Austri), Gustav
Meyer-it (Gjermani-Austri), Wilhelm Meyer-Lübke-ut (Zvicër-Austri), Maximilian
Lambertz-it (Austri-Gjermani), Ludwig von Thallóczy-it (Hungari-Austri), Josef
Konstantin Jireček-ut (Çeki-Austri), Franz Baron Nopcsa-s (Hungari-Austri),
Milan von Šufflay-it (Kroaci-Austri) etj..
Meqë ra fjala: termin „albanologji“ unë e
nënkuptoj në kuptimin e saj më të gjërë, i cili përfshin të gjitha dishiplinat
shkencore, që merren me studime mbi shqiptarët dhe vendbanimet shqiptare. Dmth.
unë nuk e përkufizoj albanologjinë vetëm në gjuhësi dhe letërsi.
Austro-Hungaria ishte monarki, një monarki e
dyfishtë, të cilën e fsheh formula “magjike” k.u. k.´ (lexo: K dhe K). Por në
qasjet e albanologëve “austro-hungarezë” ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, a
pati ndonjë formulë dhe, nëse po, atëherë cila ka qënë ajo?
- „k.u.k.“ është
shkurtimi për „kaiserlich und königlich“, dmth. për „perandorake dhe
mbretërore“, sepse perandori i Austrisë ishte edhe mbreti i Hungarisë. Nuk ka
asgjë „magjike“ në këtë mes. Po aq pak mund të flitet për ndonjë „formulë“ të
përbashkët dhe të zbatuar me konsekuencë në qasjet e albanologëve austro-hungarezë
karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve, megjithëse kishte përpjekje zyrtare
ndërministrore për të hartuar një lloj programi për penetrimin dhe ndikimin
paqësor në rrugë diplomatike, ekonomike dhe kulturore, në të cilin do të luanin
një rol edhe studimet albanologjike, por të gjitha këto përpjekje të vonuara
nuk u realizuan për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Kështu
instrumenti më i fortë për ndikim mbi shqiptarët dhe për të fituar simpatitë e
tyre mbeti i ashtuquajturi „Kultusprotektorat“ i Austro-Hungarisë mbi katolikët
e Shqipërisë së Veriut.
Dhe tani
diçka për Akademinë e Shkencave të Austro-Hungarisë dhe kërkimet e hulumtimet
shkencore “shqiptare”?
Ekspeditat hulumtuese para dhe gjatë Luftës së
Parë Botërore për në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni përkraheshin nga Akademitë
të Shkencave të Vjenës dhe të Budapestit. Para Luftës së Parë Botërore ato
përqendroheshin në radhë të parë në
studimin e situatës së bujqësisë dhe të ekonomisë pyjore, e rrjetit rrugor, e
ndërtimit të porteve, e shfrytëzimit të energjisë ujore dhe e mundësive të
tregut dhe të investimeve. Gjatë administrimit ushtarak 1916-1918, kur
imperializmi austro-hungarez në Shqipëri kishte hyrë në stadin e saj formal
(direkt), zhvillohej një eksplorim i gjerë i vendit në të gjitha fushat e
shkencës në bashkëpunim me autoritetet ushtarake, ku interesat dilnin shpesh
mbi karakterin shkencor të eksplorimeve, si psh. në rastin e ekspeditës
gjeologjike, pjesëmarrësit e së cilës duhet të kërkonin linjit dhe bakër për
qëllimin e shfrytëzimit të tyre ushtarak.
Mjafton një
lexim, qoftë edhe i sipërfaqshëm, i emrave të atyre që janë marrë me
shqiptarët, për të konstatuar menjëherë se fjala është për personalitete të
shquara të kohës, siç ishte, po e zëmë, Hahn-i, të cilin ju e quani “babai i Albanologjisë”,
pastaj Meyer, Jokl, Bopp, baroni Nopcsa, Patsch, Steinmetz, Lambertz,
Thalloczy, Ippen, Haberlandt, Seiner, Praschniker, Schober etj. Lista është e
gjatë, mandej këtu hyjnë edhe të tjerë, me “rrënjë” jogjermane, siç ishin
sllovenët, danezët, çekët...
- : Përgjigjen e pjesës
së dytë të kësaj pyetjeje e kam dhënë tashmë më sipër (shih pyetjen nr. 6). Johann Georg von Hahn mund të konsiderohet si
themeluesi i të gjitha dishiplinave të albanologjisë, përveç arkeologjisë. Me
veprën e tij "Albanesische Studien" (shqip "Studime
shqiptare") ai hodhi bazat e një studimi sistematik në fushat kryesore
të shkencës për Shqipërinë dhe shqiptarët si gjuhësi, histori, etnografi dhe
gjeografi. Në këtë vijë eci edhe gjuhëtari Franz von Miklosich, "Albanische
Forschungen" ("Kërkime shqiptare") të të cilit për
leksikun përfaqësojnë një arritje të rëndësishme në zhvillimin e gjuhësisë
shqiptare. Me veprën e Gustav Meyer-it, në sasi e cilësi, mund të krahasohet
vetëm vepra e Norbert Jokl-it. "Etymologisches Wörterbuch der
albanischen Sprache" ("Fjalori etimologjik i gjuhës
shqipe") dhe "Albanesische Studien" ("Studime
shqiptare") të Meyer-it janë edhe sot e kësaj dite vepra standarde të
gjuhësisë shqiptare, edhe pse ato në pika të veçanta nuk janë më aktuale. Atij
i njihet merita e përcaktimit në menyrë të qartë e për herë të parë të shqipes
si gjuhë indoevropiane. Gjeniu i gjuhësisë ndër albanologët, në kuptimin më të
qartë, pa dyshim, ishte Norbert Jokl, vdekja e hershme e të cilit la të
pazbuluar disa thesare të gjuhësisë shqiptare. Si kryevepër e tij, e cila
megjithatë përfaqëson vetëm një prej parapunimeve të tija të shumta për veprën
e planifikuar të një etimologjie dhe gramatike shqiptare, së cilës iu kushtua
tërë jeta e tij, konsiderohet "Linguistisch-kulturhistorischen
Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen" ("Kërkime
linguistike e kulturo-historike nga fusha e shqipes"), në të cilën ai
kërkonte të bashkonte kërkimet shkencore gjuhësore me metodën e kërkimit
“Wörter und Sachen” ("fjalë dhe sende"). Njohuritë e Jokl-it akoma
edhe sot shërbejnë si burim për gjuhësinë që merret me shqipen. Maximilian
Lambertz nuk mbetet pas Jokl-it dhe Meyer-it për sa i takon prodhimtarisë, por
pikën e tij të rëndësishme e kishte në fushën e folkloristikës. Pas vdekjes së
Jokl-it ai ishte albanologu që kryesonte në hapësirën gjermanofolëse dhe që
dinte të jepte një panoramë integrale të gjuhës, letërsisë dhe kulturës
popullore. Një vend kryesues zë ai në mbledhjen dhe kërkimin e përrallave
shqiptare, për të cilën dëshmojnë "Albanische Märchen und andere Texte
der albanischen Folklore" ("Përralla shqiptare dhe tekste të
tjera të Folklorit shqiptar"). Historiani Ludwig von Thallóczy ka
mbetur në historinë e shkencës për Shqipërinë si nismëtari kryesor i të dyja veprave
bazë të historiografisë shqiptare: nga njëra anë, i përmbledhjes së burimeve
për historinë shqiptare "Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis
illustrantia" dhe, nga ana tjetër, i veprës së përbashkët "Illyrisch-albanische
Forschungen" ("Kërkime iliro-shqiptare"), ku
bashkëpunuan edhe balkanologu i njohur Josef Konstantin Jireček dhe historiani
i shquar për Shqipërinë Milan von Šufflay. Siç ishte Jokl në fushën e gjuhësisë
ashtu ishte Šufflay për historinë. Që të dy paraqesin të njëjtin gjenialitet
dhe kanë të njëjtin fat të një vdekjeje të dhunshme (Jokl u vra nga nazistët,
Šufflay nga dy policë serbë). Njohësi më i mirë i mesjetës shqiptare u nda nga
jeta në mes të punës së tij për një paraqitje të përmbledhur të historisë
shqiptare. "Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des
Mittelalters" ("Qytetet dhe kalatë të Shqipërisë kryesisht në
mesjetë") dhe "Serben und Albaner" ("Serbët
dhe shqiptarët") janë ende sot vepra të detyruara për çdo historian, i
cili studion Shqipërinë. Theodor Anton Ippen dhe Franz Baron Nopcsa u shfaqën
si të fundit "kërkues universalë", në kuptimin e Hahn-it, duke
studiuar kryesisht Shqipërinë e Veriut në pikëpamje historike, etnografike e
gjeografike. Edhe sot janë ende me rëndesi studimet e tyre mbi kanunin e
Shqipërisë së Veriut dhe organizimin e fiseve, nga të cilat janë për t'u
përmendur "Das Gewohnheitsrecht der Hochländer in Albanien" ("E
drejta zakonore e malësorëve në Shqipëri") i Ippen-it dhe "Die
Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht" ("Fiset e
malësorëve të Shqipërisë veriore dhe e drejta e tyre zakonore") i
Nopcsa-s. Studimet gjeografiko-gjeologjike e etnografike të Shqipërisë së
Veriut të Nopcsa-s, "Geographie und Geologie Nordalbaniens" ("Gjeografia
e Gjeologjia e Shqipërisë së Veriut") dhe "Albanien. Trachten,
Bauten und Geräte Nordalbaniens" ("Shqipëria. Kostumet,
ndërtimet dhe veglat e Shqipërisë veriore"), mund t'i shërbejnë si
bazë madje edhe shkencës së sotme. Si vepra themelore të etnografisë për
Shqipërinë mbahen "Kulturwissenschaftliche Beiträge zur Volkskunde von
Montenegro, Albanien und Serbien" ("Kontributet
kulturo-shkencore për Etnografinë e Malit të Zi, të Shqipërisë dhe të
Serbisë") e Arthur Haberlandt-it dhe botimi i të parit regjistrim të
popullsisë shqiptare, i bërë më 1918 nën drejtimin e Franz Seiner-it. Kërkimi
arkeologjik i Shqipërisë, i ndërmarrë vetëm në kapërcim të shekullit nga Karl
Patsch, Camillo Praschniker dhe Arnold Schober, ka hyrë në historinë e fushës
së vetë nëpërmjet zbulimit të vendeve antike në zonën bregdetare shqiptare, më
i njohuri ndër të cilat është padyshim Apollonia. Rezultatet e gërmimeve janë
dokumentuar në "Archäologische Forschungen in Albanien und
Montenegro" ("Kërkimet arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të
Zi").
Lexuesi i
sotëm shqiptar nuk ka se si të mos ngazëllehet kur merr në dorë libra të
mrekullueshme të këtyre korifejve të albanologjisë, të shkruara shumica para
një shekulli a më herët, por, në të njëjtën kohë, vetvetiu i lind pyetja,
ndoshta paradoksale, por e logjikshme nga këndvështrimi i sotëm: Përse kaq
shumë? A ishim ne shqiparët atëherë tjetërfare nga ç’jemi tani, në kohët
moderne?
- Kjo kishte të bënte me
zhvillimin e përgjithshëm të atëhershëm të shkencave dhe me faktin, se në
fillim të një fushe shkencore, siç ishte albanologjia ose studimet shqiptare,
gjithmonë prodhimtaria e studiuesve është më e madhja, sepse ka një boshllëk të
gjithanshëm për t’u mbushur. Pas hedhjes së themeleve zhvillimi i një shkence
ecën me ritme më të ngadalta.
Pastaj nuk duhet harruar fakti, se një motiv
kryesor për studimet shkencore është edhe politika, dhe interesat politike të
Austro-Hungarisë atëherë për shkak të arsyeve gjeopolitike dhe të
kultusprotektoratit mbi popullsinë katolike në Shqipërinë e Veriut ishin më të
forta sesa sot ato të Austrisë në rajonin shqiptar.
Megjithatë,
me sa duket, në fokus të vëzhgimeve të përhershme ka qënë kryesisht Veriu, apo
jo?
- : Po.
Ç´pati këtu
në Shkodër e në krejt Veriun kaq “joshëse” për të huajt? Kaq “ekzotike”? Cila
qe ajo forcë “magnetike”, që i tërhoqi kaq shumë? Vështirë të besohet që një
Ippen, Patsch, a një Nopcsa, merrnin udhën e shkrepave shqiptare vetëm për të
provuar vlerat morale të shqiptarëve, ose për të takuar “fëmijët e rritur e të
armatosur të Evropës”(Nopcsa).
- :
Interesat gjeopolitike të Austro-Hungarisë përfshinin gjithë territorin
shqiptar, por mundësia e ndikimit në popull ishte më e madhe në Veriun e
Shqipërisë për shkak të kultusprotektoratit të saj mbi katolikët shqiptarë në
këtë zonë. Në lidhje me këtë temë kam botuar një artikull me titullin „Protektorati i Kultit austro-hungarez mbi
popullsinë katolike të Shqipërisë së Veriut“ në revistën historike shkodrane „Phoenix 15-16 (2000/1-2)“ dhe
kam mbajtur gjithashtu një kumtesë me titullin „Kontributi i Austrisë
(Austro-Hungarisë) për Shqipërinë e Veriut në fushën e arsimit“ në
konferencën shkencore „Shkodra në shekuj“ në vitin 2002 në Shkodër. Botimi i
kësaj kumtese është ende në përgatitje e sipër.
Meqë ra fjala, të gjitha kumtesat e mia në
Shqipëri që nga viti 1993 i kam mbajtur gjithnjë në shqip dhe prandaj ato
botohen gjithashtu në shqip.
E
parashtrova pyetjen e lartpërmendur sepse kam parasysh jo vetëm udhëpërshkrimet
e studimet etnografike, por edhe skicat, projektet, hartat, madje që nga koha e
Ilirisë (Thalloczy) e deri te hartat interesante etno-demografike të Seiner-it?
- Hartografia lidhet
ngushtë me topografinë dhe gjeografinë e një vendi. Pastaj regjistrimi i parë i
popullsisë shqiptare u bë më 1918 nga Franc Seineri në zonat e administratës
ushtarake austro-hungareze, gjatë të cilit përpiloheshin gjithashtu disa harta
për interesa ushtarake.
Po Instituti Ballkanik? Cili ishte funksioni i
tij?
- Instituti i Ballkanit, i subvencionuar nga zyrat
shtetërore dhe i themeluar më 1908 në Sarajevë, ishte qendra e studimeve
austro-hungareze për Evropën Juglindore. Një organizim i gjerë për mbledhjen e
materialeve në të gjitha zonat kërkimore, një aparat modern shkencor dhe tri
seri botimi mundësonin një mbledhje gjithëpërfshirëse materialesh dhe një
vlerësim optimal të rezultateve shkencore, të cilat përdoreshin më tej
politikisht, komercialisht dhe strategjikisht.
Protektorati
i Kultit? Edhe kjo një formulë tjetër, që, në lexim të parë, nuk sugjeron gjithaq.
A do të na e shkoqitni sadopak?
- Ndikimi politik dhe
ekonomik i Austro–Hungarisë mbi popullin shqiptar u vu në veprim me anë të
Protektoratit të Kultit, protektorat të cilin Monarkia e arriti me Paqen e
Sitvatorokut më 1615 dhe parashihte fillimisht mbrojtjen e klerit katolik në
Perandorinë Osmane. Në Paqen e Karlowatz-it, më 1699, u arrit zgjerimi i
protektoratit mbi të gjithë të krishterët nën sundimin turk. Porse vetëm me
Marrëveshjen e Beogradit, të vitit 1739, këto të drejta fituan me të vërtetë
një zbatim, në të cilin Habsburgëve iu dha një patentë e posaçme e trashëguar
më parë prej Venedikut e që kishte të bënte me mbrojtjen e të gjithë katolikëve
të Europës nën pushtimin turk. Në Paqen e Sistovit, 1791, kemi një zgjerim të këtij
privilegji, duke e lejuar Austro–Hungarisë të hapte një konsullatë në Shkodër
dhe një nënkonsullatë në Durrës. Në Kongresin e Vjenës, 1815, Monarkisë
Austriake iu dha e drejta të kishte nënkonsullata të tjera, si në Vlorë, Janinë
dhe Prevezë.
Konsulli ishte përfaqësuesi i drejtpërdrejtë i
politikës së Protektoratit të Kultit. Ndër detyrat e tij bënin pjesë veprime
humaniste, ngritja e nivelit të formimit, mbështetja e zhvillimit kombëtar dhe
ndarja e parave. Vetëm me diplomatë të tillë si August Král, Theodor Anton
Ippen dhe Alfred Rappaport, të cilët e njihnin mirë Shqipërinë dhe ishin
njëkohësisht miq të popullit shqiptar, u arrit të kryhej një punë e mirë
fillestare në vendosjen e bazave të marrëdhënieve të mira mes Monarkise
Danubiane dhe shqiptarëve.
Më 1837 edhe Selia e Shenjtë njohu më së fundi
të drejtat e Monarkisë Dualiste mbi katolikët shqiptarë. Një etapë e
rëndësishme në zhvillimin e Protektoratit të Kultit shënohet në vitin 1855 kur
u arrit Konkordati në mes të Vatikanit dhe Austrisë, i cili parashihte
mbështetjen e një "Programi Veprimi" të Ballplatz-it nga ana e
Vatikanit dhe posaçërisht veprimtarinë e Propaganda Fides. Si rezultat i këtij
Konkordati, ardhja e Jezuitëve në Shqipëri u bë një faktor përcaktues i
politkës kulturore të Austro-Hungarisë në Shqipëri. Prej 240 institucioneve
katolike të Protektoratit të Kultit në Perandorinë Osmane, 220 ishin vetëm në
Shqipëri. Hapësira e ndikimit të Austro-Hungarisë në kuadrin e protektoratit të
kultit shtrihej në Shqipëri në shtatë dioqeza katolike: Shkodër, Lezhë, Durrës,
Prizren, Sapë, Pulti-Pulati dhe Mirdita. Shkodra, si seli ipeshkvnore ishte
qendra e katoliçizmit shqiptar. Urdhërat fetarë që ekzistonin ishin të
ndryshëm: jezuitët, françeskanët, Motrat e Meshirës dhe salezianët etj.
Detyra zyrtare e Protektoratit të Kultit
qëndronte në ndërtimin dhe mbajtjen e kishave, në shkollimin e klerit si dhe
mbrojtjen e kongregatave në Shqipëri. Mjafton të përmendim këtu faktin e dhënë
nga Arqipeshkvi i Durrësit, D'Ambrosio, i cili thotë se dioqeza e tij deri nga
mesi i shekullit 19 kishte vetëm 13 kisha dhe 10 kapela, të cilat ishin drejt
shkatërrimit të plotë. Ndërsa në fund të po këtij shekulli, me ndihmën
materiale të Vjenës u ndërtuan tashmë 22 kisha, 2 oratorë dhe 23 kapela. Por
jozyrtarisht kjo ndihmë shfrytëzohej nga Ministria e Jashtme si ndikim mbi
popullsinë katolike të Shqipërisë së Veriut. Një pasqyrë të interesave të
Austro-Hungarisë në Shqipëri nga fundi i shekullit të XIX e jep politika e
subvencionit, e cila në pjesën më të madhe i shërbente Protektoratit të Kultit
për përmbushjen e detyrave "zyrtare" dhe "jozyrtare".
Pra, protektoratet, jo vetëm sot, por edhe
atëherë zbatoheshin? A mund tërhiqet një paralele?
- Sot ushtrohen të
ashtuquajtura „protektorate“ nga ana e organizatave ndërkombëtare, siç janë
OKB-ja, BE-ja, OSBE-ja etj., mbi shtete të vogla me paqëndrueshmëri politike,
ekonomike dhe shoqërore ose me konflikte ndëretnike. Kosova është një shembull
i tillë. Një paralele mund të hiqet edhe me krizën e Shqipërisë në vitin 1997.
Atëherë propozimi im në një artikull në „Südosteuropa-Hefte“ në Mynih qëndronte
në atë, se duhet të praktikohet një protektorat i ngjashëm me atë, i cili
zbatohet sot në Kosovë, megjithëse kam parasysh, se kemi të bëjmë me kontekste
të ndryshme, të cilat nuk mund t’i krahasosh. Por thelbi është i njëjtë: palat
kundërshtuese nuk arrijnë dot më një kompromis pa ndërmjetësim të një pale të
tretë dhe presenca ndihmëse dhe kontrolluese e komunitetit ndërkombëtar është e
domosdoshme për një afat të gjatë për normalizimin e situatës dhe zhvillimin
demokratik të vendit nën moton e „ndihmës për vetëndihmë“. Për shkak të
interesave të ndryshme të brendshme dhe të jashtme u vendos 1997 në Shqipëri
për një zgjidhje tjetër, pasojat e rënda të së cilës ndihen sot në të gjitha
sferat e jetës. Siç duket, politika ndërkombëtare dhe sidomos fuqitë e mëdha
preferojnë nganjëherë në bashkëpunim me pushtetarët vendas „zgjidhje të rreme“,
të cilat u shërbejnë më shumë qarqeve të fshehta financiare dhe kriminale. Për popullin
e një vendi ose për gjithë njerëzimin nuk pyesin shumë.
Dihet tashmë se në thelb të politikës
austro-hungareze ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në raportet e atëhershme
gjeopolitike të Evropës Juglindore (në kuptimin e sotëm të termit) si të thuash
kishte zënë rrënjë formula e status quo-së. Nga ana tjetër, siç mund të
vërtetohet nga faktet, për të cilat keni shkruar edhe ju, monarkia e dyfishtë
ndihmonte edhe materialisht një pjesë të mirë të projekteve e të ekspeditave
hulumtuese “shqiptare”.
- Status Quo-ja në
Ballkan konsiderohej nga qarqet politike të Evropës si mundësia më e mirë për
ruajtjen e sferave të ndikimit. Megjithatë fuqitë e mëdha përgatiteshin edhe
për rastin më të keq të rënies së Perandorisë Osmane, duke bërë pakte të
fshehta mbi ndarjen e zonave të influencës.
Për sa i përket ndihmës materiale, e cila u
është dhënë ekspeditave hulumtuese të albanologëve, duhet theksuar, se kjo gjë
kuptohet nga ana e interesave strategjike, politike dhe ekonomike të Monarkisë
së Dyfishtë në territoret shqiptare. Ndikimi mbi një popull ushtrohet me lehtë,
kur dihen „levat“, të cilat duhen lëvizur, dmth. kur njihen mendësia, kultura,
zakonet etj. të këtij populli. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur
gjithashtu një interesim vetëm shkencor të albanologëve austro-hungarezë, të
cilët ishin të varur nga subvencionet shtetërore dhe rezultatet e të cilëve
shfrytëzoheshin shpesh pa dijeninë e tyre për qëllime politike, ekonomike,
ushtarake dhe strategjike, siç është ende sot në gjithë botën.
Të gjitha këto fakte dhe tregues të
sipërpërmendur nuk lënë më dyshime, se shkenca është përdorur si instrument i
dhunës strukturore, krahas Protektoratit të Kultit dhe propagandës komerciale
për realizimin e imperializmit të fshehtë (jozyrtar, i tërthortë) ndaj
Shqipërisë e, mes kësaj, tërthorazi për t'i luftuar pansllavizmin dhe
imperializmin italian. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për ndonjë program konkret
politik për instrumentalizimin e shkencës, por të paktën për një mbështetje
zemërgjerë të albanologjisë nga ana e ministrive përgjegjëse, në menyrë që ajo
në një rast serioz - si u paraqit në Luftën e Parë Botërore - të ishte e
gatshme të vihej në dispozicion të interesave shtetërore. Ka disa shembuj
albanologësh të njohur austro-hungarezë si Hahn, Ippen, Nopcsa dhe Thallóczy,
të cilët punonin edhe për shkencën edhe për politikën e vendit të tyre.
Një sqarim të shkurtër për termin “dhunë
strukturore” (gjerm. “strukturelle Gewalt”): ky term është pjesë e teorisë
strukturore të imperializmit nga hulumtuesi i paqes dhe i konfliktit Johan
Galtung (shih “Eine strukturelle Theorie des Imperialismus. In:
Imperialismus und strukturelle Gewalt. Frankfurt a. Main 1972” dhe “Strukturelle
Gewalt. Beiträge zur Friedens- und Konfliktforschung. Reinbek bei Hamburg 1975”).
Është fjala për një dhunë indirekte nga strukturat e sistemit (shtetëror,
ekonomik etj.) ndaj një individi ose një kolektivi në dallim me dhunën direkte
nga një personi ndaj një personi tjetër. Kjo dhunë strukturore shfaqet
nëpërmjet raporteve të pabarabarta të forcave dhe shpërndarjes së pabarabartë
të resorsave, të cilat shkaktojnë shanse të pabarabarta të jetës.
Baroni
Nopcsa diku përmend faktin interesant se, kur pyeteshin se me cilin e nën cilin
shtet jetonin, malësorët shqiptarë përgjigjeshin krejt spontanisht: me kend
tjetër përveç se me mbretin, duke aluduar pra në Franz Josefin. Si u bë që mbas
vitit 1918, apo edhe më përpara, interesimi i monarkisë, përkatësisht i
Austrisë, për shqiptarët e Shqipërinë, por edhe për Veriun katolik, përndryshe,
siç thamë, të parapëlqyer, pothuajse brenda natës humbi?
- Interesimi i Austrisë
si shtet humbi, por jo ai i albanologëve austriakë si shkencëtarë individualë.
Mjafton të përmendim këtu vazhdimin e punës së Nopcsa-s, Šufflaj-it, Jokl-it,
Lambertz-it etj.. Austria e vogël si pjesë e mbetur gjermanofolëse nga
perandoria e madhe austro-hungareze ishte e zënë për shumë vjet me problemet e
veta në radhë të parë ekonomike, por edhe politike e shoqërore në kohën midis
dy Luftërave Botërore dhe për këtë arsye ajo nuk mund të ishte më një faktor
gjeopolitik në hapësirën e Evropës Juglindore, ku ajo kishte humbur të gjitha
zonat e saja të influencës nga koha e Monarkisë. Kjo natyrisht kishte efektin e
saj negativ mbi angazhimet albanologjike dhe mbështetjen e tyre financiare nga
ana shtetërore.
Të kthehemi tek teza juaj e disertacionit dhe
tek vështirësitë e ndryshme eventuale, që keni hasur gjatë punës suaj
disavjeçare.
- Nuk pata ndonjë
problem të veçantë në lidhje me punën vetë, duke mos marrë parasysh gjërësinë e
temes së disertacionit tim, e cila më është dukur shpesh sikur të mos kishte
kufij. Kolegët e mi shqiptarë në Tiranë ishin tepër të gatshëm të më ndihmonin
në çdo gjë, për të cilën kisha nevojë. Ishte koha e hapjes së Shqipërisë ndaj
botës dhe ndër të tjerët edhe intelektualët dhe shkencëtarët shqiptarë ishin të
etur pas kontakteve dhe shkëmbimeve me kolegët e tyre të huaj. Mësimdhënia me
studentët më pëlqen dhe mbaj ende sot kontakte miqësore me ish-studentët e mi
shqiptarë. Nga projekti i veçantë katërvjeçar në Fakultetin e Historisë dhe të
Filologjisë (1996-2000), të cilin e kam drejtuar duke i dhënë mësim një grupi
të vogël studentësh elitar në gjuhën gjermane dhe në lëmin e marrëdhënieve
historike shqiptaro-austriake, kanë dalë dy historiane, të cilat janë të
punësuar që nga viti 2000 në projekte të Institutit të Historisë së Evropës
Juglindore në Grac; një historiane, e cila punon që prej vitit 2000 në
Institutin e Folklorit në Tiranë; një historian, i cili po përgatitet për
mbrojtjen e doktoratës në Universitetin e Tulusit (Toulouse) në Francë dhe i
cili më merr herë pas here në telefon dhe më ka ftuar në ceremoninë e marrjes
së titullit doktor; dhe një tjetër ish-student, i cili punon sot në Nju Jork
(New York) në fushën e gastronomisë, ku njohuria e gjuhës gjermane i hyn shumë
në punë në komunikim me turistë gjermanofolës. Kur e kam vizituar me
ish-bashkëshorten time në Amerikë, ai së bashku me shokët e tij na kanë mbajtur
në pëllëmbë të dorës. Këto frytet e gjalla të punës sime vërtetojnë, se
përkushtimi im disavjeçar, shpesh në kushte jo aq të lehta në një vend të huaj
me probleme të papërshkrueshme, ia vlejti më së miri.
Vështirësitë e punës sime ishin më shumë të
faktorit të jashtëm sesa të brendshëm. Gjatë gjysmës së dytë të doktoratës sime
duhej të punoja si lektor për gjuhën gjermane dhe kulturën e hapësirës
gjermanofolëse (Austri, Gjermani, Zvicër) në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në
Universitetin e Tiranës (1993-1995). Prandaj nuk kisha mjaft kohë dhe energji
për t’u përqendruar vetëm në punën e disertacionit. Kështu u detyrova të
kthehesha për një vit në Grac për ta mbaruar disertacionin dhe për të mbrojtur
doktoratën në verën e vitit 1996. Gjatë këtij viti isha me asistencë dhe kisha
shumë probleme financiare për t’i përballuar, sepse rroga ime si lektor kishte
qenë e vogël dhe kisha për të paguar qera edhe në Grac edhe në Tiranë. Ndihesha
shpesh si i lënë në baltë edhe nga pala austriake edhe nga pala shqiptare. Dhe
kjo gjendje është fatkeqësisht ende kështu.
E vështirë sigurisht ishte koha e trazirave në
gjysmën e parë të vitit 1997 për shkak të rënies së firmave piramidale, ku kam
shkuar një herë në punë mes plumbave dhe ku jam evakuuar së bashku me të huajt
e tjerë nga karabinierët italianë në portin e Durrësit, kur kishte filluar
tashmë plaçkitje e hapur e dyqaneve në Tiranë. Lëri më aventurat e tjera, të
cilat i kam përjetuar atëherë duke shoqëruar një gazetar japonez në drejtim të
Vlorës. Dhe koha e Luftës së Kosovës me fenomenin masiv të refugjatëve ndihej
edhe në ambientin e Universitetit dhe në gjithë kryeqytetin.
Por të gjitha këto përjetime disi të rënda nuk
më ndanin dot nga të dashurat e mia Gjuha Shqipe dhe Albanologjia, në të
kundërt: pengesat dhe sakrificat vetëm e kanë thelluar dashurinë time për ato,
sepse gjuha dhe shkenca lidhen me njerëzit, të cilët më kanë hyrë në zemër.
Ju keni hulumtuar edhe në Tiranë e Shkodër. Po
në arkivin e Kosovës? Lexuesit kosovar, që do të ketë rast ta ketë në dorë këtë
disertacion, ka për t’i rënë në sy, siç ndodhi me mua, mungesa e historianëve
kosovarë dhe e burimeve të Kosovës. A keni ndonjë shpjegim për këtë? A ka
ndodhur kjo për shkak se në të gjitha hulumtimet tuaja për disertacionin, emri
Kosovë ndoshta nuk lakohet askund?
- Nëqoftëse e lexoni me
vëmendje disertacionin tim, do të vini re, se emri Kosovë lakohet në shumë
vende: tek Johann Georg von Hahn, i cili ka udhëtuar edhe në Kosovë dhe
Maqedoni; tek Milan
von Šufflay, i cili ka botuar psh. veprën standarde "Serben und Albaner" (Serbët
dhe Shqiptarët”); tek Theodor Anton Ippen, i cili ka botuar psh. "Novibazar
und Kossowo (Das alte Rascien)"; tek Maximilian Lambertz, i
cili trajton dialektet gege të Verilindjes duke përfshirë natyrisht ato të
Kosovës; tek udhëtimet hulumtuese para Luftës së Parë dhe gjatë administrimit
ushtarak 1916-1918, dhe kështu shembuj të shumtë me radhë. Si të mos përmendet
emri Kosovë në disertacionin tim, kur në lidhje me rolin e Austro-Hungarisë për
pavarësinë e Shqipërisë flitet për Lidhjen e Prizrenit dhe për kryengritjet e
Kosovës kundër Perandorisë Osmane? Ose kur flitet në një kapitull qendror për
çështjen e etnogjenezës shqiptare, në të cilën përfshihen në mënyrë të
vetëkuptueshme të gjitha vendbanimet shqiptare?
Ndërsa përfaqësimi i vogël i albanologëve kosovarë
dhe i burimeve të Kosovës ka të bëjë me faktin, që unë kisha vetëm një bursë
gjashtëmuajore në dispozicion për studimet e mia të doktoratës në Tiranë në
vitet 1992-1993, ku jam marrë me hulumtimet në Bibliotekën Kombëtare dhe në
Institute të ndryshme si ai i Historisë, i Folklorit, i Arkeologjisë etj.. Në
vjeshtë të vitit 1993 u punësova për dy vjet si lektor për gjuhën gjermane në
Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Nuk kisha as kohë as mundësi
financiare për studime disamuajore nëpër arkivat dhe bibliotekat e Kosovës ose
të Maqedonisë.
A keni ndërmend ta botoni këtë tezë si libër
më vehte, po e zëmë në gjuhën shqipe, dhe tek ndonjë botues shqiptar?
- Po. Muajt e ardhshëm
do ta përpunoj disertacionin tim dhe do ta bëj gati për botim në Grac ose në
Mynih, ose në Tiranë apo në Prishtinë. Vendi i botimit varet nga mundësia dhe
interesi i palëve të ndryshme.
Por nuk është e lehtë të gjesh një përkthyes
të mirë të degës (së historisë/së albanologjisë), i cili di të përkthejë saktë
dhe sipas kuptimit. Të korrigjosh një përkthim në imtësi është një punë
kolosale, për të cilën nuk do të kem kohë në të ardhmen e afërt, sepse kam
detyrime të tjera profesionale.
Këto dy vitet e fundit, me sa dimë, keni qënë
të angazhuar në procesin mësimor universitar në Institutin e Përkthimeve
Teorike dhe Aplikative. Bashkë me disa emra të njohur, siç janë profesorët Höflechner e Prunc, ju po përgatisni e po përcillni
një grup studentësh shqiptarë në lëmin e shkencës së përkthimit, apo jo?
- Po, është e vërtetë që
ne po përgatisim një grup studentësh shqiptarë së bashku me një student
austriak në një kurs të veçantë trisemestrash në lëmin e didaktikës së
translacionit (= shkenca e përkthimit me shkrim e me gojë), dmth. i mësojmë ata
në radhë të parë, se si jepet mësimi i përkthimit me shkrim e me gojë, dhe në
radhë të dytë, se si përkthehet me shkrim e me gojë sipas metodave të fundit të
translacionit. Ky kurs i veçantë dhe i njëhershëm do të mbarojë në fund të
prillit të këtij viti.
Bie në sy te ndjekësit e këtij Kursi
Universitar prejardhja e tyre krahinore. Jo vetëm që janë qindpërqind nga
Shqipëria, por pjesa dërrmuese nga Shkodra. A është ky fakt thjesht një
rastësi, apo përzgjedhja e tyre ka kaluar nëpër një “filter” të caktuar? E bëj
këtë pyetje sepse Universiteti i Gracit bashkëpunon ngushtë me Universitetin e
Shkodrës.
- Në fillim kishin marrë
pjesë edhe dy shqiptare të Kosovës, por ato hoqën dorë më vonë. Është e vërtetë
që shumica vjen nga Shkodra, një fakt i cili ka të bëjë patjetër me
bashkëpunimin e ngushtë midis Universiteteve të Gracit dhe të Shkodrës,
veçanërisht në lëmin e gjuhës gjermane. Pyetjen, nëse janë njoftuar apo jo
Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës në rrugë zyrtare për kursin
përkthimor shqip-gjermanisht në Grac, duhet t’ua drejtoni shefave të
Instituteve dhe Dekanit të atëhershëm të Universitetit të Gracit, sepse kjo nuk
bie në kompetencën time. Për sa i përket përzgjedhjes së kandidatëve, nuk ka
pasur ndonjë “filter” të caktuar, përkundrazi: në detyrën time të marrjes së
kandidatëve në intervistë dhe në provim me shkrim unë jam përpjekur për një
balancim të paktën brenda Shqipërisë duke njoftuar edhe Departamentin e
Gjermanistikës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës për
mundësinë e kandidimit të studentëve, por për shkak të një keqkuptimi në
komunikim me e-mail, konkursi nuk është shpallur në kohën e duhur, kështu që
sot kemi vetëm dy pjesëmarrëse nga Tirana në kurs.
Po kosovarët? Pra, studentët shqiptarë të Kosovës?
- Unë mendoj, se
mosprania e tyre pothuajse e plotë shpjegohet me faktin, që pjesa dërrmuese nuk
studion për gjuhën gjermane, por për degë të tjera si mjekësi, drejtësi,
ekonomi etj., kështu që interesi i tyre nuk qëndron në lëmin e përkthimit.
Në Institutin e Përkthimeve, në këtë vit
akademik për herë të parë në historinë e begatë të gjuhëve të huaja të
Universitetit të Gracit, ka filluar studimi i gjuhës shqipe, si studim i
mirëfilltë, i organizuar, kuptohet në bashkëstudim, siç është këtu rregulli, me
dy gjuhë të tjera, të cilat mund të zgjidhen sipas dëshirës. Tani, pas një
semestri, a mund të na thoni disa fjalë lidhur me këtë ngjarje kulturore, e
cila fatkeqësisht, me sa dimë, ka kaluar pa kurrfarë jehone, si në Fakultet e
në Institutin e Përkthimeve, ashtu edhe në institucionet universitare
shqiptare, duke përfshirë edhe masmediat e tyre?
- Në këtë vit akademik
është hapur dega e mirëfilltë e përkthimit shqip-gjermanisht në Institutin e
Shkencës së Translacionit Teorik dhe Aplikativ, kështu që Universiteti i Gracit
është i vetmi në Austri – dhe ndoshta në gjithë hapësirën gjermanofolëse -, ku
mund të studiohet përkthimi shqip-gjermanisht. Kjo degë e re nuk duhet
ngatërruar me Albanistikën si psh. në Mynih (München) të Gjermanisë, e cila
zhvillohet vetëm në lëmin e gjuhësisë dhe letërsisë pa i kushtuar vëmendje
përkthimit. Për fat të keq aktualisht ne kemi vetëm shumë pak studentë, që e
ndjekin këtë degë të re, dhe kemi mbetur disi të zhgënyer nga pjesëmarrja e dobët,
sepse kemi pritur më shumë, sidomos nga studentët shqiptarë të Kosovës këtu në
Grac. Por ndoshta edhe reklama nga ana zyrtare ka qenë e vonuar, megjithëse
është reklamuar edhe në televizion dhe në radio të Austrisë. Shpresojmë të na
vijnë më shumë studentë austriakë dhe shqiptarë në vjeshtë, sepse ndryshe
ekziston rreziku i mbylljes së kësaj dege të re, para se të ketë filluar
vërtet, gjë që do të thoshte mosshfrytëzimi i një shansi historik për shqipen,
i cili nuk do të kthehej më kaq shpejt.
E theksoj edhe një herë: studimi i rregullt i
përkthimit shqip-gjermanisht në Institutin e Shkencës së Translacionit në Grac
nuk është identik me studimin e gjuhës shqipe, pra me ashtuquajturën
“Albanistikë” si psh. në Mynih, sepse qëllimi kryesor i studimit të degës së re
“Përkthim Shqip-Gjermanisht” nuk qëndron në gjuhësi dhe letërsi, por në
përkthim shqip-gjermanisht me shkrim e me gojë. Albanistika e mirëfilltë krahas
psh. Anglistikës, Romanistikës etj. mbetet ende për t’u hapur këtu në
Universitetin e Gracit.
Përshtypja jonë është, se ky Institut nuk ka
kurrëfarë bashkëpunimi me katedrat, bie fjala, të Letërsisë e të Gjuhës Shqipe
pranë Filologjikut të Prishtinës, apo të Histori-Filologjisë në Tiranë. A mund
të argumentoni të kundërtën. Nëse jo, atëherë ku qëndron shkaku i
mosbashkëpunimit dhe çka duhet bërë që ky bashkëpunim të jetësohet?
- Fatkeqësisht – ose për
fat – unë nuk jam as shefi i Institutit të këtushëm, as i punësuar me ndonjë
detyrë të veçantë në lidhje me bashkëpunimin ndërinstitucional. Kështu
përgjigjen duhet t’ua kërkoni shefave të katedrave në Grac, Prishtinë, Tiranë
etj.. Nëqoftëse kisha unë diçka në dorë, do të isha i pari për nisma të tilla,
për aq sa pala shqiptare do të tregonte interesim serioz, vullnet, gatishmëri
dhe një vizion të qartë dhe largpamës. Se në kooperime ndërinstitucionale nuk
është vend për interesa ose përfitime personale, por duhet menduar për
zhvillimin e kolektivit shoqëror, anëtar i të cilit jemi ne të gjithë si
individë. Një nga të dyja palet duhet të bëjë hapin e parë, psh. nëpërmjet një
letre zyrtare duke propozuar një projekt të realizueshëm...
A keni qenë ndonjëherë në Kosovë dhe a mbani
qoftë kontakte individuale me kolegët e fushëveprimit tuaj të Prishtinës? A do
të ishit të gatshëm, - natyrisht nëqoftëse do të ju ftonin, - madje edhe për
një periudhë të shkurtër kohore, ta jepnit ndihmesën tuaj në Universitetin e
Prishtinës?
- Kam qenë vetëm një
herë në Kosovë në kuadrin e një ekskursioni universitar në vitin 1989.
Fatkeqësisht nuk mbaj kontakte individuale me ndonjë koleg të fushëveprimit tim
në Prishtinë. Kam takuar një herë Zotin Rexhep Ismajlin në Mynih në vitin 2000,
kur kam mbajtur një referat në Universitetin e atjeshëm mbi qëndrimin tim
disavjeçar në Tiranë. Siç kam treguar më sipër, kontaktet e mia personale me
kolegë shqiptarë përqendrohen në Tiranë dhe Shkodër, por miqtë e mi të parë
shqiptarë kanë qenë dhe janë ende sot disa shqiptarë të Kosovës, të cilët i kam
njohur në fillim të viteve ’90 në Grac.
Nëqoftëse më ftonin me kushte të pranueshme,
do të isha natyrisht i gatshëm – qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore
– të jepja kontributin tim si historian, gjermanist, albanolog ose translator
(përkthyes me shkrim e me gojë) në Universitetin e Prishtinës. Kjo në fakt do
të ishte një kënaqësi dhe përvojë e veçantë për mua, një mundësi e mirëpritur
për t’u njohur me vendin tuaj nga afër dhe jo nga larg në mënyrë indirekte, siç
e bëj deri tani me anë të bisedave me miq shqiptarë nga Kosova dhe nëpërmjet
leximit të shtypit të Kosovës.
Gjatë muajve korrik e gusht Prishtina
organizon rregullisht Seminarin tashmë tradicional për Gjuhën, Letërsinë dhe
Kulturën Shqiptare, në të cilin marrin pjesë albanologë të huaj, por edhe
dashamirës të albanologjisë. Emrin tuaj, nuk kemi pasur rastin ta ndeshim
ndonjëherë. Përse?
- Përgjigjja është shumë
e thjeshtë: ata albanologë dhe dashamirës të huaj të albanologjisë nuk kanë
qëndruar një herë gjashtë vjet me radhë në Shqipëri ose Kosovë si puna ime,
domethënë ata janë ende të etur pas eksperiencave të tilla. Megjithëse duhet të
pranoj, se do të kisha nevojë për “mësim” në lëmin e letërsisë shqiptare, të
cilën e njoh vetëm në përgjithësi, sepse e kam lënë pas dore për arsye se kisha
detyra dhe punë të tjera me i kryer, sidhe nga ana profesionale dhe nga ana e
zhvillimit personal.
Si albanolog i një brezi të ri
gjermanishtfolës dhe si përcjellës, studiues e hulumtues i dukurive shqiptare,
a keni ndonjë vizion për Kosovën? Për të ardhmen e saj?
- Para se kam filluar me
shkencat e translacionit në fillim të vitit 2004, jam marrë shumë me studimin
dhe analizimin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore në rajonin
shqiptar, respektivisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Nuk jam politikan dhe
politika si fushë veprimi nuk më tërheq, sepse ajo shpërdorohet nga lakmia për
pushtet dhe përfitime personale. Në radhë të parë jam njeri dhe pjesëtar i
familjes njerëzore në planetin tonë Tokë, dhe vetëm në radhë të dytë jam
gjithçka tjetër si burrë, austriak, shkencëtar etj.. Individët, kolektivet,
kombet dhe kulturat i konsideroj si pjesë të kësaj familjeje njerëzore, të
cilat duhet të përpiqen sipas mundësive të tyre për harmoni midis
njëra-tjetrës, me qëllim që gjithë familja të mund të jetojë në paqe dhe të jetë
në gjendje t’i zgjidhë bashkërisht problemet e mëdha dhe të mprehta të planetit
tonë, të cilat nuk mund të zgjidhen më vetëm nga një ose edhe disa kombe, dhe
të sigurojë në këtë mënyrë mbijetesën e llojit njeri në Tokë. Në thellësi të
qenies gjithë njerëzimi është një unitet, në të cilin duhet të zgjohemi në
mënyrë koshiente. Ajo që i bashkon të gjithë individët dhe kombet, është të
qenët njeri dhe banor i Tokës, dhe ajo që i bashkon të gjitha fetë, është të
qenët besimtar tek e vetmja Perëndi.
Për sa i përket çështjes së pazgjidhur të
Kosovës, unë mendoj, se të gjitha faktoret e zgjidhjes së saj duhet ta kenë
parasysh këtë fakt të pamohueshëm të rëndësisë së parë të mbijetesës së gjithë
njerëzimit dhe të unitetit të tij të thellë, një fakt, i cili vlen për të
gjitha konfliktet lokale dhe rajonale në botë. Një parakusht kryesor për paqen
e qëndrueshme midis kombeve është balanca e duhur midis lirisë së individit dhe
lirisë së kolektivit si dhe midis lirisë së njërit kolektiv dhe asaj të tjetrit
kolektiv. Asnjë komb nuk ka të drejtë të sundojë një komb tjetër. Të gjitha
kombet duhet të kuptojnë njëherë për gjithmonë, se janë pjesë të barabarta të
së njëjtës familje njerëzore. Ndryshe nuk do të ketë shpëtim për ne të gjithë
si qenie njerëzore në një afat të gjatë ose bile të mesëm. Secili prej nesh
duhet të japë kontributin e vet maksimal, si individ si kolektiv, duke filluar
gjithmonë tek vetvetja, duke shikuar në të ardhmen, duke i lënë shpirtërat e së
kaluarës të qetë. Ajo që ka ndodhur dje, nuk ndreqet më; ajo që do të ndodhë
nesër, nuk dihet ende. Duke u përqendruar në të sotmen me të gjitha forcat
tona, ne e krijojmë të ardhmen tonë më të mirë. Nuk ka rrugë tjetër.
Pastaj nuk duhet harruar, se pas 10 deri 15
vjetësh gjithë rajoni i Evropës Juglindore do të jetë pjesë integrale e
Bashkimit Evropian, edhe Serbia dhe Kosova, qoftë e pavarur qoftë e varur. Deri
atëherë të dyja kombet duhet të kenë vetëm pak durim dhe mund t’i tregojnë
botës, se dinë t’i shmangen një konflikti tjetër të panevojshëm dhe se dinë të
jetojnë pranë njëri-tjetrit si dy komshinj të mirë.
Një fjalë në lidhje me gatishmërinë e disa
ballkanasve për të ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit: e vetmja dhunë, e cila
mund të justifikohet, është ajo e vetëmbrojtjes, kur nuk ka më absolutisht rrugëdalje
tjetër, sepse gjallesa, e cila mbron veten, qëndron më lartë nga ajo, që sulmon
për të marrë jetë. Tradita e gjakmarrjes është mallkimi i popullit shqiptar dhe
nuk e lë të ecë përpara. Vrasja nuk fillon tek sfera fizike, ajo ka zanafillën
që në mendje në formën e urrejtjes. Prandaj populli shqiptar do të fitojë paqen
e vërtetë, pasi ka gjetur paqen në vetvete. Sepse këtu hyn ligji i tërheqjes
magnetike ose i rezonancës: gjithçka është energji, dhe energjia më subtile –
përveç energjisë spirituale – është ajo mentale (mendore). Nëqoftëse të
dashuroj, ti do të fillosh të më dashurosh. Nëqoftëse të urrej, ti do të
fillosh të më urresh. Secili e meriton atë, që e kushtëzon vetë. Këtë të
vërtetë thelbësore duhet ta kuptojnë të gjithë ata, që jetojnë ende në luftë me
njëri-tjetrin. Ai, që ka pak tru në kokë dhe ka zemrën të pastër, do të dijë të
zgjedhë drejt në çdo moment të jetës dhe do të fitojë paqen e vërtetë. Kjo nuk
vlen vetëm për individin, por edhe për kolektivin. Se në fund të fundit: kush
është vërtet “burrë” ose “trim” – ai që vret, apo ai që fal? Cili vendim kërkon
më shumë forcë – vrasja apo falja?
Më lejoni edhe pak fjalë për gjendjen aktuale
të Shqipërisë: Një burrë i mençur dhe zemërbardhë, i cili jetonte në kohën e
diktaturës së Enver Hoxhës, ka thënë një herë, se do të vijë koha, “kur njeriu
do të hajë njeriun”. Dhe kjo kohë ka ardhur sot në Shqipëri, ku duhet t’u
paguash të korruptuarve deri në palcë miliona Lekë për t’i shpëtuar njerëzit e
tu nga vdekja nën thikën e kirurgut nëpër spitalet e vendit, për t’i shpëtuar
njerëzit e tu nga ngordhja nën gjykimin e padrejtë të gjykatësit nëpër burgjet
e vendit, për t’i shpëtuar njerëzit e tu nga mosarsimimi nën refuzimin abritrar
të shefit të katedrës nëpër universitetet e vendit, dhe kështu me radhë në të
gjitha fushat neuralgjike të jetës. Nëqoftëse vazhdohet në këtë mënyrë, është
vetëm çështje kohe, derisa kjo bombë shoqërore do të shpërthejë. Dhe këtu mban
përgjegjësi edhe përfaqësuesi më i lartë i shtetit edhe njeriu më i thjeshtë i
rrugës, pra të gjithë që marrin pjesë në zinxhirin e korrupsionit dhe që
harrojnë, se janë duke i hapur varr vetes, sepse asnjë veprim personal nuk
është pa pasoja personale. Një bashkëatdhetari im, i cili kishte ardhur për
vizitë në Tiranë, kur pa ca përfaqësues të partive shqiptarë të ulur në hollin
e Hotel Rognerit, më tha se këtu në Shqipëri politikanët dukeshin si mafioza.
Iu përgjigjja: “Jo, nuk është e vërtetë. Këtu në Shqipëri mafiozat duken si
politikanë.”
Sa dhe si e njihni Kosovën? Gjuhëtarët,
letrarët, historianët, filozofët e saj? Duke u marrë pak si shumë me Shkodrën e
Tiranën, a mos i keni hyrë pak në “hak” Prishtinës? Jo vetëm ju personalisht,
por edhe kolegët tuaj të Gracit?
- Në vitet e
fundit kam mbledhur aq shumë material mbi Kosoven, sa mund të mbushja disa
vëllime me këtë. Ndoshta do të vij dita e botimit të tyre. Përveç pjesëve
tashmë të përmendura të disertacionit, të cilat i referohen Kosovës, unë kam
botuar që në vitin 1992 një artikull, ku paralajmëroj për shpërthimin e “fuçisë
së fundit të barutit në Ballkan” me pasoja të paparashikueshme për gjithë
rajonin dhe Evropën, nëqoftëse nuk merren në kohë masat e duhura në lidhje me
zgjidhjen ndërkombëtare të çështjes së Kosovës në bazë të së drejtës së popujve
për vetëvendosje. Në të njëjtin vit kam botuar në një revistë studentore të
Gracit një artikull, ku u përpoqa për sensibilizimin e shoqërisë austriake në
lidhje me problemin e asilantëve kosovarë, të cilët ishin arratisur për shkak
të përndjekjes politike nga regjimi i Miloseviçit. Një vit para daljes së hapur
të UÇK-së kam botuar një artikull shkencor mbi çështjen e Kosovës në pasqyrën e
burimeve shqiptare. Në vitin 1999 botova në revistën albanologjike “Studime
Filologjike” të Tiranës artikullin shkencor “Rreth historisë së trajtimit të problemit të etnogjenezës së
shqiptarëve”, ku vendbanimet
shqiptare të Kosovës zënë vendin e vet. Dhe në vitin 2001 botova në Mynih (në
revistën “Südost-Europa”) recensionin tim mbi librin e Bardh Hamzajit, ku ai tregon për dialogun e
tij me një nga komandantët të UÇK-së, Ramush Haradinaj, sot kryeministër i
vendit tuaj.
Për sa i përket kolegëve të mi këtu në Grac,
nuk mund të thuhet gjithashtu, se i kanë hyrë në „hak“ Prishtinës, sepse janë
marrë mjaft me Kosovën dhe kanë botuar jo pak në lidhje me Luftën e Kosovës
1998-1999. Lista e botimeve të Institutit për Historinë e Evropës Juglindore e
dëshmon këtë fakt. Psh. revista „Ost-West-Gegeninformationen“ i ka kushtuar
shumë vëmendje çështjes së Kosovës në fazën e nxehtë të saj.
A mund të na thoni me çka jeni marrë e me çka
po merreni, përveç ligjëratave, kohët e fundit? A keni ndonjë projekt të ri në
dorë?
- Vitin e kaluar jam
marrë me përkthimin nga anglishtja në shqip të një libri, i cili është një
përpilim tekstesh origjinale të mistikut, joginit dhe filozofit më të
rëndësishëm të Indisë dhe të themeluesit të Jogës Integrale Shri Aurobindo
(1872-1950), një sfidë, të cilën e kam mjeshtëruar vetëm për shkak të studimit
dhe praktikës intensive disavjeçare të kësaj Joge. Ky përkthim i vetëbotuar
sivjet me titullin “Shri Aurobindo:
Evolucioni i ardhshëm i njeriut. Jeta hyjnore në Tokë.” (anglisht Sri
Aurobindo: The Future Evolution of Man. The Divine Life upon Earth. Compiled with a Summary and Notes by P.B. Saint-Hilaire. Twin Lakes:
Lotus Press 2003. 148 faqe.) vlen më
shumë sesa 1000 disertacione ose 1000 vëllime poezish dhe është dhurata ime më
e shtrenjtë për popullin shqiptar. Studiuesit e sotëm udhëheqës në fushën e
hulumtimit të evolucionit të koshiencës, si psh. Jean Gebser dhe Ken Wilber, i
referohen në veprat e tyre Jogës Integrale të Shri Aurobindos. Ky vizion
gjithpërfshirës, kur pranohet me mendje dhe zemër dhe kur vihet në praktikë,
është ushqim spiritual me efekte konkrete transformuese në jetë.
Si projekt i ri shkencor mendoj t’i rikthehem
temës së disertacionit tim, dmth. albanologjisë gjermanofolëse duke vazhduar
atje, ku e kam lënë. Si hap të parë do të botoj disertacionin tim mbi
albanologjinë austro-hungareze dhe përkthimin tim të librit të Uran Asllanit
mbi studentët shqiptarë në Austri deri në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë
lidhje do të propozoja gjithashtu përkthimin e veprës kolosale të Jup Kastratit
„Historia e Albanologjisë. vëll. I, Tiranë 2000“ në gjuhën gjermane, një
punë, të cilën mund ta bëja me shumë dëshirë, por nisma për këtë duhet të vinte
nga pala shqiptare, në interesin e së cilës do të ishte ky përkthim, psh. duke
e financuar nëpërmjet një fondi të krijuar për mbështetjen e projekteve
albanologjike dhe për përhapjen e tyre jashtë shtetit.
Kur do të vijë koha, do të botoj një revistë
dygjuhësh austro-shqiptare këtu në Grac, e cila do të përqendrohet në çështje
globale të gjithë njerëzimit, duke përfshirë të gjitha fushat e jetës të para
nga këndvështrimi austriak dhe shqiptar. Këto fusha do të jenë psh.
albanologjia, letërsia, shoqëria, ekonomia, historia, filozofia, antropologjia,
kozmologjia, spiritualiteti etj..
Botimit të vëllimit tim të parë poezish
(1984-2004) sivjet do t’i vijojë ndoshta botimi dygjuhësh gjermanisht-shqip me
shqipërime të lira në Kosovë ose në Shqipëri.
A keni diçka tjetër për të shtuar?
- Shfrytëzoj rastin të
apeloj tek të gjithë kolegët e mi shqiptarë dhe tek studentët shqiptarë kudo
qofshin të reklamojnë me anë të masmediave mundësinë e studimit të lëmit
„përkthim shqip-gjermanisht“ në Universitetin e Gracit.
Shumë falemnderit për mundësinë e shprehjes
para publikut të gjerë shqiptar. Ju falemnderit juve, Zotit Kutleshi, për
pyetjet tepër interesante dhe edhe „ngacmuese“, me qëllim që të detyrohesha të
reflektoja thellë gjithë veprimtarinë time të deritanishme dhe të ardhshme në
lëmin e albanologjisë dhe në lidhje me popullin shqiptar, të cilin me këtë rast
e përshëndes përzemërsisht.
* Bisedoi Arif Kutleshi, në gjuhën shqipe.