Fe e Atdhe - Bisedë me Dom Ndue Ballabanin


Revista Haemus: I dashur Dom Ndue Ballabani. Në një moshë fort të re ju përkushtuat Zotit dhe shërbimit të të afërmit. Fatkeqësisht, për shumë njerëz, përkushtimi nuk është i kuptueshëm, ndonëse thuhet që „bijtë e kësaj bote nuk e kanë idenë ç’lumturi i ndjek misionarët”. A erdhi blatimi juaj si pasojë e ndonjë vegimi, apo ndoqët ndonjë traditë familjare, fisnore…?

Dom Ndue Ballabani: Ishte thirrja: „T’i shërbesh Zotit dhe të jesh i përkushtuar ndaj njeriut vëlla - motër”. Përkushtimi priftëror-meshtarak është krejt i jashtëzakonshëm, krej transhendent. Madje është një mister, sepse kemi të bëjmë me ndërhyrjen hyjnore në zemrën e njerut. Kjo shkakton tek njerëzit pakuptim e shpehherë edhe mospranim. Kjo ngjan tek shumë njerëz si pasojë e varfërisë shpirtërore, e shkëputjes së të tejbotëshmes nga njëmendësia e njeriut. Njerëzit e kushtuar Zoti, apo siç e thoni Ju, misionarët, vërtet ndjejnë kënaqësi të madhe, për vetë natyrën e përkushtimit. Nga ky këndvështrim, e quaj privilegj përkushtimin tim, si pjesëtar në rrugëtimin dymijëvjeçar të Kishës Katolike tek shqiptarët, sepse jam bërë pjesë e pëlqimit të Hyut, bashkëpuntor i tij.

Blatimi, thirrja ime vetjake s’është rrjedhojë e ndonjë vegimi të veçantë, por lidhet ngushtë me edukatën familjare, domethënë është një grishje e zakonshme meshtarake, në mund ta quaja kështu. Pra, gjithçka erdhi përmes edukatës së përditshme që na i kanë dhënë prindërit, përmes rrethit, mbase edhe nga fuqia prekëse e Kishës, e cila konceptin përkushtim na e kumtoi e na i shërbeu me lehtësi të durueshme për lartësimin e vetëdijes sonë fetare dhe kombëtare. Shumë të rinj të fshatit tim të lindjes, Stubëll, në juglindje të Kosovës, u bënë pjesë e këtij privilegji; iu përkushuan vlerës më të madhe që na e ka dhuruar Zoti, pra shërbimit me përvujtni Kishës Katolike dhe njeriut.

Revista Haemus: Dihet pak, ose shumë pak për shqiptarët e Kroacisë. Vumë re me gëzim të veçantë se kjo bashkësi mbarështon mirëkuptim vëllazëror e patriotizëm të kulluar. Mund të na bëni një historik të shkurtër të grigjës që përkujdesni?

Dom Ndue Ballabani: Prania e fiseve ilire në këtë pjesë të Kroacisë është edhe sot e prekshme nëpërmjet toponimeve të ndryshme në këto treva. Mirpo, unë, përveç pranisë së shqiptareve dhe toponimeve të shumta në Istër dhe Dalmaci, do të shpaloj disa valë emigrimi shqiptare në Kroaci.
Historiku i gjurmëve aktive të shqiptarëve në Kroaci daton qysh nga shekulli XVII, si depërtim i bashkëkombësve tanë, i cili u degëzua në dy drejtime: në njërën anë si depërtim i fisit të Kelmendit prej Bjeshkëve të Namuna në drejtim të Peshterit, Serbisë Qendrore duke dalë në Sllavoni, konkretisht në rajonin e Osijekut me rrethina e deri në Nikinci.
Drejtimi i dytë i migrimeve në drejtim të Kroacisë, pikërisht në Zarë, ndodhi 280 vjet më parë prej viseve të rrethinës së Shkodrës, nën udhëheqjen e Arqipeshkvit Vicko Zmajeviq. Për diasporën arbëreshe (apo siç quhen ata Arbanase) sipas vendit ARBANASI në Zarë, kemi gjurmë që dëshmojnë jo vetëm për praninë e rastësishme, por edhe për gjurmët fetare, kulturore, politike që ata kanë lënë gjatë shekujve në gjuhën shqipe dhe në popullin shqiptar. Për të shpaluar forcën e lidhjes organike me „Atdheun stërgjyshor” mjafton të shfletojmë historinë e popujve kroat e shqiptar e në veçanti librat e dalë bash në Arbanasi dhe për Arbanasit, që numurojnë rreth 1800 njësi bibliografike. Këtu do të dëshiroja të përmend dijetarë, si Josip V. Rela, autor i dramës „Nita”, Kruno Krstiqi, të cilin e cilësojnë si intelektualin më të madh të shekullit XX në Kroaci, kurse në ditët tona dr. Aleksandër Stipçeviqin, i cilësuar si ilirologu më i madh në botë, dhe shumë të tjerë.
Vala e tretë e migracionit shqiptar në Kroaci ndodhi para dhe pas Luftës së Dytë Botërore,e sidomos në vitet e shtypjeve të mëdha të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ky migrim argumentohej si lëvizje „brendashtetërore” në ish-Jugosllavi.
Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas saj, me krijimin e Jugosllavisë së re, gjendja e shqiptarëve katolikë nuk ka ndryshuar nga ajo e Paraluftës, përkundrazi pushteti i ri sulmoi menjëherë familjet qytetare katolike, pjesëtarë të të cilave ishin pushkatuar ose burgosur për shkak të «bashkëpunimit» me pushtetin italian dhe gjerman gjatë periudhës së pushtimit të Kosovës dhe Shqipërisë, ose për shkak të përfitimive nga lufta. Kjo dha shkas pėr fillimin e dëbimeve të familjeve në fillim në Australi e më vonë edhe në Kroaci. Ky dëbim filloi dhe u zhvillua në vitet 1946-1955, kryesisht nga Prizreni, Ferizaj, Peja, Gjakova dhe Shkupi, duke përfshirë banorët e qyteteve dhe të fshatrave, kryesisht kujunxhinjtë dhe argjentarët, të cilët migruan në Bosnjë, Hercegovinë dhe Kroaci. Përsa i përket Kroacisë, të mërguarit ndihmoheshin nga ana e pushtetit duke iu mundësuar ose lehtësuar hapjen e dyqaneve në vendet më të mira, më të frekuentuara. Dëbimi i familjeve shqiptare vazhdoi deri nė vitin 1981. Në këtë valë u përfshinë kryesisht strukturat fshatare me gjithë familjet e tyre, posaçërisht të rrethit të Gjakovës dhe të Klinës, që shkuan në SHBA. Është për t’u çuditur se në këtë periudhë pushteti pariak dhe shtetëror ishte në dorë të garniturës shqiptare.
Dëbimi më masiv ndodhi në vitet 1991-1992 kur mijëra shqiptarė u detyruan të merrnin udhën drejt vendeve perëndimore. Si rrjedhojë, besimtarët e dëbuar në dhé të huaj shpejt u ballafaquan me probleme të ndryshme, ndër të tjera me vështirësi gjuhe, me mjedisin e ri shoqëror e kulturor të panjohur. Prandaj, në këtë drejtim u paraqit nevoja për ndihmesë dhe mbështetjeje besimtarëve tanë me meshtarë shqiptarë të dërguar nga Kosova. Me përkrahjen e ipeshkvit të ndjerë Imzot Nikë Prelës dhe të një grupi besimtarësh tanë në Kroaci, në vitin 1971 për herë të parë u shërbye mesha në gjuhën shqipe, për t’u bërë më pas traditëe përmuajshme. Me ardhjen e Don Milorad Defarit (tani monsinjor) disa vite me radhë u organizua nëpër kishat e Zagrebit mesha çdo të diel. Edhe pse me vonesë të madhe, Imzot Nikë Prela në vitin 1991 e ngarkoi Don Dodë Gjergjin me përgatitjet për themelimin e Misionit në Zagreb. Fatmirësisht, më 7 nëntor 1991, me Dekretin nr.2974 e Kardinalit Franjo Kuharić, u themelua Misioni Katolik Shqiptar, si famulli personale, në territorin e Argjipeshkvisë së Zagrebit, duke iu bashkangjitur krejt Kroacisë. Fillimisht mesha u organizua në Zagreb, më vonë një herë në muaj në Bjellovar, Rjekë, Zarë dhe një herë në vit në Kranjë të Sllovenisë (me mbi 1000 katolikë shqiptarë).
Në vitin 1994, falë ndihmesës së besimtarëve tanë në Kroaci, u ble selia e misionit. Don Dodë Gjergji qëndroi në ballë të Misionit deri në mesin e vitit 1994, për ta vazhduar veprimtarinë në Shqipëri. Unë u emërova misionar në shtator 1994 dhe qysh atëhere vazhdoj ta drejtoj këtë qendër të Misionit Katolik.
Misioni Katolik Shqiptar, sipas një statistike të bërë shumë vite më parë, numëron afro 12.000 katolikë shqiptarë në tërë territorin e Kroacisë. Por, sipas mendimit tim, kjo shifër është më e lartë. Përpos Meshës që mbahet me rastin e të kremteve dhe çdo të diel në Kishën e Shën Pjetrit në Rrugën Vllaska të Zagrebit, një herë në muaj shërbesa fetare zhvillohet edhe në këto qendra të Kroacisë: Bjellovar, Kutinë, Split, Zarë, Rijekë, Pullë, Rovinj, sidhe në Kranjë e Velenje të Sllovenisë. Shumica e besimtarëve tanë vijnë nga Kosova, ndërsa një numër i vogël nga Mali i Zi. Ata përgjithësisht merren me përpunimin e arit e të argjëndit, me zejtari, bukëpjekje, hoteleri etj. Një numur edhe më i vogël besimtarësh janë nga fusha e shkencës: profesorë, mjekë, avokatë, gazetarë, muzikantë, studentë.
Shkollimi akademik i klerikëve tanë në hapësirën etnike kroate, sikurse janë Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi etj., në kohën më të re i ndjeri Imzot Mark Sopi, sidhe një plejadë e tërë e priftërinjve të rinj shqiptarë, me funksione të larta në hierarkinë kishtare, na obligojnë t’i fuqizojmë lidhjet tona shpirtërore, kulturore dhe politike me këtë popull e me këtë vend, që është pjesë përbërëse e Evropës Qendrore.
Kjo është arsyeja që, si udhëheqës shpirtëror i kësaj grigje, nuk e kam të lehtë barrën që na e lanë mbi supe eruditët e fesë dhe të kombit tonë që i përmenda më lart. Gjithsesi, këtë detyrë mundohemi ta plotësojmë me përvujtni dhe përkushtim për Fe dhe Atdhe.

Revista Haemus: Konica shkruan diku se shqiptarët katolikë vuajtën si rrallëkush nga të huajt, kurse në Shqipëri, qysh në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, kleri, shkrimtarët, mendimtarët dhe artistët tanë të besimit katolik iu nënshtruan terrorit ateist.. Ata e pritën martirizimin me besim e me një burrëri nga të cilat ka ç’mëson pjesa tjetër e kontinentit tonë…

Dom Ndue Ballabani: Privilegji ynë si komb është se kemi pranuar fenë katolike nga Shën Pali që në vitin 64 kur ai përhapi besimin e krishterë nëpër Iliri. Këtu assesi nuk dëshiroj të licitoj me vite dhe të them se ne si shqiptarë e pranuam krishterimin shekuj më parë se kombet e zhvilluara evropiane (poashtu të krishtera) që „rrahin gjoksin” për rrënjë kristiane qytetëruese, por dëshiroj të kujtoj lashtësinë dhe thellësinë e rrënjëve tona të qytetërimit të krishterë dhe evropian.
Po. Konica i madh ashtu i cilësoi shqiptarët e fesë katolike. Këtë e vërtetojnë një sërë ballafaqimesh nga mesjeta e këndej, duke filluar me Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, Pjetër Bogdanin e deri në shekullin XX. Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare, si në Shqipëri, ashtu dhe jashtë saj, na bënë të jemi edhe më këmbëngulës në rrënjët tona të stërlashta.
Regjimin komunist me Enver Hoxhën në krye, e frikësonte ndërgjegjja kombëtare (sepse, siç e dini, komunizmi e predikonte internacionalen duke e shtypur kombëtaren), e frikësonte dija dhe përkushtimi i klerit katolik, i cili kishte mbi të gjitha Fenë dhe Atdheun. Ky regjim, me rastin e përndjekjeve dhe vrasjeve më të mëdha që i përjeton një popull dhe një udhëheqje shpirtërore në Evropë, së fundmi, (kur e vrau intelegjencien kombëtare të personifikuar në klerin katolik), ua mori shqiptarëve edhe mundësinë e fundit për t’u radhitur denjësisht me popujt tjerë të Evropës; i shkëputi shqiptarët nga shtrati i tyre i natyrshëm, duke i izoluar tmerrësisht në shtetin e pafé, ateist. Veçse, jo vetëm që nuk mundi të krijojë „njeriun e ri” socialist, por asgjësoi një plejadë që ishte në rangun e eruditëve evropianë të kohës. Pasojat e kësaj çmendurie të shekullit XX po i vuajmë edhe sot e kësaj dite. Sidoqoftë, Kisha Katolike e në veçanti ajo vendëse, e ka marrë tashmë veten dhe sot po përballet me probleme si çdo Kishë tjetër në botë, me përgatitjen e kuadrove që do ta vazhdojnëe do ta çojnë më tej misionin e saj.

Revista Haemus: Cilët kanë qënë dhe janë modelet tuaja në fé e atdhetarí?

Dom Ndue Ballabani: Pa dyshim, siç ceka më lart, ne priftërinjtë shqiptarë, - do të citoj një mik timin, dr. Martin Berishaj, i cili thotë: „E keni vështirë të jeni të mirë, sepse keni pas paraardhësit e mirë: Buzukun, Bardhin, Fishtën, Gjeçovin dhe Harapin...”, - kemi pasur privilegj të posaçëm mundësinë e përzgjedhjes së modeleve; pra, pa e vrarë mendjen shumë, vetvetiu na shkojnë mendimet tek njerëzit e mëdhenj të fesë e kombit, te Imzot Lazër Mjeda, Patër Gjergj Fishta, Patër Shtjefën Gjeçovi, Patër Anton Harapi dhe shumë të tjerë.

Revista Haemus: Cili mendoni se ishte mesazhi kryesor i të madhit Papë Gjon Pali II?

Dom Ndue Ballabani: Mesazhi që i dha vulë njerëzimit në gjysmën e dytë të shekullit XX, dhe periudhës së shembjes së sistemit më makabër të njerëzimit - komunizmit, është pa dyshim porosia: “MOS KINI FRIKË”!

Revista Haemus: Dimë se Misioni ka një nderim të veçantë për figurën e Nënës sonë Terezë. Si e keni ndjerë praninë e saj shpirtërore gjatë këtyre viteve?

Dom Ndue Ballabani: Prapë më duhet të përdor fjalën privilegj. Nënë Tereza, si bijë shqiptare, në vitin 1929, kur mori udhën drejt Irlandës, u nis pikërisht nga Zagrebi. Kësisoj, gjithkund e ndjejmë praninë e saj shpirtërore. Nënë Tereza, figurë madhore dhe e shenjtë e njerëzimit, për Misionin tonë është shenjtore dhe nënë e të gjithë neve, dhe është kënaqësi ta ndjejmë atë prezencë shpirtërore. Këtë kënaqësi e ndajmë edhe me popullin mik kroat e me popujt e tjerë, në ato vende ku Misioni ynë vepron.

Revista Haemus: Me zgjedhjen e Papës Benedikti XVI, teolog i nivelit botëror dhe idhtar i paqes, në jetën e katolikëve duhet të kenë ndodhur edhe ndryshime. A mendoni se Papa i ri do të ndeshet me kohëra të mbrapshta si ato që mposhti Gjon Pali II?

Dom Ndue Ballabani: Kisha gjithherë e në veçanti me Papa Gjon Palin II e tani edhe me Papën Benedikt XVI, ka qënë dhe ka mbetur pararojë e paqes së njerëzimit. Mendoj se mandati i Papës Benedikt XVI do të ndryshojë nga ai i pasardhësit të tij, duke shpresuar që sistemet politike që përftuan luftra dhe mizori të mëdha, tanimë kanë marrë fund. Prandaj, lusim Zotin që mos të përsëriten më. Urojmë që kohërat e liga dhe të mbrapshta do të zëvendësohen me përkushtim dhe me lutje Zotit.

Revista Haemus: Si e shihni shqiptarinë nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërfetare?

Dom Ndue Ballabani: Shqiptarisë i duhet t’i kthehet ndjenja se nuk është e vetme dhe besimi në Zot, të cilit i lutemi në gjuhë amtare. Si popull kemi bagazh dhe vëllim njerëzor për tolerancë dhe mirëkuptim. Jam i bindur se kthimi tek Zoti hap rrugë për marrëdhënie të mira ndërfetare.

Revista Haemus: Ka kohë qyshse Misioni organizon në Kroaci tubime ku marrin pjesë gjerësisht personalitete shqiptare nga Mërgata, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e gjetkë. Cilat janë temat e problemet që trajtohen në tubimet tuaja?

Dom Ndue Ballabani: Po, ashtu është, kemi organizuar dhe organizojmë simpoziume shkencore lidhur me data të rëndësishme kombëtare dhe fetare. Kështu kemi organizuar simpoziume ndërkombëtare për 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut; për librin e parë në gjuhën shqipe, Mesharin e Gjon Buzukut, dhe para pak muajsh: për 280-vjetorin e ardhjes së arbëreshëve në Zarë.
Pranë Misionit tonë funksionon Biblioteka „Imzot Lazër Mjeda”, që numuron 21 libra të botuar, ndër të cilat, tani së fundi „Frang Bardhi dhe relacionet e tij” të autorit Tonin Çobani. Ndërkaq, në shtyp kemi edhe tre libra të tjerë.

Revista Haemus: Si është pakashumë ditënata e një shërbëtori të Zotit?

Dom Ndue Ballabani: Si e çdo prifti që dëshiron t’i qëndrojë afër grigjës së vet. E në kushtet kur grigja është fizikisht e shpërndarë në distanca të mëdha, e, përmbi të gjitha, je misionar i vetëm, vetvetiu ditënata ime është pak më e ngjeshur. Sidoqoftë, me ndihmën e madhe të Zotit i kam përmbushur detyrimet e shenjta që kam marrë përsipër.

Revista Haemus: Ç’mendim keni ndaj së ardhmes së shqiptarëve në Ballkan e më gjerë?

Dom Ndue Ballabani: Një Shqipëri e fortë dhe e qëndrueshme, fetarisht dhe politikisht, garanton dhe ia lehtëson barrën Kosovës për ta zhvilluar me përkushtim procesin politik të filluar, i cili shpresoj që brenda këtij viti do të përmbushen aspiratat tona, përkatësisht të Kosovës. Shqiptarët në Greqi, Maqedoni dhe Mal të Zi duhet të jenë pjesë konstruktive e proceseve dhe bashkë me shtetet ku jetojnë të jenë faktorë të paqes, por edhe të përparimit në rajon. Dhe, si të tillë, të afrohen në Bashkimin Evropian.

Revista Haemus: Na thoni një parabolë, apo fjalë të urtë, që ju ka prirë në jetë…

Dom Ndue Ballabani: Fjala e Papës Gjon Palit të II “MOS KI FRIKË!” ishte dhe do mbetet një shtysë e paluhatshme për jetën dhe përkushtimin tim.

Dom Ndue Ballabani është lindur më 10. 11. 1969 në Stubëll, nga prindërit Fran dhe Liza l. Ukaj. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1984. Gjimnazin klasik, dy vite në Shkup, prej vitit 1984-1986, një vit 1986-1987 në Suboticë, në “Paulinum”, dhe një vit 1987-1988 në Zarë të Kroacisë. Studimet filozofiko-teologjike i kreu në Zagreb në periudhën 1988-1994. Shugurohet meshtar në vitin 1994 në Stubëll nga Imzot Pjetër Perkoliqi, arqipeshkvi i Tivarit. Meshën e parë e kremtoi në famullinë e lindjes. Qysh atëhere vazhdon të drejtojë Misionin Katolik Shqiptar në Kroaci dhe Slloveni me seli në Zagreb. Veprimtaria e tij, përpos detyrave pastorale në këto vende, është mishëruar edhe në botimin e librave në gjuhën shqipe. Për këtë qëllim, në kuadër të Misionit ka themeluar serinë e botimeve të bibliotekës “Imzot Lazër Mjeda”, nga e cila, deri tani kanë dalë në dritë më shumë se dhjetë libra. Në disa syresh Don Ndou është edhe editor. Gjithashtu, ai është botues e redaktor përgjegjës i revistës fetaro-kulturore URTIA.