Rrallë kam pa shoqni e cila i tutet Të Vërtetës si shoqnia shqiptare… - Bisedë me shkrimtarin Migjen Kelmendi

Revista Haemus: I dashur Migjen Kelmendi. Mass-mediat shqiptare janë plot intervista dhe rrëfime e kjo mbase është një pasqyrim i natyrshëm i ndryshimeve që po ndodhin apo që duhet të ndodhin në vetëdijën e lexuesve. Mendoni se ndryshimet e mësipërme janë reale? Çfarë përqindje e këtyre rrëfimeve ka çiltërsi dhe vlerë?

Migjen Kelmendi: E kam nji bindje se distanca e nevojshme për me i pa fenomenet e gjanat që i ndodhën shoqnisë shqiptare në shekullin e shkuem, me gjasë asht mbërri, andaj edhe kjo nevojë me folë... me folë... me folë... Na n’Kosovë kishim me thanë: me e qitë t’keqtit! Nji mënyrë e purifikimit të shpirtit, mbamendjes, kujtesës. Mediat ta krijojnë përshtypjen e kanapesë së psikoanalistit. E shoqnia shqiptare si nji paciente e ndeme në kanapen e Frojdit! Por, s’ka formë ma të mirë se me mjegullue e me hutue opinionin poashtu tue folë... folë... folë... Kjo kakofoni zanash, piskamash e argumentesh gjysëm të vërtetë ja të rremë, e ka të njajtin efekt.


Revista Haemus: Në Shqipëri ka pak njohuri për historinë e Rock’n’Rollit në Kosovë. Të rinjtë e sotëm në Shqipëri ndoshta nuk e dinë se në Kosovë ka ekzistuar një botë e mirëfilltë rock-u shqiptar. Ju jeni ndër të parët që shkruat tekstet e këngëve dhe që krijuat grupin „Gjurmët”…Çfarë ju ka mbetur në mendje nga ajo periudhë dhe çfarë nuk duhet harruar?

Migjen Kelmendi: Në veprën teme të fundit „Gjurmët LP” (2002), jam mundue me e nxanë krejt këte histori rocku në Kosovë nga vitete e 80ta. „Gjurmët LP” asht nji projekt multimedial, që përfshinë Audio CD me 22 kangë të bendit, librin në shqip dhe n’anglisht, CDRom me 15 video-clipet e bendit, hartën e qytetit të Prishtinës, posterin e bendit, dhe disa artefakte tjera, dhe krejt këto të futuna në nji box, nji kuti multimediale. E kam nji bindje se asgja ma mirë nuk e përshkruen krejt keqkuptimin që egziston mes Shqipnisë e Kosovës se – rock’n’rolli. Duhet me e lexue librin.

Revista Haemus: „Carere Patria” është, - ose duhet të jetë! - një vepër syhapëse për mendësinë shqiptare të këtyre kohërave…A ka ndonjë hollësi të cilën, për arsye të ndryshme, e latë jashtë tekstit? Apo ndonjë ngjarje që do të kishit dashur ta shtonit tani?

Migjen Kelmendi: Libri „Carere Patria - Mungesa e Atdheut” doli si nji përmbledhje e përshtypjeve të mia gjatë punës që kisha ba në xhirimin e nji dokumentari dy orësh për burgjet dhe kampet e Shqipnisë komuniste, qe e punova në periudhën 1992-1995. Ajo përplasje e „Shqipnisë” seme t’imagjinueme, asaj që ma kishte rrëfye baba jem, dhe Shqipnisë përnime, ate që komunistat dhe Enver Hoxha kishin ba prej nji shteti e nji populli, ishte nji nga zhgënjimet e mia monumentale. E përshkrova me detaje përjetimin tem, u mundova me i nxanë në libër, në diskurs, imazhet, ndjenjat, peisazhin, njerëzit, jetën....tue qenë i bindun se vetëm nji gjeneratë ma vonë nuk kanë me na besue se çka kemi pa dhe çka kanë ba. Ate që pashë e përjetova më mbushi me dhembje, dëshpërim... neveri... Çka po i bajka njeriu njeriut në kondita artificialisht t’imponueme. Sa poshtë po mujka me ra njeriu. Shqipnia komuniste ma ka shemb besimin tem në njeriun. Shqipnia që pashë më dukej si ajo shoqnia e eksperimenteve të Milgram’it[1]. Shoqnia shqiptare ishte plotësisht e kaplueme Sindromi të Stockholmit: e adhuronte dhunuesin e vet. Çonte dashni me te.

Revista Haemus: Na flisni diçka rreth familjes suaj, rreth ëndrrës së gjatë të disa breznive për të arritur në Shqipëri dhe për ndjenjën që pasoi ndeshjen me një realitet të ndryshëm. Si u shtjelluan mendimet tuaja pas kaq vjetësh larg atij çasti?

Migjen Kelmendi: Nëse ka diçka që humbi pa dhimbtë përgjithmonë (ndoshta edhe mirë që ka humbë) asht – ideali dhe atdhedashnia që nji kosovar nacionalist ka kultivue për ate që ai e quente – Shteti Amë. Nji idolatri par exellence e Shtetit si idol. Nji esencializim par exellence i Kombit. Nji diçka që përfundimisht u tret me vizitën e parë të cilitdo kosovar në Shqipni. Shqipnia kurrë s’ka me e kuptu se çka ka humbë...se sa jokoshiente ka qenë për nji fuqi që lind nga nji dashni fatale. Ma mirë me thanë nga keqkuptimi i Kombit, Shtetit, Flamurit...Asi kohezioni rreth nji kimere në të vërtetë, që nji kosovar e quente – Shteti Amë – asht zor me e imagjinue. Nëse nji burrështeti shqiptar, (s’ka dert se ka qenë komunist, sepse kosovari nacionalist e kishte zor me e ba dallimin e ideologjisë dhe shtetit, njeriut dhe veprimeve), kishte me kërkue me u flijue për Shqipninë, kishte me i thirrë në luftë – tanë kishim me shkue. Ato 24 vite burgu të Adem Demaçit, që u quejt edhe Mandela i Kosovës, janë nji argument i vocërr jemi për këte konstatim. Nga ana tjetër, dëshpërimin me njeriun nuk ma shembi vetëm shqiptari prej Shqipnije, por edhe shqiptari prej Kosove. Mirëpo, derisa drama e nji shqiptari prej Shqipnije ishte autentike, drama e shqiptarit prej Kosove na del triviale, vodvil, e cytun nga mungesa e informatave, e cytun keqkuptimi, e cytun nacionalizmi infantil. Derisa drama shqiptare të ban me u ndie keq, të ban me vjellë, të mbush neveri, drama kosovare të ven buzën në gaz, të mbush me keqardhje, si me dikend që e ka huq krejtësisht lojën.

Revista Haemus: E njëjta „traumë” mund të ketë ndodhur edhe gjatë takimit tuaj me botën perëndimore, gjer në Kanada e ShBA… Si duket Ballkani nga ajo hapësirë? A ishin të dobishme daljet jashtë hapësirës kosovare për punën tuaj si shqipërues, zanat, të cilin diku e quani „zanat familjeje”?

Migjen Kelmendi: Nëse Shqipnia komuniste ma provoi se sa shumë njeriu din me qenë destruktiv, i ligë, i pazoti, Amerika jeme e përjetueme përmes New Yorkut ma provoi të kundërtën, se sa mundet dhe din njeriu me qenë konstruktues, i gjanë, i fuqishëm, erektiv... Manhattan’in e kisha dhe e përjetojsha si ekstrapolim të kësaj fuqie erektive të njeriut. Por, keni të drejtë, civilizimi perendimor poashtu po ma humbte njeriun prej horizonti... ai nuk shihej...kishte mbet i vocërr...nga kati ma i naltë i Emipre State Building ai nuk shihej fare...kishte humbë...Në New York u gjeta, po, tue shkue mbas bukës së gojës...Zanati i familjes asht – gazetaria. Dhe e pata nji rast të vocërr për punë gjatë viteve 90, gjatë asaj kohe kur Milosevic kishte instalue njifar aparthejdi në Kosovë dhe kur na kishte dëbue të tanëve prej pune. Amerika m’erdhi si kontrapunkt i përjetimit tem të Shqipnisë. Menjihere mbas përfundimit të dokumentarit dhe punës në librin „Carere Patria – Mungesa e Atdheut”, në vitin 1996, qëndrova për gati nji vit në New York. Si njeri që zanat e ka shkrimin, nuk mujsha pa shkrue. Amerika jeme asht e vocërr, e nxen vetëm në 100 faqe të librit tem „No dutz na hou utz - P’ej shpije”, botue në vitin 1997.

Revista Haemus: Jeni themelues i disa revistave të rëndësishme dhe keni punuar mjaft kohë në radio e televizion. Sa dhe si ka ndikuar kjo përvojë në stilin tuaj si prozator?

Migjen Kelmendi: Puna në radio, në gazetë, në televizion...si e përmendët edhe ju, asht zanati jem. Vokacioni jem asht shkrimi, beletra, bukurshkrimi...por, si e thonë amerikanët, leni këto: what do you do for a living. Në këte fjali duhet gjetë gjegjen në pyetjen tuej. Mirëpo, përgjithësisht, nuk kultivoj e as investoj emocione të shtueme për gjinitë...une kam nis si rocker...dhe ndrrimin e gjinive e përjetoj si ndrrim të mediumit. Rockun gjithmonë e kam pasë kuptue vetëm si nji medium. Ma vonë letërsinë e shndërrova në medium. Sot publicistika më shërben si medium. Estetika dhe Atituda jeme asht e njajt. Une tanë kohës jam tue e ba të njajtën punë. Po ndrrojnë vetëm – mediumet.

Revista Haemus: Publicistika juaj është e pangatërrueshme sidomos për nga guximi dhe shprehjet e drejtpërdrejta. A mund të na flisni për presionet, qofshin ato edhe të tërthorta, të qarqeve të cilat e Vërteta i shqetëson? Apo thënia e së Vërtetës me forcë e mbron gazetarin dhe i bën „kundërshtarët” më të pjekur?

Migjen Kelmendi: Rrallë kam pa shoqni e cila i tutet Të Vërtetës si shoqnia shqiptare, në Kosovë e në Shqipni. Ndoshta vetëm edhe shoqnia serbe vuen nga i njajti problem. Jo se e kisha zgjedhë këte pozicion sa me qenë diçka si Public Enemy i shoqnisë shqiptare vullnetarisht, por angazhimi jem për debat rreth dy çashtjeve me randësi fundamentale për shoqninë shqiptare: thyemjen e tabusë së Standardit të vitit 1972, dhe debatin e identiteteve që nuk gjenerohen etnikisht, që n’opinionin shqiptar njihet si – „Identiteti Kosovar” – ma ‚garantuen’ këte pozicion. Për këto pesë vjet qëkur lansuem Gazetën JAVA dhe përmes saj edhe shumë çashtje të randësishme për debat e për reflektim, kam fitue nji përvojë të hatashme që më flet për karakteret e njerëzve. JAVA prejse ka nis ishte nji test për ata që pretendonin se janë të kulturuem, se janë ekspertë në lami, se janë qytetarë e intelektualë. Çka s’kam pa e çka s’kam përjetue për këto pesë vjet prejse botojmë JAVA’n. Prapë më duhet me u kthye te njeriu, te aftësia e tij me u ruinue moralisht, me u auto-zezue, me degradue profesionalisht e njerëzisht, me i ba 1000 salto mortale vetëm e vetëm mos me marr qëndrim ndaj Faktit, ndaj Të Vërtetës. Vetëm e vetëm mos me qenë Qytetar. Sepse, me qenë Qytetar, konstatoj, nuk qenka kollaj. Me qenë Qytetar asht nji kulturë që shoqnia shqiptare duhet me e nxanë, shpresoj, në këte milenium të ri. Personalisht jam shumë ma i lumtun këndej, këndej n’krahun e Të Vërtetës dhe Fakteve, në krahun e Debatit dhe Dialogut, sesa andej me akademitë, me institucionet, intelektualët zyrtarë, e Të Vërtetat Zyrtare. Konstatoj se shoqnia shqiptare e reprezentueme përmes institucioneve dhe elitave të saj, asht e konstipueme moralisht e intelektualisht. E zatetun. Duhet me i ndihmue me u çelë...me i ndihmue me e qitë t’keqtit!

Revista Haemus: Gazeta „Java” është një tribunë e mbrojtjes, por edhe e përkryerjes së gegërishtes. Për Haemus-in gegërishtja është diçka më pak se një gjuhë, por shumë më tepër se një e folme. Ju keni botuar para disa vjetësh edhe një letër të hapur lidhur me padrejtësitë që iu bënë kësaj të folmeje nga shteti i atëhershëm komunist. Si e shihni sot të ardhmen e gegërishtes së shkruar?

Migjen Kelmendi: Para së me qenë gjithçka tjetër, Gegnishtja asht Gjuha Amtare e 4 milionë njerëzve që deklarohen shqiptarë. Gjuha Amtare nuk asht çashtje e tekave dhe budallakive të gjuhëtarëve e institucioneve joautentike shqiptare, por asht imperativ që përfshihet me Të Drejtat Themelore të Njeriut. Prandaj, dhuna, imponimi, diktati kompromiton çdo vendim dhe çdo neglizhencë dhe përpjekje me e minimizue e evitue hapjen e çashtjes – Si u standardizue Gjuha Shqipe në kohën e Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës? Ato vendime sot afektojnë 4 milionë njerëz që, jetojnë, qeshin, këndojnë, vajtojnë, zihen e piskasin e mbi tana andrrojnë – Gegnisht. Dhe, shikojeni ju këte kopili të komunistave: vendimet që u sollën në mungesë të lirive të përgjithshme të njeriut, në mungesë të lirisë së fjalës dhe mendimit të lirë në Shqipninë e vitit 1972, komunistat i mbështollën me argumentacion e konotacion nacionalist që akuzonte kedo që guxon me i prek. Sepse, kush e prek Standardin e ka prek idenë e Bashkimit (sic!) Dhe, përnime, për gati 40 vjet, askush nuk muer guximin me e prek. Standardi i Gjuhës Shqipe u shndërrue në tabunë ma të madhe të shoqnisë shqiptare deri sot. Çfarë kopilie e komunistave, e çfarë turpi për tanë ata që për këto 40 vjet e quenin veten gjuhëtarë, intelektualë, qytetarë. E po e përdora une të njajtin argumentim e konotacion nacionalist i bjen: si mundet nji njeri i kulturuem shqiptar, me e damtue aq shumë Gjuhën Shqipe sa me ja kput dy të tretat e saj. Si mundet dikush me qenë edhe shqiptar edhe me e urrejt Gjuhën Shqipe? Sepse si mundet me pasë e me u quejt Gjuhë Shqipe pa Gegnisht?

Revista Haemus: Padyshim që izolimi i gegërishtes ishte pjesë e një hakmarrjeje të hershme, ndoshta edhe gjenetike, ose ezoterike. Njëherazi me dyndjen e modernitetit në folétë e arketipit shqiptar, muzikaliteti, bukuria dhe qëndresa e gegërishtes për të mos iu dorëzuar zyrtarizmit të gjuhës së drunjtë dhe planeve për uniformizim përbënin një rrezik gati gjeostrategjik. A mendoni se do të dilet një ditë nga kjo padrejtësi, të paktën ndaj aq emrave të ndritur të letrave shqipe, mbi të cilët ende rëndojnë „mëkate” jashtëletrare?

Migjen Kelmendi: Urrejtja ndaj Gegnishtes nuk ka sesi me u spjegue pos me enverizëm. Sëjegohet vetëm me enverizëm që gjeneronte gërdi ndaj gjithçkaje që vinte nga veriu, edhe ndaj letërsie, edhe ndaj gjuhe, edhe ndaj religjioni...Sepse, po them, nuk mundesh me qenë shqiptar e me e urrejt pjesën ma të madhe të pasunisë ma të madhe shqiptare - Gjuhës Shqipe. Duhesh me qenë vetëm enverist. Logjikisht nuk spjegohet gërdia, neveria, urrejtja gati gjenetike e nji enveristi kur e ndigjon dikend tue folë Gegnisht. Mirëpo, interesimet e mia dhe lansimi i Gazetës Java e kapërcen këte kontekstualizim të ngushtë mbrendashqiptar të kësaj çashtje. Për mue personalisht dhe besoj për JAVA, Gegnishtja asht vetëm nji sfidë me të cilën provokojmë dhe atraktojmë sensin për tolerancë të shoqnisë shqiptare. Gegnishtja asht test i cili dëshmon dhe provon se sa shoqnia shqiptare asht e gatshme me e pranue Të Ndryshmen, Tjetrën. Sa asht tolerante dhe e gatshme për respektimin e diversiteteve jo vetëm linguale, por edhe konfesionale, kulturore...Sepse Gegnishtja, në kontekstin e integrimeve europiane, nuk asht ma vetëm pasuni shqiptare, por edhe pasuni europiane. Asht pasuni botnore që pasunon diversitetin lingual botnor. Interesimet e mia po them, tejkalojnë kontekstin shqiptar. Japin e marrin me ate që në mënyrë të popullarizueme quhet – ekologji linguale. Une jam nji ekolog lingual:) E vuej e më dhemb mosshkrimi e mosbotimi i nji zanoreje, i nji rrokjeje, e lene ma nji gjuhe të tanë si Gegnishtja. E përsëris: Gegnishtja asht Gjuha Amtare e 4 milionë europianëve.

Revista Haemus: Si do të mund t’i përshkruhej Prishtina e sotme një shqiptari që ka ëndërruar ta shohë dhe ende nuk ka mundur?

Migjen Kelmendi: Si qytet i dalun lufte: qytet i hallakatun, i trentë, plot piskama e zhurmë...decibelat ta shpojnë timpanin e veshit...nji Bombaj n’embrion. Por, ajo që asht pasunia ma e madhe e Prishtinës sot, e Kosovës sot, asht rinia e saj. 70 përqind e Kosovës janë të ri. Jo Prishtina, po krejt Kosova ta çon mallin e nji kafeterie të madhe ku s’un e ngon shoqi-shoin nga zhurma e muzikës, uturima e kerreve, nga piskamat e jetës.

Revista Haemus: Si e përjetuat luftën e Kosovës? Çfarë mendoni se mëson më qartë një shkrimtar në kushte të atilla, me vdekjen përreth e me një të ardhme njerëzore që vonohet?

Migjen Kelmendi: Une jam nji nga ata 1 milion të deportuem nga Kosova. Nga qyteti jem, Prishtina, policia serbe dhe njisitet speciale ushtarake serbe dhunshëm më muerën dhe me tren, bashkë me krejt qytetin tem, na deportuen në kufinin me Maqedonin. Se si duket nji qytet i deportuem, nji qytet i tanë i futun mbrenda nji treni të madh e të gjatë, u mundova me përshkrue në tregimin tem „Kosova’s Love Train”, të cilin e lexova në Kosmopolis 2004, në Barcelonë. Por, jeta asht gjithmonë ma e fuqishme se çdo narracion, se çdo fantastikë njerëzore. Asgja s’asht ma fantastike se jeta.

Revista Haemus: Cilin klasik të shqipes do të kishit dashur të njihnit nga afër?

Migjen Kelmendi: Nuk kam ndonji preferencë të veçantë, por tue e lexue, tue i pa fotografitë, stilin, vokabularin, fuqinë e fjalës e të veprimit, mendoj se Faik Konica asht personaliteti që m’ka ba përshtypje.



[1] Eksperimetet e Milgram’it janë eksperimente shkencore të psikologjisë sociale, që autori zgjanimisht i sjell dhe përshkruen në veprën „Obedience to Authority: An Experimental View” („Bindja ndaj Autoritetit: Nji vështrim eksperimental”, botue në vitin 1974. – shenim M.K.