Revista Haemus: E dashur Ardita Jatru. Njëheresh me
urimin për “Krahë prej letre”, - roman i sapobotuar nga Librarium Haemus dhe që
është pritur shumë mirë, - dëshirojmë të flasësh rreth fillimeve të tua
letrare. Si mbërrite deri tek shkrimi, apo ndoshta: si
mbërriti shkrimi tek ti? A ka ndonjë lidhje të veçantë mes fëminisë sate,
vendlindjes, hapësirës ku u rrite dhe u shkollove dhe frymës që përshkron
poezinë tënde? Me “lidhje të veçantë” kemi para sysh: prania e ndonjë vegimi,
drame, kthesash të papritura…
Ardita Jatru: Poezia lind brenda nesh në një çast të caktuar
në jetë. Unë nuk e mbaj mend mirë, por
mund të kem qënë 13-14 vjeç. Ka ardhur tejet natyrshëm tek une. Duke qënë
natyrë ëndërrimtare, e ndjeshme, kurioze për të eksploruar botën e njeriut dhe
e të parit ndryshe atë rreth nesh, ka lindur nevoja për ta shprehur në letër.
Kjo ka qënë një menyre reflektimi. Por unë besoj dhe tek adn-ja. Babai im
shkruan poezi, ndoshta këtu ka vend shprehja „dardha nën dardhe piqet“.
Në fakt,
jam rritur në një familje librangrënësish,
me një dashuri të madhe për librin, ndaj nuk mund të veçoja unë si fëmijë e
kësaj familjeje. Megjithë kushtet e dobëta ekonomike të atij sistemi, që e
kaluam të gjithe, librat kanë zënë vendin parësor në shtëpinë time, ishte buka
jonë e shpirtit dhe e mendjes. I kalonim dorë më dorë, mbaronte njëri, fillonte
tjetri. Ekzistonte fryma e artit dhe e fjalës. Kështu u rrita.
Çfarë përvoje ke nga bota letrare shqiptare dhe e
huaj?
Nga bota
letrare shqiptare nuk kam asnjë përvojë, edhe pse unë i drejtohem lexuesit
shqiptar. Kjo ndoshta ngaqë jetoj larg vendit tim prej shumë vitesh dhe, duke
qënë në të tille pozitë, ngushëlloj veten. Interneti është e vetmja mënyrë
lidhjeje dhe informimi për gjithçka ndodh në hapësirën shqiptare, pra me
letërsinë në Shqipëri. Edhe këtu ku jetoj, përvojat janë të pakta, shumë të
pakta. Arsyeja kryesore është se unë nuk shkruaj në gjuhë të dyte. Kam bërë
përpjekje të përkthej poezitë e mia, por mundimet e mia kanë dështuar, i kam
flakur. Aq më keq, e kam të pamundur të shkruaj poezi në gjuhë të huaj. E besoj
verbërisht se poezia është gjuha e shpirtit dhe ai flet gjithmonë gjuhën e
nënës. Pra, jam akoma në stadin e një fillestari përsa i përket përvojave në
botën letrare, qoftë atë shqip, apo edhe të huaj.
Cila ishte ecuria e vëllimeve të tu poetikë?
Kësaj
pyetjeje mund edhe të mos i përgjigjesha, ose të vendosja disa pika në vend të
përgjigjes, sepse është një fakt që dihet, qoftë nga poetët apo edhe nga ata
pak dashamirës që lexojnë poezi. Akoma më keq kur bëhet fjalë për një vend si
Shqipëria, ku interesi i pasurisë materiale ka zënë vendin e pasurisë
shpirtërore. Jetojmë në kohë të vështira, ndaj unë nuk kam asnjë lloj
pretendimi që poezia në Shqipëri të shitet dhe lexohet.
Pra, nuk
ekziston asnjë lloj ecurie e vëllimeve të mi poetikë. As shpërndarje e as shitje. Më janë premtuar
shpërndarjet nga shtëpitë botuese, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Pra, çdo
iluzion i krijuar gjatë botimit të librit, është fshirë me gomë, me një ankesë
të madhe brenda meje. Më ngushëllon fakti që më lexon ti, ai, ajo, pra ne që
shkruajmë, disa prej nesh(!) me pak fjalë. Librat i kam në depon e shtëpisë, në
këtë mënyrë të paktën depoja nuk duket bosh.
Kalimi nga poezia në prozë u ndodh jo pak
autorëve. Në rastin tënd, gjykuar nga stili dhe misteri i romanit “Krahë prej
letre”, nuk duket të jetë një ngjarje e llogaritur. Nga e mblodhi lëndën
artistike ky roman? A mund të mos qe shkruar?!
Unë nuk i
bëj llogaritë me letër e laps kur shkruaj, pra ky roman, por edhe vëllimet poetikë, me këtë logjikë, nuk do të ishin shkruar kurrë, ose nuk do
të shkruhen. Në lidhje me romanin, gjithçka lindi natyrshëm. Tentativat në
proze kanë qënë deri tek tregimi, por ja që guxova dhe shpresoj që guximi të
shkojë më tutje, me të tjera trille.
Tani e
kuptoj që kisha thjesht nevojë për një shkendijë që unë të reagoja, por thjesht
më mungonte lënda dhe kjo ndodhi një nate teksa po shihja një dokumentar me
temë prostitucionin në Evropë. Jam shokuar shumë nga rrëfimet e viktimave, të
vërteta që do lëndonin çdo njeri me shpirt dhe të moralshëm. Midis tyre kishte dhe tre shqiptare, si tani e
mbaj mend tronditjen. Shoqëria shqiptare ka një plagë të madhe përsa i përket
prostitucionit, por unë, një njeri i vetëm, nuk mund ta shuaj dot magjishëm
dramën e femrës shqiptare, por vetëm ndërgjegja e shoqërisë mund ta bëjë këtë,
unë thjesht reflektoj si individ. Kjo është një çeshtje madhore dhe ka shumë
vend për të folur e për t’u marrë me të, por dua të pranoj se baza e lëndës
sime është marrë nga dokumentari i asaj nate. Pra, krijova një histori, në një
kohë pa kohë, gërshetova jetë personazhesh në një të vetme, por gjithsesi është
një trill letrar, një trill që përmban ndoshta edhe doza të vërtetash. Fundja
ky ishte edhe qëllimi im: të vija e vërtetë tek lexuesi. Ndoshta duhet t’u
kërkoj falje personazheve që vodha një pikë nga oqeani i jetës së tyre për të
ndërtuar gjithë strukturën e romanit në fjalë.
Cilën kategori qëniesh përfaqëson protagonistja?
Përfaqëson
ata njerëz, qe kërkojnë vazhdimisht një shpatull ku të mbështeten. Ata që janë në kërkim të dashurisë së vërtetë
njerëzore, të cilën nuk e kanë patur kurrë, për të plotësuar boshllëkun në
shpirt. Njeriu ndërtohet si personalitet vetëm nga dashuria, e çfarëdo lloj
forme qoftë ajo. Ështe fenomeni bazë që nga lindja e njeriut për ndërtimin e
karakterit të tij. Nëse kjo mungon, atëhere individi është një jetë në kërkim të
saj. Dashuria është çelësi i jetës. Po ta dhanë në dorë, di ta hapësh derën
lehtesisht, në të kundërt do ta kërkosh se ku e kanë fshehur. Kjo e fundit
është një odise mundimesh.
Ç’bejnë personazhet e tu jashtë librit, në jetën e
përditshme?
Ata janë fëmijë
të lumtur. Shijojnë çdo karamele si të
jetë e fundit.
Ngjarjet e romanit përshkojnë treva e shpirtra të
shumtë e megjithatë ato nuk çojnë në zgjidhje “të caktuara”.
Madje as qëndra e romanit nuk synon drejt klasikes, ndonëse struktura e tij
ruan mjaft tipare të prozës klasike…
Personazheve
iu dhashë jetë në një botë pa kufinj. Le ta përfytyrojë lexuesi kohën dhe
vendin sipas këndvështrimit të tij, por nuk ka qënë ky synimi im. Për mua
rëndësi ka mesazhi që përcjell shkrimtari.
Në koken
time kishte marrë jetë një histori, pista ngjarjesh, të cilat unë duhej t’i
zgjeroja dhe t’i hidhja në flete, pra dua të them se nuk kam patur parasysh
këtu të ndiqja një tipar të veçantë. Unë nuk di të shkruaj sipas atij ligji apo
këtij rregulli, shkruaj si më vjen. Me të tjerat le të merren kritikët letrarë.
Qysh nga viti 1990 u zhvendose në Mërgatë.
Ç’përfaqësonte Greqia për ty dhe çfarë përfaqëson ajo sot, pas kaq kohësh? Po
mërgimi në përgjithësi?
Greqinë me
mërgimin në përgjithësi, po i lidh të dy njëheresh, sepse për mua kanë të
njëjtin kuptim. Dikur përfaqësonin të panjohurën, atë ku unë nuk do bëhesha
kurrë pjesë, ndoshta-ndoshta si derë të mbyllur, të lartë e të hekurt, që e
shoh me sy dhe nuk do ta shkel kurrë, ose, nëse e shkel, do përballesha me
refuzimin. Ndjenjë e keqe kjo për çdo njeri. Por ndodhi e natyrshmja. Unë i
përkas brezit që fluturoi dhe e ndërtoi folenë gjetkë, larg tokës së njohur që
quhet mëmëdhe. Gjatë gjithë këtij procesi ndërtimi, ti zhvillohesh si njeri pa
e kuptuar, sepse lodhja, djersa, plagët (ato të dukshmet dhe të padukshmet),
dhimbja, humbja dhe vetmia, të gjitha këto, përbëjnë pjesët kryesore për të
vënë në punë motorrin e ndërgjegjes. Kjo do të thotë rritje mendore, që, në të
tjera kushte, ndoshta unë nuk do ta kisha arritur kurrë.
Çfarë roli luajti e shkruara në jetën tënde prej
mërgimtareje që krijon, por që ende nuk njihet sa duhet?
Përgjigja
është nga këndvështrimi im personal, të tjeret nuk janë unë, janë ata,
funksionojmë ndryshe si qënie, ndaj nuk përgjithësoj rolin që pati të shkruarit
në jetën time si mërgimtare me të tjerët. Fuksionin e kreu, ta dua vetminë, dhe
vetmia jam Unë.
Kaherë ti bën fotografi që jo vetëm befasojnë, por
që lidhen shkallë-shkallë mesveti dhe kanë shansin të shndërrohen në një vepër
më vete në lëmin e imazhit. Nuk është arritje e pakët, po të kemi para sysh që
sot gjithsecili ka nga një aparat me vete…
Nuk po e
marr si kompliement, thjesht unë mbetem një amatore e apasionuar e fotografisë
dhe kaq. Arti është brenda nesh, lum ata që janë të bekuar me këtë dhuratë
hyjnore. Në këtë rast, syri artistik
është i lindur, nuk ka nevojë per teknologji. Teknologjia shërben për të
lehtësuar funksionin. Fotografia është arti i të parit ndryshe botën, një
objekt i marr nga kënde të ndryshme, dhe si e tillë shihet dhe perceptohet
ndryshe nga secili. Nëse imazhin e përcjell me art, atëhere fotografia kthehet
automatikisht në vepër arti.
Mund të thuhet se fotografia është për ty poezi pa
fjalë? Po e anasjellta?
Dua të jem
e sinqertë, fotografia lindi si nevojë për të plotësuar mungesën e muzës. Por
tani s’më lëshon ajo. Monopat i bukur edhe ky, që duhet ndjekur me pasion.
Çfarë vendi ze Udhëtimi në jetën tënde?
Është një
përmbushje, një ëndërr që po bëhet e kapshme pak e nga pak, sipas mundësisë
ekonomike. Por kam shumë për të parë e shkelur, një Zot e di. Sidoqoftë, një
biletë pa afat kthimi, mirë do ishtë. Nëse është dëshira e Tij, mundet ta ketë
lënë për në fund, por… nuk dua të iki nga kjo botë e varfër dhe e verbër, në
kuptimin shpirtëror. Megjithatë, unë i besoj dhe teorisë tjetër që, nuk është
nevoja të udhëtosh për të parë boten, por mjafton të kesh sy.
Një njeri, libër, ngjarje – që ka ndikuar më
fuqishëm në formimin tënd…
Nëna ime.
Akoma edhe sot vazhdon me mënyrën e saj të më ndikoj. Është një grua
inteligjente dhe frymëzuese.
Libër… nuk
mund të veçoj, sepse të jem e sinqertë, në këtë moment nuk mund ta kruaj
memorien. Por çdo liber që lexoj ka një afeksion tek unë, e përjetoj dhe kjo
mund të lërë gjatë gjurmë tek unë.
Ngjarje… të
jesh emigrant në vend të huaj, për mua përbën ngjarje kryesore, më vete, në
jetën e gjithkujt dhe, si e tillë, ndikon në formimin tënd si njeri.
Cila temë do të ishte kryesore për ty gjatë
bisedës më një autor të moshuar? Po me një të ri?
Unë jam
natyrë spontane, ndaj nuk mundem të mendoj përgjigjen. Dhe tani që më duhet të
mendohem, prapë një çorbë kam në kokë dhe s’di se cila është ajo, e sakta, që
duhet të të përgjigjem. Jam njeri që pyes shumë, flas shumë, aq sa ndonjëherë
lodhem edhe me veten. Dua të them që, gjithçka duket rrugës gjatë bisedës me
dikë. Pikësepari, unë e vlerësoj shkrimtarin nga vlerat e jo nga mosha.
Nëse do të të kërkohej ngjarja më zbavitëse e
mërgimit, cila do të kish qenë ajo?
E thënë
ironikisht, ngjarja më zbavitëse që ndodh në përditshmëri, është kur ti i flet
shqiptarit shqip dhe ai të përgjigjet me greqishte të çalë. Në fakt, mua më
vjen keq për fëmijët e tyre, po humbasin identitetin.
Po e kthimit të parë në vendlindje?
Më kërkoni
të kthehem 20 vjet prapa. Jam pak e mjegullt. Por e vetmja gjë që është sigurt
dhe e vërtetë, është se kisha dy vjet pa e parë nënën time dhe ajo që desha me
padurim, ishte të shihja sytë e saj t’i puthja gushën. Aq më mungonte.
Çfarë mendon në këtë periudhë protagonisti i
librit tënd të ardhshëm?