KOPI KYÇYKU: Demokracia dhe marrëdhëniet ndëretnike

Rajoni ynë gjeopolitik, me vështirësitë dhe krizat e veta, të shkaktuara nga shndrrimet demokratike të periudhës kalimtare apo të tranzicionit, përballet me tri barrë strategjike që duhen mbartur paralelisht. Këto janë: e para - modernizimi ekonomiko-shoqëror; e dyta - demokratizimi konsekuent, pra vendosja e shtetit juridik dhe, e treta, - e pandarë nga dy të parat, - është ritrajtimi i problemit kombëtar në nivelin që kërkon mijëvjetshi i tretë.
Duhet thënë se në fund të shekullit XX u shfaqën njëheresh dy prirje të ndërlidhura. Fjala është, nga njëra anë për procesin e globalizimit në evolucion të plotë dhe, nga ana tjetër, për atë të diferencimit të theksuar. Jemi dëshmitarë dhe pjesëmarrës në një proces që veçorizohet ndjeshëm nga kërkimi i identitetit kombëtar-etnik, dukuri kjo, që nuk është hasur vetëm në Evropën Qëndrore e Lindore, por edhe në atë Perëndimore gjatë integrimit evropian. Mjaft të kujtojmë debatet e nxehta dhe konfliktet që lidhen me Maastrihtin.

Në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit XX mbrojtja juridike e pakicave kombëtare dhe etnike u bë gjithnjë e më shumë një nga përbërëset thelbësore të marrëdhënieve ndëretnike, e stabilitetit dhe e sigurimit ndërkombëtar. Me këtë rast u duk edhe më qartë se, as gjendja e të drejtave të njeriut, as afirmimi i të drejtave të pakicave kombëtare, nuk mund të këqyren si çështje ekskluzivisht të brendshme të një vendi apo të një tjetri. Këto konsiderata janë nxitur edhe nga ecuria e një dukurie të zymtë që po ravijëzohet mbi rajonin tonë, mbi krejt Evropën: hija e destabilizimit, apo “demoni i nacionalizmit”. (Shih Gáll Erno, A Nacionalizmus szinevaltozàsai, Ndrrimi i fytyrës së nacionalizmit, Oradea, 1994).
Sërish paragjykimet dhe padrejtësitë e përftuara nga konfliktet kombëtare, po mbushin boshllëkun e shkaktuar nga shkatërrimi i sistemeve parti - shtet dhe i ideologjive të tyre. Na kërcënojnë, po ashtu, edhe lëvizjet e organizatat e së djathtës ekstreme e neofashiste. Nën ndikimin e tyre kanë zënë fill ballafaqime të hapura ndërmjet grupeve etnike, që, jo një herë, janë shndrruar në luftra civile të përgjakshme. Në mjaft shtete po nxjerrin krye forca centrifugale përherë e më radikale. Të gjitha këto na çojnë vetiu në përfundimin që nacionalizmi po del si ideologjia më e efektshme e këtij fundshekulli, e veçorizuar nga një dhunshmëri e pamatë. Gjithashtu nuk mund të anashkalojmë faktin që edhe lëvizjet e nxitura prej tij kanë një kompleksitet dhe elasticitet të pazakontë. Për këtë arsye nuk mund t’i quajmë të ekzagjeruara fjalët e historianit të mirënjohur anglez Eric Hobsbawn: “Nacionalizmi ka qënë gjithmonë, qysh në fillimet e veta, një dukuri enigmatike”. (Po aty, f. 229). Mund të pohohet se gjatë ekzistencës së tij, nacionalizmi ka pasur rol herë progresiv e konstruktiv e herë retrograd e dëmprurës. Jo gjithmonë është e lehtë të heqësh një vijë demarkacioni, - si në hapësirë, ashtu edhe në kohë historike, - ndërmjet rrymave ideopolitike që shprehin aspiratat kombëtare të ligjshme dhe atyre diskriminuese, ksenofobe, të drejtuara kundër grupeve të tjera etnike, me synim ngjalljen e urrejtjes. Njëkohësisht do të ishte gabim t’i barazonim problemet kombëtare të mirëdillta, me shfaqjet e nacionalizmit fanatik. Kjo do të ishte një mënyrë tepër thjeshtëzuese, që do të shprehte një nga stereotipet aq të përhapur në Perëndim.
Problematika kombëtare përbën një të tërë, burimet e së cilës mund të ishin: a. aspirata për rifitimin e sovranitetit kombëtar dhe garantimi i tij si kusht për integrimin evropian; b. përpjekja për zhdukjen sa më shpejt të handikapeve të modernizimit; c. grindjet teritoriale dhe kufitare; ç. prirja për ndryshime të strukturës shtetërore-administrative (federatë, konfederatë); d. pakënaqësi lidhur me realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe etnike. Duhet thënë se kjo përputhet në disa aspekte me përkufizimin që jep Pierre Kende në studimin e tij “L’heure du nationalisme”. (Shih vëllimin “Cet étrange postcommunisme”, Paris, 1991). Aty autori demonstron, nga njëra anë, se rishfaqja e nacionalizmit bën pjesë në trashëgiminë e komunizmit dhe, nga ana tjetër, që kjo dukuri ushqehet nga disa procese që i ka të vetat e kaluara historike. Për të kuptuar më mirë aspektet dhe konfliktet kombëtare, të cilat nganjëherë marrin trajtë të dhunshme, duhet theksuar se, në këtë pjesë të Evropës kanë sunduar gjatë shekujve perandori shumëkombëshe (otomane, cariste, habsburgase). Teksa Perëndimi i zhvilluar e ka parë tek rritej kombin-shtet si tip mbizotërues, në Lindje të Evropës evolucioni ka përshkuar fazat popull-gjuhë-komb-shtet. Në rajonin tonë lindja e kombit “kulturor” ka përbërë një shtysë për daljen më vonë të unitetit kombëtar, përkatësisht të shtetit kombëtar. Prandaj lëvizjet nacionalçlirimtare u vinin vetes në radhë të parë pikësynime gjuhësore e kulturore. Në këto treva, me përjashtime të pakta, vështirë të gjesh popuj të cilët të kenë jetuar ekskluzivisht në shtetet e tyre të mirëfilltë. Gjithashtu, ka qënë përcaktues fakti që kufijtë e grupeve etnike nuk kanë qënë identikë me ato të shteteve. Përkundrazi, vërejmë shpesh fillimin, madje edhe përfundimin e krijimit të kombeve përpara shfaqjes së shtetit kombëtar. Të gjitha këto bënë që në Evropën Qëndrore ngjizja e kombeve të ishte një proces tepër i vështirë, i shoqëruar me lloj-lloj konfliktesh.
Në shumicën e rasteve bashkekzistenca e kulturave është shënjuar nga konflikte. Kjo gjendje mund të ilustrohet në kohët tona me regjimin e Slobodan Milosheviçit, ku aspiratat kulturore-kombëtare të shqiptarëve, - madje mazhoritarë, jo minoritarë, - u shkelën me këmbë nga sundimi i serbomëdhenjve, me synime asimiluese. Por këto qëndrime nuk mund të shkojnë mirë me demokracinë, prandaj shumica e nacionalizmave që janë shfaqur në rajonin tonë, kanë natyrë antidemokratike, sepse, ndër të tjera, me çdo mjet trumbetojnë epërsinë e njërit apo tjetrit komb. Konkretisht, serbët, ashtu si edhe popuj të tjerë para tyre, ranë pré e histerisë kolektive duke ua prerë udhën zgjidhjeve të arsyeshme të problemeve që patën nxjerrë krye herëpashere. Qorrsokaku në raste të tilla mund të kapërcehet vetëm përmes njohjes së thellë e respektit të ndërsjellë, afrimit e bashkëpunimit.
Nxjerrja në pah dhe zbatimi në praktikë i rolit - urë shpreh interferencat pakicë - shumicë, ashtu si edhe ato midis pakicës dhe kombit mëmë. Kjo mund të sigurojë një lidhje midis shteteve dhe të luajë një rol ndërrajonal në fqinjësinë e mirë.
Falë kthesës së viteve ’90, projekti i “uniformizimit” i përpunuar nga regjimet komuniste, dështoi njëheresh me gremisjen e diktaturave totalitare. Bashkëjetesa e vazhdueshme midis popujve dhe kulturave, marrëdhëniet ndërmjet tyre, mund të zhvillohen vetëm përmes shndrrimeve demokratike në vendet përkatëse. Kjo perspektivë do të realizohet, gjithashtu, kur grupet etnike, kombet dhe kombësitë, do të mbrojnë kulturën e tyre, traditat historike dhe identitetin, duke qënë luajalë ndaj vendit, shtetësinë e të cilit mbajnë. Gjuhët e kulturat kombëtare përbëjnë jo vetëm vlera, por janë edhe krijuese vlerash të reja.
Duke pasur parasysh që pakicat janë elemente të rëndësishme në kuadrin e pluralizmit politik dhe kulturor të shoqërisë, si dhe faktorë shtetformues, në një regjim demokratik duhet t’u garantohen të njëjtat të drejta si shumicës në të gjitha fushat, pa asnjë kufizim: në arsim, në përdorimin e gjuhës amtare etj. E drejta e identitetit kulturor, etnik e gjuhësor, është një e drejtë themelore e njeriut dhe një parim përcaktues. Kjo tregon se pakicat shihen si një pjesë e kombit-mëmë nga pikëpamja kulturore, çka parakupton mundësinë për mbajtjen me to të një shumëllojshmërie marrëdhëniesh. Përveç mirëkuptimit në plan të brendshëm, është i domosdoshëm krijimi i një sistemi ndërkombëtar e evropian për mbrojtjen e pakicave. Hapat e para në këtë drejtim janë hedhur me Deklaratën e Kopenhagës (5 dhe 29 qershor 1990) të Konferencës Evropiane për Sigurimin, me Kartën e Parisit të kryetarëve të shteteve e të qeverive (21 nëntor 1990), si dhe me krijimin e institucionit të Komisarit për Pakicat e më në fund me Planin Balladur. Natyrisht normat dhe rekomandimet e dokumenteve të mësipërm do të marrin vlerë në pajtim me legjislacionin e çdo vendi. Qartësimi i pikëpamjeve me dialog do të përgatitë kompromisin historik midis shteteve kombëtare të rajonit tonë, paqtimin aq të nevojshëm për të gjithë. Sepse, ndër të tjera, pakicat kombëtare mund të sjellin një ndihmesë të rëndësishme në afrimin e popujve të rajonit tonë. Nga ana tjetër, një zgjidhje qetësuese e problemit kombëtar nuk varet nga integrimi evropian vetëm i njërit apo tjetrit vend, por nga integrimi i krejt rajonit. Në të njëjtën kohë zgjidhja e mësipërme varet nga modernizimi dhe demokratizimi i të gjitha vendeve të interesuara. Paqtimi kombëtar i rajonit tonë parakupton edhe një përmasë etnike. Kjo është një fushë ku deondologjia e re shihet si e domosdoshme sepse duhet të na bëjë të përgjegjshëm e të vetëdijshëm për të ardhmen e planetit.

Sa për Shqipërinë, por edhe për Rumaninë, falë një tradite tolerance, që u çua më tej e u pasurua në kushtet e reja në demokraci, këto dy vende nuk u shndrruan në teatër konfliktesh të përgjakshme, siç ndodhi në ish Jugosllavi e në ish Bashkimin Sovjetik. Shqipëria dhe Rumania gëzojnë stabilitet, por kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme që presin zgjidhje apo që duhen parandaluar. Fjala është për rrezikun që paraqitin rrymat dhe personalitetet ekstremiste që dalin, si nga radhët e shumicës, ashtu edhe të pakicave, duke frenuar thellimin e demokracisë së brendshme dhe procesin e afrimit ndërmjet grupeve kombëtare. Madje nuk duhet harruar se, sikurse vinte në dukje me të drejtë qysh më 1970 Henry Lefebvre, pavarësisht nga evolucioni teknik uniformizues dhe orientimi politik i nacionalizmave, diferencat kombëtare dhe dallojat kulturore specifike do të vazhdojnë të ruhen.