KOPI KYÇYKU: Intelektuali eurolindor


Edhe pse ajo çka po përjetojmë aktualisht, për fat të keq, nuk përfaqëson një tranzicion apo kalim të mirëfilltë drejt demokracisë, shumëkush - do të desha të besoj - shpreson se, pavarësisht nga “trashëgimia leniniste”, në Evropën pas-komuniste do të ndërtohen shoqëri të hapura. Gjithsesi historia e disidencës ka për ta gjetur vendin që i takon në kuadrin më të gjerë të historisë së komunizmit.

Megjithse kolapsin e komunizmit, më të shumtët e shikonin si të pashmangshëm, - ama si diçka që do të ndodhte pas një kohe të gjatë e si një rrjedhojë të difekteve të sistemit, jo si një eveniment përmbysjeje të gjithëmbarëshme që do të realizohej në një të ardhme të afërt, - ekzistoi një prirje e qartë për të lavdëruar rolin që luajtën intelektualët disidentë në provokimin e këtyre ngjarjeve. Le të përmendim në këtë drejtim pohimin e Timothy Garton Ash, vëzhgues, komentator e përkrahës perëndimor i disidencës euroqëndrore, sipas të cilit revolucionet e fillimviteve ‘90, njëlloj si ato të vitit 1848, janë revolucione të intelektualëve, ku idetë disidente për shoqërinë civile, për të drejtat e njeriut dhe për demokraci, kanë ushtruar një ndikim vendimtar. (Timothy Garton Ash, The Magic Lantern. The Revolution of ’89 Witnesset in Warsaw, Budapest, Berlin and Prague, New York: Vintage Books, 1990, f. 131-156).
Por, me kalimin e kohës, me zbehjen e entuziazmit të ditëve të para dhe me daljen e analizave të reja gjithëpërfshirëse të fenomenit, u pa se, në fund të fundit, fakti që regjimet komuniste u përmbysën afërsisht në të njëjtën kohë në krejt Evropën, pavarësisht se në një vend si Polonia ekzistonte sindikata e lirë e pavarur “Solidarnost”, apo në Hungari, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari a Shqipëri kishte intelektualë që “zjenin përbrenda”, dëshmon se disidenca nuk pati ndonjë rol vendimtar. S’ka pikë dyshimi që, pa situatën politike ndërkombëtare që i parapriu vitit 1989, rrjedhojë e gërshetimit të faktorëve “Gorbaçov”, “Reagan” dhe “Vatikan”, ndryshimet në Evropën Qëndrore dhe Lindore nuk do të kishin ndodhur aq shpejt. Për më tepër, veprimet e disidentëve, në mjaft raste, nuk përbënin ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë për regjimin komunist, çka shpjegon përse shumë syresh u toleruan nga autoritetet. Këtu e kemi fjalën për vende si Hungaria, Polonia apo Çekosllovakia dhe kurrsesi jo për Rumaninë, Bullgarinë e sidomos Shqipërinë, ku Sigurimi famëkeq i Shtetit nuk linte të pipëtinte as miza. Kjo nuk do të thotë të lihen në heshtje veprimet e guximshme e plot rreziqe të mjaft intelektualëve demokratë, që dashurinë për fjalën e lirë e paguan tepër shtrenjt, jo rrallë edhe me jetën vetjake e të familjeve të tyre.
Lidhur me ndihmesën e disidentëve në revolucionet e viteve ’90, duhet theksuar se pikësynimi i tyre nuk ka qënë përmbysja e regjimeve, por vetëm ndryshimet graduale në gji të sistemit. Strategjia disidente, e formuluar për të parën herë nga Adam Michnik, në studimin “Evolucionizmi i ri”, kishte si objektiv zgjerimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive qytetare. (Adam Michnik, Letters from Prison and Other Essays, Berke-ley: University of California Press, 1987). Kjo strategji donte të thoshte heqje dorë nga politika, fushë kjo e monopolizuar nga elita komuniste dhe futja në antipolitikë, që të përdorim kështu termin e Gyorgy Konrad-it. (Gyorgy Konrad, Antipolitics, San Diego: Harcourt Brace Jovanovich, 1984). Pra, pikësynimi i disidentëve evropianë nuk ka qënë marrja e pushtetit, por rigjenerimi i shoqërisë. Si e mendonin disidentët arritjen e këtij objektivi? Duke jetuar me të vërtetën, sikurse argumentonte Vaclav Havel në vazhdën e një ideje të Aleksandër Solzhenicinit, apo, me fjalë të tjera, duke hedhur poshtë gënjeshtrën e përditshme, e cila është e aftë ta shndrrojë secilin qytetar që e pranon në një mbështetës të regjimit. (Vaclav Havel etj, The Power of the Powerless, New York: M.E. Shape, 1990). Qëllimi maksimal i disidencës ka qënë para së gjithash liria e mendimit, e të shprehurit, e krijimtarisë letraro-artistike, pra e përftimit të një hapësire alternative, jashtë kontrollit të partisë-shtet. Intelektualët e Evropës Qëndrore, sikurse vinte në dukje G. M. Tamas, një nga disidentët më të njohur hungarezë, huazuan konceptin perëndimor të shoqërisë civile, por e përdorën në një kontekst të ndryshëm. Ata përkrahën formimin e shoqatave vullnetare, por jo aq për të krijuar solidarizime, si në shoqëritë liberal-demokratike moderne, se sa për të krijuar bërthama autonome, pluraliste, që do të kufizonin ndikimin uniformizues të shtetit komunist. (G. M. Tamas, The Legacy of Dissent, në The Revolutions of 1989, Londër: Routledge, 1999, f. 181-197).
Në thellim të sa thamë më sipër, vërejmë se, edhe kur revolucionet e fillimviteve ’’90 u zhvilluan me dhunë, si në Rumani e Shqipëri, por edhe kur u quajtën “revolucione të kadifesë”, ngaqë ishin tepër më “komodë”, - kujto Hungarinë, Poloninë apo ish Çekosllovakinë, - ata patën të përbashkët faktin, - këtu hyn edhe faktori i mendësisë, - që nuk ishin produkt i një opinioni ideologjik par excellence, por vetëm i raportit real ndërmjet forcave të asaj kohe: grupimet antikomuniste në të gjitha vendet e lartpërmendura, edhe sikur të donin, nuk ishin aq të fuqishme sa ta përmbysnin dhe ta zëvendësonin në mënyrë efektive dhe rrënjësore regjimin komunist e sidomos t’i shndrronin tërësisht e thelbësisht të gjitha strukturat e tij, ca më pak ato të brendshme, “të nëndheshmet”. Përndryshe, mbijetimi aktiv i këtyre të fundit, edhe sot e kësaj dite bie në sy, në trajta nga më të larmet, në të gjitha vendet e ish-kampit socialist. Shkurt fjala: empirizmi tani për tani ka zgjidhur deridiku problemet e ngutshme, imediate, por jo edhe ato të perspektivës.
Po ta këqyrim nga larg, nga jashtë, intelektualin eurolindor me orientim demokratik, tejpamja ideologjike e tij ka një orientim më të qartë e më të përcaktuar. Në këtë kontekst, roli i tij mund të përkufizohet me më shumë saktësi. Nuk është më pak e vërtetë që sinteza ndërmjet skemave, nocioneve dhe gjuhës së politologjisë perëndimore, nga njëra anë, dhe manierave intelektuale eurolindore, nga ana tjetër, nuk është aspak e lehtë. Dhe roli i “kritikës së ideve” është, ndër të tjera, pikërisht ky: të shërbejë si një tipar bashkues dhe si një riformulim sintetik në një stil të pëlqyeshëm, i interferencave dhe i ndikimeve frytdhënëse ndërmjet dy zonash ideologjike ende tepër larg njëra-tjetrës.
Thelbësore na duket, para së gjithash, e vërteta që roli i intelektualit demokrat eurolindor nuk ka marrë fund kurrsesi pas ngjarjeve me rëndësi historike vendimtare të viteve ’90. Pa dyshim, konceptet “demokraci”, “treg i lirë”, “vend sovran” etj, ai duhet t’i mbajë parasysh oreçast duke ndikuar sa më efektivisht në konkretizimin e tyre në praktikë, natyrisht pa ngritur “Bastija të reja”. Lipset të nënvizojmë me forcë domosdoshmërinë e pranisë aktive të intelektualit të lirë demokrat në shoqërinë e re që po ndërtojmë. Funksioni “disident”, “kundërshtues”, “propagandistik”, duhet të vazhdojë përmes një sëre veprimesh qytetare alternative të patundura, të pavarura nga shteti. Por, të ndërtosh një “shoqëri civile” të vërtetë, plotësisht të çshtetëzuar, është shumë më vështirë nga sa kemi kujtuar. Intelektuali bëhet, a më saktë duhet të bëhet jo vetëm demokrat, - kjo s’do mend, - por edhe tribun moral. Më shumë se një “spektator i angazhuar”, ai ka për detyrë të jetë një kritik militant. Pra, intelektuali lipset t’i vazhdojë përpjekjet për respektimin rigoroz të të drejtave të njeriut, për thellimin e pluralizmit, për liritë reale, sidomos lirinë e bashkimit në shoqata e organizata të tjera dhe lirinë e të shprehurit, të cilat janë ende larg realizimit të katërciptë e të mirëfilltë. Krahas pengesave të tjera objektive, - në këtë fazë kur trupi i shoqërisë postkomuniste, pas një lëngimi gjysmëshekullor nën diktaturë, ndodhet në periudhën e konvaleshencës, - shovinizmi, despotizmi, mungesa e tolerancës në përgjithësi dhe etnicizmi ekstremist në veçanti, ksenofobia e sidomos antisemitizmi, mbeten rreziqe gjithnjë aktualë, njëlloj si dhjetë vjet më parë. Nga ky këndvështrim, nuk mund të jemi në një mendje me Timothy Garton Ash kur pohon se intelektualët e Evropës Lindore (jo ata të Evropës Qëndrore), pas vitit 1989 nuk kanë krijuar “ide të reja”. (Between Past and Future. The revolutions of 1989 and their Aftermath, Budapest, Central European University Press, 2000, Përmbledhje studimesh autorësh të ndryshëm, f. 397). Ato s’ka se si të jenë “të reja” kur krahasohen me idetë perëndimore, që kanë hyrë me kohë në fondin e përbashkët të kulturës tradicionale, të kanunizuar, të tipit liberal. Por në Lindje, pas shumë dhjetëvjetshash “të menduari nën pranga”, pas gjysmëshekull totalitarizmi, barazitarizmi, komandimi, çpersonalizimi, që mbytën shprehjen e lirë e frymën kritike, idetë gjithsesi kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë të reja për nga efektiviteti në kontekstin përkatës. E, pra, në këtë vështrim, na duket gjithashtu i pavend mendimi i po këtij autori që roli i intelektualit lindor u reduktoka vetëm në një apologjet teorik i “shoqërisë perëndimore të konsumit” (po aty, f. 402). Eshtë e qartë se Timothy Garton Ash nuk ka përvojën e “arsyetimeve” komuniste dhe as të domosdoshmërisë së përpjekjeve energjike e të paprera që duhen bërë në Lindje për një “demokraci kapitaliste evropiane”, çka do të thotë: treg i lirë, pronë private, iniciativë private, konkurrencë etj. Këto terma tani mbase tingëllojnë si të rëndomta në Perëndim, por në Lindje vazhdojnë të përbëjnë një imperativ aktual, madje shpërthyes. Të paktën kur është fjala për të thyer disa qarqe radikal-komuniste fanatike.
Më tej akoma: gjendja dhe pozita e intelektualit demokrat në hapësirën eurolindore vazhdojnë të mbeten të vështira. Vërtet që ai e konsideron veten evropian në kuptimin euro-perëndimor të fjalës, por vështirësitë e integrimit real gjithsesi janë të mëdha. Integrimi evropian është i dëshirueshëm, si nga klasa intelektuale dhe politike, ashtu edhe - sipas sondazheve të kryera heraherës - nga shumica dërrmuese e popullsisë së vendeve të Lindjes, por, do të thoshim, është i detyrueshëm vetëm në mënyrë mimetike dhe sentimentale. Sepse njerëzit e thjeshtë nuk janë pothuajse aspak të gatshëm të paguajnë edhe çmimin real që kërkon ky integrim, i cili quhet privatizim i vërtetë, tërësor, ekonomi tregu me të gjitha rreziqet përkatëse, rendiment kompetitiv, mendësi kontraktuale me afate të sakta e rigoroze. Më anë tjetër, sindikatat, që vazhdojnë të vetëquhen shprehëse të interesave të klasës puntore “në fuqi” dhe të aleateve të saj nga radhët e shtresave të varfra në fshat e në qytet, u kundërvihen masave ekonomiko-financiare jopopullore (me dhe pa thonjëza) që mbarten e parakuptohen nga reformat. Kësisoj, “Evropa” për lindorët mbetet edhe tash e tutje një “zonë e ndaluar”, “mitiko-simbolike”, madje utopike.
Në rrugën e ngjizjes, zhvillimit dhe veprimtarisë së intelektualëve demokratë në Lindje, qëndron si pengesë edhe mosekzistenca e një klase të mesme të mirëfilltë. Dihet se intelektuali demokrat kritik është mishërimi tipik i “mikroborgjezit”, ndërsa ky i fundit përfaqëson antikomunistin e vërtetë, individualistin e paepur dhe jo kapitalistin, që, sikurse shprehej Lenini, “mund të shtetëzohet lehtë”. Vetëm një shtresë a klasë e mesme e mirëfilltë mund të krijojë një shoqëri civile në veprim e të hapur. Ca më tepër, po të mbajmë parasysh që nga radhët e kësaj klase vijnë pothuajse të gjithë intelektualët demokratë, në profesion të lirë, të cilët mund të shfaqin mendime të pavarura duke qënë se janë ekonomikisht të pavarur, sipas parimit: Geld ist Freiheit (Paraja është liri). Këtu futen sidomos sipërmarrësit privatë me iniciativë ekonomike dhe shpirt të zhvilluar investues, konkurrues e që marrin në sy çdo rrezik. Ky është një problem që e kanë rrahur dhe ëndërruar njerëzit shumë kohë përpara se të ndodhnin ngjarjet-kthesë të viteve ’90, sipas logjikës: ”Dua të ushqehem vetë, të rroj i lirë në vendin tim, pa lutur e pa i shërbyer askujt”. Edhe në radhët e rilindasve ballkanas, - shqiptarë, rumunë e bullgarë, - hasim deklarata prej të rinjsh intelektualë të lirë, pararendës të përkryer të sipërmarrjes private. (Shih, ndër të tjera, Scrisori, Letra,1834-1849, të Mihail Kogalniceanu, botuar në Bukuresht, Minerva, 1913, f. 105).
Larg idealizimit të intelektualit eurolindor, jemi të detyruar nga e vërteta të pranojmë se të gjitha arritjet e tij janë, në fund të fundit, suksese dhe realizime individuale. Talentet dhe karakteret e vërteta rezistojnë, - pothuajse në çdo rrethanë, - në mënyrë të natyrshme. Havel, Konrad, Michnik e të tjerë, janë shembuj tipikë në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, duke ditur se ç’ka qënë diktatura komuniste, bindemi përse roli i intelektualit eurolindor nuk ka mundur të ishte dhe ende nuk është i madh e ca më pak vendimtar në rrugën drejt progresit të gjithanshëm të shoqërisë. Mbi të gjitha, sikurse thotë një fjalë e urtë turke, “Can çikar, huy çikmaz” (Huqi del, shpirti s’del), çka në rastin tonë do të thotë pak a shumë: metodat e konceptet, mendësitë e vjetëruara, nuk ndryshohen dot shpejt. Apo, sikurse shprehej Marksi, “paragjykimet e të vdekurve rëndojnë si ankth mbi të gjallët”. Madje, edhe një e vërtetë tjetër e hidhur: “Socializmi shtetëror... do të mbetet i rëndësishëm edhe për shumë kohë pasi ta ketë braktisur skenën politike”. (Between Past..., v. cit., Valerie Bunce, f. 135).
Në këtë periudhë të “revolucionit jorevolucionar, të revolucionit evolutiv”, tensioni e debati i zbehtë ideologjik, madje edhe në rrethet e intelektualëve, gjithashtu duhet mbajtur parasysh. Edhe pse tradita revolucionare-demokratike nuk ka humbur, ajo nuk përfaqëson një dukuri përgjithësuese e sidomos tipike për intelektualin eurolindor. Jo rrallë, ky është treguar e vazhdon të tregohet oportunist, lëshues, përshtatës, i heshtur, indiferent, i mefshtë, partizan i zgjidhjeve të shpëtimit vetjak. Kjo shpjegohet, para së gjithash, me të vërtetën e hidhur që, në radhët e intelektualëve demokratë kanë depërtuar edhe shumë “trima pas lufte” e “të mençur pas kuvendit”, ish-puthadorë të zellshëm e servilë të regjimt të kaluar. Në se deri dje thërrisnin sa u çirrej zëri për komunizmin, tani e kanë ngritur tonin një oktavë më lart e janë ngjirrur fare për demokracinë. Këta dyfytyrës a, më saktë, të pafytyrë, me të parë nga fryu era, i kthyen krahët pangurrim së kaluarës komuniste “... se iku koha e Baba Qemos” e, me të gjitha “armët e bagazhet”, kaluan në anën e ish-armikut të tyre. Natyrisht, secili ka të drejtë të ndryshojë idetë, në dashtë edhe idealet, por me bindje e jo për interesa meskine. Të lartpërmendurit, pra, i kaloi në krahun tjetër jo argumenti i demokratëve, por etja për të “ngrohur vezë” në një kolltuk të ri. Kjo është arsyeja që njerëzit e thjeshtë, të të gjitha orientimeve politiko-ideologjike, jo vetëm nuk ua venë veshin dokrrave të “demokratëve” kriptokomunistë, por i përqeshin, madje nuk rrinë pa vënë në dukje rrezikshmërinë që këta sahanlëpirës profesionistë paraqesin për fatet e demokracisë së vërtetë. Vihet re ndonjëherë edhe një antiintelektualizëm rezidual (në rastin e Rumanisë: “Ne punojmë, nuk mendojmë”, të Shqipërisë:“Të kem të ha e të pi, pa se kush e bën politikën s’më hyn në qese” dhe më tej: “Ata lart i dinë këto punë”), sidhe mbijetimi i mitit të njeriut providencial, i “Shpëtimtarit magjik”, i fortë, me dorë të hekurt. (V. Tismaneanu, Chipurile postcomunismului, Fytyrat e paskomunizmit, artikull, 22, 30 maj, 8 qershor, 2000, cituar sipas revistës “Cuv\ntul”, Fjala, Bukuresht, nr. 7/279, korrik, 2000, f. 16).
Rasti i Shqipërisë dhe i Rumanisë është edhe më simptomatik e më i koklavitur, sepse partitë demokratike nuk po e venë as sot e kësaj dite theksin me forcën e duhur në luftën ideologjike antitotalitariste dhe antikomuniste, si dhe në programe të besueshëm në të mirë të njerëzve në përgjithësi e të klasës së mesme që duhet lindur e rritur, në veçanti.
Ç’është më e keqja: me përjashtime të rralla, këto parti i kanë shpërfillur, për të mos thënë i kanë nxjerrë jashtë loje, edhe ata të paktë intelektualë që janë të prirur për aksione të tilla. Prandaj ndikimi i fjalës së mençur e demokratike vazhdon të mbetet i zbehtë dhe në dorë të rastësisë. (Me ndonjë artikull në gazeta a revista, ndonjë leksion, intervistë, apo konferencë shkencore dhe kaq!). Duhet të mos harrojmë edhe diçka: aktualisht inflacioni ka zënë për fyti jo vetëm paratë, por edhe fjalën e folur e të shkruar. Për të njëjtin problem, jo rrallë jepen opinione nga më kontradiktorët; thuhen e tirren llojlloj pandehmash. Shkurt fjala: “Shprehu si ta ka ënda, shpif e përfol në daç, se askush nuk di se kush thotë të vërtetën!”. Kësisoj, regjimi demokrat postkomunist vazhdon të mbetet tepër i brishtë dhe lehtësisht i atakueshëm nga kushdo, në çdo formë e në çdo rrethanë, në emër e “për të mirën e demokracisë” (sic!)
Për më tepër, për hir të fitimit të sa më shumë votave, partitë demokratike, të djathta, të majta, apo të qëndrës qofshin, në vend që të bashkëpunojnë me ndershmëri e dinjitet, duke ruajtur secila parimet e individualitetin, huazojnë nga partitë kundërshtare, pra nga njëra-tjetra, ato pjesë të programeve përkatëse, që u leverdisin (për shembull: të djathtët “ua venë syrin” aspekteve sociale të të majtëve, ndërkohë që këtyre të fundit nuk u vjen aspak zor kur marrin prej ‘opozitarëve vëllezër’ masat privatizuese, edhe pse ideologjia socialiste e shpërfill pronën vetjake gjer në absurditet). Kjo çon, ndër të tjera, jo vetëm në çoroditjen e elektoratit, por edhe në diskreditimin e demokracisë.
Le të jenë këto konstatime, - shpresojmë jo vetëm tonat, - një grishje për intelektualin eurolindor, në radhë të parë për atë shqiptar, që, pa pesimizëm, me kthjelltësi e maturi, të vlerësojë raportin real të forcave në vendin përkatës, për t’i dhënë shtysë një mobilizimi frytdhënës e një orientim të qartë e largpamës krahut demokratik në shoqërinë që po ndërtojmë.
Lufta nuk mund dhe nuk duhet braktisur! Ajo është jo vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë historike për të sotmen e për të ardhmen e planetit.


Bukuresht, shtator 2000